ADNAN ABRASHI: KRIMI I ORGANIZUAR

(Prizren, 19. 09. 2012) – Gati se është e pamundur të kaloj një ditë e mbarë dhe ne qytetarët e zakonshëm të këtij shteti mos ta kemi rastin ta dëgjojmë (apo lexojmë) atë togfjalëshin shumë të popullarizuar “krim i organizuar”, i cili si imponim në mendjen dhe shqisat tona nis që nga mëngjesi, me të shfletuar shtypin ditor, më pas vazhdon me ndonjë debat shoqëror ku tema është politika ditore, dhe gjithsesi përmbyllet në mbrëmje me ndonjë kronikë lajmesh televizive. Kjo është një shenjë e keqe se Kosova është e zhytur thellë në “krim të organizuar”. Sot në këtë vend të bekuar për të flet çdokush. E kanë në gojë më së shpeshti politikanët, më pas, shoqëria civile me disa OJQ të specializuara, pastaj, analistët e ndryshëm politik nëpër medie…dhe, krejt në fund, kot mbllaçitim si thashetheme ne qytetarët të lajthitur dhe jo aq të informuar mirë në këtë drejtim. Sa tragjikomike është ajo situatë kur nga goja e një politikani tonë dëgjon fraza të ashpra kundër “krimit të organizuar”, dhe, nuk zgjat as një javë, e kupton se vetë ai dyshohet për “krim të organizuar”?!
Fatkeqësisht, gjithë te ne flasim e flasim për “krimin e organizuar”, ndërsa, me të, më së paku merren organet tona kompetente të drejtësisë të cilët edhe e kanë si obligim ligjor që ta luftuar atë kudo që të shfaqet.
Çka është, në të vërtetë, krimi i organizuar?
Krimi i organizuar është një lloj i aktivitetit të paligjshëm të cilin e realizon një strukturë organizative grupore e ngjashme me shoqatat apo shoqëritë tona të zakonshme legale, dhe, e cila, si synimi themelor e ka arritjen e përfitimit sa më të madh material (para dhe pasuri tjetër të paluhatshme). Në historikun e praktikave botërore të “krimit të organizuar”, shembuj tipik të organizmave të kësaj forme kriminale grupore janë: “Mafia” italiane, “Yakuza” japoneze, piratët e ndryshëm, etj. Të ardhurat e mëdha financiare të këtij krupi kriminal realizohen nga veprimtaria ilegale e shitjes së drogës, prostitucionit, kontrabandës, kontrabandës së armëve, piraterisë me muzikës dhe filma, materialit pornografik, tregtisë me vendet nën embargo, etj.

…………………………………………………..

Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë: 10 vite bashkëjetesë me politikën!

………………………………………

Ajo që më së shumti e joshë për veprim “krimin e organizuar” është shfrytëzimi i tregjeve ku ekzistojnë kërkesa të madha për disa shërbime dhe mallra, të cilat, për shkak të ligjeve kufizuese dhe rregulloreve që aktualisht ekzistojnë në atë shtet, këto nevoja nuk mund të plotësohen në mënyra legale. Në të vërtetë, subjektet e krimit të organizuar janë të interesuar për ato tregje ku investimet e tyre fillestare janë të vogla, ndërsa fitimi si profit është enormë. Andaj, për rruajtjen e këtij dominimi të arritur, ata në punën e tyre kundërligjore, nuk kursejnë as përdorimin e metodave dhe operacioneve më të ndyra, sikurse janë: vjedhjet, kidnapimet, kërcënimet, shantazhet, zhvatjet, korruptimi, vrasjet, etj. Tek bartësit e këtij fenomeni negativ shoqëror, shquhet si karakteristikë afiniteti i tyre i nuhatjes së rrethanave të favorshme drejtë depërtimit sa më të suksesshëm në strukturat legale të asaj shoqërie, me mjeshtri duke u përshtatur situatave specifike socio-politike dhe ekonomike jo vetëm brenda atij shteti dhe shoqërie të ngushtë ku veprojnë, por edhe në hapësirat më të gjera të shtrirjes ndërkombëtare.
“Krimi i organizuar” është fenomen i ri bashkëkohor, karakteristikë për të gjitha shtete kryesisht me rregullim demokratik shoqëror-politik, e veçanërisht për shtetet postkomuniste, siç thuhet, në tranzicion. Meqë, si dukuri nuk ka qenë e shprehur gati fare në mesin e shteteve totalitare njëpartiake, shumë teoricienë bashkëkohor tentojnë të vejnë një paralelizëm krahasues paradoksal: a është më mirë ta kemi një strukturë totalitare shtetërore pa krim të organizuar, apo një shtet demokratik – shumëpartiak, në të cilin luftimi i këtij fenomeni tejet të rrezikshëm shoqëror, do të jetë gjithnjë si shqetësim brengosës i të gjitha brezave?!
Në fillim, veprimtaria ilegale e “krimit të organizuar” kudo nis në prapaskenën publike dhe gradualisht zhvillohet në heshtje, për tu bërë më vonë tejet kërcënuese dhe rrezikuese për tërë shoqërinë dhe sistemin e saj mbrojtës efektiv. Kjo nënkupton se, në- esencë, “krimi i organizuar” është i padukshëm por gjithnjë prezent në atë shoqëri, andaj edhe krijon kontradikta dhe paqartësi në të kuptuarit e tij .
Sikurse cekëm edhe më sipër, pjesëmarrësit në krim të organizuar kanë një afinitet të theksuar të depërtimit dhe dominimit në të gjitha strukturat organizative politike dhe shoqërore të një shteti, kështu që, vetë fraza “krim i organizuar”, automatikisht nënkupton se në këtë strukturë hermetike të krimit, ekziston një zinxhir i koordinuar mirë i veprimit, i cili nisë, që nga nivelet më të larta politike-shtetërore (që ndryshe quhen: “kriminelet këmishë/bardhë me kollare në fyt”), dhe përfundon tek kriminelët e rangut më të ulët të terrenit. Pra, në këtë spirale të përsosur funksionale, në të shumtën e rasteve, jenë të kyçur individët nga nivelet më të larta të funksioneve shtetërore: lider të subjekteve politike, ministra, udhëheqës policor, gjykatës dhe prokurorë, doganierë…etj.
Në një sistem thuaja demokratik, sa më i uzurpuar të jenë pushtetet e ndara nga një autoritet politik, aq më i shprehur duhet të jetë “krimi i organizuar”. Ndodh kështu, pikërisht, pse ky autoritet politik, së bashku me grupin e vetë klanor, kontrollon gjithë strukturën e komplikuar organizative shtetërore (administrativ, gjyqësor dhe legjislativ). Në këto rrethana, ai, ose është vetë koka e krimit të organizuar në hije, ose, me shuma të mëdha parash, korruptohet lehtë për bashkëpunim nga strukturat tjera të krimit të organizuar.
Sot, gati se në asnjë vend nuk ka “krim të organizuar” në të cilën, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte, nuk është i involuar ndonjë autoritet me ndikim të fuqishëm nga politika në pushtet. Mu për këtë shkak, ky fenomen çdo kund vështirë luftohet dhe kërkon një angazhim permanent afatgjatë mobilizues të gjithë shoqërisë në këtë drejtim.
Në fund, të konstatojmë se “krimi i organizuar” është një formë specifike profesionale e mënyrës bashkëkohore të sjelljes kriminale, e cila esencialisht ndryshon nga format tjera tradicionale të bashkëveprimit kriminal, si dhe nga format klasike të krimit në përgjithësi. Andaj, si në literaturën profesionale politike, ashtu edhe në atë kriminalistike dhe penalo-juridike botërore, ende sot e kësaj dite nuk ekziston një definicion i përshtatshëm unik për “krimin e organizuar”, i cili teorikisht do të ishte i pranuar nga të gjithë.

……………………………………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
POLITIKANËT MILIONERË NË KOSOVËN E VARFËR!

Faik Konica, në kohën e tij, duke e parë Shqipërinë të katandisur në varfëri e mjerim të skajshëm nga regjimi i Ahmet Zogut, para parlamentarëve të këtij oborri, ka thënë: ”Erdhët me nga një palë brekë në byth, ndërsa po ikni me pasuri përrallore”, dhe duket se këtë rrugë po e ndjek edhe oborri i politikanëve të sotëm! Në këtë kuadër, mund të thuhet se, profesioni më fitimprurës në Kosovë duket të jetë politika. Ky fakt, të paktën sipërfaqësohet nga të dhënat e Agjencionit Kundër Korrupsionit, i cili vlerëson se çdo i dhjeti pretendent për të hyrë në Kuvend nga partitë më të mëdha politike PDK’LDK’AAK, janë milionerë! Disa nga këta politikanë milionerë tashmë janë bërë edhe pjesë e legjislativit, ekzekutivit etj. Në një vend, ku mbi gjysma e popullatës është e papunë dhe skajshmërisht e varfër, është paradoksale të ketë kaq shumë milionerë. Jam i bindur se Komandanti legjendar i UҪK-së Adem Jashari dhe mijëra bashkëluftëtarë të tij (dëshmorë e të gjallë), nuk kanë luftuar për një Kosovë të tillë – ku lulëzon hajnia dhe krimi i organizuar, në të gjitha nivelet e pushtetit!!!
(Nga Kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha, 19. 09. 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura