DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XXII)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XXII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba 

-111-

Konfidenciale

HMA – O/R

DA – O/R                                                               30 tetor 1981                                                                         

Vizita në Kosovë (24-27 tetor)

1.         Kalova fundjavën dhe të hënën në Kosovë, udhëtova me tren të shtunën dhe u ktheva me avion këtë mëngjes (27 tetor). Të dielën shkova në Pejë ku qëndrova një ditë dhe një natë, e që andej kalova në Prizren të hënën, e më pas vonë në mbrëmje u ktheva në Prishtinë. Të gjitha këto udhëtime të brendshme i kam bërë me autobus.

2.         Situata e sigurisë. Nuk pashë ndodhi të pahijshme, megjithëse të tre qytetet ishin nën kontroll të fortë, si nga milicia dhe ushtria. Përqendrimi më i madh i pajisjeve dhe forcave të sigurisë ishte në Prishtinë, më i vogli në Prizren. Lokalizova vendin e fushimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), një fotografi e së cilës u botua në gazetën “Ilustrovana Politika” pak javë më parë, një pikë midis Mitrovicës dhe Vushtrrisë (që dallohet qartë nga treni). Në Prishtinë, pashë disa automjete të blinduara milicësh, të cilat ngjanin me tipin “pigs” (të lyera ngjyrë blu) dhe ishin me timon në krahun e djathtë. Këto automjete ishin të parkuara të gjitha jashtë kazermave të milicisë në qendër të qytetit dhe ruheshin nga “forcat speciale” që mbanin bereta gjatë ditës, por helmeta çeliku pasi errësohej. Pashë vetëm një autokolonë të automjeteve ushtarake në lëvizje, rreth 30 automjete jashtë Suharekës, por këto mund të ishin lëvizje normale të Ushtrisë Popullore Jugosllave.

3.         Kontrollet. Nuk kishte asnjë të tillë në tren (përveç kontrolleve normale të biletave që bëheshin në dalje të Kosovës). Vetëm pasi isha regjistruar në hotel në Prishtinë, më kërkuan lejekalimin të lëshuar me Protokoll të FSFA. Pas kësaj, nuk më kërkuan më që ta nxirrja megjithëse, e dorëzova vullnetarisht në hotelin në Pejë dhe përsëri kur u ktheva në hotel në Prishtinë. Asnjë nga autobusët në të cilët udhëtova, nuk u ndaluan nga policia, megjithëse një numër i madh makinash private u ndaluan. Të shtunën pasdite, policia po kontrollonte dokumentet e afërsisht një në dhjetë shoferë në rrugët kryesore të Prishtinës, e madje edhe ato që kishin makina me markën e regjistrimit të Prishtinës. Nuk pashë asnjë rast të tillë në Pejë apo Prizren.

4.         Kisha parashikuar që do të kishte kontrolle të dokumenteve në aeroportin e Prishtinës këtë mëngjes. Por as pasagjerët në fluturimet që vinin nga Beogradi dhe as ne që niseshim për Beograd, nuk ishim të detyruar që të identifikoheshim. Ishte pajisja e zakonshme me rreze X për kontrollin e bagazheve dhe trupit, por nuk kishte kontrolle të tjera të trupit. Nuk pashë asnjë mjet ushtarak në fushën e aviacionit, e cila ishte tërësisht e veçuar nga avioni ynë dhe një biplan i hershëm.

5.         Nuk vura re ndonjë gjë që dukej e pazakontë në fshat, përveç si më poshtë:

i) Shenja (në disa gjuhë, përfshirë në gjuhën angleze) në rrugët kryesore përmes të cilave të huajt paralajmëroheshin të mos ndalonin përveç se në “zona të banuara”;

ii) Roje të armatosura në disa pemishte ndërmjet Gjakovës dhe Prizrenit, ku po vilej prodhimi i mollëve;

iii) Patrulla jashtë shërbimit që dukeshin si trupa malore që kishin zbritur në Pejë;

iv) Në Lutjen e mbrëmjes së Manastirit të Graçanicës, kongregacioni përbëhej nga dy ushtarë dhe unë. Njëri ushtar ishte pothuajse i përgjumur, ndërsa tjetri po shikonte mbi supin e priftit, duke u përpjekur të ndiqte litaninë sllave. Nuk pashë asnjë rojë në Patrikanën e Pejës të dielën, ku riparimet e Konakut janë në përfundim të plotë (megjithëse, sipas priftit, jo aq shpejt sa duhet; murgeshat janë kthyer përsëri, por ato ende nuk kanë ngrohje dhe ujë). Nuk kishte roje as në Deçan (Stacioni i zjarrfikësve në Pejë ka katër makina. Ky stacion nuk është më shumë se një kilometër nga Patrikana).

6.         Manifestime nacionaliste. Disa shtëpi në vend, një pjesë e të cilave janë ende duke u ndërtuar, kishin flamuj të mëdhenj shqiptar të dalë prej tyre. Në Pejë, pashë një që ishte zgjatur nga qepenët e çatisë. Pashë disa parulla “Kosova – Republikë”, të cilat kishin qenë gjysmë të mbuluara me bojë, por shumë prej tyre shënonin mbi to “Shoku Tito”. Të dielën, pashë një duzinë a më shumë procesione martesash në Pejë, ku të gjitha kishin flamurin shqiptar të dalë nga makina e parë drejtuese, përveç një rasti që kishte një flamur Federal të bërë në shtëpi (flamuri tre-ngjyrësh ishte bërë lëmsh dhe ylli ishte i tëri i kuq, d.m.th. pa konturën e verdhë). Nuk pashë shumë veshje demonstrative të kostumeve dhe qelesheve kombëtare, përveç një të riu që mburrej me veshjen e tij si një bej shqiptar, dhe një zonje që nuk i dallohej mosha, e cila doli në mëngjes në Pejë e veshur me një kostum të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe makijazhin e viteve 1980.

7.         Përshtypje të përgjithshme. Kjo ishte vizita ime e parë në Kosovë. Prapambetja e krahinave rurale dhe lagjet e varfra të Prizrenit më bënë përshtypje si jo më të këqija se ato në Mal të Zi. Nëse papunësia dhe varfëria janë të përhapura në Kosovë, së paku pjesërisht janë të kompensuara nga çmimet e ulëta. Biletat që merrja për autobus (për distanca rreth 80 km) kushtonin 50 dinarë. Një vakt me dy pjata, përfshirë edhe verë, në hotelin kryesor në Pejë, kushtonte 180 dinarë. Një kafe në Prizren kushtonte 13 dinarë. Të gjitha këto kushtonin dyfish në Beograd. Fola me disa studentë shqiptarë për trazirat. Ata u ankuan për papunësi, por thanë se ky ishte një fenomen universal dhe vetë atyre u vinte turp për çfarë kishte ndodhur. Asnjë prej tyre nuk tregoi simpatinë më të vogël apo dëshirën për të vizituar Shqipërinë (vetëm njëri prej atyre me të cilët fola, kishte udhëtuar jashtë Jugosllavisë, në Zvicër, ku kishte të afërmit e tij).

8.         Kujtime që zgjasin.

            i) Një grua shqiptare, e cila dukej të paktën 55 vjeçe, e rrethuar nga tetë fëmijë në një stacion autobusi, dhe duke i dhënë gji të nëntit.

            ii) Një burrë duke u rruar në mes të një fushe, duke e vënë pasqyrën e tij mbi një kovë.

9.         Të shtunën mbrëma takova shkurtimisht në Prishtinë Z. Crawford. Nxora përfundimin që përshtypjet e tij mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga përshtypjet e mia, meqenëse ai po udhëtonte me makinë dhe merrte disa autostopistë, të cilët kishin gjëra më të rëndësishme për të thënë.

                                                                                                D. I. Miller

27 tetor 1981

Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD, FCO          

-112-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike

FCO                                                                                                                     Beograd

I dashur Charles,                                                                                               2 nëntor 1981

Kosova: Mbledhja e 22-të e Komitetit Qendror të LKJ-së

Përmbledhje

1.         KQ i LKJ diskutoi në mbledhjen e 22-të më 17 nëntor ‘Programin e Veprimit Politik’ për Kosovën. Kjo analizë e gjerë e trazirave të pranverës tregon një zhvillim të rëndësishëm të qëndrimeve zyrtare. Në veçanti, është bërë tashmë e ditur se politikat afatgjata të ndjekura në Kosovë ishin në thelb të gabuara dhe udhëheqja e Kosovës është dënuar haptazi se ka kërkuar nacionalizmin shqiptar. Megjithatë, diskutimet e gjalla të Komitetit Qendror të LKJ treguan se brenda Partisë kishte mosmarrëveshje mbi rekomandime të caktuara. Gjatë debatit, situata e sigurisë në Kosovë u vlerësua si “e favorshme por ende jo e qëndrueshme”; Por, hidheshin mendime se mund të shqyrtoheshin në kohën e duhur disa nga dënimet e rënda të miratuara. Një delegat nga Vojvodina dënoi me ashpërsi nacionalizmin serb. Por, në përgjithësi, pak dolën informacione të reja.

Detaje

2.         Siç u njoftua më parë (në letrën time dërguar për ju më 9 Nëntor), KQ i LKJ në mbledhjen e 22-të të tij u mor me çështjen e Kosovës. Diskutimi u vërtit përreth një dokumenti (mesa duket 50 faqe i gjatë) të titulluar “Platformë Politike për Veprim të LKJ në zhvillimin e vetë-menaxhimit socialist, vëllazërimit, unitetit dhe komunitetit në Kosovë”, që ishte përgatitur nga një grup pune i ngritur pas Mbledhjes së 20-të të KQ të LKJ më 7 maj. Pas shqyrtimit përfundimtar, do të publikohet Platforma dhe teksti i diskutimeve tëzhvilluara në Mbledhjen e 22-të, por shtypi ka botuar tashmë ekstrakte të gjera të vetë Programit dhe debatit të KQ. Të dhënat në vijim ndalen në dëshmitë e gazetës “Politika” dhe “NIN” dhe janë përmbledhje e aspekteve ‘të brendshme’ tëMbledhjes; Orientimi Jugosllavi-Shqipëri dhe një vlerësim më i përgjithshëm i kësaj mbledhjeje të rëndësishme po raportohen më vete.

Programi i Veprimit Politik

3.         Ndërkohë që nuk mund të komentojmë përfundimisht mbi rekomandimet e Programit në lidhje me zhvillimin e ardhshëm ekonomik dhe politik të Kosovës deri kur të shikojmë tekstin e publikuar, konkluzionet në vijim japin shkaqet e trazirave nacionaliste në Kosovë tetë muaj më parë. Forcat nacionaliste dhe forcat e tjera reaksionare këmbëngulin ende në Jugosllavi dhe përreth saj, thuhet në Platformë, por gabimi i madh i udhëheqjes së Kosovës u dha atyre hapësirë për të vepruar duke mos arritur që të bënin një dallim të qartë midis politikave të LKJ dhe qëllimeve nacionaliste. Me të vërtetë, elementë të caktuar brenda udhëheqjes dhe Universitetit kishin qenë vetë “të mahnitur nga nacionalizmi”, ku si rezultat ishte lejuar të përhapej indoktrinimi nacionalist në radhët e studentëve dhe të rinjve. Fakti që Kosova ishte bërë në aspektin ekonomik dhe politik efektivisht e mbyllur, kishte krijuar tokë pjellore për kërkesën ‘Kosova-Republikë’, ndërkohë që vendimmarrja elitare, burokratike dhe jo-demokratike në radhët e udhëheqjes së LKJ ka penguar përpjekjet e aktivistëve të Partisë për të luftuar krijimin e ndjenjës nacionaliste. Kishte dështuar strategjia për zhvillimin intensiv të kapitalit për të parashikuar nevojat e Krahinës, veçanërisht kur bëhej fjalë për punësimin e të rinjve; në të vërtetë, udhëheqja kishte neglizhuar nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me pjesët e tjera të Federatës dhe në vend të kësaj ishte përqendruar për t’i bërë gjithnjë e më jo-realiste kërkesat për ndihmë për zhvillim të plotë. Një dënim ky i mallkuar dhe gjithëpërfshirës.

4.         Platforma shprehet se situata aktuale në krahinë është ende jo e qëndrueshme. Vazhdojnë të shfaqen parulla dhe letra anonime me qëllim përhapjen e mosbesimit ndër-komunal dhe demoralizimin e popullit. Si ndaj serbëve dhe malazezëve po ushtrohet presion që të largohen nga Kosova dhe po kështu, edhe ndaj shqiptarëve që janë përfshirë aktivisht në demaskimin e nacionalistëve. Por armiku ka marrë një goditje të rëndë nga aktivitetet e gjera të LK të Kosovës dhe popullit punonjës të Krahinës (në debatin e KQ të LKJ u zbulua se deri më 6 nëntor 1,036 njerëz ose ishin përjashtuar nga LKK ose ‘ishin nxjerrë nga lista’ dhe 11 organizata bazë të LKK ishin shkrirë).

5.         Përshkrimi i Platformës mbi shkaqet e vështirësive aktuale në Kosovë vazhdon më tej në mënyrë depërtuese. Por, sugjerimet e bëra në këtë Platformë në lidhje me veprimin në të ardhmen duket se janë më të turbullta. Në thelb, Platforma bën thirrje për një aksion mjaft më të madh dhe më intensiv nga Partia në Kosovë, me përpjekje të veçanta në shkolla dhe kolegje për të kundërshtuar vitet e indoktrinimit nacionalist të frymëzuar nga inercia, dhe për zhvillimin politik dhe ekonomik dhe që ky zhvillim politik dhe ekonomik i Kosovës të bashkërendohet më ngushtë me atë të Serbisë dhe pjesës tjetër të Jugosllavisë, duke e vënë theksin në investimet për krijimin e vendeve të punës. Sidoqoftë, megjithëse këto qëllime janë të përgjithshme, diskutimi në KQ tregoi se implikimet për t’i dhënë atyre përmbajtje nuk ishin të pakundërshtueshme.

Diskutimet në KQ-së të LKJ-së

6.         Debati për Platformën në radhët e KQ të LKJ zgjati për dymbëdhjetë orë dhe në të morën pjesë 22 anëtarë të KQ.

Dobroslav Qullafiq, Sekretar i Kryesisë së LKJ, hapi debatin dhe diskutoi me radhë pikat e ndryshme të vëna në Platformë. Ai vuri në dukje disa shenja pozitive në Kosovë të tilla si faktin që 450,000 studentë dhe nxënës i ishin kthyer mësimit në mënyrë paqësore dhe faktin që prodhimi ekonomik po e merrte veten sërish; por ‘armiku’ ishte ende aktiv në shkrimin e parullave, dërgimin e letrave anonime dhe në forma të tjera të ndryshme ngacmimi. Kjo situatë po shkaktonte pasiguri, veçanërisht në mesin e serbëve dhe malazezëve. Duhej gjetur mënyra për të ndaluar shpërnguljen e tyre – përndryshe armiku mund të krijonte një “Kosovë etnikisht të pastër”. Qullafiq tha se për t’i dhënë të rinjve në Kosovë shanse më të mira ekonomike brenda Jugosllavisë, ata duhej të mësonin si gjuhën serbo-kroate, ashtu edhe shqipe. Lidhur me rolin e shtypit, ai tha se kishte pasur raste të raportimit apo sensacionalizmit të paekuilibruar, por sa më shumë që zyrtarët publikë ishin objektivë dhe kritikë për ngjarjet në Kosovë, aq më konstruktiv do të ishte roli i shtypit.

7.         Sinan Hasani tha se përveç Kryesisë së LKJ, kishte pasur një grup njerëzish në Kosovë, të cilët në mënyrë vullnetare kishin pranuar përgjegjësinë për situatën aty, por LKK kishte ngritur tashmë një grup pune për ta çuar përpara këtë proces. Autoriteteve u mungonte ende një analizë e vërtetë e problemeve të shpërnguljes: “Ne duhet të distancojmë me vendosmëri veten nga numri jo i parëndësishëm i ‘avokatëve’ dhe ‘oportunistëve’ të cilët shpërnguljen e serbëve dhe malazezëve ia ngarkojnë ekskluzivisht vetëm arsyeve ekonomike”. Nevojitej një veprim pa ekuivoke kundër të gjithë atyre që ushtrojnë presion të ashpër ose psikologjik për të rritur nivelin e shpërnguljes.

8.         Gjeneral Bruno Buletiq tha se anëtarët e Partisë në radhët e JNA ishin të habitur për faktin se armiku nuk ishte identifikuar ende. “Disa mendojnë se armiku është gjithashtu i pranishëm në radhët tona”. Anëtarët e JNA me detyrë në Kosovë prej disa muajsh kanë qenë subjekt i presioneve të ndryshme për t’i detyruar që të braktisin betejën. Gjithashtu, po përhapeshin gënjeshtra për lëndime të supozuara të shkaktuara me tanke ndaj fëmijëve; JNA ishte shpikur se ishte ushtri pushtimi. Por, ushtria ishte angazhuar në një shumëllojshmëri skemash të punëve publike dhe aktivitetesh komunitare me vlerë që arrijnë në disa dhjetëra milionë dinarë.

Dënimi i nacionalizmit serb

9.         Dushan Popoviq, nga LK e Vojvodinës bëri fjalimin më të sinqertë. Ai tërhoqi vëmendjen në dy paragrafë të Platformës ku diskutohej pozita e Kosovës si krahinë autonome brenda Serbisë dhe, në veçanti, përmendeshin interpretimet e njëanshme të karakterit të federalizmit jugosllav. Njëri prej tyre kishte gjetur shprehje në neglizhimin e zhvillimit vetë-menaxhues dhe në identifikimin mekanik të pozitës së krahinave dhe republikave. Popoviq deklaroi se, në përgjithësi, pozita e krahinave nuk mund të interpretohej në mënyrë arbitrare dhe tha se fjalët e cituara ishin të paqarta dhe të panevojshme. Më pas, në mënyrë të dukshme, ai pretendoi se për 6 muaj disa seksione të caktuara të shtypit dhe “grupe pseudo-shkencore” kishin bërë fushatë denigruese kundër krahinave. Trazirat kombëtare në republikat e tjera nuk e kishin vënë asnjëherë në dyshim statusin e tyre si republika, tha ai. Nacionalizmi serb po e përdorte parullën ‘Kosova-Republikë’ për të kërkuar likuidimin e dy krahinave autonome – kjo forcë nuk duhej nënvlerësuar. Njerëzit po mashtronin veten nëse mendonin se nacionalizmi i Serbisë së Madhe ishte mundur gjatë luftës çlirimtare apo në Plenumin e Brioneve. Platforma duhet të ndryshohet për ta bërë të qartë të gjithë këtë situatë.

10.       Milojko Drulloviq tha se paragrafët që kundërshtonte Popoviq, bazoheshin në deklarata të mëparshme të bëra në Mbledhjen e 22-të të KQ të LKJ më 7 maj. Nuk do të ishte me vend që të zgjeroheshin temat e Platformës në mënyrën që kërkonte Popoviq. KQ i LK të Serbisë ishte forumi i duhur për të diskutuar këtë çështje.

Të burgosur politikë?

11.       Vërejtjet e Dushan Popoviqit u drejtuan jo vetëm ndaj akuzave të nacionalizmit serb. Ai tha se shtypi botëror kishte ngritur çështjen e dënimeve politike në Kosovë, gjë që Platforma duhej ta trajtonte; po kështu, folës të tjerë tërhoqën vëmendjen në politikat për dënimet në Kosovë. Në përmbledhjen e tij, Dushan Dragosavac, kryetar i kryesisë së KQ të LKJ, vuri në dukje se ishin shprehur shqetësime, por tha se besonte që procedurat normale të Gjykatës sëApelit do të korrigjonin të gjitha gabimet e bëra. Por, padyshim, nuk mund të kishte ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave!

Përqindja e lindjeve në Kosovë

12.       Dragutin Kosovac tha se LKJ besonte që përqindja e lartë e lindjeve ishte pasojë dhe jo shkak i prapambetjes, por Zvone Dragan dëshironte që Platforma të shpjegonte nevojën për një politikë afatgjatë të popullsisë që synonte reduktimin në mënyrë graduale të përqindjes së lindjeve. Megjithatë, Peko Dapçeviq dëshironte që një ide e tillë të hidhej poshtë. Ai tha se diskutimi mbi numrat e ndryshëm të serbëve apo kroatëve apo shqiptarëve në Jugosllavi ishte mjaft i turpshëm. Sidoqoftë, Dr. KoçaJonçiq tha se inkurajimi i “rritjes së ekzagjeruar” të popullsisë shqiptare nga elementët nacionalistë i shoqëruar me shpërnguljen e detyruar të serbëve dhe malazezëve çonte në një përfundim: “Një Kosovë etnikisht të pastër”. Përfundimisht, u ra dakord për një tekst, i cili fliste për “të drejtën dhe nevojën e popullit të Kosovës për të shënuar pasojat e rritjes së popullsisë në planin shoqëror dhe për rrjedhojë për të marrë masat përkatëse…” (KOMENT: Fakti që kjo temë po transmetohet në këtë mënyrë është tejet i rëndësishëm, por progresi për këtë do të kërkojë trajtimin me delikatesën më të madhe nëse nuk do të fillojnë të përhapen akuzat e dëmshme të formave më të ashpra të racizmit).

Përmbledhje

13.       Në një përmbledhje të kufizuar dhe pothuajse madhështore, Dushan Dragosavac tha se tablloja e përgjithshme ishte pozitive. Megjithatë, kishte ende shumë për të bërë, por gjatë viteve, Kosova kishte bërë shumë progres. Shtypi duhej inkurajuar që të shikonte anën pozitive, se mos miqtë e Jugosllavisë jashtë vendit arrinin në konkluzionin që autoritetet nuk kishin një politikë efektive (!). Kërkohej një nivel më i lartë dhe më i mprehtë i punës politike. Platforma do të ndihmonte që LKJ t’ia dilte mbanë në këtë drejtim.           

                                                                                                       I Juaji

                                                                                                                      Charles Crawford

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit,

P Rosling Esq

Konsulli Përgjithshëm i Madhërisë së Saj

Zagreb

-113-

Informacion mbi udhëtimin e zyrtarëve në Kosovë dhe Maqedoni, 23-24 tetor 1981

Kosova: përshtypje dhe diskutime të përgjithshme me autostopistët

  1. Eca me makinë nga Rashka në Serbinë Jugore më 24 Tetor për në Mitrovicë e më pas në Pejë, Prizren dhe Prishtinë ku kalova natën. Të nesërmen, eca me makinë nga Kosova përmes Ferizaj për në Tetovë, ku më pas vazhdova për në Ohër dhe u ktheva sërish përmes Dibrës për në Shkup. Këtu bëra disa vëzhgime të përgjithshme.

Rrugët

  • Kam udhëtuar nga Beogradi për në Rashkë në një stuhi të furishme. Megjithëse rrugët ishin mjaft të mira, shiu kishte sjellë poshtë kodrave shkëmbinj dhe gurë, disa prej të cilëve me masën e një valixheje të cilët ishin ende aty të nesërmen. Hyrjet dhe daljet për në tunele ishin veçanërisht të rrezikshme në këtë drejtim. Rruga nga Novi Pazar për në Mitrovicë ndjek lumin Ibër dhe disa nga urat mbi degë ishin në gjendje të vështirë riparimi, por ndryshe rrugët në Kosovë ishin të asfaltuara mirë dhe përreth kishte pak trafik.

Situata e sigurisë

3.         Policia nuk më ndaloi deri kur arrita 20 kilometër në brendësi të Kosovës, por ata ishin të sjellshëm e të përzemërt dhe, pasi kontrolluan lejen time dhe më ofruan një cigare, më lejuan të largohesha. Dukej se në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren kishte shumë policë, por ata ishin të qetë dhe duke biseduar lirshëm me publikun; Disa prej tyre në Pejë kishin revolverë. Në Ferizaj unë pashë vetëm tre ushtarë me automatikë jashtë burgut të qytetit. Një makinë policie më ndoqi duke rënë në sy në Gjakovë deri kur arrita kufijtë e qytetit ndoshta për shkak se kishin vënë re se kisha një familje shqiptare në makinë. Megjithatë, në Prishtinë kishte shumë ushtarë të armatosur me automatikë, të cilët qëndronin në qoshe të rrugëve afër zyrave të forcave të sigurisë dhe gjetkë në pjesën kryesore të qytetit pranë Grand Hotel. Natyrisht, ata ishin në detyrë dhe nuk kishin të bënin me popullsinë lokale. Vura re se disa prej tyre kishin helmeta me ngjyrë blu prej çeliku me yll të kuq në pjesën e përparme (gjatë natës). Të nesërmen në mëngjes, kishte shumë më pak prej tyre.

4.         Gjatë udhëtimit mora disa autostopistë. Ata, ose nuk kishin makina ose nuk e përballonin që t’i mbanin ato dhe shërbimet e autobusëve lokalë ishin të mbushur dhe të parregullt. Biseda ime më interesante ishte me një shqiptar tipik me kapele të bardhë të cilin e mora nga Mitrovica për në Pejë. Pa ndonjë nxitje të veçantë nga ana ime (në të gjitha rastet më parë unë e kisha paraqitur veten si anëtar i Ambasadës në rast se ata nuk dëshironin që të përziheshin me mua) ai foli lirshëm. Ai tha se aktualisht punonte si shofer në Zvicër dhe se kishte punë të tjera në Evropë dhe se po kthehej në shtëpi për të bërë disa ndërtime aty. Ai kishte gjashtë (?) fëmijë dhe banonte në një shtëpi komunale me 40 veta me vëllezërit dhe motrat e tij si dhe fëmijët e tyre. Ata ia jepnin paratë e tyre kryetarit të familjes, i cili e drejtonte vendin si një biznes! Unë e pyeta se pse kosovarët kishin kaq shumë fëmijë. Ai qeshi dhe tha se djemtë dhe vajzat shpesh martoheshin në moshën 15-vjeçare. Ai tha se studentët nuk kishin kërkuar Republikë në demonstratat e tyre, por thjesht kishin kërkuar bursa më të mira – bursat e tyre aktuale ishin një e treta e bursave që merrnin studentët në Slloveni. Jugosllavia nuk kishte një sistem të vërtetë “socialist” siç sundonte në Shqipëri, ku njerëzit punonin shumë dhe çdo gjë shpërndahej në mënyrë të barabartë. Unë thashë se jugosllavët gëzonin shumë më shumë liri. Ai ra dakord se liria ishte në fund të fundit gjëja më e rëndësishme. E pyeta pse serbët dhe malazezët largoheshin nga Kosova. Ai tha se nuk kishte pasur raste presioni. Ata kishin ardhur aty dhe kishin blerë tokën “tonë” para Luftës së Dytë Botërore dhe tani që çmimet e tokave ishin rritur shumë shpejt për shkak të presionit të popullsisë, ato po nxirrnin para përmes shitjes së tyre dhe po largoheshin. E pyeta përse ata do të shqetësoheshin të bënin supozime për presion nëse në të vërtetë nuk kishin ndodhur. “Ata të gjithë po na godasin ne” tha ai. Kosova ishte pjesa më e pasur e vendit në burimet e saj natyrore, por ato të gjitha po gërmoheshin dhe po kalonin në pjesë të tjera të Federatës. Kosova po shfrytëzohej ekonomikisht dhe ajo që kërkonte, ishin vetëm të drejtat e saj kushtetuese. E lashë atë në periferi të Pejës meqenëse nuk dëshironte që të hynte me makinë në qytet nga frika se mos policia e shihte dhe e arrestonte për bashkëpunim me të huajt (Koment: Ky person e fliste shkëlqyeshëm serbishten që nuk ishte e lidhur gjerësisht me betimet. Ai dukej mjaft inteligjent dhe kishte pikëpamjet e veta të cilat mund t’i mbronte me forcë. Megjithëse kishte ide të turbullta se si ishte Shqipëria në të vërtetë, mendova se ai kishte gjetur idenë e disiplinës, punës së shumtë dhe shpërndarjes së drejtë të pasurisë së shoqërisë në kundërshtim me atë që ai shihte si qëndrimin e dobët të Jugosllavisë për këto gjëra).

5.         Në Pejë bëra një udhëtim prej dy orësh duke kaluar përmes rrugës malore të ashpër por spektakolare drejt Titogradit dhe u ktheva për të përcjellë tre djem të moshës 13-vjeçare. Ata ishin shqiptarë dhe nuk flisnin asnjë fjalë serbisht. Midis Pejës dhe Gjakovës përcolla një të ri shqiptar së bashku me gruan dhe fëmijën e tij. Edhe ai kishte punuar jashtë vendit. Ai u ankua për praninë e policisë në Pejë dhe tha se të rinjtë aktualisht po detyroheshin të hynin në shërbimin ushtarak para kohe, gjë që nuk kishte ndodhur para demonstratave. E pyeta për familjen e tij. Ai kishte vetëm dy fëmijë deri tani, por qeshi me kontradiktën (siç e quajti ai) ndërmjet faktit që Mali i Zi kishte një popullsi shumë më të vogël se Kosova, por ishte Republikë, ndërkohë që Kosova nuk ishte. E ndjeva se ai, dhe padyshim miqtë e tij, kishin idenë që të ecnin në rrugën e tyre përmes forcës së thjeshtë të numrave në aspektin afatgjatë.

Qytetet

6.         Megjithëse nga pikëpamja e sigurisë, të gjitha qytetet që unë pashë, dukeshin të qeta (nuk pashë ndonjë parullë apo pamflet), duhet të them se isha jashtëzakonisht i habitur nga prapambetja e dukshme. Kështu, në Mitrovicë e Madhe dhe në Prishtinë, cilido mund të ecte nga rrugët kryesore të asfaltuara në qendër të qytetit drejt e në rrugët të cilat në fakt ishin të pakalueshme, me gjurmë balte dhe pa trotuare. Ferizaj ishte veçanërisht një vend i zymtë dhe i lodhur. Nuk pata mundësinë të udhëtoja në ndonjë nga fshatrat që ishin larg rrugës kryesore, por padyshim situata atje është edhe më e rëndë. Sidoqoftë, isha mjaft i befasuar nga prosperiteti në Pejë. Dyqanet aty dukeshin më të gjalla dhe megjithëse me një shikim të përciptë, qyteti dukej se kishte një atmosferë mjaft ambicioze.

                                                                                                          Charles Crawford

2 nëntor 1981

-114-

Të dhëna mbi udhëtimin e zyrtarëve në Kosovë dhe Maqedoni, 23-28 tetor 1981

Maqedoni: përshtypje të përgjithshme 2 nëntor 1981

Të përgjithshme politike

1.         Të gjitha takimet dhe bisedat në Maqedoni mëçuan në konkluzionin se popullsia aty nuk kishte aspak simpati për kërkesat ‘Kosova-Republikë’. Ekziston një shqetësim i natyrshëm se Maqedonia thjesht mund të zhduket nëse do të formohej Bullgaria e Madhe ose Shqipëria e Madhe. Maqedonasit po bëjnë përpjekje të fuqishme për të krijuar kulturën dhe identitetin e tyre etnik. Ata janë të përgatitur për të shpenzuar para që të krijojnë të gjitha mënyrat e letërsisë kulturore të shkëlqyer në një shumëllojshmëri gjuhësh të huaja. Ata duken krenarë për atë që kanë arritur që nga lufta dhe që prej tërmetit. Ata e shohin veten e tyre se u vete mbarë përmes Jugosllavisë.

Ndërtime të reja

2.         Sidoqoftë, kam dëgjuar ankime të shpeshta rreth papunësisë dhe paaftësisë së punonjësve malazezë dhe, megjithëse në shikim të parë vetë Shkupi duket realisht një qytet mjaft tërheqës, një shikim nga afër zbulon se shumë nga ndërtesat e reja nuk janë ndërtuar mirë. Ndërtesa e re e Universitetit që ka Fakultetet e Filozofisë dhe Gazetarisë, ishte një shembull i mirë në këtë drejtim. Ajo ka arkitekturë të ngurtë moderne (nëse pëlqeni këtë lloj), por si ndërtesë nuk ishte në funksion. Dyshemetë prej mermeri ishin thyer, çezmat nuk punonin, orët po ashtu, çatia pikonte dhe ishte vështirë që të ngroheshe aty brenda. Historia e zakonshme – ndërtesa, mesa duket, ishte krijuar në mënyrë të tillë që kërkonte shuma të mëdha “amerikane” për ta mbajtur atë siç duhet; Këto shuma nuk ishin mundësuar dhe kështu kjo ndërtesë nuk i përgjigjej kërkesave të popullsisë së shumtë studentore aty. Prapa “Grand Hotel” ka një hapësirë shumë moderne dhe të përshtatshme për blerje në disa kate. Dyqanet duket se ishin pajisur mjaft mirë, por për shembull në të njëjtin kompleks kishte disa videoteka që ofronin të njëjtat materiale me të njëjtin çmim. Pa pasur së paku njëfarë konkurrence energjike nëçmime, një treg i tillëështë i destinuar të jetë i pamjaftueshëm.

                                                                                                          Charles Crawford

                                                           -115-

Për përdorim të kufizuar

 J C R Gray Esq                                                                                          Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                              Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit  6 nëntor 1981

I nderuar Charles,

Kosova

1.         Një miku im avokat më tha ditën tjetër se rreth tre javë më parë studentët e Universiteteve të Beogradit, Zagrebit dhe Lubjanës organizuan një peticion në Kosovë.

2.         Peticioni i është dërguar Kryesisë Federative dhe vë në diskutim gjatësinë e tepruar të dënimeve të dhëna për nacionalistët në Kosovë. Peticioni është nënshkruar prej rreth 230 studentëve.

3.         Peticioni është pa dyshim interesant në vetvete si një shprehje e mëtejshme publike e kritikës. Sidoqoftë, po aq interesante është drita që hedh ky peticion në qëndrimin e mbajtur ndaj Kosovës nga Serbia, nga njëra anë, dhe Sllovenia dhe Kroacia, nga ana tjetër. Vetëm 30 studentë e nënshkruan peticionin në Beograd; ndërsa rreth 100 studentë e nënshkruan peticionin në Universitetet më të vogla në Lubjanë dhe Zagreb. Kjo pasqyron opinionin e shprehur para Ambasadorit në udhëtimin e tij të fundit në veri, d.m.th., që dënimet ishin shumë të rënda, si dhe pikëpamjen serbe se nacionalistët shqiptarë e merituan atë që morën.

4.         Duket se nuk ka të ngjarë që ky peticion do të ketë ndonjë më shumëefekt tek autoritetet sesa peticionet e mëparshme.

                                                                                             I Juaji

                                                                                          T. J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

FCO

P E Rosling Esq MVC, Zagreb

-116-

J C R Gray Esq                                                                                        Ambasada britanike

EESD                                                                                                                        Beograd

FCO                                                                                                                  9 nëntor 1981

I nderuar Charles,    

Kosova: situata politike

1.         Komiteti Qendror i LKJ do të zhvillojë një mbledhje më 17 nëntor në të cilën do të shqyrtohet ‘programi i veprimit’ të Partisë për Kosovën. Ndërkohë, vlen të përmenden tri pika.

Situata e sigurisë në Universitetin e Prishtinës

2.         Më 4 nëntor u raportuan disa trazira në Qendrën Studentore në Prishtinë kur një grup studentësh filluan të bërtasin dhe të fishkëllejnë në orën 10.30 të natës. Zhurma vazhdoi për pesë deri në shtatë minuta. Gazeta Politika raportoi më 7 nëntor se përgjegjësit e këtyre ngjarjeve ishin identifikuar dhe se ndaj tyre do të merreshin ‘masa’ (Koment: Kjo është e vetmja shenjë e trazirave në Universitet.

3.         Universitet që kemi parë që kur mësimi rifilloi në tetor dhe duket se ka qenë një incident i vogël, megjithëse duke pasur parasysh masat paraprake të rënda të sigurisë ende të dukshme në Universitet dhe dënimet e dhëna gjatë verës, mund të thuhet se është e çuditshme që ky incident ndodhi).

Shpërngulja e serbëve dhe malazezëve

4          Ka pasur shumë të dhëna (shih letrën time dërguar për ju më 30 shtator, paragrafi 6) në ‘shtypin e Beogradit’ gjatë javëve të fundit për problemin e rëndësishëm të shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova, por do të presim një vlerësim zyrtar tëtabllosë së përgjithshme për Krahinën. Megjithatë, raportet e shumta të shtypit sugjerojnë se procesi po vazhdon; gazeta “Politika” e 8 nëntorit raportoi ekzistencën e mentalitetit “ikni sa keni mundësi”, i nxitur nga zërat armiqësore se shpërngulja nga Kosova do të ndalohej së shpejti.

Vahide Dushku

5.         Letra ime përmendte gjithashtu (paragrafi 4) delegaten femër, Vahide Dushku, e cila foli kundër dënimeve të rënda në Kosovë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 25 shtator. Gazeta “Borba” raportoi më 1 nëntor se ajo ishte dëbuar nga Partia se kishte shprehur solidaritet me nacionalizmin dhe irredentizmin. Gjithashtu thuhej se kishte filluar procesi për rikthimin e saj si delegate.

                                                                                          I Juaji

                                                                                  Charles Crawford

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO    

-117-

Kongresi i Partisë së Shqipërisë

1.         Kongresi i 8-të i Partisë së Punës së Shqipërisë u mbajt më 1-7 nëntor, pesë vjet që nga Kongresi i fundit dhe dyzet vjet që kur u themelua Partia. Në fjalimet e tyre, Sekretari i Parë Enver Hoxha dhe Kryeministri Mehmet Shehu analizuan me një gamë mbresëlënëse përqindjesh në rritje periudhën që prej vitit 1976 gjatë së cilës thuhej se ekonomia ishte mbështetur me sukses në burimet e veta material pa ndonjë përfitim të ndihmës së huaj apo huaje që prej prishjes me Kinën në vitin 1978, kur 50% e tregtisë së huaj shqiptare që zhvillohej me një vend të vetëm, duhej të kalonte menjëherë tek vendet e tjera. Sipas shifrave shqiptare, 41% e tregtisë së saj bëhet me vendet e Evropës Lindore dhe 59% me vendet Perëndimore përfshirë Jugosllavinë, e cila aktualisht është partneri i saj kryesor tregtar. Sukseset e një politike të vetëmbështetjes ekonomike ishin të dukshme në ekonomi, ku për herë të parë importet dhe eksportet pretendohej se ishin në balancë, si dhe në bujqësi, e cila tashmë plotëson nevojat e vendit me grurë dhe artikuj ushqimorë dhe siguron tepricë për eksport. Vendi është i pavarur nga importet e naftës dhe është në gjendje t’i eksportojë Jugosllavisë disa nën-produkte të naftës dhe energji elektrike nga një rrjet i gjerë hidroelektrik. Kjo politikë duhet të vazhdojë gjatë Planit të 7-të Pesëvjeçar (1981-1985), ku do të parashikohet që 46% e investimeve të shkojë për industrinë, veçanërisht atë metalurgjike dhe nxjerrjen e naftës dhe mineraleve. Bujqësia do të marrë 29% të instrumenteve që do t’i kushtohen rritjes së prodhimit të artikujve ushqimorë për të furnizuar nevojat e brendshme si dhe për të parashikuar eksportin e produkteve të përpunuara dhe të papërpunuara. Fermat kooperativë duhet të zhvillohen më tej dhe disa prej tyre duhet të shndërrohen në ferma më të mëdha shtetërore ndërkohë që tokat private do të kufizohen. Duhet të zgjerohet sistemi hekurudhor që u krijua pas luftës dhe të ndërtohet një linjë deri në kufi, e cila do ta lidhë Shqipërinë eventualisht me rrjetin jugosllav. Asnjë folës nuk përmendi asnjë problem nga i cili me siguri,ekonomia duhet të jetë duke vuajtur.

2.         Nuk ka asnjë ndryshim në politikën e jashtme, dhe qëndrimet armiqësore të mbajtura për një kohë të gjatë ndaj bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara do të mbeten të njëjta pa asnjë perspektivë të menjëhershme për ndonjë rikthim të marrëdhënieve diplomatike. Kthimi i arit shqiptar i periudhës së para luftës që ruhet nga një komision tre-palësh dhe ndaj të cilit Britania ka pretendimin e saj, mbetet ende një kusht paraprak për çdo rikthim të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar. Shqipëria ka sot marrëdhënie diplomatike me 85 vende, një rritje prej 21 që prej Kongresit të fundit. Marrëdhëniet me fqinjët e saj të Ballkanit janë të mira megjithëse marrëdhëniet me Jugosllavinë janë ndikuar negativisht nga mbështetja e saj duke bërë thirrje për t’i dhënë Kosovës statusin e Republikës në atë vend. Megjithatë, Hoxha tha se nuk kishte pretendime territoriale ndaj Jugosllavisë dhe as ndonjë kërkesë për rregullimin e kufijve. Ai bëri thirrje për paqe dhe stabilitet në Ballkan pa ndërhyrjen e superfuqive, por nuk shkoi deri aty sa të mbështeste propozimet e fundit të Bullgarisë për një zonë pa lëndë bërthamore në rajon. Kjo shmangie e angazhimeve multilaterale, përveç anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe disa organe të tjera ndërkombëtare, ishte po ashtu e dukshme në vërejtjet e tij të ashpra për deklaratën “farsë” të Helsinkit dhe planet ‘imperialiste’ të mos-angazhimit dhe rendit të ri ekonomik ndërkombëtar.

3.         Vendi është bashkuar rreth Partisë, e cila do të vazhdojë t’i përmbahet me rreptësi interpretimit të saj të Marksizëm-Leninizmit, duke hedhur poshtë çdo ndryshim të parimeve bazë dhe duke dënuar politikat e pretenduara revizioniste të partive të tjera komuniste. E vetmja parti sunduese që dërgoi një delegat në Kongres, ishte Partia vietnameze, ku të ftuarit e tjerë ishin nga grupe fraksioniste Marksiste-Leniniste përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Revolucionare Komuniste të Britanisë së Madhe (Marksiste-Leniniste), Z. David Williams. Anëtarësimi në Parti tani qëndronte në 122,000 ose 4.5% të popullsisë (2,700,000). Tetëdhjetë e një anëtarë u zgjodhën në Komitetin Qendror, ku mosha mesatare ishte 49 vjeç dhe për herë të parë ka në përbërje përfaqësues nga shkenca dhe artet. Hoxha foli për nevojën për të sjellë gjak të ri në udhëheqje dhe kjo solli futjen e anëtarëve të rinj në Byronë Politike, e cila aktualisht ka 13 anëtarë. Por shumica, përfshirë Hoxhën dhe Shehun, respektivisht 73 dhe 68 vjeç, ishin të rizgjedhur.

-118-

Citime nga raporti i Enver Hoxhës paraqitur në Kongresin e 8-të të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur nga data 1-7 nëntor 1981

1.         Ndërhyrja në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë:

“Ne prisnim që përmes fitores në Luftën e Dytë Botërore, popujt e të dy vendeve do të korrigjonin gabimet tragjike të së kaluarës”.

“Trajtimi i gabuar në zgjidhjen e çështjeve kombëtare në Jugosllavi daton që në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist (AVNOJ), mbajtur në Jajcë në nëntor 1943. Në këtë mbledhje zonat ku banonin shqiptarët në Jugosllavi, u përdorën si mjet për të rregulluar shkëmbimet territoriale të popullsisë ndërmjet Republikave dhe Federatës, veçanërisht ndërmjet Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi”.

Pjesa më e madhe e Kosovës i është dhënë Serbisë dhe pjesa e mbetur është ndarë midis Maqedonisë dhe Malit të Zi.

“Republika e Kosovës do të kishte sjellë përqendrimin territorial të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, gjë që do të kishte shkaktuar shkëputjen e disa zonave të populluara nga shqiptarët prej Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe përfshirjen e tyre në territoret shqiptare”.

2.         Pretendimet territoriale të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në drejtim të RSF të Jugosllavisë:

“Gjatë bisedës time me Titon në vitin 1946, unë shpreha mendimin e palës shqiptare se Kosova dhe pjesë të tjera të populluara nga shqiptarët, i përkisnin Shqipërisë dhe se ato duhet t’i ktheheshin asaj. Shqiptarët luftuan për lirinë dhe sovranitetin e Shqipërisë në të cilën duhet të përfshihen pjesët e tjera shqiptare në Jugosllavi”.

“Parimet themelore të Federatës jugosllave përmbajnë padrejtësi në drejtim të popullsisë shqiptare: shqiptarët nuk mund të mbajnë më barrën e kombinimeve, që u krijuan dikur në kurriz të tyre”.

3.         Kushtëzimi i marrëdhënieve dhe nxitja e armiqve në Jugosllavi

“Shqipëria dëshiron që marrëdhëniet shtetërore dhe të tjera me Jugosllavinë të ndiqen në mënyrë normale, por kjo do të varet nga qëndrimi i Jugosllavisë ndaj Shqipërisë socialiste, si dhe nga trajtimi i shqiptarëve në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë”.

“Nëse udhëheqja aktuale jugosllave dëshiron të ndjekë rrugën tashmë të zgjedhur, kundërshtimi nga ana e shqiptarëve do të vazhdojë dhe do të intensifikohet akoma më tej”.

                                                           -119-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                             Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                              Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                   17 nëntor 1981

I nderuar Charles,

Kosova: situata e sigurisë

1.         Charles Crawford ka shkruar javën e kaluar se trazirat kanë filluar sërish në Universitetin e Prishtinës. Ky fakt është thjesht një tregues i rritjes së aktivitetit armiqësor në Krahinë gjatë një apo dy javëve të fundit.

2.         Në mbledhjet e mbajtura në Prishtinë javën e kaluar nga Lidhja Socialiste, Subnor dhe Kuvendi i Prishtinës, u shqyrtua situata e sigurisë dhe u vlerësua “ende e ndërlikuar megjithëse në tërësi ishte në shkallë të konsiderueshme më e mirë sesa disa muaj më parë”. Sidoqoftë, më 15 nëntor, shtypi vazhdoi të raportonte se “gjatë ditëve të fundit ishte bërë e dukshme se situata po bëhej gjithnjë e më e ndërlikuar”. Duket se shpërndarja e pamfleteve është forma më e shpeshtë e aktivitetit armiqësor dhe në Dubroshevc dhe Gllogovc janë zbuluar shtypshkronja të paligjshme që nxjerrin gazetën “Bashkimi”. Gjithashtu ka pasur raportime për parulla me gjatësi 80-100 m të shkruara në rrugë. Një pjesë e aktivitetit duket se ka marrë formë më të dhunshme në faktin që, sipas një raporti të shtypit më 17 nëntor, forcat e sigurisë së Prishtinës kanë shënuar sulme ndaj individëve dhe rrëmbime personash.

3.         Mund të ketë të dhëna të tjera për këtë mbledhje të sotme të Komitetit Qendror mbi platformën e re politike për Kosovën. Megjithatë, duket se të gjitha masat e marra deri më tani nuk janë duke pasur sukses në shtypjen e nacionalistëve.

                                                                                    I Juaji

                                                                                 T. J. Crark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________________

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XXIII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura