KMDLJ-ë:REZOLUTA E MIRATUAR NË KUVENDIN E SHQIPËRISË, DOKUMENT POST MORTEM!

KMDLJ-ë:REZOLUTA E MIRATUAR NË KUVENDIN E SHQIPËRISË, DOKUMENT POST MORTEM!

Dje, Kuvendi i Shqipërisë e votoi një Rezolutë me të cilin do të iniciojë një kërkesë që nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës të kërkojë të rishqyrtohet raporti i Dik Martit me të cilin pohohet se në disa lokacione në Shqipëri janë mbajtur në mënyrë të kundërligjshme një numër i personave që janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore sikur që iu janë marrë organet të cilat pastaj janë trafikuar. Ky raport i Dik Martit ka shërbyer si detonator për shpërthimin zinxhiror pas së cilës, në kushte shanhtazhi dhe ultimative një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e kësaj Gjykate të quajtur paradoksalisht, Dhoma të Specializuara. Ecuria e procesit dihet dhe, për pasojë sot në këtë burg, sui generis, mbahen peng  tetë ( 8 ) qytetarë të Kosovës, dy prej të cilëve janë dënuar me dënime kapitale për vepra penale që, më shumë e inkriminon Prokurorrinë dhe Gjykatën Speciale në Hagë se vet të akuzuarit, tash të dënuarit. Salih Mustafa është në pritje të vendimit  të Gjykatës ndërsa, edhe pse janë mbi dy (2) vjet si të paraburgosur, procesi ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe shefit të GP të LV –së, jo që nuk ka filluar por as nuk dihet se kur fillon.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë është dokument politik dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik përveç se i rritë shpresat dhe pritjet e të akuzuarve, familjeve të tyre dhe që iu siguron mbrojtësve një alibi për mbrojtjen që ua kanë bërë deri më tani e që KMDLNj e konsideron më shumë si mbrojtje folklorike se juridike. Hiç faktin se procesi ende nuk ka filluar, për KMDLNj –në është shqetësuese që deri më tani mbrojtja nuk ka arritur ta rrëzojë asnjë vendim të Gjykatës Speciale për caktim të paraburgimit për asnjërin të akuzuar e tash edhe të dënuar.

Është e habitshme që për një Rezolutë për të cilën të gjithë deklarojnë se paraqet interes kombëtar dhe shtetërorë e për të cilën është dashur të shpenzohen vetëm tre ( 3 ) minuta, aq sa zgjatë votimi, është diskutuar më shumë se pesëmbëdhjetë orë ( 15 ) duke e shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një arenë gladiatorësh politikë që, në emër të patriotizmit folklorikë, donin të përfitonin politikisht. E pabesueshme është që për një dokument të rëndësishëm shtetërorë dhe kombëtar, të ketë aq shumë mllef dhe fyerje të pakontrolluara.

KMDLNj vlerëson se në tekstin e kësaj Rezolute nuk është dashur fare të përmendej Kosova për faktin se Shqipëria po bënë përpjekje që të pastrojë emrin nga një njollosje e një mercenari juridik si puna e Dik Martit aq më parë që pretendimet e Dik Martit nuk janë përfshirë në asnjërën nga aktakuzat përveç se nëse nuk është në pjesët e redaktuara të aktakuzës.

KMDLNj –ë, që në fillim ka deklaruar se Raporti i Dik Martit është keq-përdorur si bombë shokuese për themelimin e Gjykatës Speciale e pastaj ka rënë nga aktualiteti.

KMDLNj –ë nuk ka asnjë pritje se kjo Rezolutë në mënyrë qenësore do të ndikojë në punën e Gjykatës Speciale apo se do të përmirësojë situatën e të burgosurve prandaj është kundër çdo manipulimi me këto pritje, nga cilado palë qoftë ajo.

Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës prandaj nuk mund të llogarisë se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është adresë ku mund të kërkohet drejtësi për të drejtat e qytetarëve të Kosovës përkatësisht pengjeve që po mbahen në Hagë kurse, në anën tjetër,  Shqipëria e ka këtë të drejtë dhe këtë mundësi.

Shqipëria e ka një rrugë të gjatë për ta bërë në përpjekje që të pastrojë emrin nga ndotjet që ia ka bërë një mercenar juridik, Dik Marti sikur që edhe Kosova e ka një rrugë të gjatë në ballafaqim me një Gjykatë Speciale të cilën vet e ka themeluar e që tani duke i dalë 100 përqind nga dora,  po e luan rolin e Pandorës. Institucionet e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të ndërhyjnë në punën e kësaj Gjykate Speciale, pavarësisht punës që po e bënë por duhet të angazhohet që viktimave dhe të akuzuarve t’ua mbrojë të drejtat e njeriut sikur që edhe të sigurojë mjete të nevojshme financiare për mbrojtjen e tyre  dhe familjeve të tyre, pa asnjë kufizim, ashtu siç e parasheh Ligji.

Angazhimi i Shqipërisë është kryesisht e natyres politike kurse ajo e Kosovës e natyres juridike dhe, në këtë kontekst bashkëpunimi i Shqipërisë me Kosovësn është, jo i nevojshëm por i domosdoshëm.

22 korrik 2022 Prishtinë                                                                   Shërbimi për Informim

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura