Francë – 14 Shtator 2017: Në librin e autorit, Albert Racinet (1825 – 1893), me titull « Le costume historique : cinq cents planches, trois cents en couleurs, or et argent, deux cent en camaïeu… », botuar në vitin 1888 nga shtëpia botuese « Firmin – Didot (Paris) », gjejmë një shkrim, në faqen n°328, ku flitet për epirotët (shqiptarët), origjinën dhe zanatin e tyre kryesor.
Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë mbi përshkrimin e epirotëve nga piktori, litografi dhe ilustruesi francez, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja–Blogu « Dars (Klos), Mat–Albania»:
Turqia e Evropës
Kostumet e Vilajeteve të Janinës dhe Selanikut
(Epiri ose Shqipëria Jugore, Thesalia, Maqedonia)
“Vilajeti i Janinës përfshin Epirin ose Shqipërinë Jugore dhe Thesalinë ; Janina është qyteti kryesor dhe kryeqyteti i Epirit.
Epirotët ose shqiptarët, të cilët e quajnë veten Arbëreshë, nga ku bizantinët i kanë quajtur Arvanitë dhe turqit Arnautë, gjithashtu quhen Skipëtar.
Ky emër i fundit duket se nënkupton njeriun që është gjithmonë i armatosur, ai që përdor shpatën, skiphosin.
Shqiptarët, të cilët, sipas të gjitha dukjeve, janë një fis i ilirëve të lashtë, janë të fuqishëm dhe luftarakë.
Këta ushtarë të Akilit, Pirros dhe Skënderbeut kanë ruajtur reputacionin e paraardhësve të tyre.
Vilajeti i Selanikut është Maqedonia e lashtë; ai ndodhet në perëndim të Vilajetit të Janinës.
Industria kryesore e Epirotëve është prodhimi i kostumëve.
Rrobaqepësit dhe qëndistarët e Janinës furnizojnë të gjithë Greqinë me veshje të bukura, nganjëherë pelhura e tyre gjendet e mbuluar plotësisht nën qëndisjet prej ari.
Mesatarisht, kostumi i një burri të këtij lloji shitet në Janinë, 1.600 franga, i një gruaje, 1.800 franga dhe i një fëmije, 500 franga.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.
……………………………………………………………………..
Nga Aurenc Bebja, Francë – Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania