Sharr, 17. 02. 2015 – Meqë nuk na ndanë distancë e madhe kohore, ende i kam të freskëta kujtimet nga festimi i të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008. Atëbotë edhe pse relativisht i ri në moshë i përcillja pothuajse të gjitha ngjarjet politike që çuan në shpalljen e pavarësisë, e cila ishte kryekëput produkt i shumë proceseve politike të komponuara nga bashkësia ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përmbledhura në një projekt të quajtur Pakoja e Ahitsaarit. Pa hyrë në detajet e procesit politik që rezultoi me shpalljen e pavarësisë, do të vë theks të veçantë në atë që më pati bërë përshtypje asokohe dhe për të cilën edhe sot e kësaj dite vazhdoj të shpreh habi, pra më konkretisht në entuziazmin, gadishmërinë dhe vullnetin e madh të popullit të Kosovës për të festuar, pa marrë parasysh faktin se çfarë ishte ajo për të cilën bëhej gjithë ajo festë, përkatësisht pa e analizuar mirë situatën se a ishte me të vërtetë ajo pavarësia e shumëpritur për të cilën u derdh mjaft gjak e mund nga breza të tërë.
Thënë realisht, jo vetëm sot që kanë kaluar shtatë vite dhe që ka dalur në pah gati gjithçka lidhur me karakterin e asaj pavarësie, por edhe atëherë nuk ishte aq vështirë për të kuptuar se për çfarë lloj pavarësie po bëhej fjalë, duke pasur parasysh këtu procesin e decentralizimit si produkt i Planit të Ahtisaarit që e ndau Kosovën, ku në vend se t’i shuante strukturat paralele serbe ajo u dha mundësi edhe më të mëdha zhvillimi, vet Pakon e Ahtisaarit që e projektoi pavarësinë e mbikëqyrur dhe me shumë të meta, si dhe mosgadishmërinë dhe joseriozitetin e pushtetit politik të asaj kohe për të çuar në vend si duhet procesin e krijimit të shtetit të ri.
Kosova e Hashimit në shtatë vjetorin e ‘pavarësisë’!
Duke u kthyer nga e kaluara tek aktualiteti, nëse i analizojmë mirë të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi, mund të vijmë në përfundim se edhe pse institucionet tona kishin mëse shtatë vite kohë për vënien e themeleve dhe konsolidimin e shtetit të ri, sot Kosova nuk plotëson pothuajse asnjërin nga kriteret e të qenit shtet dhe brishtësia e tij vërehet në çdo aspekt.
I gjendur mes mosgadishmërisë, pazotësisë dhe pavullnetit për të ecur përpara drejt zhvillimit dhe krijimit të një shtetësie të mirëfilltë në njërën anë, dhe servilitetit të tepruar të shumicës dërrmuese të klasës politike ndaj faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar në anën tjetër, shteti i ri i Kosovës po vazhdon të rrezikojë çdo ditë e më tepër statusin dhe faktin e të qenit shtet i pavarur. Në një vend ku pasuria e politikanëve dhe vartësve të tyre ka arritur milionat, përderisa më shumë se gjysma e popullatës janë të papunë dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre jetojnë në varfëri të skajshme, nuk mbetet më hapësirë tjetër interpretimi pos që ky shtet të quhet shtet drejt dështimit, për të mos thënë i dështuar totalisht. Aty ku armiku shumëshekullor serb, edhe pas shtatë vitesh të shpalljes së pavarësisë vazhdon që nëpërmjet mjeteve dhe mekanizmave të saja jolegjitime të mbajë ende të okupuara pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës, e institucionet e kësaj të fundit vazhdojnë heshtjen deri në pafundësi kundër gjithë këtyre padrejtësive, nuk mund të thuhet në asnjë mënyrë se ekziston pavarësia e hiq më pak sovraniteti.
Përveç kësaj Serbia vazhdon që të mbajë në kushtetutë Kosovën si pjesë të saj, ndërsa Europa me shumë dëshirë i hap asaj rrugën drejt antarësimit dhe gjithçka këtu duket normale. Nga ana tjetër qeveria jonë aktuale dhe ato para saj kanë vazhduar paturpshëm që të përdhosin dinjitetin e popullit dhe të vendit tonë, duke zhvilluar bisedime pa kushte me armikun e djeshëm, të sotëm dhe të nesërm, pa i dhënë llogari askujt fare.
Kur i kemi parasysh gjithë këto padrejtësi dhe mosgadishmërinë e popullit për të reaguar masivisht ndaj tyre, mund të themi lirisht se me të vërtetë jemi popull skajshmërisht i durueshëm, mirëpo durimi në këso situatash nuk është aspak i arsyeshëm. Aty ku pas shtatë vitesh të qenit shtet, dukuria e vetëvrasjeve të ish-ushtarëve të lirisë bëhet mëse normale; aferat si ajo „Pronto“ bëhet komedia më e famshme e dekadës; kreu më kriminal i nëntokës shndërrohet në shef të kuvendit; nënat gjakovare quhen „egërsira“ nga një ministër i qeverisë së republikës; migrimi masiv i popullatës konsiderohet nga qeveritarët si ikje për qejf; statusi i veteranit të luftës u takon edhe atyre që kurrë se kapën pushkën në dorë, madje ishin edhe bashkëpunëtorë të ish-sistemit Millosheviçian, e shumë të zeza si këto ndodhin gati çdo ditë, nuk mund të thuhet assesi që ekziston pavarësia ose shtetësia. Kjo edhe mund të quhet ndoshta pavarësi, por nuk është fare e tillë. Ajo i ngjanë më shumë një krijese të dehur e cila kurrsesi nuk mund të del nga ajo gjendje dhe vazhdon edhe më tej dehjen e saj, derisa vjen një moment dhe kjo gjendje e dehur të duket krejtësisht normale.
Po i kthehem fillimit, aty ku theksova se më habisin situatat kur populli ynë fatkeqësisht harron për një moment gjithçka dhe shpërthen në dalldisje e festë pa ndonjë arsye të vetme. Me gjendjen e rëndë të krijuar së fundmi, në vend të festës populli duhet të zgjidhte protestën dhe kundështimin qytetar ndaj shumë proceseve të dëmshme për sotmën dhe të ardhmen e tij. Pavarësia është e vërtet atëherë kur qytetari ka mirëqenie e dinjitet dhe republika ka kuptim e funksionalitet. Kosovës i mungon sot pavarësia e cila thuhet se ekziston por në fakt është e shumëvarur, sovraniteti i plotë dhe funskionaliteti i mirëfilltë i shtetësisë. Këso lloj pavarësish janë të neveritshme për t’u treguar si përralla fëmijësh, e lëre më të dilet e të festohet gjithandej, andaj s’ka festë e as arsye për të festuar.
– Kontakti me autorin: [email protected]