SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(VII)

Pashtriku.org, 03. 04. 2013 – DËSHMI TMERRUESE LIDHUR ME MASAKRËN E KRUSHËS SË VOGËL! ZAHRIJE RASHKAJ: “SERBËT NA THANË – TË GJITHË DJEMTË MBI 10 VJEҪ TË NDAHEN NGA GRATË!”; LETAFETE BATUSHA: NA VRANË E NA DOGJËN SERBËT E KRUSHËS SË VOGËL!
Zahrije Rashkaj (nëna e Petrit Rashkajt, që i mbijetoj masakrës së 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël, por ka humbur burrin Nazmiun) është njëra nga gratë e shumta krushjane që kanë përjetuar tmerrin e braktisjes së njerëzve më të dashur, në momentet e fundit të jetës së tyre. Ajo ka parë e përjetuar më shumë se çdo nënë tjetër në këtë fshat. Rrëfimi i saj është i veçantë, sepse aty gërsheton dy filozofi: filofzofia ushtarake dhe ajo e politikës paqësore. Kjo nënë e përvuajtur ka jetuar një jetë të zakonshme ashtu sikur edhe shumë nëna të tjera në këtë katund dhe në tërë Kosovën. Deri në kohën e luftës ajo ka bërë vetëm punët e shtëpisë, ndërsa burri dhe djemtë janë marrë vetëm me punët e bujqësisë. Edhe kështu ata mezi kanë mbijetuar. Gjendja e tyre materiale as tani nuk është përmirësuar, por njeriu i vetëm i kësaj familje që mbijetoi egërsinë serbe, Petriti merret me punët e shtëpisë dhe punon gjithfarë punësh për të siguruar ekzistencën dhe rritur mirëqenien e familjes. Zahrija merret me gjërat më të rëndomta shtëpiake dhe tani ndjehet shumë e kënaqur që djali i saj Petriti mundi të shpëtojë nga barbaria serbe dhe tani në shtëpinë e saj enden të hareshëm tre bijtë e djalit të saj, dy prej të cilëve kanë lindur pas luftës. Zahrija është nga fshati Retijë dhe është martuar në Krushë të Vogël me Nazmi Rashkajn. Rastësisht ka ndodhur që në fqinjësi të jetojë me një familje serbe. Për shumë vite këto familje kanë pasur raporte të mira dhe se nuk ka ndodhur ndonjëherë që të ketë ngacmime e provokime. Ashtu ka ecur jeta për shumë vjet me radhë. Kjo gjendje ka vazhduar deri në fillim të viteve ’90, kur Kosovës ju hoq autonomia dhe milicia serbe erdhi në katund. Atëherë raportet u ftohën dhe se komunikimi ishte më i rrallë. Vetëm kur nuk kishte asnjë mundësi tjetër, sepse banorët e këtij katundi u shmangeshin kontakteve. Kontaktet nuk i dëshironin më as serbët e as shqiptarët.

Dëshmitarja Zahrije Rashkaj

*  *  *

ZAHRIJE RASHKAJ: “SERBËT NA THANË – TË GJITHË DJEMTË MBI 10 VJEҪ TË NDAHEN NGA GRATË!”
Në natën e fillimit të sulmeve të NATO-s, (më 24 mars 1999) mbi caqet serbe, zhurmat e tankeve dhe makinerisë tjetër ushtarake prishën qetësinë e natës. Në orët e para të mëngjesit të 25 marsit makineria ushtarake e policore u ndal në afërsi të fshati dhe njerëzit në panik ikën në drejtim të maleve, atje ku mendonin se mund të gjenin shpëtim. Serbët ishin shumë të revoltuar dhe të hidhëruar me sulmet e NATO-s, prandaj donin të shfrynin diku. E ku mund ta bënin këtë më lehtë se mbi shqiptarët e pa armatosur dhe të pa mbrojtur.
Zahrija mban mend mirë se si i ka mbledhur fëmijët dhe me ngut është detyruar të dalë nga shtëpia. Nuk ka pasur kohë as të marrë gjërat më të nevojshme, sepse frika dhe paniku kishte mbërthyer njerëzit.
“Një ditë të tërë e kemi kaluar në mal, ku nuk kemi pasur as bukë e as ujë”, – thotë Zahrija dhe vazhdon rrëfimin: “Tre njerëz mbetën në shtëpi, burri im Nazmiu dhe dy djemtë që nuk deshën të lëshonin shtëpinë, sepse për ta ishte shumë e shtrenjtë kjo vatër. Asgjë nuk kam kuptuar për ta gjatë gjithë kohës sa kemi qëndruar në mal. Njerëzit kishin frikë të flisnin për gjendjen, sepse kishin droje se mos shkaktonin frikë e panik tek gratë e fëmijët. Krismat e pushkëve dëgjoheshin shumë afër, ndërsa predhat e granatave kalonin fare afër nesh. Madje njëra na ka rënë shumë pranë këmbëve tona, por nuk ka pësuar askush. Në atë moment kanë nisur të qarat dhe britmat e grave e të fëmijëve të vegjël, sepse gjëmimi i granatës shkaktoi tmerr. Në një vend ishim strukur disa familje që jetonim në pjesën e poshtme të katundit. Nuk dinim si të vepronim, por ajo që na mundonte ishte fakti se na kishin mbetur njerëz në shtëpi, të cilët më nuk i pamë kurrë.
Në orët e vona të natës kemi hyrë nëpër përrua dhe kemi shkuar në pjesën e epërme ku ishin të vendosur edhe katundarët tjerë. Gjatë gjithë natës kemi qëndruar në një vend, të gjithë së bashku. Pak kishte prej atyre që ishin të gatshëm të hapnin gojën për të folur ndonjë fjalë. Nëse dikush thoshte diçka, kjo mund të ishte ideja për ndonjë mundësi shpëtimi, sepse e shihnim që serbët sa vinin e afroheshin.
* * *
Në orët e para të mëngjesit janë mbledhur të gjithë në oborrin e Sejdës (Batusha – Sh.B) dhe më pas ka vazhduar ndarja. Fillimisht nisi ndarja në grup mosha dhe në gjini. Thanë se fëmijët duhet të ndahen sipas moshës, ndërsa gratë e reja duhet të ndahen nga më të vjetrat. Kjo shkaktoi një tmerr të pa parë, sepse fëmijët nuk donin të ndaheshin nga nënat e tyre, kurse nuset dhe vajzat e reja kishin frikë për fatin e tyre. Duke parë se do të bëhej rrëmujë e madhe, serbët lejuan që nënat të marrin fëmijët dhe të nisen nga aty. Pas ndarjes, që ishte shumë e rëndë, ne ecëm rrugës teposhtë dhe shikonim me dhembshuri njerëzit tanë.
U krijua një lehtësim në mesin e burrave, por gratë nuk donin të ndaheshin, ndonëse ende shpresohej se nuk do të ndodhte më e keqja. Mendonim se mund t’i marri në pyetje, t’i rrahin, edhe t’i burgosin, por që t’i vrasin, nuk kemi dashur të mendojmë. Pak më tutje, mbase nuk kemi kaluar disa qindra metra, mu afër shtëpisë së Qazim Batushës, na kanë ndalur edhe një herë. Aty e kam dëgjuar një urdhër në serbisht:
– “Të gjithë djemtë mbi dhjetë vjeç duhet të ndahen nga gratë!”
Atëherë nënat janë përpjekur që të maskojnë ose fshehin djemtë e kësaj moshe, por më kot, sepse në të dy anët e rrugës kishte milicë të armatosur që shikonin si të çartur. Deri në atë vend edhe unë e kam pasur djalin tim Kadriun për dore. Ky urdhër më trazoi shumë, por milici i tha djalit që të dilte nga rreshti. Ai u nda nga ne dhe me lot ndër sy u kthye tek burrat. Nga rreshti i morën edhe disa fëmijë të tjerë, të cilët dukeshin paksa më të rritur. Aty na kanë mbajtur edhe një orë e gjysmë. Në atë moment ka ardhur Rade me të shoqen Kosara. Plaka Fekë i ka kërkuar ndihmë asaj, duke i thënë se duhej të ndihmonte.
– “Kosara, o ndihmona sot, o kurrë më!”
– “Nuk kam çka të bëj për ju, sepse vetë e keni kërkuar kështu” – ishte përgjigja e saj. “Këtë ditë e keni kërkuar që t’ju vijë, tani do të vuani pasojat.”
Të gjithë sa ishim aty kishim një pamje të zbehtë dhe askush nuk fliste asnjë fjalë. Madje as me njerëzit më të afërm nuk flisnim. Kaluam nëpër zjarret e shtëpive tona deri sa kemi kaluar fshatin. Aty na ndalën edhe një herë dhe tani kishim frikë se mos na ndodhte ndonjë gjë e tmerrshme, sepse tani më nuk kishte asnjë mashkull në mesin tonë. Të gjitha ishim gra, vajza të reja dhe fëmijë. Gjatë gjithë rrugës kemi qarë e vajtuar.

Zahrije Rashkaj më fëmijtë…

* * *
Pas katër ditësh na kanë dëbuar për në Shqipëri. Madje neve edhe familja hasjane që na strehoi na ka dëbuar tri herë nga shtëpia, sepse plaku i kësaj familje kishte frikë se mos vinin serbët dhe i vrisnin për shkak se na kishin strehuar. Ai ishte Hajredin Çollaku, i cili më nuk jeton, por kishte aq shumë frikë sa nuk bëhej asnjëherë rehat.
Kur na dëbuan për në Shqipëri, na u duk se lindëm për së dyti. Ne kemi ecur në këmbë deri në kufi (në Vërmicë – Sh.B). Djali i Petritit, Berati – kishte vetëm pesë muaj dhe ishte i sëmurë nga zemra. Nuses së Petritit i kam thënë që të shkonte bashkë me djalin, bile një mashkull të shpëtonte. Kur kemi arritur deri në të përpjetën e Landovicës, nuk kam mundur të bëj më tej. Jam ulur ashtu sa gjerë e gjatë në rrugë dhe ju kam lutur zotit që të ma marrë shpirtin. Thosha me vete, por edhe me zë:
– “çka më duhet jeta mua pa djemtë e mi a, e mjera unë e mjera”.
Më pas e kam kthyer kokën në drejtim të katundit tonë dhe e kam lëshuar një britmë të madhe:
– “Kuku për neve e për juve, o djemtë e nënave të shkreta! Po çka na duhet jeta ne të mjerave pa juve, o djemtë e nënë shkretave!”
* * *
Deri sa nënë Zahrija rrëfente përjetimet e veta dhe tmerret e gjithë fshatit, befas nga ana tjetër e dhomës dëgjojmë një të qarë të thekshme. Djali i madh i Petritit, Berati nisi një vaj të thekshëm. Tregimi i gjyshes e kishte emocionuar aq shumë, sa që kishte shkaktuar tronditje të madhe shpirtërore. Ai nuk kishte dëgjuar asnjëherë për gjëra të tilla, ndonëse në familjet krushjane shpesh flitet për njerëzit që nuk janë më. Vaji i nipit shkaktoi tek gjyshja atë mallin për të gjithë ata që humbën në këtë vend. Ajo nisi të qante dhe fshinte lotët me shpinën e dorës së flashkur. Pas pak u përpoq të merrte veten dhe u drejtua paksa. Shikoi në drejtim të miqve dhe duke kërkuar falje nisi rrëfimin me zërin që ende i dridhej nga ngashërimi.
“Në krye të rrugës jam ulur dhe i thashë vajzës që më shoqëronte që të shkonte dhe të më linte aty. Vajza ka nisur të qajë, ndërsa unë u shtriva sa gjerë e gjatë në asfalt. Në ndërkohë andej vinin shumë traktorë e kamionë që ishin nisur në drejtim të kufirit. Jam habitur së tepërmi kur një makinë ushtarake serbe është ndalur dhe nga aty ka dalë një ushtar me maskë në kokë. Mendova se donte të më vriste. Thashë me vete; më mirë kështu. Atëherë ushtari me veshje të zeza e ka ndalur një traktor dhe i ka dhënë urdhër traktoristit që të më marrë me vete, duke i thënë se si nuk keni fare dhembshuri për plakën që nuk mund të ecë. Merre dhe mos fol më, ishte urdhri prerë i ushtarit. Atëherë traktoristi është munduar të arsyetohet se nuk ka vend të mjaftueshëm në traktor, por u detyrua të na merrte me vete.

Kur kemi arritur në kufi na ka marrë në shtëpinë e tij një njeri shumë i mirë, i cili na mori me kombi’busin e tij. Atje takova edhe nusen me djalin e vogël, që ishte shumë i sëmurë. Njeriu që na mori është sjellë shumë njerëzishëm me ne. Duke parë se djali ishte shumë sëmurë, ai tha se do të ngushtohej, edhe pse nuk kishte vend në shtëpinë e tij të vogël. Qamil, e kishte emrin ai njeriu që na strehoi, por nderi që na ka bërë nuk mund të paguhet me para. Ai e ka marrë një letër të madhe dhe ka shkruar emrat e të gjitha grave që ishin aty. Ai e ka publikuar numrin e telefonit të tij në televizionin e Kukësit. Pastaj kanë pasuar shumë telefonata nga shumë njerëz. Më kanë telefonuar nga të gjitha vendet europiane, duke dashur të dinin për njerëzit e tyre. Nuk dija se çka t’ju thosha, sepse në fakt nuk dija asgjë përveç asaj që tregova. Pas asaj dite Qamili na ka gjetur një banesë të mirë dhe pas pesë ditësh na kanë dërguar për Mengël të Elbasanit. Aty kemi qëndruar pesë javë. Mjekët menjëherë kanë nisur të vizitojnë djalin e Petritit dhe kanë thënë se duhet dërguar jashtë shtetit, sepse për sëmundjen e tij mund të gjendej ilaç vetëm në Itali. Gjendja ime shëndetësore sa vinte e keqësohej. Për pesë javë nuk mund ta besojë njeriu se sa pak kam ngrënë dhe se kam jetuar vetëm me ujë. Shqetësohesha për Petritin, mërzitesha për ata që nuk ishin, më dhimbsej shumë Berati. Më kishin rënë hallet e botës mbi kokë.
SI MORI VESH NËNË ZAHRIJA SE PETRITI ËSHTË GJALLË?!
Pas disa ditësh kemi kuptuar se Petriti ka dalë në Shqipëri. Babai i nuses së Petritit i ka treguar me telefon bijës së vet se Petriti ka dalë shëndosh e mirë në Shqipëri. Hamdi Palushi, njeriu që na ka mbajtur në shtëpinë e tij pesë ditë në Kukës e ka mbajtur dy javë në shtëpinë e tij Petritin dhe nuk e ka lënë të shërohet në spital, sepse aty kishte shumë njerëz, ndërsa mjekun ia sillte çdo ditë në shtëpi për t’ia ndërruar plagën. Atij njeriu i kemi shumë borxh sa të jemi gjallë. Petriti ka treguar se ai është kujdesur për të si të ishte djali i tij. Ai ka qenë vërtet shumë i kujdesshëm, madje nuk ka pranuar as të marrë para për blerjen e ilaçeve.
Pas dy javësh ishim në Fushë Krujë, kur ka ardhur i zoti i shtëpisë ku ishim vendosur dhe ka thënë se babai i nuses kishte telefonuar dhe i kishte thënë se Refkiu është gjallë. Ne u gëzuam të gjithë, sepse Refkiu ishte djalë i vetëm dhe nuk kishte pasardhës. Mirëpo të nesërmen po ky njeri erdhi duke thirrur:
– Oj ama e Petritit, oj ama e Petritit! Ku je moj kështu. Dil njëherë këtu, se po të kërkon Petriti në telefon”.
Vendi ku ishte telefoni nuk ishte larg, por unë kam bërë gati një orë deri te vendi, sepse isha lodhur dhe isha krejtësisht e dërmuar. Kur kam arritur aty e kam marrë telefonin dhe nga ana tjetër më thërriste Petriti:
– “Oj nënë, si je moj – A po më dëgjon oj nënë.”
Unë isha krejtësisht e humbur dhe nuk e dija se kush ishte. Mendoja se dikush po tallet me mua. I thosha se nuk është Petriti. Aq isha e hutuar sa nuk dija çka të pyesja më parë. Unë nuk e dija se si kishte qenë puna atje ku kishte qenë Petriti me të tjerët, por vetëm e pyesja si janë Kadriu, babai, Refkiu dhe e pyesja për të gjithë burrat tjerë që na mbetën në duart e serbëve.
Ai më përgjigjej vazhdimisht se janë mirë dhe se janë duke ardhur të gjithë në Shqipëri. Kështu biseda zgjati pak minuta, por as sot nuk di të them se çka kam biseduar me të. Vetëm se e dija që dikush shumë i dashur kishte folur me mua. Isha në gjendje shumë të rëndë dhe nuk e dija as ku jam, sepse mezi merrja frymë dhe isha shumë e lodhur nga pagjumësia, nga të pangrënët dhe mërzia e madhe.
ҪKA I THA NËNË ZAHRIJA, IBRAHIM RUGOVËS NË SPITALIN E ROMËS?!
Pas një nate na dërguan në Elbasan, ku pastaj kemi zënë vend në një shtëpi, ku na kanë trajtuar shumë mirë. Atje e kanë shtruar në spital menjëherë Beratin dhe atje ka qëndruar disa javë në gjendje shumë të rëndë. Zemra e tij e vogël mezi punonte. Atëherë mjekët kishin vendosur që ta dërgonin në një spital në Itali. Unë kisha shumë dëshirë që kjo të bëhet sa më parë, pasi që na i kishin vrarë gjithë ata meshkuj, mendoja bile një të ishte si duhet.
Petriti më tha se nuk e ka ndërmend ta lejojë djalin që të shkojë në Itali, pasi që kishte vdekur babai e vëllai, nuk i bënte zemra të lejonte që djali të largohej nga familja. Unë e luta shumë që djali të shkonte sa më parë. Unë kam shkuar tri herë në Tiranë për të rregulluar pasaportën për të shkuar në Itali sa më parë. Doja që unë të shkoja me Beratin e jo nëna e vet.

Romë, Maj 1999: Ibrahim Rugova në aeroportin e Romës, në momentin e ardhjes, (me aeroplan special) nga Beogradi!

*  *  *

Më 24 prill u rregullua dokumentacioni dhe u nisëm për rrugë. Në Durrës kemi pritur dy ditë për tu nisur, pastaj kam kaluar në Itali dhe atje kam qëndruar gjashtë javë në një spital në Romë. 
Në spital na trajtuan shumë mirë. Atje më thanë se do të vinte për vizitë Ibrahim Rugova në spital.
Atje kishin dalë disa fëmijë të sëmurë nga zemra dhe pritej ardhja e Rugovës. Ne pritëm disa orë ardhjen e tij. Ai erdhi vetë i shtati. Pranë meje ishte një grua nga Istogu, e cila tha se ai po vinte për atë sepse ishin të afërm. Mirëpo kur hyri Rugova në dhomë u drejtua tek unë dhe më pyeti si isha.
– “Jam shumë keq”, – i thashë unë.
– “Po pse keq moj motër”, – më pyeti ai.
– “Keq sepse nuk më kanë shpëtuar anëtarët e familjes. I kemi lënë në dorë të shkaut në Kosovë dhe e dimë se i kanë vrarë të gjithë”, – ju përgjigja.
– Eh sikur të më kishin dëgjuar mua nuk do të kishte ndodhur kjo. Pasi që nuk më dëgjuan, ja se çfarë ju ndodhi”, – më tha Rugova.
Mu duk sikur ai po bën politikë edhe tani kur ne kishim përjetuar gjithë atë tragjedi dhe po vajtonim fatin tonë të keq. Nuk u durova dhe ia ktheva menjëherë:
-“Ja pikërisht ato fjalët tua se problemi do të zgjidhet me paqe na kanë hutuar. Sikur të ishim përgatitur edhe ne nuk do të kishim humbur gjithë ata njerëz. Ata që kemi humbur kanë qenë në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë bërë asgjë. Ata kanë vepruar ashtu si ke thënë ti, që duhet të ruajmë pragjet e shtëpive. Ata kanë qëndruar në shtëpi dhe aty i kanë marrë dhe i kanë vrarë, pikërisht para pragjeve të shtëpive tona”, – ju përgjigja unë.
– “Ti tani je këtu i lirë, kurse djemtë tanë kanë humbur. Mjafton që ti ke shpëtuar se për djemtë tanë s’ka gajle” – i thashë si me inat.
Ai më rrahu krahët dhe tha se shpejt do të kthehemi në shtëpi.
– “Kthimi jonë tani nuk ka rëndësi, sepse tashmë ka humbur një fshat i tërë” – i thashë Rugovës, gjithnjë me një dozë të theksuar pezmi.
Kaq ishte biseda me Rugovën.
Pastaj mjekët italianë e kanë trajtuar shumë mirë Beratin dhe pas operacionit jemi kthyer në Shqipëri përsëri, ku kemi qëndruar deri në kohën e kthimit në shtëpi.
Kur kemi ardhur në Krushë të Vogël kemi parë gjithë atë shkatërrim që ishte bërë. Nuk gjetëm asnjë gjurmë të djemve e burrave tanë. I kishin zhdukur të gjithë. Ende vazhdojmë të kërkojmë më të dashurit dhe shumë nëna nuk e dinë as kur është natë e as kur është ditë, sepse për to nuk kanë më rëndësi as lindjet e as perëndimet e diellit,” – përfundon me pikëllim rrëfimin e vet kjo nënë e përvuajtur krushjane.

LETAFETE BATUSHA: NA VRANË E NA DOGJËN SERBËT E KRUSHËS SË VOGËL!

Dëshmitares Letafete Batusha, më 26 mars 1999 – në shtëpinë përdhese të Qazim Batushës, forcat kriminale serbe ia vranë dy djemë: Avdiun dhe Islamin, dy nipat: Enverin (1977) dhe Visarin (1983) (djemtë e Avdiut) si dhe kunatin: Asllanin, ndërsa në maj të vitit 2012 i vdiç djali – Ibrahimi (nga kanceri), i cili gjatë luftës ishte luftëtar i UҪK-së.
Nënë Letafetja e nis rrëfimin me historinë e familjes:
“Jam martuar në vitin 1951. Ishte kohë shumë e rëndë dhe uria kishte pllakosur familjen tonë, ashtu si shumë familje tjera në Kosovë. Pak vite më pas, në vitin 1956 vjehrrin tim e kanë marrë disa herë milicija dhe prej tij kërkonin pushkë. Në atë kohë ne vuanim për një kafshatë goje, ndërsa ata kërkonin pushkë. Vjehrri im na thoshte neve se do të detyrohej të shiste të vetmen lopë që kishim për të blerë një pushkë dhe t’ua dorëzonte milicisë. Pas disa herësh që e morën, herën e fundit, mund të ketë qenë hera e pestë apo e gjashtë, shkuan burrat dhe e morën me lese (barelë) sepse nuk mund të ecte më në këmbët e tij. Ka qëndruar në lëkurë të dashit më shumë se dhjetë ditë. Pas kësaj dite më nuk e kanë marrë, por frika ka qenë gjithnjë e pranishme në familjen tonë.

Dëshmitarja Letafete Batusha.

*  *  *

“Vjehrri im – kujton Litafetja – tregonte se si në vitin 1945 UBD-ja e kishte marrë nga shtëpia në darkën e pastërmës – Dervish Batushën dhe e kishte dërguar në drejtim të panjohur. As sot nuk i dihet varri dhe nuk dihet asgjë për të. Ne e dimë që Nikoliqët e kishin akuzuar për plaçkitjen e pronës së serbëve gjatë kohës së luftës edhe pse kjo nuk ka qenë e vërtetë sipas babait tim. Me nikoliqët nuk kemi pasur kurrë marrëdhënie të mira.” – thotë ajo.
“Pas rënies së Rankoviqit u krijuan kushte pak më të mira, por askush prej serbëve që kishte rrahur e torturuar shqiptarët nuk u morë në milici. Ata vazhduan përsëri presionin mbi fshatarët. Jeta bëhej e pa durueshme, deri në kohën kur u hapën vende pune në kooperativë dhe burri im Bajrami u punësua si traktorist. Unë linda pesë djem e tri vajza, por gjithmonë e kam pasur frikën se mund t’ju ndodhte ndonjë gjë e keqe nga serbët e fshatit tonë. Ata i kishim fqinj dhe kishim kontakte të përditshme. Madje një herë djali im Ibrahimi ka qenë në situatë shumë të vështirë, sepse kishte pasur ngacmime nga disa serb të fshatit dhe ai ishte përleshur me ta. Ibrahimi kishte qenë i mitur, kurse serbët të gjithë kanë qenë më të rritur se ky, por njëri nga serbët kishte pësuar lëndime të rënda. Pastaj e kanë marrë milicia dhe ne kemi qenë në siklet të madh. Por zakonisht kur kishte problem me serbët, atëherë milicia angazhohej maksimalisht.” – kujton Litafete Batusha, dhe vazhdon: “Në kohën kur ju hoq Kosovës autonomia, në fshatin tonë erdhën milicë serbë të panjohur dhe situata u vështirësua shumë. Ne i shihnim me armë serbët e rinj dhe të gjithë ata që mund të mbanin armë ishin të armatosur. Pastaj për një kohë kur luftohej në Kroaci e Bosnjë, serbët e këtushëm shkonin e vinin vazhdimisht. Unë e kam parë se edhe pleqtë kanë qenë të armatosur, ndër ta ishte edhe Millosh Nikoliqi, i cili luante me pushkë në oborrin e tij me djemtë dhe nipat e tij fare të rinj.”
Letafetes i kujtohet mirë, se – situata u vështirësua shumë kur lufta nisi në Drenicë. “Më nuk komunikonim fare me serbët, – thotë ajo, – sepse ata vetë nuk e donin një gjë të tillë. Milicët e ardhur patrullonin nëpër fshat dhe ne ishim nën presion të vazhdueshëm. Pas kësaj nuk kemi bashkëpunuar më për asgjë. Madje edhe arat më nuk ju kemi marrë me qira, sepse deri në atë kohë shqiptarët merrnin ara të serbëve për të mbjellë speca. Pas kësaj shumë ara të tyre mbetën djerrë. Kur takoheshin burrat rastësisht në rrugë, ata ndërronin drejtim. Situata u tensionua shumë dhe fëmijët nuk i lejonim më të shkonin vetëm në shkollë, sepse duhej të kalonin bri “stanicës” së milicëve të ardhur në fshat në shtëpinë e Dimitrije Nikoliqit.
* * *
Një rast më kujtohet kur në shtëpinë tonë ka ardhur një fqinjë serbe Ratka e Boshkit, gjoja për të pyetur se ku ishte operuar një fqinje e jona, sikur nuk e dinte edhe pse i kishin në dorë edhe spitalet edhe të gjitha të tjerat. I thashë se ajo ishte operuar në Gjakovë dhe nuk di te cili mjek, por në fakt e kuptova qëllimin e vizitës së saj.
Pas kësaj ajo nisi të fliste për luftën.
– “Më duket se Ibrahimi yt ka shkuar në UÇK” – më tha.
– “Jo moj çfarë UÇK-je. Ibrahimi ka shkuar tek miqtë e tij për të prerë dru” – ju përgjigja unë.
– “Unë kam marrë vesh se ai është në UÇK, por nëse NATO hyn me këmbësori, atëherë kuku për neve, por nëse bombardojnë me aeroplanë vaj halli për juve”, më tha serbja.
E piu një kafe dhe shkoi në shtëpinë e vet, por e kuptova se atë e kishte dërguar dikush të merrte informatë për Ibrahimin.
Në fakt Ibrahimi kishte shkuar në Reti ku ishte shtabi i UÇK-së, se vetëm kush nuk ishte në shtëpi mbetën gjallë, të tjerët i vranë pa dallim moshe. Pastaj kam thënë shpesh se pse nuk i dërguam të gjithë djemtë dhe burrat në UÇK, edhe nëse do të ishin vrarë do të kishte mbetur ndonjë gjallë.” – thotë me pikëllim Letafetja.
LETAFETE BATUSHA: VISARIN DHE ENVERIN MI MORËN, GJORGJE DHE BORISLLAV CVETKOVIQI!
“Natën kur NATO nisi sulmet me aeroplanë, u mblodhëm në krye të fshatit, ndërsa disa burra pleq i ngritën disa shamia të bardha. Me këtë ata donin të tregonin se ishin të pa armatosur dhe të pa mbrojtur. Në kohën kur na mblodhën të gjithëve në oborrin e Sejdi Batushës, na urdhëruan që të ndahemi nga burrat dhe fëmijët tanë. U krijua një tollovi e madhe, ndërsa fëmijët nisën të thërrisnin nënat e tyre dhe nuk donin të ndaheshin nga ato. Disa prej milicëve i drejtuan armët në drejtim të turmës, por ndërhyri njëri prej milicëve dhe ju tha:
– “nemoj pucati!”
Në të gjitha anët kishte milicë dhe njerëz të veshur me uniforma. Ne njihnim të gjithë serbët e fshati tonë, edhe pse ishin të maskuar. Ne i njihnim veshjet e tyre, flokët, sytë dhe fizikun e tyre, sepse ne kishim jetuar në të njëjtat rrugë, në të njëjtat ara kishin punuar burrat e gratë dhe i njihnin edhe të maskuar.
Më pas i ndanë gratë e fëmijët dhe na thanë që të niseshim në drejtim të Drinit ose të mbyteshim aty ose të shkonim në Shqipëri. Gjatë ndarjes, më kishin marrë dy djemtë (Avdiun, Islamin) dhe kunatin (Asllanin). Pastaj na urdhëruan të largohemi nga ata që i ndanë nga ne dhe të shkojmë për në Shqipëri. Unë ecja duke më ndihmuar për krahësh dy nipërit e mi, djemtë e Avdiut – Visari dhe Enveri. Më ndihmonin të ecja sepse kisha mbetur invalide si pasojë e thyerjes së këmbës në akull. Kur mbërrimë tek dera e Rasim Batushës: Cvetkovič Đorđe dhe Cvetkovič Borislav e urdhëruan Visarin dhe Enverin të më lëshojnë dhe të kthehen tek ata që i ndanë më parë. E luta Đorđin dhe Borislavin të mi lejojnë të vinin me mua pasi ishin shumë të rinjë dhe nuk mund të ecja pa ndihmën e askujt, por nuk dëgjuan për këto lutje duke mu përgjigjur se mundesh, mundesh të ecësh dhe se vendi i tyre nuk është me ty por me ata më lart (mendonte në ata burra që i ndalën më parë).”

Një familije e Krushës së Vogël, duke u larguar nga fshati…!

*  *  * 

Nuk patën zgjidhje tjetër loçkat e mia u ndanë dhe mbetën në duart e shkijeve. Unë vazhdova të eci vetëm, por kur dola afër tyrbes së fshatit u ula në skaj të rrugës dhe nuk mund të ecja më tutje. Një milic mu afrua dhe më tha: 
– Ngrihu dhe ec!
I thashë se nuk mundem, ngase jam e sëmurë dhe invalid. Atij nuk i interesonte kjo, por nisi të më kërcënonte se do të më vriste po nuk eca. Këtë e dëshiroja unë. Çka më duhej mua jeta pa djemtë dhe nipat e mi. Vetëm doja të mos shihja e të mos dëgjoja asgjë.
U nisa me shumë mund pas disa minutash dhe u ula përsëri me shumë mundim në drejtim të Drinit.
Sapo kalova pak hapa dëgjova të shtëna të shumta pushkësh.
– Uh e mjera unë, e mjera se i vranë të gjithë! – thashë me zë dhe nisa të qaj me zë të lartë. E kisha një parandjenjë se askush nuk ka mbetur i gjallë prej gjithë atyre burrave e djemve.
Pas disa orësh erdhën katolikët e Bregdrinit dhe na morën, sepse kishim mbetur vetëm unë, një invalid nga familja Shehu dhe nëna e Sokolit këtej. Katër ditë kemi qëndruar në familjet e katolikëve e më pas na kanë dëbuar të gjithëve për në Shqipëri. Gjithnjë shpresonim se ndonjëri prej burrave do të ketë mbetur gjallë.” – përfundon rrëfimin me pikëllim të thellë – Letafete Batusha.

Gratë dhe vajzat e Krushës së Vogël, që iu vranë burrat,

fëmijtë dhe vëllezërit – më 26 mars 1999!

*  *  *

( VIJON… )

================================

– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424  
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426  
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429
PJESA E KATËRT:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1436
PJESA E PESTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1443
PJESA E GJASHTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1446

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura