AGIM SYLEJMANI: RRITJA E UNIVERSITETIT TË PRIZRENIT ME KUADRO KREDIBILE

Luzern, 7 nëntor 2018: Përkundër vështirësive materiale, konsolidimit të kurrikulave, realizimit të hulumtimeve dhe stafit mësimor-akademik që përcjellin rritjen e UPZ, sikurse edhe universitetet tjera kosovare, janë inkurajuese rezultatet e disa kuadrove të reja.
Këto ditë në Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Fakultetit të Shkencave Kompjuteristike iu shtua edhe një doktor i shkencave teknike. Fjala është për Dr. Agon Kokën, i cili dallon me modestinë dhe profilin e tij të jashtëzakonshëm dhe i cili këtu pat filluar punën si asistent para tre viteve.

Agoni ka kryer tërë shkollimin e tij në gjuhën angleze dhe jashtë Kosovës. Ka kryer kopshtin parashkollor, shkollën filloren dhe ate të mesme në një shkollë të specializuar angleze të quajtur “New English School” me standardet më të larta arsimore të mundshme në botë. Shkollat e këtilla janë elitare, shumë të rralla dhe shumë të shtrenjta për t’i vijuar dhe për t’u regjistruar. Gjenden vetëm në disa vende evropiane me teknologji shumë të zhvilluar, si në Gjermani, Suedi, Austri. Mësimi realizohet nga mësimdhënësit e caktuar nga Bordi i specializuar i Universitetit të Kembrixhit në Londër. Për më tepër, notimin në lëndët e veçanta nuk e bëjnë arsimtarët që kanë dhënë mësim, por vjen komisioni i veçantë nga Kembrixhi, vigjilon provimet, i merr ato dhe i dërgon në Bordin e Notimit të Kembrixhit, prej nga vijnë rezultatet e notave. Nuk është shumë e ekzagjeruar nëse thuhet që niveli i programeve dhe cilësisë mësimore të disa universiteteve tona në Kosovë është më i ulët se sa niveli i mësimdhënies dhe notimeve të Bordit të Kembrixhit. Një çertifikatë e kësaj shkolle të jashtëzakonshme angleze që kreu dr. Agon Kokaj shihet në imazhin e mëposhtëm.


Faksimile nga “University of Cambridge”

Studimet, në lëminë e elektroinxhinierisë, dr. Agon Kokaj i ka vijuar poashtu në anglisht me një program të universiteteve të avancuara amerikane, por që studimet programore janë me kohëzgjatje 5 vjeçare, siç ka qenë kohëzgjatja e studimeve në fakultetet teknike dhe mjekësore në Kosovë, të cilat aktualisht njihen me nivel të Masterit aktual. Nota mesatare e studimit universitar që ka kryer ka qenë 3. 51/ 4, që i bie afër notës 9 apo shumë mbi notën 8 (të studimeve të sistemit në Kosovë).
Kureshtja i tij për dije në teknologjitë më të reja bëri që atë vit, kur pranë Universitetit të Shkencave Aplikative në Kapfenberg, Austri, hapen studimet postdiplomike në lëmin e Elektronikës Nanoteknologjike, bëri që të kyçet në këtë universitet. Meqë funksionon sipas Programit të Bolonjës, me njohjen e masterit në këtë fakultet e punësuan si asistent. Krahas punës me studentë dhe hulumtimeve laboratorike, për të cilën merrte pagë mujore, ai vijoi edhe disa kurse të reja nga nano dhe mikroelektronika dhe fabrikimi i procesorëve. Këto kurse mbaheshin dhe drejtoheshin me njerëz ndër më kompetentët në botë për nanoelektronikë. Për t’u fokusuar, krahas punës për të cilën paguhej si asistent, ai iu nënshtrua edhe provimeve të lëndëve të këtij programi që për herë të parë mbahen në Evropë. Nuk i interesonte nota, por me sukses kreu lëndët e studimeve Nanoelektronike të nivelit Master, që në fakt ishte edhe titulli i dytë që ai merr si master.
Pas kryerjes së ligjëratave dhe provimeve në Kapfenberg, aty ai krahas punës së paguar, vijoi hulumtimet eksperimentale ku arriti të botojë 3 punime shkencore. Hulumtimi fundit ishte një zbulim i një sistemi sensues dhe procesues i vlefshëm për robotikë. Ky zbulim, sipas dekanit të Fakultetit, ekspert i nanoprocesorëve, i sugjeroi që është i nivelit të doktoraturës.

Universiteti për shkenca të Aplikuara, në Kapfenberg, Austri

Për këtë ai sugjeroi një ekspert tjetër botëror në Universitetin e Vjenës, ku mund të implementojë sistemin sensoro-procesues në robotë të gjeneratës të fundit. Në Programin e doktoratës, të studimeve robotike, natyrisht që sipas sistemit të Bolonjës, kërkohej nota mesatare e shkëlqyeshme e Bachellorit dhe e Masterit. Diplomat dhe nota mesatare e shkëlqyeshme që kishte fituar nga studimet e përmendura 5 vjeçare të inxhinierisë, që e kishte të kryer me herët, ishte adekuate për t’u pranuar në Programin e studimeve të doktoratit në TU në Vjenë. Këto studime i vijoi në vitet vijuese dhe arriti që pothuaj të gjitha notat e lëndëve programore të doktoratit t’i kryen me sukses të shkëlqyeshëm.
Punimi i doktoraturës ishte pikërisht zbulimi i sensorit dhe procesorit të bazuar në analizën regjionale frekuencore Fourier dhe konvulicionin e regjionit kohor të shndërruar në shumëzim algjebrik në rrafshin Fourie. Pasi që e kompletoi doktoratën, pra, e përfundoi programin dhe e mori titullin Doktor i Shkencave Teknike në Universitetin teknologjik të Vjenës, zbulimin në fjalë e prezantoi në një konferencë ndërkombëtare dhe pastaj e dërgoi për botim, i cili është pranuar dhe së shpejti do të botohet në një revistë kredibile shkencore ndërkombëtare.

Agoni me komisionin e doktoranturës, profesorët eminet botëror, para konkluzionit të doktoratit

Ai tani ka 5 punime të botuara në revista ndërkombëtare, plus zbulimin e përmendur të lidhur me doktoraturën, i cili është pranuar dhe pritet të botohet këto ditë në një revistë kredibile ndërkombëtare. Me këtë bagazh të punimeve dhe doktoratit ndërkombëtar të nostrifikuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, janë plotësuar kushtet të zgjidhet Profesor i Asociuar. Por, meqë gradualiteti universitar në Kosovë nuk e lejon, së shpejti do të avancohet në Profesor Asistent, ndonëse sipas procedurave të fakultetit formalisht duhej të rizgjidhej asistent dhe pastaj, së shpejti i shpallet konkursi për Profesor Asistent.
Tani Dr. Mr. Sc. Ing-dipl Agon Kokaj është shumë aktiv në punët në Universitetin e Prizrenit, është shumë i dashur për kolegët e studentët, nga të cilët disa së shpejti do t’i bashkangjiten si staf universitar meqë ishin studentë të shkëlqyeshëm të tij.
Ai tani është në moshën 30 vjeçare, por ka plane serioze që me kolegët e tij më të rinj të fillojnë projekte hulumtuese nga Nanoelektronika Robotike. Ka shpresë që edhe departamenti dhe fakulteti i tij, kolegët e rinj të arrijnë nivelet e shkollave ndërkombëtare nëpër të cilat ka kaluar vetë Agoni.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura