AGIM HAMITI: DY SATANËT E SHTHURUR – TIRANË & PRISHTINË

Bruksel, 01. 11. 2014 – «Bir Selman i Nënës, kë të qaj më parë…» – Gjashtë ditë para datës së parashikuar për vizitën e Edi Ramës në Beograd, Serbinë e vizitoi Putini, i pritur si hero. Manovra të ushtrisë serbe me trupa të zgjedhur rusë shërbyen si dekor i vizitës së Carit të ri të Kremlinit, i cili e ka në rend të ditës të politikës së tij ekspansioniste rritjen maksimale të ndikimit rus në rajonin problematik të Ballkanit nëpërmjet Serbisë. Në këtë kuadër, ai ka diskutuar hollësisht me udhëheqësit serbë për shtrirjen e mëtejshme të tentakulave të Beogradit në Tiranën perverse dhe Prishtinën e çoroditur.
Për çdo kryeministër me formim të shëndetshëm moral e politik, do të mjaftonte incidenti i rëndë provokues ndaj futbollistëve të përfaqësueses shqiptare në Beograd, që ai ta anulonte vizitën e tij të pështirë tek armiqtë e përhershëm të të gjithë Shqiptarëve. Madje, sikur incidenti të mos mjaftonte, autoritetet serbe e provokuan drejtpërdrejt Edi Ramën, duke njoftuar zyrtarisht se autor i lëshimit të drones me flamur mbi stadium ishte pikërisht vëllai i tij, Olsi Rama. Kjo akuzë është përsëritur edhe ditët e fundit prej autoriteteve serbe. Natyrisht, Rama ishte në dijeni të këtyre fakteve, si edhe të deklaratës fyese të presidentit serb Tomisllav Nikoliç se «Shqiptarëve u duhet një shekull që të bëhen shtet». E megjithatë kryeministri shqiptar deklaroi me eufori se nuk do ta anulonte vizitën e tij në Beograd.
Mirëpo i kishte bërë llogaritë pa hanxhiun. Homologu serb, Vuçiç, i dha shuplakën tjetër fyese, duke deklaruar: «Nuk e kam vendosur nëse do ta pres kryeministrin shqiptar apo jo; do të mendohem deri në fund të javës». Dhe fundi i javës solli shtyrjen prej 19 ditësh të vizitës, e cila ishte një tallje tjetër e Beogradit arrogant me Tiranën servile.

Për të mos i hyrë në hakë askujt, i duhet dhënë përgjigje e arsyetuar kësaj pyetjeje: cila ishte arsyeja e vërtetë e këmbënguljes së Ramës (dhe e këshillëtarëve të tij) për ta bërë patjetër vizitën gjunjëzuese në Beograd? Shurdhimi moral, papërgjegshmëria politike, apo ndonjë arsye tjetër? Pa e përjashtuar mungesën e moralit dhe të përgjegjshmërisë politike, që ka karakterizuar qeveritë e tranzicionit 23 vjeçar shqiptar, arsyeja e vërtetë e mosanulimit të vizitës në fjalë ishte e një natyre tjetër.
Vizita e kryeministrit shqiptar në Beograd ishte rekomandim (më saktë: urdhër) i Brukselit & Washingtonit. Zyrtarët e lartë serbë ishin në dijeni të këtij fakti (ata sapo kishin takuar Putinin), prandaj talleshin si u donte qejfi, ngaqë e dinin se anulimi i asaj vizite nuk varej nga vullneti i Ramës, i cili i kishte dhënë fjalën për këtë Merkelit qysh në Konferencën e Berlinit për Ballkanin.
Pavarësisht nga llomotitjet e paguara të gazetarucëve të Tiranës e të medias në tërësi, që do të përdoren si justifikim i sipërfaqshëm i kësaj vizite përulëse (duke e cilësuar atë edhe «trimëri» – ufff!), misioni kryesor i Edi Ramës në Serbi është nënshkrimi midis Tiranës dhe Beogradit i marrëveshjes së arritur më parë në Bruksel ndërmjet kryeministrit kosovar Thaçi dhe atij serb, Daçiç, për aneksimin perspektiv të Veriut të Kosovës prej Serbisë, si fazë e parë e të cilit shërben i ashtuquajturi «Asociacion i Komunave Serbe në Veri».
Duke pasur parasysh faktin se shteti bazë i kombit të copëtuar shqiptar është ai 102 vjeçar me kryeqytet Tiranën, marrëveshja në fjalë e nënshkruar prej Thaçit dhe Daçiçit nuk do të përbënte detyrim për tu zbatuar nga pala shqiptare në një të ardhme kur Shqipëria e cunguar dhe Kosova e cunguar (që do të vazhdojnë të cungohen më tej: e para në jug, e dyta në veri) do të bashkohen detyrimisht një ditë prej vetë vendim-marrësve euro-amerikanë, për të shmangur absurdin qesharak të ekzistencës së përhershme të dy minishteteve shqiptarë bashkëngjitur me njëri-tjetrin. Dhe këtë gjysma-gjel Ata do ta quajnë (me tallje) «Shqipëria e Madhe»… Ky veprim do t’i paraprijë projektit të Unionit Ballkanik, i cili do të realizohet me shpenzime shqiptare. Natyrisht, kjo do të ndodhë vetëm pasi diplomacia euro-amerikane (në marrëveshje me atë ruse) t’i ketë plotësuar më së miri ëndjet grabitqare të fqinjëve tanë shovinistë në Jug e në Veri ndaj trojeve të mbetur shqiptarë. Mirëpo kjo diplomaci, e regjur në bëmat e saj, di t’i marrë masat në kohë për çdo gjë: sot Edi Rama e nesër ndonjë antishqiptar tjetër (të cilët gjenden me shumicë), do të nënshkruajnë në emër të shtetit shqiptar çdo marrëveshje të arritur (apo që do të arrihet në të ardhmen) midis Prishtinës e Beogradit, e cila parashikon aneksim territori në perspektivë. Kështu i mbyllet shtegu njëherë e përgjithmonë pretendimit të shtetit shqiptar në të ardhmen (…alias «Shqipëria e Madhe») se nuk i njeh humbjet e territorit kombëtar të nënshkruara vetëm nga Prishtina.
Tranzicioni «demokratik» gati çerek-shekullor e ka bërë tashmë të qartë se politikanët (anti)shqiptarë të Tiranës janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj tradhtie ndaj vendit e popullit të tyre, me kusht që të mbeten në pushtet me përkrahjen e Ndërkombëtarve tinëzarë që ua rekomandojnë akte të tillë. Pakti detar me Greqinë nuk u shfuqizua (siç kishte premtuar hipokrizisht «Rilindja») dhe po respektohet në heshtje nga qeveria rozë, pa e përfillur fare vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku ata e ankimuan vetë!? A mund të pritet gjë e mirë nga figurina politike kaq banale?
Kur u publikua fakti se shërbimet sekretë gjermanë kanë bërë përgjime të kundërligjshëm të celularëve të palo-politikanëve të Tiranës, Rama deklaroi: «Nuk do ta diskutoj këtë çështje me zonjën Merkel në Berlin, sepse nuk na vjen gjë e keqe nga Gjermania». Një koncept foshnjarak (apo djallëzor?) për sekretin shtetëror dhe seriozitetin e qeverisjes!
Vetë Merkel nuk ngurroi fare që ta përzinte nga Gjermania përgjegjësin e CIA’s pikërisht për përgjime të tillë të papranueshëm midis aleatësh, duke tronditur seriozisht marrëdhëniet me Washingtonin dhe duke i lënë të kuptonte presidentit Obama se e kishte shkelur etikën e komunikimit me një aleat si Gjermania nëpërmjet kësaj deklarate euforike: «Përgjime të tillë tentojnë t’i bëjnë të gjithë; nuk është faji ynë, nëse jemi teknologjikisht më të avancuar se të tjerët».
A thua se Gjermanisë mund t’i vinte ndonjë rrezik pushtimi nga SHBA, sipas logjikës së Ramës, që Merkel reagoi aq ashpër ndaj «përgjimeve të një miku», gjë për të cilën i dhanë të drejtë edhe vetë Amerikanët?
Vetëm një kryeministër me ide të turbullta për sekretin dhe dinjitetin shtetëror i lejon me dëshirë «aleatit» që t’i kontrollojë ilegalisht veprimtarinë e tij.
Me këtë papërgjegjshmëri të spikatur, Rama nuk do ta ketë problem të nënshkruaj në Beograd, në emër të Shqipërisë «amë», dhurimin perspektiv të Veriut të Kosovës Serbisë, megjithëse babai i ka lënë si trashëgim vetëm litarin me të cilin varën poetin martir Havzi Nela. Ashtu siç veproi edhe ortaku i tij në keqbërje, Berisha, duke nënshkruar me Karamanlisin dhurimin e 354,4 km² të detit Jon për «miqtë» grekë, ndonëse i ati i ka lënë si trashëgim vetëm shpellën e dhive në Viçidol.
Mendësi të tilla qeverisjeje do të sillnin patjetër edhe një panoramë të tillë mjerane në Shqipëri: një shtet i falimentuar ekonomikisht e i mbërthyer për fyti nga mafia, i vjedhur deri tek thesari e Banka e Shtetit (gjë që nuk e bën kurrë asnjë pushtues), ku nuk ndëshkohet asnjë lloj krimi, i çfardo përmase qoftë, i kryer prej klaneve mafiozo-solidarë rozë e blu, si në asnjë vend tjetër të botës së tretë. Një inteligjencie eunuke e servile i mban iso krimit shtetëror me përmasa tejet të frikshme. Kaq dështakë janë ky soj «intelektualësh», sa që edhe kur «guxojnë» ndonjëherë të bëjnë bilancin e krimeve të pandëshkuar gjatë tranzicionit «demokratik», këtë e fillojnë nga tragjedia e Gërdecit e tëhu. Sikur mbi katër mijë të vrarët e 12 mijë të plagosurit e vitit 1997-’98, katastrofa shkatërrimtare e vendit dhe e institucioneve shtetërorë të ishin një vepër e jashtëtokësorëve. Dhe presin që bashkautorët rozë e blu të këtyre gjëmave të bëhen «çuna të mbarë» e të na qeverisin mirë! Me këto mendësi idiotësh çizmelëpirës, «intelektualët» shqiptarë po i gajasin dirigjentët ndërkombëtarë të prapaskenës së ofensivës antishqiptare.
Në të njëjtët ujëra lundron edhe anija pa timon e Kosovës. Me sjelljen e tyre, krerët e PDK e kanë lënë të kuptohet qartë: ose ata të mbeten pjesë e pushtetit e me imunitet për gjithçka kanë bërë që nga koha e luftës, ose flaka në majë le t’i dalë Kosovës! Ky mentalitet kaq agresiv ndaj vendlindjes së djegur historikisht prej serbëve dhe ndaj popullit të tyre të shumëvuajtur i nxjerr zbuluar këta të vetëshpallur «Heronj të UÇK» si uzurpatorë të paskrupull të pushtetit – njësoj si kolegët e tyre të Tiranës. Heronjtë e vërtetë të UÇK janë ata që u vranë, që u masakruan e nuk u dihet varri, ata të plagosur e të gjymtuar në luftë që
pashallarët e PDK i kanë lënë në pikë të hallit dhe jo rrallë ata vrasin veten, për t’iu dhënë fund vuajtjeve dhe injorimit që u është bërë prej «bashkëluftëtarëve». Thaçi nuk u buzëqeshi asnjëherë këtyre heronjve të vërtetë të UÇK, ashtu siç i buzëqeshte Daçiçit në Bruksel, kur nënshkruante me të marrëveshjen antikosovare të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Veri.
Ndërkohë që bisedimet Beograd-Prishtinë pritet të rifillojnë, Kosova ka mbetur pa qeveri të ligjshme qysh prej zgjedhjeve të fundit. Partitë politike në gjendje të amullt nuk i japin dot zgjidhje situatës. Me paaftësinë e saj të dukshme, presidentja Jahjaga (vartëse e Thaçit) do ta kishte të vështirë të kryente mirë edhe detyrën e një kryetareje komune e jo më atë të kryetares së shtetit të ri e të dobët të Kosovës nën trysninë e Beogradit dhe të Ndërkombëtarëve. Por për Atifeten, ashtu si për Hashimin dhe për kolegët e tij të Tiranës, rëndësi ka vetëm karriera: të hyjë në histori si presidentja e parë e gjysmë-shtetit të Kosovës (pas skeçit humoristik me «presidentin» Pacolli!), pa le të bëhet kijameti më tej…!
Duke parë satanët e shthurur të Tiranës e të Prishtinës, Athina dhe Beogradi po fërkojnë barkun të kënaqur, optimistë se do t’i arrijnë pa vështirësi objektivat e zgjerimit të tyre territorial në dëm të Shqipërisë e të Kosovës. Aq më tepër që ata mbështeten e nxiten prej Kremlinit, me të cilin Washingtoni nuk i ndërpret asnjëherë bisedimet sekrete për
konfigurimin e zonave respektive të influencës në përshtatje me evoluimin e koniukturave politike evropiane e botërore. «Serbia është Rusia prapa kodrës, ndërsa Greqia, Rusia prapa malit», shkruante dikur atdhetari Sali Nivica. Më 28 tetor grekët e kremtuan edhe në Këlcyrë festën e tyre kombëtare, me gjithë protestën e një grupi qytetarësh të pa përkrahur nga qeveria dhe partitë politike. Kjo ndodh vetëm në shtetet e tradhtuar prej drejtuesve të tyre.
Palo-politikanët shqiptarë janë të vetmit në botë që e blejnë karrierën duke tregtuar territorin shtetëror dhe interesat kombëtare. Dhe kjo nuk është një risi. 68 vjet më parë, diktatori E. Hoxha, vasal tejet i bindur i marshallit Tito, shkoi në Beograd dhe i propozoi udhëheqësit të Jugosllavisë që Shqipëria të bëhej shtet anëtar i Federatës Jugosllave. Ai donte të konsolidonte kështu pushtetin e tij ende të dobët, sepse PKSH në atë kohë vepronte akoma si një forcë politike në ilegalitet (me orientim të vetë Titos) dhe identiteti i anëtarëve të saj vazhdonte të ruhej sekret. Mirëpo Tito ishte ekspert në politikë e jo një terrorist injorant si Enveri, që nuk mbaroi dot kurrë asnjë shkollë të lartë. Tito e parashikonte se Federata e sforcuar Jugosllave do të shpërbëhej një ditë të largët dhe atëherë Shqipëria e Kosova do të shkëputeshin njëherësh prej saj, duke formuar kështu së bashku një shtet të fuqishëm shqiptar. Për këtë arsye, Tito e kundërshtoi idenë e diktatorit paranoiak Hoxha, duke i rekomanduar atij që të vazhdonte t’i ndihmonte jugosllavët për nënshtrimin e mëtejshëm të Kosovës, ashtu siç kishin vepruar brigadat partizane shqiptare në masakrën e Tivarit dhe në çarmatosjen në mirëbesim të «vëllezërve» të tradhtuar Kosovarë. Enveri u zotua për këtë dhe Sigurimi e OZNA [më vonë UDB] u bënë aleatë për kokë me njëri-tjetrin për nënshtrimin e plotë të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Sot janë pasardhësit ideologjikë e politikë të Enverit (rozë e blu), që po vazhdojnë me besnikëri rrugën e tradhtisë kombëtare të nisur nga Babai i tyre para 70 vjetësh. Kjo përbën një situatë të rëndë degraduese si popull, si shtet e si komb, që meriton ngritjen e flamurit në gjysmë shtize më 28 nëntor e jo ceremoni festive për rehabilitimin dhe glorifikimin antinjerëzor të Drakulës shqiptar – Enver Hoxha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

RUSIA DHE SERBIA

Njëra superfuqi e tjetra tifoze e verbër e sajë! Njëra mësuese e tjetra nxënëse! Njëra kundërshtare dhe oponencë…