GJOKË DABAJ: ËNDËRR E RËNDË

Durrës, 10. 02. 2016: (Tregim) – E vrava tradhtarin me disa plumba në kokë. (E vrava në ëndërr, se kështu, jam një qyqar që s’ia gërvisht dot as qurrat nën hundë.)
E kisha pasur të vështirë, sa pata gjetur një armë: Pushkë moderne me silenciator, pushkë gjermane nga ato të Luftës së Dytë, kallashnikov, pistoletë gold, tete… Ish problem edhe vendi: Nga do ta qëlloja, nga një dritare në 50 a 100 metra distancë apo të dilja në rrugë dhe t’i afrohesha me marifet, pastaj të nxirrja armën dhe ta godisja? Duhej t’i gjuaja drejt e në kokë, sepse në pjesët e gjoksit ai mund të mbante këmishë antiplumb. Rojat ishin problem më vete, sepse, ata budallenj, duke mos arritur ta kuptojnë se janë duke i ruajtur jetën një tradhtari të kombit, mund t’i dilnin armës sime përpara dhe t’i ndalnin plumbat e mi në trupin e vet.
Gjithsesi, arrita ta shtrij përdhe të pafytyrin dhe, në momentin kur ruajtësit e tij do të më suleshin për të më vrarë ose për të më prangosur, i kërcënova me armën që e kisha në dorë, iu afrova trupit të shtrirë të atdhecopëtuesit, ia lëshova edhe 2 plumba mu në ballë, e shava “kalë, i biri i pelës!”, pastaj e zura armën për gryke dhe ia dorëzova oficerit të gardës.

Nuk pranova të jap asnjë deklaratë pa qenë të pranishëm gazetarët. Nuk e di si u realizua kjo, por, përderisa isha në ëndërr, doemos që do të bëhej ashtu si doja unë.
Gazetarët ishin aty. Deklarata ime ish fare e shkurtër dhe e qartë për cilindo që e kish kryer shkollën 9-vjeçare. Madje edhe për ata që i harxhojnë 9 vjet vajtje-ardhje shtëpi-shkollë pa mësuar as alfabetin.
“Të gjithë kryetarët e partivet shqiptare dhe kryetarët e shoqatavet patriotike shqiptare, kudo që janë, duhet të kenë në krye të programevet të vet këtë kërkesë: TË ZHVLERËSOHEN VENDIMET QË JANË MARRË NË DËM TË SHQIPTARËVET, NË KONGRESIN E BERLINIT 1878, NË KONFERENCËN E LONDRËS 1913 DHE NË KONFERENCËN E PAQES NË PARIS 1919! Ata kryetarë partishë dhe kryetarë shoqatash shqiptare që nuk e dëgjojnë këtë urdhër të atdheut tonë, do t’i vrasim një nga një, në emër të atdheut. Edhe kryeministrat e 2 shtetevet shqiptarë do t’i vrasim, edhe kryetarët e parlamentevet në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, do t’i vrasim, nëse brenda 2 javësh nuk do ta shtrojnë këtë kërkesë në forumet ndërkombëtarë. E vetmja rrugë shpëtimi e tyre është, të kërkojnë prej ndërkombëtarëvet zhbërjen e atyre 3 dokumenteve, që e kanë sakatuar Shqipërinë.”
Pastaj më ka ardhur për të pirë ujë, por ujë s’kam pasur. Kisha dhimbje koke të padurueshme, megjithatë u jam përgjigjur disa pyetjeve.
“Në të gjitha lagjet e qytetevet dhe në të gjithë fshatrat i kemi tashmë të ngritura celulat tona të veprimit patriotik. Secila celulë përbëhet prej vetëm 2 anëtarësh. Atje ku këto celula mungojnë ose ku konsiderohen të pamjaftueshme, rekomandoj që të krijohen sa më parë. Asnjë celulë nuk duhet të presë kurrfarë urdhëri nga qendra. Mjafton të dijë që njëri nga të quajturit personalitete nuk e ka vënë ujin në zjarr për prishjen e atyre 3 vendimeve ndërkombëtarë dhe kjo është e mjaftueshme për ta ekzekutuar pa kurrfarë hezitimi.”
Më bënë sërish pyetje dhe unë iu përgjigja:
“Askush nuk mund ta asgjësojë organizmin tonë. Ne jemi të paasgjësueshëm! Ne jemi kudo! Ne do ta realizojmë qëllimin tonë!”
Më çuan së pari në hetuesi, pastaj në qeli. Nuk e di a gjendesha në Tiranë apo në Prishtinë. S’e di a më kish në dorë ndonjë prokurori ndërkombëtare apo prokurori shqiptare, e komanduar prej kushedi çfarë specialistësh ndërkombëtarë. Por di që gjendesha midis dhjetëra, ndoshta qindra të arrestuarish shqiptarë, që të gjithë vrasës si dhe unë.
Njëri kish vrarë një shitës argjendarie, sepse s’kish pranuar të shtrihej përtokë, kur ky po mbushte trastën me sende të argjendtë e të florinjtë. Një kish vrarë gruan. Nuk dihej pse. Dikush thoshte se ajo e kish tradhtuar, dikush, se s’i kish dhënë para për të pirë raki. Në krah të tij ish një tjetër që kish vrarë gruan, se ajo bërtiste e qante, kur ky i linte krejt paratë në të quajturat lojëra fati. Një kish vrarë fqinjin për shkak të një plepi. Një kish vrarë shokun e vet, sepse ai s’ia kish dhënë 100 mijë euro për drogën e shitur. Një kish vrarë nja 5, thjeshtë sepse ata qenkeshin ndodhur në të njëjtin lokal në 3 të mëngjesit dhe thuhej “mirë ua ka bërë, sepse ç’kërkonin ata në 3 të mëngjesit në pijetore?!” Një kish vrarë 2 vëllezër, se ata nuk paskan dashur t’i jepnin motrën për grua.
Vura re menjëherë një dallim të madh midis meje dhe atyre. Asnjëri prej tyre nuk qe i lënduar në fytyrë ose në trup, ndërsa mua më patën bërë fërtele, sapo qeshë gjendur në hetuesi. Një vetull e kisha të çarë, njërën mollëz të faqes gjithashtu, dhe prej andej më rridhte gjak i zi. Prapa veshit kisha një dhimbje të tmerrshme. Duart e këmbët nuk m’i kishin thyer ende, por lëkurën e kisha krejt njolla të mavita.
Të burgosurit hapnin dhëmbët. Më thoshin: “Ti i paske rënë qarit!” Ndonjëri më afrohej, më pyeste për dhimbjet dhe u thoshte vrasësvet të tjerë: “Mos qeshni, bre burra! E ka pasë edhe ky një hall.” “Hall, të vrasë tjetrin pa i bërë asgjë?!” Pyeste i habitur njëri prej të pranishmëvet.
Dikur, nga ora 2 mbas mesnate, pashë që njërit prej vrasësvet i kish dalë gjumi. “A nuk po fle?!” “S’po muj me fjetë, bre burrë! Kam vra vajzën teme. Kam vra evladin!” “Unë s’po muj me fjetë prej dhimbjesh, se për vrasjen që kam ba, jam sonte ma i lumturi i botës.” “Ti ke vra prej qejfit,” më tha dhe heshtëm që të 2. Nuk desha ta kundërshtoja, se e dija që nuk do të më kuptonte. Megjithatë, dikur iu ktheva dhe e pyeta: “A di gjë, sa prej jush ka nëpër burgje?” “Çka do me thanë ‘sa prej jush’?” “Sa prej jush që keni vrarë për hall të vet.” “Unë di për vete, s’di për të tjerë.” “Bëhemi diku 3500, në krejt Shqipërinë dhe nëpër botë.” Tha njëri që po e dëgjonte bisedën tonë.” “Ç’po thua?!” Ia priti njëri në krahun tjetër të shtratit tim. “Jemi 13 mijë, me gjithë atë që ka vrarë gruan në Angli dhe me atë që vrau fëmijët e vet në Itali.”
Ata ishin kundër meje, por edhe unë isha kundër tyre. Nëse do të mund të lidhesha me organizatën tonë ilegale patriotike, do t’u kisha dhënë udhëzim celulavet që t’i vrisnin një nga një edhe këta. Këtë tufë të stërmadhe vrasësish ordinerë! Por ndërrova mendje. Duheshin abroguar KONGRESI I BERLINIT, KONFERENCA E LONDRËS DHE VERSAJA, pastaj t’u hynim punëvet për t’i ndalur vrasjet njëri me tjetrin. Abrogimi nuk mund të realizohej ndryshe, veçse me kërcënim jete të kryetarëvet të partivet, të kryeparlamentarëvet dhe të kryeministravet. Të vriteshin 2 a 3 prej tyre dhe të shije pastaj si do të bilbilëronin të tjerët. Mbas 1 a 2 muajsh i fusje plumbin një tjetri.
S’e di ç’kohë ishte. Ndoshta po ajo natë, ndoshta mbas 2 javësh… Po më bërtiste njëri nga ata që, me sa duket, më merrte në pyetje: “Do të dënohesh për armëmbajtje pa leje! Vetëm për armëmbajtje pa leje do t’i hash 10 vjet burg!” “I varfri ti!” Po thosha me vete, duke ndjerë mëshirë për atë kokërr budallai. Por ai m’u avit befas dhe m’i nguli thonjtë në fyt, duke i zgurdulluar sytë më shumë se unë: “Armëmbajtje pa leje! A e ke dëgjuar ndonjëherë këtë shprehje?!” “E kam me leje, more zotëri!” Mezi i nxora këto fjalë përmes gurmazit të shtërnguar. Ai më lëshoi. Ndjehesha superior dhe i lumtur. Asnjëri prej vrasësvet të tjerë nuk mund të ndjehej i kënaqur me krimin që kish kryer. Ndërsa unë po. Isha thjeshtë I LUMTUR! “E kam me leje, more zotëri!” Pësërita për të disatën herë. “Ma ka dhënë lejen ISË BOLETINI! Të gjithë shqiptarët e KANË lejen e armëmbajtjes këtu e 1000 vjet! O fatkeq! O i mjerë! O shqiptar truvogël!” Ai m’i zgjati sërish thonjtë. M’u dukën si kthetra përbindëshi.
Më doli gjumi. Isha i mbytur në djersë, ndonëse ish natë shkurti. Ime shoqe më fshiu me një peshqir të madh. Ia rrëfeva ëndrrën dhe ajo m’u kthye thellësisht e brengosur: “Mos shih më ëndrra të tilla, se na more më qafë!”

Gjokë Dabaj – 10 shkurt 2016

………………………………………………………

Avni Rustemi – Dy krisma në Paris!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura