ALBIN KURTI: GJYKATA SPECIALE DHE SUPREMACIONI JURIDIK I SAJ!

Prishtinë, 16. 09. 2015: Qytetarë të Republikës, Deputetë të Kuvendit, Për t’i ikur stigmatizimit formal se është duke u themeluar një gjykatë e veçantë, një Gjykatë Speciale, e cila do të funksionojë e pavarur brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë, me një supremacion juridik ndaj çdo gjykate tjetër, Gjykatën Speciale, me eufemizëm e quajtën: Dhomat e Specializuara dhe Zyra e prokurorit të specializuar. Por gjithsesi se bëhet fjalë për një Gjykatë Speciale, e cila ndodhet brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë, me kusht që të ndodhet sipër tij.
Mbikëqyrja e punës së Gjykatës dhe Zyra e prokurorit nuk i nënshtrohen asnjë mbikëqyrjeje nga Këshilli Gjyqësor, gjyqtarët pa përjashtim, që të gjithë janë ndërkombëtarë dhe të njëjtit nuk emërohen sipas procedurave të parapara me legjislacionin në fuqi, kontrolli ligjor dhe kushtetues kalon nëpër fazat procedurale tërësisht të pavarura me rregullimin aktual. Pra, bëhet fjalë për aprovimin e diçkaje që nuk do të jetë nën kontrollit e atyre që do ta aprovojnë. Më tutje, kompetenca kohore është gjithashtu simptomatike: dhomat do t’i gjykojnë të gjitha veprat penale sipas detyrës zyrtare për periudhën nga 1 janari 1998 e deri më 31 dhjetor 2000. Pra, nëse e marrim si ditë të çlirimit të Kosovës, 12 qershorin, kjo i bie që mandati kohor, kompetenca kohore e Gjykatës Speciale, do të jetë për 6 ditë më shumë pas luftës sesa gjatë luftës. Pra, në njërën anë do të jetë më shumë pas luftës sesa gjatë luftës dhe, në anën tjetër, eliminohen komplet krimet e paraluftës, sepse ne e dijmë shumë mirë se në Kosovë nuk ka pasur vetëm krime gjatë luftës, por ka pasur krime edhe para luftës.

Kompetenca territoriale është edhe më e çuditshme. Kjo është shumë e çuditshme, sepse ligji në aspektin territorial nuk i referohet territorit të Republikës së Kosovës, mirëpo përkufizimin e kompetencës territoriale e ndërlidh me gjendjen juridike në periudhën 1998-2000, ku thotë se kompetenca do të jetë e shtrirë sipas kompetencave të gjykatave të Kosovës, në atë periudhë. Edhe pse në mënyrë eksplicite nuk e thotë, ligji aludon në rregullimin e gjykatave sipas Ligjit për gjykatat e rregullta i vitit 1978. Pra, territorin e Kosovës ligji nuk e definon si Republikë, por si organizim territorial të ish-krahinës. Sa i përket ligjeve të aplikueshme, dhomat do të zbatojnë krahas Kodit Penal, Kodin Penal të RSFJ-së, të vitit 1976, Kodit Penal të KSAK-së të vitit 1977, ligjet penale të nxjerra pas vitit 1989 që “nuk janë diskriminuese”, sipas Rregullores së UNMIK-ut 1999/25 dhe konventat ndërkombëtare.
U pat bërë kritikë pse do të përfshihet edhe krimi i gjenocidit dhe më pastaj gjenocidi u hoq si fjalë eksplicite në tekstin e amendamentit dhe të projektligjit, mirëpo Kodi Penal i RSFJ i vitit 1976 e ka gjenocidin brenda, kështu që gjenocidi do të jetë sërish krim i përfshirë nga Gjykata Speciale e cila, siç u tha disa herë, do të jetë etnike.
Në këtë amendament, në pikën 5 thuhet me sa vijon: “Para hyrjes në ndonjë marrëveshje ndërkombëtare me një shtet të tretë, në lidhje me bashkëpunimin juridik që përndryshe do të kërkonte ratifikim sipas nenit 18, dhomat e specializuara do të kërkojnë pajtimin paraprak të Qeverisë”. Ne, nuk jemi Republikë qeveritare, ne jemi Republikë parlamentare. Pse të kërkohet pajtimi i Qeverisë, pse të mos kërkohet pajtimi i Kuvendit të Kosovës? Përshtypja ime është se e kërkojnë pajtimin e Qeverisë meqenëse ministri në Qeveri është shumë më i brishtë sesa deputeti në Kuvend. Nëse një deputet është i padëgjueshëm, atij nuk i merret dot mandati, ndërkaq nëse një ministër është i padëgjueshëm, ai shumë kollaj mund të shkarkohet nga Kryeministri. Pra, është kontrolli më i madh i Qeverisë mbi Kuvendin dhe kontrolli gjithsesi më i madh i burokratëve ndërkombëtarë mbi Qeverinë. Me gjithë këtë trysni vendëse e ndërkombëtare, ajo çfarë po shohim edhe në këtë sallë plenare të Kuvendit, është që Kuvendi më shumë është bërë vendi në të cilin ndërrohet mendimi sesa që shprehet ai.
Më tutje, në pikën 7 të këtij amendamenti thuhet me sa vijon: “Dhomat e specializuara dhe Zyra e prokurorit të specializuar mund të kenë seli në Kosovë dhe seli jashtë Kosovës. Dhomat e specializuara dhe Zyra e prokurorit të specializuar mund të ushtrojnë funksionet e tyre në të dy selitë apo diku tjetër, sipas nevojës. Ku, pse, dhe sipas cilave kritere? Kush e përcakton këtë nevojë? Pra, këtu kemi të bëjmë me një zbrazësi shumë të madhe, kemi të bëjmë me një të panjohur fundamentale e cila do të votohet, porsi një çek bllanko. Më tutje, në pikën 8, thuhet që çdo person i akuzuar për krime nga dhomat e specializuara mund të paraburgoset dhe të transferohet në dhomat e specializuara që ndodhen jashtë territorit të Kosovës. Këta persona mund të transferohen për të vuajtur dënimin e tyre në një shtet të tretë, jashtë territorit të Kosovës. Pse, çfarë shteti paska brenda territorit të Kosovës? Çka do të thotë kjo: shtet i tretë? Në cilin shtet tjetër? Kush e vendos këtë dhe mbi cilat kritere apo standarde? Kjo është më keq se sa burgu i Guantanamos. Guantanamo, së paku dihet se është në ishullin kuban, por këtu,ku do jetë Guantanamo nuk dihet. Ju e dini që burgun e Guantanamos, pafund organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe për demokraci e kanë kritikuar ashpër. Të gjitha këto të panjohura, në fakt janë dëshmi se nuk bëhet fjalë për kurrfarë transparence dhe llogaridhënie që janë vlera, le të themi, të parlamentarizmit, të demokracisë dhe posaçërisht të botëkuptimit liberal. Për të qenë më keq se kaq, nuk ka as mundësi për ligj për ekstradim, sepse ekstradimi i paraprin çfarëdo ligji duke e trivializuar këtë. Bëhet fjalë për një situatë në të cilën do të votohet praktikisht rrëmbimi i njerëzve nga Kosova dhe dërgimi i tyre në shtete të treta, siç thuhet, pa e ditur asnjëherë se ku do të jenë ato.
Është interesant që projektligji e bën vetëm sa më të vështirë situatën. Në pikën e parë të nenit 57 – vuajtja e dënimit me burg, thuhet “dhomat e specializuara dhe Zyra administrative mund të bëjnë marrëveshje me shtetet të cilat kanë treguar gatitshmëri që brenda territoreve të tyre ta lejojnë vuajtjen e dënimeve me burgim të personave që janë shpallur fajtorë nga dhomat e specializuara”. A mjafton gatitshmëria e atyre shteteve? Çka nëse ato shtete janë të tilla që nuk e njohin Kosovën? Ose, shtete që kanë qenë kundër UÇK-së, ose shtete që kanë qenë e janë kundër intervenimit të NATO-s. Pra, këtu thuhet se do të mjaftojë gatitshmëria e atyre shteteve, dhe tash është momenti që ta ndalim këtë arbitraritet meqenëse projektligji nuk ndalet dot, sepse nevojiten vetëm 61 vota për atë. Pra, tash kur janë të nevojshme 80 vota, mund të ndalet kjo e keqe e madhe e cila në fakt është e keqe shumë e madhe për shkak se ka tepër të panjohura dhe jo vetëm për shkak se përmban aq shumë gjëra të këqija të njohura.
Më tutje, në nenin 36 – deklarata solemne, thuhet që “para se t’i marrin përsipër detyrat e tyre sipas këtij ligji, kryetari i dhomave të specializuara, gjyqtarët, prokurori i specializuar dhe administratori i zyrës së regjistrimit, japin nga një deklaratë – zotim solemn se do t’i ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe me ndërgjegje”, mirëpo, lufta politike dhe ideologjike bëhet për kuptimin e këtyre nocioneve. Nuk mjafton të thuhet i pavarur, i paanshëm dhe me ndërgjegje. Duke u bazuar në cilin tekst, në cilin dokument? Në Bibël, në Kuran, në Kushtetutë të Kosovës, në manifestin e suralistëve të Andre Bretonit? Ku po bazohet kjo? Mbi cilin tekst do ta reflektojnë atë paanshmëri, atë ndërgjegje dhe atë të qenit të pavarur? Domethënë, nuk ka asnjë tekst ku këta do t’i referohen.
Më tutje, në nenin 31 – pavarësia e gjyqtarëve, pika 4 thuhet: “Asnjë gjyqtar nuk mund të përjashtohet përveç nëse gjyqtarët tjerë me shumicë absolute vërtetojnë se ai nuk i plotëson më kushte te parapara në nenet 27 dhe 31”. Ky është definicioni i aristrokacisë ose i masonerisë, ku vetëm ata gjyqtarë mund ta përjashtojnë njërin prej tyre. Pra, ne nuk marrim pjesë në përbërjen e tyre, dhe ne nuk mund të kemi kurrfarë ndikimi në përjashtimin e cilitdo prej tyre. Ky është tamam rregulli aristokratik, ku ata janë njerëz të rendit të parë, ne të tjerët jemi njerëz të rendit të tretë, as të dytë. Kjo do të thotë që këta gjykatës, po duan të na thonë qysh tash, ende pa u emëruar ata, se ne e paskemi të nevojshme këtë gjykatë, por asaj nuk i nevojitemi ne. Pra, ashtu siç është shkruar ky projektligj dhe siç është bërë ky amendament, kjo do të thotë që ne kemi nevojë për ata, po ata nuk kanë nevojë për neve.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës, vazhdimisht flitet sesi duhet ta pastrojmë emrin e njollosur të Kosovë e të UÇK-së, mirëpo asgjë nuk po na njollos sikurse pikërisht kjo thirrje për pastrim. Duke bërë thirrje për pastrim duan të na vulosin si të papastër, ndërsa me këso metodash të ndyra, si puna e Gjykatës Speciale që po na kthehet në Kuvend, nuk mund të ketë pastrim. Këto metoda janë tejet të ndyra që të mund të pastrohemi me to. Edhe gjykatës e prokurorët e speciales do të ishin produkt i këtyre burokratëve ndërkombëtarë mosveprues ose keqveprues, dhe nuk do të silleshin ndryshe prej atyre të UNMIK-ut dhe EULEX-it. Ndonjëri që do të vepronte ndryshe, do të na e prodhonte skandalin e radhës, sikurse ky i fundit me prokuroren Bamieh. Me atë rast pasardhësi i zotëri Zhbogarit do të vizitonte kryeredaktorët e gazetave për t’ua zbutur qëndrimin atyre. Vlen të përkujtohet që z. Zhbogar menjëherë të premten tha se është i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit të Kosovës. Në fakt, kjo është transferencë. Z. Zhbogar ishte i zhgënjyer me premtimet e papërmbushura të Mustafës e të Thaçit se ndryshimi kushtetues për hir të Gjykatës Speciale është çështje e kryer.
Çfarëdo prokurorie e gjyqësie e drejtë e Kosovës, në të ardhmen duhet të merret edhe me prokurorët e gjykatësit aktualë dhe ata të deritanishëm, qofshin ata vendës apo ndërkombëtarë, sepse ne që 16 vjet kemi edhe prokurorë edhe gjykatës, por ata ose nuk e kanë kryer punën ose e kanë kryer keq atë. Mirëpo, as Gjykata Speciale nuk do të merret me ta ashtu siç nuk është marrë askush në të kaluarën.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
sa shumë politikanë, gazetarë, njerëz të OJQ-ve e opinionistë të ndryshëm e kanë sharë e mallkuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! që po e kritikon dhe kundërshton UNMIK-un në vitet 2005, 2006 e 2007 dhe EULEX-in, sidomos në vitet 2008 e 2009, mirëpo para pak muajsh shefi më i ri i EULEX-it, italiani GabrieleMeucci e pranoi që EULEX-i është një eksperiment, ashtu siç e kishte cilësuar VETËVENDOSJE! para 7 vitesh. Të njëjtit njerëz që na kanë sharë e mallkuar para shumë viteve, të njëjtit njerëz po flasin me pietet tash për Gjykatën Speciale, dhe bindja ime e fuqishme është që kjo vjen nga një fushatë e orkestruar, e cila është e pranishme edhe në media e jashtë tyre.
Para disa javëve e patëm këtu kongresistin amerikan Eliot Engel, i cili foli afro 20 minuta në Kuvendin e Kosovës, ishte saktësisht me datën 2 korrik, dhe i cili tha vetëm tri a katër fjali për Gjykatën Speciale. Mirëpo, vetëm ato fjali u bënë lajm kryesor në edicionet e mediave elektronike dhe në ballinat e mediave të shtypura. Nga 20 minuta sa ka folur z. Engel këtu, vetëm ato tri-katër fjali për Gjykatën Speciale u bënë lajmi kryesor. Prandaj, kjo tregon se ka pasur një fushatë të madhe, të sponzoruar, e cila ka krijuar një ambient të këtillë që të mos duket e çuditshme edhe kur kthehet amendamenti 24, siç ndodhi sot.
Kemi dëgjuar edhe më herët se si po shantazhohemi si Kuvend, si popull, duke thënë që nëse nuk e kalojmë ne Gjykatën Speciale, atëherë këtë e bën Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse aty është Rusia dhe me siguri Rusia e mbështet Serbinë e kështu me radhë dhe se do të kemi një Gjykatë edhe më të keqe se sa ajo Specialja, të keqen e së cilës në fakt nuk e dijmë ende. Mirëpo, shtrohet pyetja, pse të gjithë deputetët e Listës Serbe ishin për ndryshimet kushtetuese të Kosovës që i hapin rrugë Gjykatës Speciale? Pse këta ishin për Gjykatën Speciale, pse nuk ishin kundër? Ata e përfaqësojnë vullnetin dhe interesin e Beogradit, në Kuvendin e Kosovës. A nuk do të duhej që ata të jenë të interesuar që të dështojë Gjykata Speciale në Kosovë, a nuk do të duhej që ata të jenë kundër, dhe pastaj ajo të shkojë në Këshill të Sigurimit të OKB-së, sepse atje është Rusia që është PËR, ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës u deklaruan se nuk do ta përdorin të drejtën e vetos. Pra, vetë Lista Serbe do të duhej të kishte interes që të dështojë në Kuvendin e Republikës dhe të shkojë në Këshill të Sigurimit, ku e kanë Rusinë. Mirëpo, nuk po ndodhë kështu, sepse interesi i Beogradit është pikërisht që vetë Kuvendi i Kosovës ta bëjë ndryshimin kushtetues për t’ia hapur rrugën Gjykatës Speciale.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
ne vazhdimisht kemi pasur gjykata speciale. Pse edhe një tjetër speciale? Ne na mungojnë gjykatat normale, jo gjykatat speciale. Ne po na mungon normaliteti e jo specialiteti. Në anën tjetër, kjo nuk është kurrfarë gjykate speciale, në kuptimin që nuk është gjykatë e re. Ne tashmë e kemi parë atë te UNMIK-u dhe EULEX-i. Kjo është edhe një tjetër gjykatë e njëjtë, edhe një Gjykatë Speciale, edhe një gjykatë me spec. Shteti i Kosovës për bindjen time të fuqishme nuk do të duhej t’i bënte mbështetje financiare personave të akuzuar nga dhomat e specializuara të Prokurorisë në Gjykatën Speciale. Ata nuk do të duhej ta pranojnë këtë gjykatë. Ashtu qysh aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk i kanë pranuar gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, njësoj edhe qytetarët e Republikës që do të akuzohen në të ardhmen nuk do të duhej ta pranojnë legjitimitetin e Gjykatës Speciale. Fundja, cili është kuptimi që të pranohet një gjykatë e padrejtë dhe pastaj të marrësh përsipër barrën financiare të akuzuarve.
Meqenëse Gjykata Speciale është e padrejtë, meqenëse ajo po instalohet prej lartë, atëherë shpenzimet për mbrojtjen e të akuzuarve le t’i bartë vetë ajo gjykatë, e jo buxheti i popullit të varfër të shtetit të Kosovës. Të gjithë ata të cilët thonë se duhet që shteti i Kosovës t’i mbështetë financiarisht të akuzuarit e ardhshëm të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale tregojnë se personalisht nuk besojnë në drejtësinë e kësaj gjykate, e madje as në nevojën për të.
Një linjë tjetër e argumentimit që është bërë se na nevojitet Gjykata Speciale, janë uzurpimet ordinere të pasluftës. Shpeshherë kemi dëgjuar në media perëndimore dhe vendore se shumë banesa të serbëve të cilët e kanë lëshuar Kosovën, në vitin 1999, na qenkan uzurpuar nga pjesëtarët e UÇK-së. Së pari, nuk ka fakte për këtë gjë. Së dyti, UÇK-ja e ka ditur qysh gjatë luftës që do të çarmatoset. Qysh në mars kur është pranuar dokumenti i Rambujesë, e ka ditur UÇK-ja që pas luftës ajo nuk do të ekzistojë. Prandaj, bindja ime është që uzurpimet e banesave dhe pronave, jo vetëm e serbëve në Kosovën e pasluftës, sidomos në vitet 1999 e 2000, nuk janë bërë nga UÇK-ja, madje as nga pjesëtarët e UÇK-së si të tillë, por janë pasojë e drejtpërdrejtë e çarmatosjes dhe e shuarjes së UÇK-së. Pikërisht pse s’ke pasur UÇK, ke pasur uzurpime. Po ta kishe pasur UÇK-në, që në 1999 bëhet ushtri e Kosovës, do të kishte rend e rregull, nuk do të kishte këso uzurpimesh individuale, ku secili njeri e merr fatin në duart e veta dhe shikon t’ia bëj vetes zgjidhjen materiale. Pra, kemi pasur uzurpime e plaçkitje pikërisht pse s’kemi pasur UÇK. Pse s’ka pasur uzurpime e plaçkitje në 1998 kur kemi pasur UÇK? Pse s’ka pasur deri në qershor të vitit 1999 uzurpime e plaçkitje? Pikërisht pse ka pasur UÇK. Në momentin kur s’ke UÇK ti ke uzurpime dhe plaçkitje. Kjo paraqet një linjë të argumentimit e cila fatkeqësisht ka zënë vend në popull.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
në njërën anë dokumentet e shtetësisë së Kosovës janë amnezike. Ato i kanë harruar rezistencën popullore e luftën çlirimtare, UÇK-në, dëshmorët e martirët, vuajtjet e humbjet e njerëzve tanë. Dokumentet amnezike të shtetësisë së Kosovës e kanë harruar historinë e popullit të saj. Në anën tjetër, nga historia e dijmë se pas kapitullimit vjen Tribunali. Pas kapitullimit vjen Gjykata Speciale. Negociatat dhe marrëveshja e Thaçit me Serbinë, më 19 prill 2013 ishte kapitullim. Serbia i fitoi integrimet evropiane, një herë statusin e vendit kandidat e pastaj edhe negociatat për anëtarësim. Serbia e fitoi pushtetin në 10 komuna të Kosovës. Miliarda euro e dollarë i kanë shpenzuar faktorët ndërkombëtarë për multienticitet në Kosovë, mirëpo partia e Daçiqit e fitoi më shumë se çerekun e komunave të Kosovës, kurse Kosova po e fiton Gjykatën Speciale për krimet e pjesëtarëve të UÇK-së. Këtë nuk kemi mundur as ta imagjinojmë, asnjëri prej nesh. Mirëpo, po e përsëris edhe një herë, pas kapitullimit vjen Tribunali. Pra, Tribunali në formën e Gjykatës Speciale vjen pas kapitullimit, pas “Zajednicës”, por vjen edhe para realizimit të saj në terren. Mes pranimit politiko-juridik të “Zajednicës” dhe zbatimit të saj, hallka lidhëse është pikërisht Gjykata Speciale.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Kosova sigurisht se ka nevojë për ndryshime kushtetuese, por jo për këso ndryshimesh kushtetuese. Ne kemi nevojë për ndryshime kushtetuese, për shembull, ta heqim nenin 1.3 të Kushtetutës, i cili na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër, përkatësisht me Shqipërinë. Kemi nevojë që të kemi ndryshime kushtetuese që ta heqim decentralizimin mbi baza etnike dhe ta bëjmë decentralizimin mbi baza qytetare për zhvillim. Pra, në vend të decentralizimit sipas identitetit të kemi decentralizim ekonomik e financiar, e po ashtu do të mund të kishim dhe ndryshime kushtetuese prej kësaj Kushtetute që e kemi libertariane, pothuajse neoliberale, në të cilën siç e dini të gjithë ju,Konventa ndërkombëtare për të drejtat politike dhe civile është e pranishme, mirëpo Konventa tjetër ndërkombëtare për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore nuk figuron askund. Pra, ne kemi nevojë edhe për ndryshime kushtetuese, të cilat na nxjerrin prej kësaj kushtetute libertariane në drejtim të një kushtetute demokratike, shumë më demokratike, të një kushtetute social-demokrate.
Krejt në fund, dy gjëra.
Shtetndërtimi i Kosovës lëngon nga një pyetje e cila në rastin më të mirë nuk ka përgjigje, e në rastin më të keq e ka përgjigjen e gabuar. Kjo pyetje është me sa vijon: A ka pasur të drejtë heroi i kombit Zahir Pajaziti ta vrasë bashkëpunëtorin e Serbisë, Ejup Bajgorën? Të gjithë ne e dijmë nga historia se e kemi jetuar vetë, që Zahir Pajaziti e ka vrarë Ejup Bajgorën. Shtrohet pyetja, a ka pasur të drejtë? Përgjigja në këtë pyetje e organizon komplet shtetndërtimin e Kosovës, sepse këtu u tha duhet të dënohen vrasjet, duhet të dënohen krimet, në një mënyrë neutrale. Jo, sepse këtu ka qenëdy palë. Kjo është luftë politike. Shteti i Kosovës në dokumentet themeltare dhe në ligjet e veta, nuk jep përgjigje për këtë në rastin më të mirë, e në rastin më të keq jep përgjigje të gabuar. Kur të përgjigjemi pozitivisht që Zahir Pajaziti ka bërë akt çlirimtar me rastin e vrasjes së bashkëpunëtorit të Serbisë, Ejup Bajgorës, atëherë edhe ligjet, edhe Kushtetuta, edhe Deklarata e Pavarësisë, edhe gjykimi i krimeve të luftës në të ardhmen rregullohen. Përderisa kjo pyetje ose përgjigjet gabimisht ose heshtet, nuk ka as shtetndërtim, as përparim, as sovranitet e as integritet territorial. Dhe e dyta, krejt në fund, unë po e vërej që po krijohet një lloj atmosfere shumë e rëndë në Kosovë në të cilën ka një si lloj nënqeshjeje për Gjykatën Speciale se mos po na i heq disa njerëz të korruptuar në emër të krimeve të luftës. Ky është gabim i dyfishtë. Së pari, të mos i dënosh këta për krime te pasluftës dhe së dyti t’i dënosh për krime të luftës. Ky është krim i dyfishtë tash. Ne po kërkojmë drejtësi në formën e krimit të dyfishtë, dhe kjo nënqeshje, kjo atmosferë shumë e rëndë, besoni është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Kjo po vërehet edhe këtu në seancë. Unë kam shumë respekt për LDK-në e vitit 1990 dhe LDK-në e vitit 1991. Mirëpo kjo lloj nënqeshje për Gjykatën Speciale disi sikur po na e kthen LDK-në e vitit 1998. E kjo nuk na duhet tash në fazën e shtetndërtimit. Është e domosdoshme që të sqarohet e vërteta historike në dokument tona, dhe për opinionin publik ndërkombëtar,e të mos i fërkojmë duart se ndoshta me ndihmën e ndërkombëtarëve do të na e kryejnë një punë të cilën në fakt duhet ta kryejmë vetë ne si deputetë të Kuvendit e si qytetarë të Republikës.

Falemnderit!

(Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës mbajtur më 3 gusht 2015 me rastin e rikthimit të çështjes së Gjykatës Speciale)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura