AJNISHAHE SHALA HALIMI: DITARI I NJË RRETHIMI

Pashtriku.org, 12. 03. 2013 – (Ekskluzivisht për pashtriku.org – Ditar i mbajtur më 5, 6, 7 mars 1998, në Skenderaj Lagje-3, nga veprimtarja Ajnishahe Shala Halimi, gjatë rrethimit dhe sulmit nga forcat ushtarake – policore serbe, mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm)
SKENDERAJ – LAGJE 3, E ENJTE, 5 MARS
Sot u zgjova edhe më herët se herave të tjera, sepse kisha një parandjenjë se diçka do të ndodhë. Ka kohë që po vjen era barut… Prej 26 nëntorit (1998), kur ndodhi përleshja e parë e drejtpërdrejtë ndërmjet forcave tona të UÇK-së dhe policisë serbe, në Llaushë, gati përnatë kemi fjetur veshur me rroba të ditës. Në orën gjashtë dola në ballkon. Kisha për ta pjekur bukën dhe planifikoja që pak më vonë të dal në zyre. Sa isha në ballkon, u hap edhe dera e fqinjit tonë, Shabanit, me të cilin jemi në një oborr. Doli Ramadani, i biri, dhe drejtoi shikimin drejt Llaushës.
M’u drejtua: Çka ka të re?
I rrudha krahët.
Pse, ti di diçka? – e pyeta.
Po, tha. Djali i Miftarit (një fqinj pak më i largët) më thirri në telefon dhe më tha se jemi të rrethuar nga policia dhe ushtria e Serbisë dhe janë dëgjuar disa krisma pak më herët.
Hyra dhe e thirra Eminin, i cili po flinte ende. Papritmas u dëgjuan krisma. Dolëm. Çka me pa! Kodrina që ndan Skenderajn me Llaushën u mbush plot policë, të cilët po ngjiteshin në majen më të lartë të saj. Prapë krisma. Më vonë morëm vesh se ishte vrarë Miftar Rreci, i cili nga ana e kundërt e kodrinës kishte provuar të dalë, edhe ai, në maje të saj për të parë çfarë po ndodhte këndej nga Prekazi. Të gjithë fqinjët dolën nëpër oborre, dritare e ballkone për të parë çka po ndodhte. U zgjata pak për të parë rrugën kryesore. Pashë se në rrugë u ndalën shtatë autobusë nga të cilët po zbrisnin me nxitim policë serbë dhe po zinin pozicionet.
O Zot!
Asnjë nuk do të shpëtojmë, mendova. Fillova të dridhem. Ethe… Bashkë me Eminin zbritëm te fqinjët. Shtëpia ku banonim ishte me shkallë në rrugë. As gardh, as portë të oborrit nuk kishte. Rreziku i bashkon njerëzit. Kështu kishin vepruar shumica e familjeve në lagje. Ishin grumbulluar nga disa familje në një shtëpi… Pamë tek po ngjiteshin arave karshi shtëpive të Shaban Jasharit disa tanke, të cilat i drejtuan grykat e topave drejt tyre. Prej këtu ku jemi, ky pozicion nuk është më larg se 500 metra, në vijë të drejtë. Tashmë u bë e qartë gjithçka. Shema, nusja e kësaj shtëpie, e cila Shaban Jasharin e ka dajë të babës, tha:
– O, shtëpinë e Adem Jasharit kanë për ta sulmuar dhe kësaj radhe asnjë nuk do të shpëtojë! I biri, Endriti i vogël, gjashtë vjeç, fillojë të qajë dhe të ankohet: “Po na këtu… Jemi ngat…”.
Në orë 6:45 filloi sulmi – drejt me top! O Zot, nuk ka të ndalë artileria e rëndë!
Të gjithë u mbyllëm brenda. Në një dhomë jemi tetë veta, gjashtë të rritur dhe dy fëmijë, Fidani e Endriti.
Gjëmim topash, krisma automatike, cingërrima telefoni dhe heshtja jonë karakterizonte këto orë të para të një tragjedie që kishte filluar të shfaqej. Meqë Jasharët i kishim afër, njerëzit telefononin për të marrë vesh se çka po ndodh. Ku të dinim ne që s’guxonim të dilnim as në derë?!
Bashkë me Kadën, të zonjën e shtëpisë, u ngjitëm në katin e sipërm. E ndezim nga një cigare. Topat vjellin zjarr. Përpiqem t’i numëroj granatat që hedhin: një, dy, tre… tetëdhjetë, derisa e kisha pirë vetëm një cigare! Zbresim poshtë dhe i shohim të gjithë të heshtur. Frika e shqetësimi kishin ndikuar në intensifikimin e proceseve fiziologjike… Telefoni nuk pushon. Ndezim radion dhe përpiqemi të zëmë ndonjë radiostacion, për të marrë vesh diçka. Asnjë lajm më detaj përveç se po sulmohen Jasharët dhe e gjithë Drenica është e rrethuar. Këtë po e dinim edhe vetë…
Të tre burrat, Emini, Ramadani e Shabani rrinë ulur në divan. I kuptoj. Janë burra. Mendojnë… Shumë herë dal deri jashtë, por nuk shoh njeri nëpër oborre. Askund. Të gjithë janë mbyllur nëpër shtëpi. Edhepse bën ftoftë, oxhaqet nuk tymojnë. Drutë janë n’oborr, njerëzit brenda. Po dole mund të të marrë ndonjë plumb. Është një rrethim i plotë! Tërë ditën as hëngrëm as pimë, përvç cigare. Edhe këto po na mbarojnë. E veçanta e këtij grumbulli njerëzish të pashpresë, më e padisiplinuara, jam unë. Asnjë minutë nuk mund të qëndroj në një vend! Ngjitem lartë, zbres poshtë, dal deri në derë… Në momente situata acarohet edhe midis nesh. Mendime, gjykime, parashikime, paragjykime të ndryshme… Në një moment, Shabani, njeriu më i moshuar këtu, tha:
– Sa të kryejnë atje, vijnë te ne… Endriti hapi sytë. Gjysh, fol mirë ! – i tha.
Ora 15.
E lëshojmë Radio Tiranën. Emision i drejtpërdrejtë për Kosovën. Provojnë të lidhen me dikë nga vendi i ngjarjes. E japin numrin e telefonit, ku mund të thirret. Befasi!: Nga Skenderaj, madje nga qendra e qytetit, lajmërohet Adem Meta, gazetar i Kohës Ditore. Rrëfen se çfarë po dëgjon. Në këto momente dëgjoheshin detonime të fuqishme. Këto informacione ishin për ata që ishin jashtë Skenderajt. Për ne nuk kishin ndonjë vlerë. Po i dëgjonim që të gjitha.
Po errësohet. Oshëtima e topave nuk ndërpritet. I them Endritit të vogël të shkojë e të luajë në kompjuter, por ai nuk lëviz nga vendi, ku rri strukur. Po e ndien rrezikun sa edhe ne. Mendoj: Çfarë zien në kokën e këtij fëmije?
Kur ra terri, askush nga fqinjët nuk e ndezi dritën. As ne. Dikur e ndezëm një llambë të vogël në një qoshe dhe e mbuluam me një letër të trashë. Tashmë detonimet kanë pushuar, por nuk dimë gjë nëse forcat serbe janë larguar apo jo.
Ora 18.
Nuk guxojmë ta ndezim televizorin, se shihet drita. Dikush troket në derë. Të gjithë brofim në këmë, si me sustë, duke menduar të njëjtën gjë, por asnjëri nuk e shprehu. E hapëm derën. Qe Halili, një komshi yni. Burrë në moshë, i tmerruar! U ul. “Asnjë nuk do të shpëtojmë” – tha. E shikoj me habi, por nuk i them gjë. Mundohem ta kuptoj. Burra janë, them me vete, u kushton zemra të ndihmojnë, por janë krejt duarthatë… Telefoni vazhdon të cingërrojë. Kërkojnë informacione, por nuk dimë çfarë t’u themi. I përsërisim për të kushedi satën herë të njëjtat fjalë. Në orën 22 dalim në korridor, jo për ta pëcjellë fqinjin, se ai kish shkuar, por për të parë se çfarë po ndodh. Në vendin ku ishin pozicionur tanket që herët në mëngjes, po dukeshin do drita… Shtrihemi kush si mundet, por asnjë pikë gjumi!

Ajnishahe Halimi, ish’cicerone në Kompleksin Memorial në Prekaz. Në vitin 2000, gjatë gërmimeve të bëra në shtëpitë Muze të Jashërvet është gjetur automatiku i Hamzë Jasharit.

*   *   *

SKENDERAJ – LAGJE 3, E PREMTE, 6 MARS
Ngrihem e para. Dal në oborr dhe ngjitem deri në shtëpin tonë. Jam shumë e frikësuar, sepse mbretëron një qetësi varri. Asgjë nuk pipëtin. Nuk dëgjohet asnjë zë, asnjë krismë, nuk shihet asnjë njeri. Them me vete: A thua u mposht rezistenca e Jasharëve apo jo? Për këtë jam e shqetësuar. Por, papritmas, në orën 6:10 filloi gjëmimi i topave. Kjo, sa më trembi, aq më dha një fije shprese, sepse më bëri të kuptoj se qëndresa nuk është thyer dhe Kështjella heroike e Adem Jasharit nuk është marrë ende. Zbres te fqinjët, të cilët tanimë ishin zgjuar të gjithë. Në fakt zgjuar kishim ndenjur gjithë natën. Flasim shumë pak mes vete. Të gjithë e mendojmë të njëjtën gjë, por nuk e shpreh asnjëri… Vërej se sot të gjithë jemi të zbehtë. Sytë më shkuan tek Endriti i vogël, i cili po na shikonte të gjithëve me radhë. Sigurisht, nga reagimet tona donte ta krijonte idenë për seriozitetin e situatës…
Derisa gjemimet e topave nuk kanë të ndalë, mendja më rri tek ata fëmijë, gra e burra drejt të cilëve janë drejtuar ato gryka topash e armësh të tjera. I njoh të gjithë, prandaj e përjetoj ndryshe nga ata që nuk i njohin. Më ka rënë të shkoj shpesh në atë familje. Kam qenë edhe pas dy sulmeve të mëhershme, më 30.12.’91 dhe më 22. 1. ’98, të cilave, megjithatë u kishin mbijetuar. Por, ky sulm ndryshon nga ato të mëparmet, prandaj është e qartë se pasojat do të jenë katastrofike. Gjithë ata fëmijë, të bukur e të hareshëm, a do të mund t’i shpëtojnë këtij sulmi barbar?! Kur ne, që tash për tash nuk jemi objekt sulmi të drejtpërdrejtë, jemi kaq të frikësuar e të trishtuar, po ata, drejt të cilëve po hidhen gjithë këto xhyle topash e plumbash, si ndihen, çka bëjnë?! Sa prej tyre janë gjallë në këto momnete. Se ka të gjallë jemi të sigurt, për faktin se atje po luftohet.
As sot telefoni s’ka të ndalë. Kërkojnë informacione. Ne s’mund t’u themi asgjë më shumë se sa po shohim e po dëgjojmë. Ato janë pak, sepse po shohim vetëm që jemi të rrethuar dhe po dëgjojmë krismën e armëve, të cilat dominohen nga topat. Në ndërkohë Emini më tha se pak më parë paska folur në telefon me Lulin (të birin e Adem Jasharit) dhe se ai qenka interesuar të dijë a mos kanë arritur të hyjnë brenda në shtëpi (serbët) dhe se ky i paska thënë se është i sigurt se nuk kanë hyrë, për shkak se atje po luftohet ende…
Kështu po kalon edhe kjo ditë shumë e ftohtë; ne të rrethuar në të gjitha anët, të terrorizuar nga krismat e shpërthimet dhe nga e panjohura që po na pret. Konfiguracioni i terrenit ku ndodhemi, një lugshtajë, nuk na lejon të shohim asgjë më shumë se disa tanke të vendosura përballë Jasharëve, të cilat po ‘punojnë’ me krejt kapacitetin…
Tezja ime, Xhyla, e cila jeton në Klinë të Poshtme, buzë asfaltit, në këto momente (ora 15) na njofton se sa mjete të motorizuara lufte, si tanke, autoblinda, kamionë, po vijnë nga Mitrovica drejt Skenderajt. Dmth po sjellin përforcime ende! E pyes nëse po shkon ndonjë, apo vetëm po vijnë. Përgjigjja është negative! Edhe nga Mitrovica na ‘qetësojnë’ me të njëjtat informata dhe na tregojnë se një pjesë e popullatës nga Drenica ka arritur në Mitrovicë për t’u strehuar dhe të tjerë po vazhdojnë të vijnë. Unë, e habitur, i pyes se si paskan mundësi të dalin nga rrethimi? Nëpër male, më thonë. O Zot, kemi mbetur të ngujuar në këtë vorbë, pa ditur ç’po ndodh!
Jasharët po rezistojnë ende.
Nga një kënd nën kulm të shtëpisë mund të shihet sesi nga Fabrika e Municionit ku janë të pozicionuara, po dalin shumë forca dhe po provojnë të ngjitën në atë arën në shpat, ku janë të pozicionuara tanket, por po kthehen me vrap, të shoqëruara nga autoblindat e tanket. Nuk po mund të ngjitën…
Në gjithë atë bisedë, ndonëse të paktë, që e bëjmë, asnjëherë nuk zëmë në gojë fatin tonë, por vetëm të Jasharëve, duke dëshiruar kështu, ndoshta, ta përjashtojmë vetën nga fati i tyre. Para mbrëmjes u duk një tym i madh, i cili po vinte nga lagjja Jashari.
Kada tha: I kanë vra të gjithë dhe tash po i djegin bashkë me shtëpitë! Endriti, i cili po rrinte strukur, lëvizi nga vendi duke iu afruar të ëmës dhe buza iu drodh në vaj. Jo more, tha dikush, po e djegin ndonjë lëmë… Prashikimit të Kadës nuk i besoja për faktin se këmbimi i zjarrit nuk kishte pushuar ende. Të gjithë u ngjitëm në katin e sipërm për të parë se ku po del gjithë ai tym. E shohim se tymi po del nga shtëpitë e Hamit e Sadik Jasharit, të cilat ishin në fillim të lagjes, diku nja treqind metra larg shtëpive të Shaban Jasharit.
Ora ka kaluar 16.
Edhe pak e erret. Papritmas, nga dritarja pamë një kokë njeriu, e cila përftoi me shpejtësi. Ishte Zenë Jashari. Nuk patëm mundësi ta ndalim e ta pyesim gjë. Ky fakt na dha pak zemër dhe shpresë se, megjithatë, paska njerëz të gjallë atje. Por u ngrit edhe dyshimi se ai ndoshta nuk ka qenë në shtëpi. Ndryshe si ka pasur mundësi të dalë i gjallë?… Cigaret kanë filluar të na mbarojnë… Në drekë, veç sa jemi ulur dhe jemi ngritur, pa ngrënë gjë. Televizioni i Beogradit, asnjë lajm për sulmin.
Ra zilja!
Të gjithë dolëm në korridor. Shaqir Jashari, fqinji i parë yni, nga ana tjetër e shtëpisë, i cili bashkë me të vëllanë, Ilmiun, kishin dalë nga lagja para sa vitesh dhe kishin ndërtuar shtëpitë këtu, në arat e veta. I zverdhur dyll, i lodhur… I themi të hyjë. Jo, tha, duhet të ikim të gjithë nga këtu, se atje i kanë vrarë të gjithë dhe, me që edhe ne jemi jasharë, ata patjetër do të vijnë edhe këtu, për ne… Ishte afërmendsh se kështu mund të ndodhë. Me ta na ndante vetëm rruga. Hymë brenda dhe filluam të debatojmë se si t’ia bëjmë. Të dalim, po ku të shkojmë? Mund të lëvizim jo më larg se njëqind metra, madje vetëm nëpër terr, se mëtej hasim në rrethimin policor.
Të rrimë, si të rrimë kur mendimi i Shaqës se mund të sulmohen për shkak se janë jasharë, po bëhej edhe mendim yni… Në ndërkohë Emini flet në telefon me dikë. E pyes kush është. Më thotë se thërret Ademi (Meta) dhe na propozon që ne të mos rrimë këtu ku jemi, se sidoqoftë jemi në sy. Po të aplikojnë ‘metodën e krehërit’, do të thotë të hyjnë e të zgjedhin dikë-dikë, ai ‘krehër’ do të na kapë edhe ne patjetër. Shqetësimi rritet… Të zotët e shtëpisë, Shabani e Kada janë të vendosur të mos dalin “për shkak të djemve të cilët janë në Gjermani e thërrasin. Do të bëhen merak nëse nuk përgjigjet askush në telefon”- thonë. Endriti qan. Të ikim prej këtu – thotë, duke menduar se mund të ikim nga rreziku. Ramadani mendon se edhe ai me gruan, Shemën, dhe të dy fëmijët duhet të qëndrojnë këtu. Shema filloi të qajë. Emini iu drejtua: Shemë, deri tash ishe e fortë, e tash ? “Ah bre, tha, fëmija…”
Është errur. Krismat kanë pushuar.
Unë e Emini, përshëndetemi, duke ua kërkuar ‘hallallin’ dhe dalim. U ngjitëm deri në shtëpi për të marrë pak tesha më të trasha. Hymë në shtëpi pa ndezur dritë as, madje, një fije shkrepëse. U nisëm për te Hakiu, një fqinj yni, i cili kishte shtëpinë nja njëqind metra prej këtu dhe ishte fare pranë rrugës ku ishte vendosur rrethimi (!).

Fëmijtë e familjes së Shaban Jasharit, të martirizuar më 5 – 7 Mars 1998.

*  *  *

Erdhëm te Hakiu. Na presin jashtëzakonisht mirë. Aty është edhe një familje tjetër, familja e Idrizit, e cila përbëhet prej pesë anëtarësh: Idrizi, Fatmirja dhe fëmijët: Adelina, Abelardi dhe Hyka, gjashtëvjeçe. Jemi bërë gjithsej gjashtëmbëdhjetë anëtarë. 
Sa hymë, pashë një situatë të ndryshme nga atje ku ishim: Këtu kishin arritur që fëmijët t’i lënë disi jashtë kësaj atmosfere paniku. Ata nuk po bisedojnë me ne për çfarë po ndodh rreth nesh. Ata po luajnë me lodra të ndryshme. Kjo është meritë e të rriturve dhe më qetëson shumë, sepse këtu ka tanimë shumë fëmijë. Vetëm të Hakiut ishin gjashtë. Fëmija më problematik është Hyka! Ajo, herë pas herë bërtet: “Unë jam UÇK!” E ëma, Fatmirja, ia mbyll gojën duke e mallkuar: ”T’u thaftë ajo guhë! Po a e di që policinë e kemi te dera?!”
Përpiqemi të marrim vesh diçka nga radio e televizioni. Në lajmet e orës 19:30, televiozioni i Beogradit, në lajmin e parë thotë se “janë vrarë terrorsitët Adem e Hamzë Jashari dhe të tjerët”… Të gjithë heshtëm. Nuk dëshironim të besonim se një gjë e tillë ka ndodhur. Telefonues nga jashtë, thirrjet e të cilëve jepeshin në Televizionin Shqiptar, thonë se kjo nuk është e vërtetë dhe është vetëm propagandë serbe… Sado që nuk dëshironim të besonim, shfaqja në ekran e Ademit të vrarë e bëri të qartë gjithçka. Emini, i cili Adem Jasharin e kishte takuar para katër-pesë ditësh, në rastin e masakrës në Likoshan e Qirez, tha me një siguri gati të plotë se ky është pikërisht Ademi!
“Terroristë”!! Të vrasin në shtëpinë tënde, prej së cilës s’ke ku të shkosh dhe të fyejnë duke të quajtur edhe terrorist! Është më se e qartë kush është terrorist këtu, por kështu ndodh kur nga forca mundet drejtësia. Pale sa të merret vesh se sa janë vrarë e kush është vrarë. Me siguri do të ketë të vrarë edhe gra e fëmijë. Po këtyre çka do t’u thonë?!
Fatmirja po frikohet shumë. Në një moment ajo tha: “Nëse shpëtojmë edhe kësaj herë, kurrë më nuk do të jetoj në Skenderaj”.
SKENDERAJ – LAGJE 3, E SHTUNË 7 MARS
Edhe kjo ditë gëdhiu e pothuajse u err si dy ditët e mëparme: Me detonime, krisma armësh automatike… deri pasdite, kur ato u ndërprenë. Pushoi gjithçka. Ky ishte një ogur i keq. Qendresa ishte mposhtur. Me që rrethimi po vazhdon ne nuk jemi në gjendje të dimë asgjë për epilogun e kësaj lufte triditëshe. Në bisedat e kursyera mes nesh ka vetëm hamendësime, parashikime dhe, sigurisht, frikë. Po presim…
* * *
Deri këtu është mabajtur ditar. Ngjarjet e mëvonshme, deri në varrimin përfundimtar të Jasharëve do të paraqiten shkurtimisht sipas kujtesës, e cila falë prezencës së vazhdueshme në të gjithë rrjedhën, do të mbetën të freskëta gjithë jetën.
Të dielën, më 8 mars, rrethimi vazhdoi të mbetet i pahequr, por diçka tanimë ishte e qartë: Jasharët ishin mposhtur, sepse luftime nuk kishte më. Nga pasditja filluan të qarkullojnë disa informacione, përmes telefonash, se të gjitha kufomat i kanë sjellë para Stacionit të Policisë…
Të hënën (më 9 mars), unë e Emini, me që ishim të angazhuar në jetën “politike” e aktivitete të tjera shoqërore, u nisëm të dilnim në qytet. Në rrugë u takuam me dy fqinjtë tanë, jasharë, Shaqirin e Ilmiun. Këta kishin informacione se janë vrarë shumë nga lagjja Jashari, ndër të cilët edhe i vëllai i tyre, Sherifi. Rruga, e zbrazët siç ishte, dukej tmerrësisht e gjerë dhe e shkretë. Në krye të saj pamë disa policë. Ne po ecnim drejt tyre. Kur u afruam nja pesëdhjetë hapa nga ta, njëri prej tyre ngriti armën dhe na e drejtoi. Ne u ndalëm dhe po pritnim cili prej nesh po rrëxohet, apo po biem të katër nga një rafal. Kjo nuk zgjati më shumë se disa sekonda, që na u dukën pafundësisht të gjatë. Polici uli armën dhe ne vazhduam drejt tyre. Na ndalën, na kontrolluan dhe na pyetën se ku po shkonim. U thamë se na kanë ftuar t’i identifikojmë kufomat… U mblodhën ‘subjektet politike e jopolitike’ siç i quanim organizimet në atë kohë. U formua një këshill varrimi, i cili i mori kufomat në dorëzim. Ato u vendosën në një depo të materialit ndërtimor. Ishin pesëdhjetedy kufoma. Ndër to vetëm nga familja e ngushtë e Shaban Jasharit, njëzet, me në krye Shaban, Hamzë e Adem Jasharin. Atë natë kufomat u rauajtën nga disa vullnetarë.
Të nesërmen, më 10 mars, që nga mëngjesi, mijëra njerëz parakaluan para kufomave, duke përjetuar dhimbje e tmerr të paprovuar në atë përmasë deri atë ditë. Kishte edhe shumë reporterë e veprimtarë për të drejtat e njeriut. Pamjet tronditëse u shfaqën para botës…
Midis kufomash kishte shumë fëmijë e gra. Disa të karbonizuara plotësisht a pjesërisht, të tjera të gjymtuara nga predhat e kalibrave të ndryshëm. Kufoma e Ademit kishte vetëm dy vrima plumbi, njërin në brinjë e tjetrën afër fytit. Gjoksi i Hamzës kishte një zgavër të madhe, të shkaktuar sigurisht prej një predhe të madhe… Disa fëmijë, dukej sikur flinin. Po, ata po flinin – përjetësisht.
Tërë dita kaloi duke u përpjekur që të bëhej identifikimi i tyre, me që disa nga dëmtimet, disa të tjera për shkak se nuk ishin të afërmit e tyre aty, nuk mund të njiheshin.
Të nesërmen, më 11 mars, vazhdoi e njëjta procedurë, derisa na u dha ultimatum nga policia serbe që ose të varroseshin, ose do t’i varrosnin ata vetë. Kur mbërrini ky ultimatum, pranë kufomave kishte mbetur një numër fare i vogël njerëzish, gjithsej 10-12 veta. Ndër ta unë, e vetmja femër. Pa na pritur që të vepronim, policë të shumtë, të armatosur e të shoqëruar me autoblinda, na rrethuan. Me vete kishin marrë edhe disa civilë serbë, me gjasë të burgosur dhe dy kamiona. Unë, prof.Zekeria Cana dhe Mulla Hajdini, plak (i vrarë më vonë) nuk po punonim, ndërsa të tjerët i përgatisnin kufomat, i vendosnin në arkivole, brenda të cilave, bashkë me kufomën e futnin edhe një letër me emrin e të vrarit, nëse ky ishte i identifikuar. Kamionat i dërgonin në varreza. Filloi të erret. Me kamionin e fundit, i morën edhe disa veta nga ne, ndoshta për siguri të vetën…
Kur u kthyen, këta që kishin shkuar me kamionat, treguan se kufomat nuk janë varrosur si duhet, madje radha e dytë dhe e tretë e varreve (varret ishin në tri radhë) kanë mbetur të pambuluara fare. Atë natë fjetëm në banesën e një miku në Skenderaj. Me ne ishin, prof. Cana, Fetah Bekolli nga Suhareka, i cili kishte kryer ndaj kufomave shërbimet e hoxhës (kryesisht prerjen e pëlhurës për ‘çefin’) dhe Cen Desku. Këta kishin mbetur te kufomat bashkë me ne të Skenderajt në atë grupin e fundit.
Më 12 mars u tubuam që të vendosnim çfarë të bënim. Prof Cana nuk na u nda për asnjë çast. Vendosëm të shkonim në polici e t’u tregonim se ne do ta kryejmë varrimin si duhet. Një delegacion 4-5 vetash shkuam dhe ua treguam qëllimin. Ata na lejuan, me një kusht: Që vetëm të rregullohen varret dhe të mos u ndërrohen vendet të varrosurve. Ne pranuam. Një numër i kufizuar, rreth 50-60 njerëz, duke kaluar mes për mes forcash të shumta serbe shkuam te varreza.
Emini gjeti, pranë një gardhi, një copë kartoni të formatit afërsisht A3 dhe bëri skicën e varrezës ku shënonte kush ku po varroset. E ceka këtë detaj për faktin se, vite pas lufte, ky karton është zhdukur në mënyrë misterioze…
Bacën Shaban e vumë në krye të varrezës, pastaj Hamzën dhe Ademin. Të tjerët u lanë ashtu si kishin qenë, por të gjithë u varrosën sipas traditës muslimane dhe varret u rregulluan si duhet. Ndëkohë e sollën kufomën e Nënës Salë, të cilën e kishin gjetur atë ditë. Pak më tutje, thanë se e kishin gjetur edhe një polic të vrarë…
Me një minutë heshtje dhe një fjalë rasti, thënë nga prof. Cana, u ndamë duke lënë prapa pesëdhjet e tri varre. Ndërkohë që nga familja e gjerë Jashari mungonin edhe disa veta, të cilët nuk janë gjetur ende as sot…

Ajnishahe Shala – Halimi

………………………………………

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

PAMJE NGA VARRIMI I FAMILJES SË SHABAN JASHARIT

=================================

LEXONI:

MASAKRA E LIKOSHANIT, ҪIREZIT DHE PREKAZIT TË POSHTËM

– KRIME TË PANDËSHKUAR!
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1349

…………………………………………………………..

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura