Korçë, 16 dhjetor 2017: S’ka asnjë kafshë që brenda gjinisë së saj të luftojë kaq me tërbim saç lufton njeriu. Njeriu ka shpikur mijra mjete dhe metoda për ta torturuar njeriun në atë mënyrë sa që shpirti të mund t’i dalë me mundim të madh! Njeriu e ka mbytur njeriun, e ka pushkatuar, e ka therur, e ka rjepur të gjallë, e ka coptuar, e ka…., s’kanë fund ato çfarë i ka bërë njeriu njeriut. Madje shpikjet e para janë ato për vrasje e shfarosje pastaj ato janë shfrytëzuar për paqen dhe rritjen e mirqenies. Të gjitha vrasjet janë bërë me aq urrejtje sa as edhe një kafshë s’mund ta ketë atë tërbim gjatë sulmit të saj kundër një kafshe tjetër. Ushtria e të vrarëve nga dora e njeriut është më e madhe se ushtria e vdekjeve natyrore që nga koha e Adamit dhe Evës kur vëllai i madh Kahini, vrau vëllain e tij Abelin. Kahini e vrau vëllanë e vet vetëm për xhelozi dhe ambicje pasurie.
Në këtë rrugë ka ecur njerëzimi ku vëllai do ta vriste vëllanë për një copë tokë, për një pemë, për një lekë apo edhe për një fjalë e për një vezë! Por se do të vinte dita që njeriu të vritej se mendonte ndryshe, kjo nuk ishte parë më parë.
Rri dhe mendohem, sjell në sytë e mëndjes ndeshjet e gladiatorëve në Romë dhe turmat e spektatorëve të irrituara që bërtisin me padurim, “Vrite!”, “Vrite!”. Shoh se ata ndjenin kënaqësi vetëm kur të shikonin gjak njeriu dhe shuarjen e jetës së atij që vritej vetëm për kënaqësinë e të tjerëve!…Vetëm kështu shfaqja ishte e plotë dhe kënaqësia e madhe. Dhe vërtetë, në atë kohë, askush s’mendonte se ajo jetë njeriu që fikej ishte e pafajshme dhe e njëjtë me jetën e atyre që bërtisnin, “Vrite!”
Por dua të pyes, a ka ndryshuar njerëzimi që nga ajo kohë? Po vetë përgjigjem i bindur tërësisht. Aspak. Edhe sot njerëzit i kanë gladiatorët e tyre dhe kënaqen kur shikojnë që ata vriten vetëm për kënaqësi…
Bota e gjitha është e gjakosur rëndë nga njeru dhe rënkon nga plagët më shumë se kurrë sot. Si zor se ajo do shërohet një ditë.
Edhe në sytë e mij kanë ndodhur ngjarje të tilla makabre dhe jo vetëm për fajin e pushtetit vrasës por më shumë për zbavitjen e popullit injorant që përherë ka menduar me mendje të shkurtër, “Larg prapanicës sime”.
Nuk isha më shumë se 10 vjeç në kohën e “Socializmit të Artë” kur pashë për herë të parë arenën në të cilën u dënua dhunshëm një njeri që s’kishte bërë asgjë më shumë se sa kishte luftuar të vetë mbrohej.
I bëhej gjyqi një kulaku në fshatin Bulgarec të Korçës. Prokurori me një zë autoritar dhe krenarie bërtiste, “Shikoheni armikun e popullit! Ai e mban kokën poshtë jo sepse është i penduar por sepse i dhëmbin sytë të na shikoje neve të gjallë. Ky ka dashur që të gjithë neve, sa jemi këtu, të na piqte të gjallë në zjarrin e tradhëtisë dhe armiqësisë anti popullore! Por.., ja që ne e kemi në dorën tonë dhe nuk po e djegim të gjallë se ne nuk jemi katila si ai, ne jemi zemërgjerë dhe njerëzorë, siç na mëson Partia, prandaj dhe e dënojmë me pushkatim!”
Turma e fshatarëve barkthatë e kokëshplarë ishte tejet e egërsuar, siç dukej, ajo ishte nxitur bukur nga propoganda e prokurorit tepër të shkathët. Ajo turmë bërtiste me histerizëm, “Varje! Varje! Me varje në litar kulakun e poshtër Adem Larti!”
Nuk ngopeshin fshatarët injorantë ta shinin të pushkatuar por e deshën të varur në mes të fshatit! Ja, ata fshatarë, ishin të njëjtët spektatorë si në kohën e gladiatorëve. Ndryshimi ishte fare i vogël. Në vend të gladiatorëve ishin “armiqtë e popullit shqiptar”!
Per fat të mirë a të keq, unë e kisha patur fqinj kulakun. Fëmijët e tij ishin shokët e mi. Unë luaja me ta. Prindërit e mi ishin komunistë dhe për këtë e kisha rreptësisht të ndaluar që të luaja me fëmijët e kulakëve. Por kjo nuk ndodhi sepse unë kisha për baba atë njeri të mrekullueshëm i cili kishte vetëm dashuri për tërë qeniet e gjalla në këtë botë. Edhe ai i kishte miq kulakët. Babai më thoshte fshehur nënës, “Shko bir e luaj me kë të dush, edhe kulakët njerëz si ne janë por kujdes mos të shohin fshatarët e këqij.” Hajt ta gjeja unë se kush ishin fshatarët e këqij! Ndërsa e mira nënë ishte e trembur dhe kishte frikë për jetën time prandaj do të më kërcënonte, “Nëse rri me kulakët, s’ke vend në këtë shtëpi!”
Gjyqi bëhej në kinemanë e fshatit e cila është një kinema shumë e madhe sa edhe qyteti i Korçës nuk e ka patur kaq të madhe. Enver Hoxha, në veprën e tij të 63-të e kritikon pushtetin në rrethin e Korçës për këtë kinema kaq të madhe. Brenda saj mund të qëndrojnë mbi dy mijë njerëz. Aty u bë dhe dreka madhështore që ju shtrua Nikita Hrushovit gjatë vizitës së tij në Bulgarec më 28 maj 1959.
“Armiku i Popullit! Çfarë keni për të thënë në fjalën e fundit?” – e pyeti gjykatësi kulakun.
Ademi i shkretë u ngrit me zor në këmbë. Ai ishte mbi gjashtëdhjetë vjeç dhe i sëmurë. Pa për një kohë të gjatë gjithë sallën. Ndoshta po mundohej të gjente ndonjë njeri të mirënjohur. Një moment më pa mua. Vështrimi i tij ishte shumë i turbullt, ashtu siç ishte dhe shpirti i tij. Po i shikoja të vetmin sy që kishte, ndërsa tjetri ishte një zgavër e mbyllur si me një zinxhir të përdredhur. Herë herë syri, kur e ngrinte kokën lartë, i xixëllonte, ndoshta nga ndonjë pikë loti. Babai më kishte thënë se njërin sy e kishte humbur në luftën me Grekun e Parë, në vitin 1916, kur ai me shokët e tij shpëtuan Sevasti Qiriazin të lidhur tek hyrja e Mësonjëtores së parë Shqipe. Koka e tij e vogël dhe e rruar mu duk një moment si një mollçinkë dimërake e qëruar. Trupi i vogël dhe i dobët mezi mbahej. Vazhdoi gjatë të më shikonte. Mu duk sikur më tha, “Edhe ti këtu?!” Ula kokën dhe nuk guxova ta ngre më. Ndërkohë dëgjova zërin e kulakut, “Unë nuk jam vrasës. Nuk jam kriminel. S’jam armik i popullit. Jam një hallexhi që si ngop dot fëmijët e mi me bukë sepse….”
“Pusho tradhtar ! – bërtiti prokurori, – Ta dhamë fjalën për të thënë si e pret ti këtë vendim që kemi marrë duke të dënuar me pushkatim…të cilin gjykata tepër e butë të mëshiroi dhe ta ktheu me burgim të përjetshëm. Ne e dimë mirë se kush je ti armik i popullit. Çfarë ke për të thënë për këtë dënim?”
Me zërin që i dridhej por që i doli me forcë e kurrajo tha, “Mëshirë o Zot! Mëshirë! Merre jetën time dhe mos e lerë atë në dorën e këtyre!”
“Armik i Popullit! Ti duhesh dënuar edhe për propogandë fetare! S’ka vend, për minj si ty, mbi këtë tokë!” Buçiti zëri i fuqishëm i prokurorit.
Në atë kohë sapo ishin shkatërruar tërë institucionet fetare dhe feja ishte ndaluar me ligj. Dhjetëra klerikë ishin pushkatuar, qindra ishin burgosur dhe besimi fetar qe shpallur armik i rrezikshëm.
Në kohën që po e nxirrnin nga kinemaja kulakun e lidhur duar e këmbë sikur të ishte një kriminel tepër i rrezikshëm, fshatarët trushplarë dhe të revoltuar do ta pështynin, qëllonin me se të mundeshin dhe do të bërtisnin me sa zë që kishin, “Drejtësi! Ne duam drejtësi! Ademi të varet në litar!” Histerizmi i tyre më sëmuri. Çudi sesi s’paska ndryshuar aspak njeriu trushplarë? Që prej mijëra vjetësh është po ai njeri që kënaqet me mundin dhe gjakun e tjetrit!
Po çfarë kishte bërë kulaku i shkretë?
Ademi nuk kishte paguar të gjitha detyrimet tepër të rënda që u vinin kulakëve në atë kohë pasi atë mot, bujqësia qe shumë e shkatërruar për arsye se kishte bërë një mot i thatë.
Një ditë tetori, shkon policia dhe i merr të vetmen lopë që kishte si dhe kalin që punonte arat. Kulaku i shkretë, për të mbrojtur jetën e familjes, ju lëshon qenin policëve dhe qeni i tij, një qen shumë i madh dhe i fuqishëm, e kap për shpatulle një polic dhe gati do ta mbyste nëse nuk do ta vriste një polic tjetër. Kur Ademi pa se i vranë qenin të cilin e kishte si fëmijën e vet, mori një sëpatë dhe ju turr policëve duke thirrur me sa fuqi kishte, “Gushkuqtë e mutit! Do ta paguani qenin me jetën tuaj!” por dy plumba pistolete ja ndërprenë vrullin. I shkreti i goditur në të dy këmbët do të binte në gjunjë me sytë nga qielli….
Isha prezent atë ditë në atë ngjarje. Ajo pamje do të më ndjekë tërë jetën. Zemra do më rrihte shume fort dhe ndjeja shumë, shumë keqardhje. Fillova ta urrej policinë. Aq kuptoja në atë kohë. Ndjehesha i revoltuar dhe isha shumë i tronditur. Kur shkova në shtëpi ja tregova babit të gjitha sa pashë, atij i dolën pika loti. Nuk e kuptova nëse babai qau për fatin e keq të kulakut apo për mua që isha aq shumë i tronditur.
Kur po e nxirrnin kulakun nga kinemaja, një fshatar e qëlloi me hekur në kokë, Ademit ju skuq fytyra por nuk foli dhe nuk ra për tokë. Nga prapa dëgjova dikë që i tha djalit që qëlloi, “Pse nuk i re më fort qenit?” Një grua e vjetër ju afrua kulakut dhe i zgjati një shishe me ujë tek buzët si dhe u mundua t’i fshihte gjakun me një shami të bardhë por një polic e shtyri tutje.
Gjaku dhe lotët e dhimbjes ja lanë fytyrën kulakut dhe ai duke shtërnguar dhëmbët, me syrin e mbyllur do të hynte në xhipsin e policisë që e mori për herë të fundit nga fshati i tij i lindjes, rritjes dhe përzënies…Ishte po hera e fundit që unë e shikoja kulakun Adem Larti nga fshati Bulgarec i Korçës.
Pamjen e tij të atyre çasteve e ruaj akoma të gjallë, ashtu si edhe qëndrimin e tij të paepur dhe burrëror.
Vitin tjetër Ademi i shkretë do të vdiste në burg si shumë shokë të tij “të rrezikshëm” për pushtetin e popullit injorant.
Përulem me dhimbje në kujtim të tij dhe i lutem Perëndisë që t’ja falë mëkatet dhe t’i jap paqen e përjetëshme.
© Agideba