BEHXHET SHALA: LUFTA PËR MBIJETESË E FISEVE POLITIKE NË KOSOVË!

(Prishtinë, 11 janar 2012) – Organizimi politik në Republikën e Kosovës si infrastrukturë ka organizimin fisnor ndërsa mbindërtimin e ka si organizimi i bashkësive fetare dhe organizatave joqeveritare! Me disa përjashtime ”cilësore“ siç është AKR e që i ngjanë një kooperative bujqësore e privatizuar krejtësisht. E pasuar nga fiset tjera politike. Deri vonë kemi qenë krenarë se i përkisnim këtij apo atij fisi duke i mveshur fisit tonë cilësitë e mira dhe duke bërë përpjekje për diskualifikimin e fisit tjetër me mveshjen e cilësive të liga apo të metave identifikuese me fisin në fjalë! Në fakt reputacioni apo radhitja në majat e kierarkisë së fiseve mvarej kryesisht nga kryepari i fisit.
Organizimi, klanizimi dhe privatizimi
Nga mençuria e tij, vendosmëria, trimëria, urtësia apo mënyra e zgjidhjes së problemeve të krijuara midis fiseve për shkak të intereseve ekonomike, në radhë të parë! Nuk këndohej së koti kënga: “Gjet Macolli i pari i fisit, hije t’paska maja e plisit, n’Nigeri a në Libi, n’Beligrad a në Rusi“! Edhe kryeparët e fiseve politike në Kosovë janë pjesëtarë të fiseve të Kosovës. Disa janë Gash, Shalë, Hot dhe Berishë! Disa të tjerë janë të fisit Krasniq! Ndërsa që një numër jo i vogël janë pjesëtarë të fisit HIÇ! Me të drejtën zakonore apo Kanun ka qenë i përcaktuar mandati i kryeparit të fisit por edhe kushtet në të cilat bëhej delegjitumimi i mandatit në fjalë. Kryeparët e fiseve ishin autokratë të vendosur. Nuk duronin kundërshtime. Kryep(t)arët e fiseve politike të Kosovës janë autokratë demokratë! Dëgjojnë por vendimet i marrin vet! Gjithashtu, nuk durojnë kundërshtime dhe menjëherë ndërmarrin masa ndaj atyre që nuk u binden! Që nuk shndërrohen në qilimë apo që nuk bëhen plafa! Dhe, duhet të pranohet se nuk është aspak në rregull që kryeparët e fiseve politike të shkelin nëpër tokë apo në shtresa të asfaltuara me asfalt të falsifikuar të tenderëve të kurdisur kur kanë një numër aq të madh të vartësve (anëtarëve) të tyre! Kryeparët e fiseve tradicionale janë kurdisur nëpër fronet e tyre deri sa kanë vdekur. Sikur papët apo kardinalët e Vatikanit. Ata mbesin në ato poste edhe nëse janë të sëmurë, edhe nëse bëhen të paaftë por edhe nëse shndërrohen në kufoma të gjalla! Ashtu janë edhe kryeparët e fiseve politike në Kosovë! Me një dallim që jetëgjatësia e tyre në skenën politike nuk kushtëzohet me shëndetin e tyre fizik apo mental! Madje sa më i “sëmurë“ apo më qartë të jetë, më shumë do të mbijetojë në skenën politike! Qoftë edhe vetëm duke vegjetuar! Kemi shumë shembuj nga e kaluara jo fort e largët! Kemi shembuj shumë konkret edhe nga e sotmja! Duket se kjo trashigimi do të jetë pasuri edhe për gjeneratën përcjellëse. Më parë thuaja ka qenë e pamundur që në krye të një fisi të jetë një i padijshëm apo një person me autoritet të rrënuar. Sepse në këtë mënyrë do të rrezikonte ekzistencën e fisit! Do ta shndërronte në një objekt për përqeshje, tallje dhe nënçmimi! Te fiset politike është e kundërta; sa më i rrënuar të jeshë moralisht dhe kombëtarisht dhe sa më paku të kesh skrupuj të natyrave të ndryshme, mundësia për mbijetesë do të rritet! Edhe pse fundi do të jetë në përputhje me këto “kualitete“ njerëzore, morale dhe kombëtare! Po e bëre një jetë të turëpshme, fundin do ta kesh të turpshëm! Po vodhe pasurinë e shtetit dhe të popullit do të përfundosh si hajdut, pa nam njerëzor dhe pa nishan moral! Po shkele mbi gjakun e atyre që të mundësuan të ngritesh në shkallarën e pushtetit do të përfundosh si kërmë në qelbësirën që do të kundërmojë gjeneratë pas gjenerate! Po i ike dënimit të ligjit, ndëshkimi dhe hakmarrja e Zotit do të jetë më e madhe! Dhe pa asnjë mëshirë! Ka pasur fise të mira dhe fise më pak të mira. Kemi fise politike të këqija dhe më pak të këqija! Ka pasur kryepar të fiseve të njohur dhe të vendosur, kemi kryep (t) ar të fiseve politike injorantë dhe më pak injorantë! Të mirë dhe më pak të mirë! Kjo, lexues të nderuar ishte vetëm një hyrje, prolog për shtjellimin të çdo fisi politik veç e veç në Kosovë. Pa pasur pretendime të shkruaj për fiset në Kosovë dhe viset ku gjithandej jetojnë shqiptarët apo shqiptarët e kosovarizuar. Siç e lyp vendi duhet të fillojmë me fisin politik në Kosovë që ka sunduar më së gjati dhe që ka qenë më i madhi kah anëtarësia. Me LDK-në. Në shkrimin e radhës. Dhe për fiset e tjera apo grupet që janë ndarë një fisi politik dhe u janë bashkuar fisit tjetër politik!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura