AFRIM MORINA: SI U ORGANIZUA DEMONSTRATA E 26 MAJIT 1981 NË THERANDË (ISH SUHAREKË)

Pashtriku, 21 mars 20201: Duhet ta dinë të gjithë, se historia është ajo që ka ndodhur dhe jo ajo që kemi dëshirë të ketë ndodhur. (*) Demonstratat e vitit 1981 nuk do të merrnin përmasa kaq të mëdha dhe të trajtohen si revolucion, sikur të mos kishin vepruar gjeneratat para shpërthimit të tyre. Si në gjithë hapësirën kombëtare nën okupimin e ish-Federatës Jugosllave, po ashtu edhe në Komunën e Therandës ishte grumbulluar mllefi i shqiptarëve dhe kjo u pa me vazhdimësinë e saj deri në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rrethanat politike që i paraprinë demonstratave të vitit 1981
Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Komuna e Therandës do të përballet me pushtetin e instaluar kundërkombëtar, sepse në rrethinën e saj nuk kishte pasur kurrë pushtet të mirëfilltë, që do të mbështetej nga masa, sepse fshatarësia e saj e siguronte bukën e gojës me punën e vet dhe nuk kishte nevojë të mbështetej në pushtet. Kjo u ndie edhe gjatë e pas lufte.
Goditjen e parë therandasit do ta marrin me mobilizimin e qytetarëve për në frontet e Sremit e Dubrovnikut, ku në plojën e Tivarit do të pësojnë më së shumti, sepse pjesa dërmuese e përbërjes së Eshalonit të Dytë, i cili u masakrua, ishin nga kjo komunë.

– AFRIM MORINA  –

Goditja e dytë i bëhet në aksionin e grumbullimit të të gjitha të mirave materiale, që pushteti i atëhershëm e arsyetonte me pjellshmërinë e tokës dhe kushtet e përshtatshme për majmërinë kafshëve e shpezëve.
Goditja e tretë do të bëhet në torturat që do të pësojnë therandasit në “aksionin grumbullimit të armëve”, ku gjeti vdekjen edhe Jetë Kuçi – Mushtishti.
Duke u përballur me pushtetin e ri të krijuar, fshatarët pranuan që të gjenin mbështetje te nacionalistët, të cilët haptas ishin ngritur dhe do të krijohej terren i përshtatshëm për veprimtari atdhetare. Aktivitetin e vet do ta zhvillojnë dy personalitete të mëdha të kohës, siç ishin Kapedan Shefqeti dhe Ibrahim Lutfiu, madje i dyti do të veprojë gjer në flijim, në vitin 1950.
Bërthamën e parë të veprimtarisë ilegale do ta përbënin Shaban Mazreku dhe Zenun Kepa, si dëshmor i pari, i cili para familjes e bashkëfshatarëve do të torturohet mizorisht deri në vdekje dhe me qëndresën e tyre yshtën edhe të tjerët të bëheshin parzmore e çështjes kombëtare. Shumë shpejtë do të themelohet Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, që në radhët e saj, përveç Shabanit me vëllezër, do të hyjnë Zekë Bajraktari gjithashtu me vëllezër e kushërinj dhe qytetarë tjerë nga fshatrat tjera të kësaj Komune. Kjo lëvizje veprimtarinë e vet do ta ndërpres me burgosjen e Destan dhe Jashar Bajraktarit në vitin 1957 dhe do të pasojë periudha tjetër.
Informbyroja, si gjithkund në Shqipërinë e robëruar, edhe në Therandë do të ndikojë dhe do të burgosen Zenun Gashi, Xhemajli Gashi dhe Nez(ir) Grejqevcin. Në rrethana ende të pa sqaruar mirë do të vritet edhe Jakup Shaban Jakupi nga Mushtishti në vitin 1952. Po në këtë vit do të burgoset Nezir Gashi, Rifat Kuçi. Veprimtaria e këtyre të apostrofuarve gjeti mbështetje në masë dhe ata që ishin gjallë, kudo që shkonin kishin respektin e merituar, sepse pushteti vepronte haptas kundër tyre edhe pas kryerjes së dënimeve. Me një fjalë, ishte krijuar mentaliteti i kundërshtimit të guximshëm dhe kudo nëpër çarqe fshatarësh merreshin si shembull i veprimit, guximit dhe qëndrueshmërisë.
Po në këto anë do të gjejë mbështetje për veprimtari ilegale edhe Kadri Halimi e Ali Aliu – Preshevë në vitin 1962, e cila do të ndikojë edhe më tepër në syçelëti dhe forcimin e qëndresës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Kjo veprimtari ilegale nga intelektualët e kohës do të mbështetet më vonë edhe nga rinia shkollore dhe në vitin 1964 kemi burgosjen e nxënësve të Shkollës Normale në Prizren, që bartës të kësaj veprimtarie kombëtare nga kjo Komunë do të jenë: Haxhi Zyba, Hysen Bukoshi dhe Shefki Muqaj.
Të gjithë këta veprimtar që kishin zhvilluar aktivitet ilegal për çështje kombëtare, do të lindin vitin 1968, si vit i kushtrimit mobilizues për kauzën kombëtare. Me 8 Nëntor 1968 do të shpërthejë demonstrata e fuqishme, ku për herë të parë do të valëvitet flamuri kombëtar kuqezi, krahas parullave të brohoritura: “Universitet dhe Republikë”. Organizator i kësaj demonstrate do të jetë Haxhi Bajraktari, ndërsa në mesin e nxënësve të shkollave të mesme do të jenë Muharrem Elshani, Nexhat Kuçi dhe Afrim Morina dhe këta të dy të fundit, do të përjashtohen nga lidhja e rinisë (lexo: nga procesi mësimor), por pas bojkotit të mësimit për tre ditë, nga nxënësit e gjimnazit dhe normales – paralele të ndara, do të rikthehen në bankat shkollore. Kjo demonstratë, e bërë publike, për herë të parë do nxjerrë në shesh edhe aktivistët e UDB’së: Ramadan Fondën, Remzi Kolgecin dhe Gani Bllacën. I pari e heq flamurin nga shtylla ku ishte vendosur dhe dy të tjerët do të merren me diferencimin dhe përjashtimin e nxënësve nga shkolla, njëri në cilësinë e Kryetarit të Rinisë dhe tjetri në cilësinë e përgjegjësit të paraleleve të ndara të gjimnazit. Ndërsa për demonstratën e zhvilluar në Prishtinë do të përndiqen Izet Baraliu, Mazllum Baraliu, Haxhi Papaj – Shala dhe Osman Zajmi.
Në vitin 1970 do të dënohen për kundërvajtje një grup studentësh therandasë: Gafur Kabashi, Musli Kuçi, Ali Kuçi etj., sepse kishin festuar 28 Nëntorin, ditën e mëvetësisë së Shqipërisë. Në këtë vëllim të aktivitetit gjysmë ilegal do të arrestohet Afrim Morina, në vitin 1974, por në mungesë faktesh do të lirohet nga ndjekja penale. Në vitin 1975 do të burgoset për herë të dytë Nezir Gashi me Nuhi Kuçin, Gafur Kabashin dhe Muharrem Elshanin dhe në mungesë të fakteve këta tre të fundit nuk do të ndiqen penalisht. Rinia studenteske e therandasve do të lidhen me Nezir Gashin e Destan Bajraktarin në Prishtinë, nga të cilët do të marrin edhe orientime për të shtrirë rrethin e vet të organizimit.
Qarkullimi i literaturës ilegale
Viti 1968 do të jetë vit i kthesave të mëdha, qoftë në orientimin e rinisë në rrugën vetëmohuese për çështjen kombëtare, në pasurimin e saj me letërsi ilegale kombëtare dhe organizimin e formave të ndryshme të aktiviteteve kulturore kombëtare. Do të shkëmbehet letërsi ilegale nga Afrim Morina e Nexhat Kuçi në mes profesorëve: Avdullah Thaçit, Hysni Shehut, Bajram Kurtit, Habib Ahmetit e Xhevat Krasniqit, si dhe me Beqir Elshanin e Haxhi Papaj – Shala, e ndonjë tjetër. Në shkollën fillore “Vëllazërim-bashkim” do të funksionojë grupi letrar “Naim Frashri” nën udhëheqjen e Profesor Ramadan Shalës. Të gjitha këto veprimtari që zhvilloheshin, zgjeronin rrethin e ndikimit të artikulimit të çështjes kombëtare.
Manifestimi i 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut dhe liberalizimi pak a shumë i revistave shqiptare, ku brenda ballinave mund të lexohej për histori kombëtare, do të ngjallë kureshtjen për të hulumtuar edhe më tepër për dëshmorët e kombit dhe bëmat e tyre. Që nga viti 1970 letërsia dhe revistat letrare do të vinin nga një ushtarak i Tiranës (1), që përcillte kontingjentet e pemëve, perimeve, rrushit etj. dhe kjo literaturë, tash më me sasi, jo vetëm lexohej e shpërndahej, sipas motos, por kishte mundësi edhe të jetë pronë e atyre që merreshin me analiza. Bujë të madhe do të bëjë edhe romani i Adem Demaçit, që ishte dënuar politikisht për herë të dytë, “Gjarpijt gjakut” dhe disa revista letrare, të cilat lexuesit ilegal mund t’i këmbenin ndër vete përmes bibliotekarit të Bibliotekës së Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, Beqir Elshani. Letërsi ilegale vinte edhe nga Hysen Gega, punëtor në Gjermani dhe përmes Ali Ahmetit nga Botusha, mësues në Maqitevë, do të përhapej te nxënësit nga Halil Krasniqi e Mejdi Gega. Ramadan Shala tregon se Gjimnazi i Tharandës është institucion i parë shkollor që bibliotekën e ka furnizuar me revista letrare nga Tirana, falë ndihmës së Beqir Elshanit. Ishte një fitore e madhe që nxënësit shqiptarë për herë të parë në vitin 1973 mund të lexonin revistat shqiptare: “Nëntori”, “Shkenca dhe jeta”, Studime filologjike” dhe “Studime historike”.
Ndikim të madh do të bëjë edhe Radio Kukësi me këngë folklorike dhe me ngjarje të historisë kombëtare, Televizioni Shqiptar me: Fjala artistike në ekran, drama, etj., që për fat mbulonte këtë regjion. Me 1978 do të vihen kontaktet me sekretarin e ambasadës së Shqipërisë në Beograd – Tomën, përmes të cilit, jo vetëm se sigurohet literaturë, por do të informohen edhe për rrjedhat politike në Shqipëri në Jugosllavi e Kosovë, por edhe për aktivitetin politikë të mërgatës. Po këtë vit do të bëjë bujë edhe manifestimi i njëqind vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po në vitin 1970 do të themelohet shoqëria kulturore artistike “Sythi i ri” me nismën e Gafur Kabashit, që më vonë do të njihet me emrin “Jehona”.
Viti 1975 do të bëjë edhe një hap përpara në kalitjen e rinisë, jo vetëm shkollore, por edhe studenteske. Me nismën e Afrimit dhe mbështetjen e Sherif Gashit e Ramadan Shalës do të themelohet shoqata letrare “Elena Gjika”, e cila do të ketë sektorin letrar dhe dramatik, e, ku do të angazhohen: Bislim Elshani, Ibrahim Shala, Fadil Vata, Halil Krasniqi, Ymer Bala, Rexhep Morina, Halil Morina, Ferat Morina, Ramadan Ramadanaj, Drita Lumi, Milajete Bektashi, Fadilete Shala, Islam Spahiu, Ragip Syla, Beqir Bekteshi e shumë të tjerë, që bashkë me “Afërditën” e Mushtishtit dhe “Përparimin” e Studençanit do të zgjerojnë ndikimin e vet atdhetar edhe jashtë Komune. Do të këndohen këngë, do të përgatitën shfaqje dramatike, do të përgatiten recitale e lexohen punime letrare shumë të fuqishme e të frytshme kombëtare. Ramadan Reshitaj, gazetar, me rastin e vdekjes së Titos, në një analizë për “Rilindjen” shkruante, po e parafrazojë, se gjatë jetës së vetë kjo shoqatë ka shfaqur shumë drama dhe në orën e fundit letrare nga dyzetë poezi nuk është lexuar asnjë për Titon, madje nuk është mbajtur as një minutë heshtje, por të gjitha kanë qenë me karakter nacionalist, përveç një poezie për dashurinë.
Në viti 1979, do të Burgoset Ibrahim Shala, Besim Baraliu, Rrahman Llugaxhiu, Sadik Halitjaha, e do të merren në biseda informative Sadik Halitjaha, punëtor në “Ballkan”, Fadil Vata, Halil Krasniqi, Fadilete Shala, Drita Lumi e ndonjë tjetër nxënës të shkollës së mesme – Gjimnazit. Në vitin 1980 burgoset Ali Ahmeti, ndërsa nga organet e UDB’së do të merren në bisedë informative edhe Fadil Ndreca e Medi Gega. Po në këtë vit burgosen Hysen Gega, një veprimtar i ngushtë i Jusuf Gërvallës dhe Riza Vataj, kryetar i shoqatës “Vatra” të studentëve shqiptar në Zagreb. Këto tri ngjarje bënë jehonë të madhe te shqiptarët e kësaj treve.
Viti 1981 kishin të përgatitur tabanin kombëtar te therandasit ( 2 )
Të gjitha këto sa u thanë më lart, kanë krijuar tabanin kombëtar dhe demonstratat e vitit 1981 morën karakterin e revolucionit në gjithë hapësirën kombëtare në ish-Jugosllavi. Demonstratat e 11 Marsit 1981 edhe pse kishin karakter social, e alarmuan kreun e shtetit Jugosllav, sepse kishte informacione për pakënaqësinë e shqiptarëve, të cilat ishin të theksuara me vizitën e Titos në vitin 1979, sidomos në Prizren, e cila pa vullnetin e Tij, u ndërpre në Kosovë. Ishin të angazhuar në ilegale edhe Ruzhdi Gashi si student në Prishtinë, Basri Zuka, punëtor kontabiliteti në Ferizaj dhe Alush Shala, bujk nga Hoqa e Rahovecit, e ndonjë tjetër. Ndërhyrja brutale me 25 e 26 Mars në Prizren dhe Prishtinë shtoi revoltën, sepse në këto demonstrime u kërkua edhe Republika, që tashmë ishte artikuluar bukur mirë në masë. Në Prishtinë do të marrin pjesë Ruzhdi Gashi e ndonjë tjetër, ndërsa në Prizren do të janë të angazhuar Mejdi Gega, Ymer Balaj, Nexhmije Demiri dhe Fatmir Zekolli. Të gjitha këto ngjarje përcilleshin nga aktivistët e ilegales, duke analizuar se si të veprohet në këtë situatë të krijuar, sepse bartnin dy përgjegjësi edhe të 1. heshtjes edhe të 2. orientimit të gabuar të politikës.
Tre prilli do të gdhij me qytet-rrethime në gjithë Kosovën, por edhe me izolantët e parë, e, në mesin e tyre do të jenë Nezir Gashi e Haxhi Zyba. Po me atë datë do të vendoset një lajmërim nga ana e drejtorit të gjimnazit – Rahman Zeqirajt, me të cilin i ndalohej Afrimit të hynte në këtë objekt shkollor. Po në këtë datë do të bisedojnë Afrimi dhe Hazir Morina për të ndërmarrë veprime konformë situatës së krijuar dhe pas dy apo tri ditësh mendimit të tyre do t’i bashkëngjitet edhe Halil Morina. Në një bisedë që zhvillon Afrimi me Sejdi Gegën, ky i dyti paraqet gatishmërinë për të vepruar. Do të angazhohen edhe nxënësit si Mejdi Gega, Zyrafete Morina, Emerllah Krasniqi, Ismail Morina, (ky do të torturohet fizikisht, në polici, nga pasditja deri në orët e vona të natës, duke i bërë presion të tregojë për veprimtarinë e Afrimit). Me bashkëngjitjen e Bislim Elshanit këtij grupi, do të vihen kontakte edhe me motrën e Tij – Shemsijen, e cila ishte aktive në të gjitha demonstratat që ishin zhvilluar në atë kohë dhe rrethi i studentëve therandas do të zgjerohet. Hazirit propozon për aktivizimin e Hazir Balajt dhe Asllan Beqirajt në kryesi, me pak dilema do të pranohen. Afrimi propozon Halit Demiri t’iu bashkëngjitet dhe kjo pranohet nga të tjerët. Përmes Hazirit ky grup do të mundohen të lidhet me Izet Baraliun, për të marrë edhe mendimin e Tij për aktivizim. Ky ato ditë ishte ilegal dhe nuk do të jep mendim të prerë, por do të lë dilema për të biseduar edhe një herë. Mbahet takimi i parë në shtëpinë e Fazli Morinës, i cili bënë edhe sigurimin e takimit. Islam Morina merr përsipër për ta sjellë në takim Halitin, por nuk e gjen në shtëpi, ndërsa në takim nuk marrin pjesë edhe dy të fundit. Në këtë takim vendoset të organizohet bojkotimi i mësimit, mirëpo organet e arsimit komunal i mbyllën shkollat përkohësisht dhe ky aksion dështon. Pas këtij akti do të pasojnë edhe izolimet tjera, duke përfshirë: Ramadan Shalën, Shaip Kryeziun, Xhevat Kabashin, Haxhi Eminin, Gafurr Kabashin, Hysen Kryeziun etj.
Afrimi përmes Zenun Gashit lidhet me Met Krasniqin nga Arbana e Prizrenit, i cili ishte në lidhje me grupin e të rinjve: Hamëz Kryeziun, Afrim Hotin dhe Feti Hasanin. Lidhjet me Hamzën do t’i mbajë Ramadan Gashi. Janë bërë dy përpjekje për organizim të demonstratave në Prizren, por nuk kanë pasur sukses. Takimi me Izetin nuk jep rezultate, madje Ai është edhe kundër organizimit të demonstrimit, të paktën kështu ka qenë i informuar grupi.
Në një mbledhje të Komitetit Krahinor të LKJ për Kosovë, kryetarët e komiteteve komunale referojnë për situatën politike nëpër komunat e tyre. Kryetari i LKJ për Therandë – Jusuf Shabani, do të deklarojë: “Në Suharekë ende nuk ka pasur demonstrata. Në bazë të informatave që kemi, kemi zbuluar tri qendra të irredentës. Njëra është në fshatin Bukosh, tjetra në fshatin Reshtan dhe e treta në fshatin Doberdelan. Sipas të gjitha informatave që disponojmë, qendra kryesore është në Reshtan.” Ky deklarim i Jusufit bëri që urgjentisht të takohet grupi, përsëri nuk do të vijë në takim Haliti, ndërsa Hazir Balaj dhe Asllan Beqiraj nuk kanë mundur të marrin pjesë në takim, për shkak të ndërrimit të vendit. Takimi është mbajtur në një kasolle, pronë e Haxhi Ymer Gashit, në të cilin përveç kësaj pesëshe morën pjesë edhe Ruzhdi Gashi e Shefki Gashi, të cilët edhe bënë sigurimin e objektit. Në këtë takim u vendos që demonstrata të mbahet të martën (ditë tregu) më 26 Maj 1981. Propozimet e Afrimit për rrjedhën e demonstratës u miratuan.
Këto ishin:
1. demonstrata të fillojë pesëmbëdhjetë minuta para orës pesëmbëdhjetë, sepse atë kohë bëhej ndërrimi i turneve në fabrikën “Ballkan”, e nxënësit e ciklit të ultë do të jenë nëpër shtëpi;
2. demonstratën ta fillojnë Met Krasniqi, Hysni Gega, Emedllah Krasniqi, Ruzhdi Gashi;
3. Mejdiu të merr parullat dhe bashkë me Ruzhdiun t’i shpalosin;
4 demonstrata të fillojë me këngën “Dalëngadalë po vjen Behari”.
5. Për të shkruar parullat u autorizua Bislimi. U diskutuan edhe përmbajtja e tyre dhe erdhën në përfundim se duhet të ishin këto:
a. Republikë;
b. Pa Republikë nuk ka barazi;
c. Poshtë Shovinizmi serbo madhe;
d. Të lirohen shokët tanë nga burgu, sepse ata janë lulja më mirë e Kosovës;
e. dhe Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë.
U mor qëndrim se ditën e demonstrimit të ishin të gjithë në Therandë. Po për këtë datë, me të rinjtë e Prizrenit, këtë e ka dit vetëm Halili, është krijuar një grup prej pesë vetash, të stacionuar në Hisar me armë, që nëse vijnë përforcimet e njësiteve speciale nga Prizreni, t’i pengojnë deri në tërheqjen e demonstruesve. Udhëheqës i këtij njësiti ka qenë Rexhep Krasniqi nga Prizreni. Me 26 Maj do të shkohet sipas programit. Afrim takimin e fundit e kisha caktuar me Hazirin në “Ballkan”, i cili e kishte gruan të shtruar në spitalin e Lubjanës dhe shokët kishin marrë qëndrim, që Ai të mos merrte pjesë në demonstratë, por të udhëtonte për atje. Me të marrë këtë sugjerim të shokëve, Haziri ngritët nga tryeza dhe pas pesë minutash, milici Hazir Kabashi, do të ma vë revolen prapa qafe dhe “Në emër të popullit” kërkon të dorëzohem, e, si përforcim kishte njësitin special, i cili ishte përhapur nëpër restorant me armë automatike në gatishmëri. Kjo ka ndodhur rreth tre orë para fillimit të Demonstratës. Hipur në veturë të tipit “Fiqa” dhe me shpejtësi të vogël, më kanë dërguar në postëkomandën e milicisë, kjo për të më parë qytetarë se isha i arrestuar në mënyrë që të dështojë demonstrata. Nga ai moment e gjer në shpërthim të demonstratës operativistët Vesel Krasniqi e Daut Morina kanë parashtruar vetëm dy pyetje: “Në ora sa do të fillojë demonstrata” dhe “Nga ku planifikohet të fillojë…?”
Na tubuan në një qeli të gjithë të arrestuarit e asaj dite, të torturuar e të përgjakur, por më së keqi e kishte pësuar Mejdi Gega. Më vonë në qeli do të vijë Muhamet Hoti, operativist shtetëror, i cili bashkë me milicët i torturonte të arrestuarit, duke kërkuar prej tyre të tregonin se kush isha unë, atëherë kam ndërhyrë, sepse me te njihesha që nga viti 1974. Nga nervozizmi Ai e shfryu tërë mllefin në mua, duke i urdhëruar edhe milicët të vepronin, një herë për babën e herën tjetër për mua. Se si ka shpërthyer demonstrata, sa kanë marrë pjesë në të dhe deri ku kanë arritur demonstruesit të parakalojnë në qytet, këtë mund ta thonë ata që kanë marrë pjesë, edhe pse shumë gjëra i kam mësuar më vonë.
Fillimisht kam qenë i akuzuar në bazë të Nenit 136 Alinea 1, Nenit 139 Alinea 1 dhe Nenit 114. Shokët tjerë kanë qenë të akuzuar në bazë të Nenit 136, Alinea 1 dhe Nenit 114. Veprimtaria ime ndërlidhje edhe me të rinjtë e Prizrenit dhe kur gjatë hetuesisë është arritur të shkëputeshim edhe mua më heqin Nenin 139 Alinea1.
Në proces gjyqësor të udhëhequr nga Orhan Rekathati – Kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prizren dhe bartësi i aktakuzës Jakup Gurmani – prokuror, do të shqiptohen këto dënime:
1. Afrim Morina me shtatë vjet burg të rëndë
2. Bislim Elshani me shtatë vjet burg të rëndë
3. Sejdi Gega me gjashtë vjet burg të rëndë
4. Hazir Morina me pesë vjet burg të rëndë
5. Halil Morina me pesë vjet burg të rëndë.
Me kundërvajtje, nga dy muaj, do të dënohen:
1. Mejdi Gega
2. Ruzhdi Gashi
3. Agron Gashi

Nga Universiteti i Prishtinës Afrimi do të dënohet edhe me pesë vjet ndalimi për studime, ndërsa Sejdiu, Ruzhdiu e Zyrafeti do të dënohen me nga një vit. Zëvendës prokurori i Gjykatës Supreme, publikisht kërkon të shqiptohen dënimet më të larta dhe minimumi të jetë dhjetë vite burg të rëndë, ngase sipas Tij, koha e përgatitjes së demonstratës, mënyra e organizimit, mosha e jonë dhe përgatitja shkollore do ta arsyetonin kërkesën e Tij.
Ndërsa nga grupi i të rinjve të Prizrenit do të dënohen këta:
1. Hamzë Kryeziu me shtatë vjet burg të rëndë
2. Afrim Hoti me gjashtë vjet burg të rëndë
3. Feti Hasani me gjashtë vjet burg të rëndë

Me 1995, në Doberdelan, është organizuar përvjetori i pesëmbëdhjetë i demonstratës së vitit 1981. I lajmërohem organizatorit, se kisha përgatitur me shkrim një punim. Ragip Zekolli kërkoi që t’ia jepja Atij për ta kontrolluar, përndryshe nuk do të më lejohej ta lexoja, sepse nuk isha paraparë në program. Të njëjtin mendim e ndau edhe Ukë Bytyqi, se sipas Tij, Ragipi ishte historian dhe duhet dhënë mendimin për vërtetësi, përndryshe nuk do të më lejohej të merrja fjalën. Unë vendosa me timen dhe në fund e mora fjalën pa i pyetur. Pas njëzetë e tetë vitesh, publikisht dëgjoj, në debate televizive për kryetar të Komunës së Therandës, madje edhe në balotazh, pasi ua kisha tërhequr vërejtjen publikisht me një reagimi “Organizatorët janë të gjallë”, se Blerim Kuçi ka qenë organizator i kësaj demonstrate!!! Kjo “vërtetësi” është e shënuar edhe në faqen e internetit për Komunën e Therandës, në biografin e kryetarit – Kuçi. Duhet ta dinë të gjithë, se historia është ajo që ka ndodhur dhe jo ajo që kemi dëshirë të ketë ndodhur.
1981’shi bazament i krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Po t’i referohemi ngjarjeve të mëvonshme historike, do të nxjerrim këto përfundime. Që nga demonstratat e marsit të vitit 1982, Theranda do të jetë barometër i lëvizjes kombëtare. Therandasit do të dalin bartës të proceseve, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel kombëtar, deri në mbarimin e Luftës në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni. Zhvillimet që pasuan pas demonstratave të vitit 1981, na japin të drejtë, dje dhe sot, t’i quajmë revolucionare. Kjo për shkak të karakterit gjithëpërfshirës të shqiptarëve në hapësirën e ish-Jugosllavisë në proceset politike, për shkak të vazhdimësisë vetëmohuese dhe sakrifikuese, jo vetëm të bartësve të proceseve, por edhe të familjeve të tyre. Ishin revolucionare, sepse përkundër shtrirjes së aparati shtetëror të dhunës, serbo sllavët nuk arritën të ndalin rrugën e nisur për fitore. Shqiptarët ditë e më tepër bashkoheshin dhe këtë bashkim nuk mund ta zhbënte pushtuesi, përkundër disa veglave të veta, që kishin mbetur si raritet nostalgjik të së kaluarës, të cilat i përdori deri në theqafje nga këto troje.
Ishin revolucionare dhe mu për këtë UDB’ja dhe KOS’si kishin shtuar aktivitetin e vet dhe derdheshin mjete për zbulimin e revolucionarëve apo grupeve revolucionare në gjithë hapësirën e shtetit, në struktura ushtarake e në shërbime ushtarake dhe diasporë.
Ishin revolucionare, sepse bënë jehonë në gjithë botën e qytetëruar, për të cilën u angazhuan, fillimisht gazetarët, e më vonë edhe diplomatët e shteteve të ndryshme. U mundësua që në Parlamentin Europian, në vitin 1984, të dëgjohet referimi i Enver Hadrit për masakrat dhe gjenocidin që bënte Jugosllavia mbi shqiptarët.
Ishin revolucionare, sepse edhe republikat tjera të Jugosllavisë shihnin tatëpjetën e asaj kryetare artificiale dhe filluan të mendonin për rrugëtimin e mëvetësishëm, sepse më nuk durohej fashizmi serb.

Ishin revolucionare, sepse që nga viti 1984 filluan të mendojnë për kundërvënie të armatosur, siç ishte rasti me Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Dhe ky revolucionaritet, që nuk arriti ta shuante e as ta zbehte regjimi titist e millosheviqjan bashkë me vasalët e tyre, bëri që të krijoj edhe mekanizma ushtarak, fillimisht Frontin e Rezistencës e Bashkimit Kombëtar (1989), Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare e Kosovës (1992) dhe së fundi krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1994), e, që të gjitha në Therandë kishin bazë të fortë.
Unë kurrsesi nuk pajtohem në mes paralelizmave që vënë me “Solidarnostin” polak, sepse ajo luftonte për pluralizëm politik, ndërsa te ne bëhej luftë për jetë a vdekje, për çlirim e bashkim kombëtar, siç nuk jam pajtuar, e nuk pajtohem, me paralelizmat që vihen për demonstratat e vitit 1968 në Evropë dhe te ne, sepse atje demonstrohej për hapësirë kulturore, ndërsa te ne për mbijetesë kombëtare. Theranda ka të gjitha parakushtet për të ecur përpara në realizimin e synimeve shekullore të dëshmorëve të kombit, për çlirimin e vise të pushtuara dhe bashkimin kombëtar. Kam bindje, se në këtë rrugëtim, therandasit do të zënë vend të merituar në historinë kombëtare, siç e kanë deri në ditën e sotme.
Therandë, 26. 05. 2011
(Kjo kumtesë u lexua me 26 Maj 2011, në përvjetorin e tridhjetë të demonstratave të vitit 1981 në Therandë.)
***
1. Me njërin prej tyre kam qenë i lidhur dhe nga Ai gjatë viteve 1970-1974 kam marrë literaturë dhe kam mbajt letërkëmbim (Ai ka qenë me pseudonim dhe adresën e ka pasur nga Korça, por ka qenë ushtarak në Tiranë), për fat të keq emri nuk më kujtohet
2. Në historikun e shkurt të Therandës në faqe interneti, kjo datë nuk përmendet fare.
* ) ”Kosova sot” kur informon për tridhjetë vjetorin e demonstratave të 1981, paraqet Ukë Thaçin organizator!!! – Faqja e internetit “Suhareka. Com” flet vetëm për Ukë Thaçin dhe Blerim Kuçin dhe “harron” të përmend kumtesën bosht të këtyre ngjarjeve, autorin e këtij shkrimi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura