(Prishtinë, 16. 01. 2013) – Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj aq shumë e aq shpesh kanë theksuar se s’kemi pse merremi me Rezolutën e Platformën e Serbisë saqë ajo mbase edhe nuk duhej lexuar fare sipas tyre. Njëkohësisht, vazhdonin ata, Kosova nuk ka pse harton Platformë të saj për dialogun politik meqenëse ne s’duhet ta imitojmë Serbinë dhe fryma, germa e vijat e kuqe për neve tashmë i ka shkruar ish Presidenti finalandez Marti Ahtisaari. Sidoqoftë, kryeministri Thaçi i mblodhi pardje krerët partiakë të koalicionit qeverisës dhe ata opozitarë që s’e kundërshtojnë dot, për të përpiluar një dokument i cili si në strukturë po ashtu edhe në përmbajtje i ngjan pikërisht një Platforme për dialogun politik me Serbinë.
Shumëçka do të mund të thuhej për këtë Platformë dhe kontekstin e saj politik, mirëpo këtu po kufizohem në pesë elemente që m’u dukën më të rëndësishme. E para, kjo Platformë i referohet territorit gjeografik në veri të lumit Ibër në Kosovë si Veriu i Kosovës, pra me ‘V’ të madhe thua se bëhet fjalë për një entitet të veçantë, tërësisht në përputhje me aspiratat e Serbisë. Së dyti, problematizimi i strukturave shtetërore të Serbisë në Kosovë kufizohet vetëm te ato të MUP-it famëkeq duke mos i quajtur ato as armiqësore, as kriminale dhe, në fillim, as ilegale, por vetëm struktura të sigurisë.
Më tej, kërkohet veçse largimi i këtyre strukturave, gjë që paraqet një lloj amnistie për krimet e tyre të panumërta në këto vitet e pasluftës. Së treti, është ofenduese që kjo Qeveri të zotohet që do të themelojë ‘Fondin Zhvillimor për Veriun’ në kohën kur edhe qasja e vizioni, edhe buxheti shtetëror, sipas kësaj Qeverie e vitet e saj të qeverisjes, mund të jenë gjithçka tjetër përveçse zhvillimore. Së katërti, asnjë fjalë nuk thuhet në këtë Platformë për Luginën e Preshevës, përkatësisht Kosovën Lindore, ashtu qysh e kishim parashikuar qysh moti. Dhe, së pesti, fjalia “Natyrisht, ne e kuptojmë që Serbia nuk do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi…” shfaq mirëkuptim sa të çuditshëm aq edhe të dëmshëm të Thaçit dhe të të tjerëve për Serbinë. Kjo do ta trimërojë Serbinë dhe do të ketë pasoja të mëtutjeshme në zbutjen e qëndrimit të faktorëve ndërkombëtarë karshi saj.
Platforma e Qeverisë së Kosovës me të cilën u pajtuan edhe disa opozitarë po e përgatit terrenin për kompromisin e radhës për Kosovën. Ky kompromis nis me veriun por zgjatet edhe te njëfarë bashkësie e komunave me shumicë serbe si dhe sërish te trashëgimia kulturore ortodokse. Meqë ky dialog nuk bazohet në drejtësi ai s’mund të sjellë drejtësi. Nuk është i bazuar në drejtësi sepse nuk ka asnjë parakusht për Serbinë dhe aty dialogohet veçse për çështje të brendshme të Kosovës. Nuk do të sjellë drejtësi andaj më shumë koncesione drejt marrëveshjes së kompromisit do të kërkohen nga pala më e dobët e që në këtë rast është Kosova.
Bashkimi Evropian dhe Serbia pajtohen që ndërmjet idesë së ndarjes së Kosovës dhe Planit të Ahtisaarit ekziston një hapësirë. Zyrtarë të shumtë të BE-së që janë preokupuar me rajonin e Ballkanit perëndimor, në kohëra dhe forma të ndryshme, e kanë pohuar këtë gjë. Këta zyrtarë evropianë dhe qeveritarët serbë mund të mos pajtohen për madhësinë e asaj hapësire por jo edhe për faktin nëse ajo ekziston. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës duket se pretendon të kundërtën, së paku deklarativisht e para publikut kosovar. Mirëpo, kjo Platformë tash porsi edhe vetë hyrja në dialog me Serbinë më herët, e demantojnë Qeverinë e Kosovës.
BE-ja dhe Serbia po nxitohen për njëra-tjetrën, kurse Kosova po përfundon si dëm kolateral. Thaçi është këtu në Kosovë (dhe jo vetëm atëherë kur shkon atje në Bruksel) për ta riemëruar këtë dëm si ndonjëfarë fitore të Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është abnormalizim i veriut dhe i krejt Kosovës. E gjithë kjo për normalizim të marrëdhënieve të Thaçit me BE-në ku ky jep shtetësi e territor të Kosovës ndërkaq merr imunitet politik nga EULEX-i për korrupsionin e tij.
Po ky kryeministër që para disa muajve thoshte që nuk do të ketë dialog politik me Serbinë, kurse para disa javëve që nuk do të dialogojë me Serbinë për veriun e Kosovës, tash na thotë që nuk do të lëshojë pe në këtë dialog politik i cili qartazi me 17 janar 2013 do të jetë (edhe) për veriun e Kosovës. Siç e tha vetë Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Baroneshës Ashton: “Raundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd do të jetë më i vështirë se takimet e tjera të mbajtura deri më tani dhe tema e veriut do të jetë temë kryesore”.
Dihet që Serbia është faktor destabilizues dhe destruktiv në Kosovë. Nëpërmjet dialogut politik në Bruksel me Kosovën e për Kosovën, Serbia po legalizohet si faktor stabiliteti dhe faktor konstruktiv në sytë e BE-së. Kësisoj, ajo po ribëhet hisedare në stabilitetin dhe ndërtimin institucional në Kosovë. Nga këndvështrimi i BE-së, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë komplementare në Kosovë si faktor stabilizues e ndërtues. ‘Normalizimi i marrëdhënieve’ ndërmjet Kosovës e Serbisë është sajimi i kësaj marrëdhënie komplementare në Kosovë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.
Prishtinë, 16. 01. 2013
Albin Kurti: Shteti i Pronës së Familjes
“Sa i përket rehatimit të dajëve, normalisht ne si parti politike e vlerësojmë shumë lart familjen se është qeliza e shtetit dhe ai që nuk e respekton familjen nuk e respekton as rrethin dhe askënd tjetër”. Kështu ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, më 24 dhjetor të vitit që lamë pas, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me bisedat telefonike të tij me kryeministrin Thaçi, ku ky i thotë këtij të fundit t’ia punësojë një dajë që Thaçi ia “ka lënë anash”.
Përgjigja e këtillë e Grabovcit është në përputhje të plotë me moton më të re të PDK-së: Familja, Prona, Shteti. Pra, familja është e para kurdo e kudo përfshirë këtu edhe për pozitat më të larta shtetërore. Edhe për vetë kryeministrin, edhe për kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, edhe për të gjithë e secilin në këtë parti, në çdo çast e në çdo situatë, njëherë duhet rehatuar familja e pastaj, nëse mbetet kohë dhe energji, eventualisht kalohet edhe te qytetarët e tjerë të këtij vendi. Kjo Familje nuk është e vogël sepse nuk është e ngushtë: aty hyjnë edhe dajët, që më parë i bie edhe kushërinjtë e nënës sesa vetëm vëllezërit e saj.
Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos/nepotis që do të thotë nip. Grabovci e mishëron me saktësi këtë dukuri duke qenë një nip i mirë që interesohet me aq zell për punësimin e dajës së vet. Ai ndërhyn edhe në agjendën e kryeministrit i cili jo vetëm që s’e zmbraps dot këtë kërkesë të nipit Grabovci, por edhe i duhet të shfajësohet para tij duke u përgjigjur që nuk i është thënë ta kryejë këtë punë(sim). Ky nepotizëm par excellence që ka përfshirë edhe kreun e Qeverisë, prej Grabovcit quhet ‘respekt për familjen’.
Privilegjet për të afërmit e tyre në llogari të interesit dhe parasë publike, Grabovci dhe të ngjashmit i quajnë veçse respekt. Sjellja e këtillë ështe tipike mafioze. Shërbimet kriminale që i kryen një familje mafioze ndaj tjetrës, ose një anëtar i familjes për një tjetër anëtar të familjes, interpretohen e përjetohen si respekt, përkatësisht si dëshmi e respektit për familjen. Për këtë mendësi nuk ka rëndësi institucioni publik a shtetëror para rëndësisë së familjes. Prandaj, institucioni publik e shtetëror janë, mbi të gjitha e para së gjithash, burime dhe mjete për familjen e kurrsesi qëllime të mbrama.
Natyrisht, jo për të gjitha familjet e secilën familje, por për familjet e tyre, për Familjen e tyre. Kësisoj, nepotizmi nuk është më korrupsion – privilegjet për Familjen në kurriz të të drejtave të familjeve të tjera të popullsisë janë respekt! Njerëzit e Familjes arrijnë të tregojnë ‘respekt’ për Familjen e tyre, për dallim prej familjeve të tjera në Kosovë që nuk kanë nip të tyre në regjimin sundues.
Jorastësisht pra motoja më re e PDK-së që sublimon programin e tyre të ardhshëm partiak nis me Familjen. Pastaj vijnë Prona dhe Shteti. Renditja e këtyre koncepteve nuk është e tillë që kulmon me Shtetin. Nuk është familja në funksion të pronës që është në funksion të shtetit. E kundërta është e vërtetë: Shteti i shërben Pronës që i përket Familjes. “Familja, Prona, Shteti” do të thotë që Prona është Pronë e Familjes kurse Shteti është Shtet i Pronës. Familja: sepse nuk lanë familjarë pa punësuar deri te dajët e largët.
Madje, pas asaj ‘Pronto’ dhe ‘Come stai?’ të bisedës Thaçi-Grabovci, Familja, në fakt, është ‘La Famiglia’. Prona: sepse është ajo që përvetësuan nga tenderët, privatizimi ose uzurpimet. Shteti (në fund): sepse kanë nevojë ta mbrojnë dhe shenjtërojnë atë që e vodhën e plaçkitën, pra shteti si mjet për dy të parat pasi që tashmë e kanë kapur shtetin duke e bërë atë shtet të kapur porsi një vegël.
Përveç renditjes së këtyre koncepteve të pranishme në këtë parullë, janë edhe konceptet që mungojnë ato që konsistojnë te kuptimi i asaj që kemi në këtë parullë. Askund nuk i kemi Shoqërinë dhe Kombin, por as Qytetarin dhe Individin. Familja, pra jo Shoqëria dhe as Individi. Prona, pra jo Qytetari. Dhe, Shteti, pra jo Kombi. Qytetari dhe Individi, Shoqëria dhe Kombi, duhet të jenë diku në shërbim të këtyre koncepteve të vizionit më të ri të PDK-së. Kushedi, shoqëria dhe kombi, qytetarët dhe secili individ, ndoshta edhe do të mund të zgjedhin se ku do të shërbejnë. Direkt te Familja, te Prona e Familjes ose te Shteti i Pronës. Zaten, me këtë parullë, e gjithë zgjedhja që mund të ofrohet në Kosovë është veçse e këtij lloji.
Me këtë moto të PDK-së që thotë se “Pronat tona Familjare na i ruan Shteti” po udhëhiqen zgjedhjet e brendshme në PDK. Si u lansua dhe u instalua kjo parullë? Kush dhe kur e solli atë? Qysh prej anëtarësimit të tij në një nëndegë në Mitrovicë, me 2 nëntor, ishte Kadri Veseli ai që hyri në PDK me parullën “Familja, Prona, Shteti”. Mbase kjo ishte e drejtë e tij si person dhe në rast se ai fiton në fund të procesit zgjedhor në PDK dhe ka mbështetës të tjerë të mjaftueshëm, atëherë është e kuptueshme që kjo të shndërrohet edhe në emrin a titullin e programit të ri të PDK-së mandej.
Mirëpo, përderisa ky nuk është zgjedhur dhe askush tjetër zyrtarisht nuk e ka mbështetur këtë parullë, është absurde dhe e padrejtë që ajo të ngjitet në panon e PDK-së në çdo degë të saj ku po mbahen zgjedhjet. Në pano, para delegatëve të degës, shkruante “Për Ferizajn/Prishtinën/Prizrenin etj. Europian” dhe aty afër, me shkronja të mëdha të dorës (që duket më autoriale dhe jo me shkronja të shtypit që mbesin disi industriale) figuron parulla “Familja, Prona, Shteti” me ngjyrë të bardhë në sfond të kaltër. Kjo parullë në pano tregon që secili që voton a garon në PDK, e bën këtë përbrenda kësaj parulle dhe për realizimin e saj.
Dy përfundime mund t’i nxjerrim qysh tash. Së pari, në fillim të vitit 2011, në Grupin Parlamentar të PDK-së, u pat bërë një puç me ç’rast kryetar i këtij Grupi nuk u bë Fatmir Limaj por Adem Grabovci. Tash, ky puç po vazhdohet edhe në PDK ku përmes kësaj farse prej zgjedhjeve të brendshme SHIK-u po e merr edhe partinë. (Mbase fati i ngjitjes së motos së Veselit paralajmëron se si do të ngjitet ai vetë në krye të PDK-së, po sikur motoja e tij: pa verifikim nga baza dhe si diçka që demoracinë formale e ka vetëm justifikim për ta legjitimuar një vendim që tashmë është marrë.) Së dyti, është e qartë që PDK-ja teksa hiqet si parti e qendrës së djathtë po profilizohet si një parti e djathtë neoliberale që kamuflohet me konservatorizëm. Por, fundja, qysh thotë sociologu Boaventura de Souza Santos: neoliberalizmi nuk është liberalizëm i ri, por konservatorizëm i ri.
Më 26 gusht 2012, aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” patën ndërmarrë aksionin simbolik “Shitet prona, 26.300 euro” përpara shtëpisë së re të kryeministrit Hashim Thaçi. Në asnjë prej fotografive që u botuan nuk mund të shihej e tërë shtëpia – për t’u fotografuar a xhiruar e gjithë kjo shtëpi në përmasën e saj duhej marrë një kuadër ku pastaj nuk shihej dot parulla jonë “Shitet prona, 26.300 euro” për shkak të largësisë që krijohej, kurse për t’u parë kjo parullë duhej bërë pak zoom dhe sakaq korniza e skajeve të kësaj shtëpie dilte jashtë kuadrit.
Këtë aksion e bëmë atëherë kur Thaçi po e shiste Distribucionin dhe Furnizimin e KEK-ut për vetëm 26 milionë e 300 mijë euro. Patëm thënë që “Publikja është diçka që nuk bëhet private. Kompanitë publike do të duhej të ishin kompani të paprivatizueshme. Ato duhet të jenë interes kombëtar, strategjik e interes ekonomik dhe si të tilla duhet të mbesin publike.” Meqë Thaçi po e privatizonte publiken tonë, ne simbolikisht e publik(ëz)uam privaten e tij. Mirëpo, edhe si simbol kjo gjë ishte e padurueshme për të. Aktivistët asokohe u sulmuan nga roja e kësaj prone. Kur është në pyetje publikja e Kosovës, Thaçi thotë: Negociata, jo vetëvendosje!. Ndërkaq, kur vjen në pyetje privatja e tij, Thaçi reagon: jo negociata, vetëvendosje!
Prishtinë, 09. 01. 2013
Albin Kurti: Pa kushte mbesim të kushtëzuar
Moskushtëzimi ndaj Serbisë para dialogut me të, sigurisht se e ka inkurajuar dhe trimëruar Serbinë. Gjermanisë e cila ia ka vënë shtatë kushte Serbisë dhe ShBA-ve që ia kanë vënë katër kushte asaj, Serbia nuk do t’ua nxirrte para syve një këso platforme në rast të dialogut me to. Kosovës ia bën këtë gjë pikërisht pse Kosova fare nuk e ka kushtëzuar atë. Moskushtëzimin e Kosovës Serbia e merr si dobësi të Kosovës e cila mund të shfrytëzohet dhe duhet të shfrytëzohet.
Kosova ka pakrahasimisht më shumë arsye që t’i vë kushte Serbisë sesa Gjermania e ShBA-të. P.sh. Serbia ua dogji ndërtesat e ambasadave në Beograd këtyre dy shteteve pasi që ato e njohën pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008, porse Kosovës Serbia ia dogji ose shkatërroi 119.855 shtëpi vetëm në luftën e fundit të viteve 1998-1999 sipas shënimeve të Këshillit të Evropës.
Dikush mund të thotë që kushte vendosin vetëm të fuqishmit dhe jo ata që kanë të drejtë. Jo, nuk është ashtu: kushte vendosin ata që janë seriozë. Dhe, kushtet e kushtëzimi, më parë sesa që e pasojnë fuqinë, i paraprijnë vetë fuqizimit. Kushte vendosin ata që duan të jenë të fuqishëm, qofshin ata që tashmë janë të fuqishëm dhe duan të mbesin të tillë, por edhe ata që duan të bëhen të fuqishëm. Me këtë Qeveri, shteti i Kosovës nuk i përket asnjërit prej këtyre dy rasteve. Sepse, me këtë Qeveri bashkëpunimi me perëndimin nuk shihet si shans për t’u forcuar vetë Kosova si shtet. Përkundrazi, dobësia e shtetit përdoret si arsyetim për servilitetin ndaj perëndimit me ç’rast forcohen qeveritarët kurse shteti dobësohet edhe më tej.
Dialogu politik aktual me Serbinë, duke qenë dialog pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës, bën që varësia nga dialogu dhe varësia nga Serbia të jenë e njëjta gjë. Serbia, duke pranuar marrëveshjet e veçanta me Qeverinë e Kosovës por jo edhe tërësinë e atyre marrëveshjeve në formë paketash, siguron jetëgjatësinë e dialogut ndërkohë që në Kosovën josovrane e me Qeveri të korruptuar ato marrëveshje zbatohen njëanshëm. Kësisoj, Serbia përherë shtiret e pakënaqur ndërkaq Kosova përherë shtiret e kënaqur, duke sajuar një vorbull koncesionesh të cilit s’ia shohim fundin teksa ia kemi harruar fillimin.
Nga 17 janari 2013 për kur është paralajmëruar takimi i katërt Thaçi-Daçiq, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të zëvendësohet me normalizimin e platformës së Serbisë. Heshtja e rëndë ndërkombëtare për këtë platformë, që nuk u trazua me ato reagime të pakta e të buta ndërkombëtare, është shenjë e së ardhmes që na pret. Në dialogun politik në Bruksel, Thaçi nuk mund të pretendojë më se po e takon një Serbi që shikon kah e ardhmja ku vendet tona duken të integruara në BE. Tash e tutje, kundrejt Kosovës, Serbia është Serbi e platformës së saj për Kosovën.
Fundja, platformën e saj Serbia e lansoi “duke shpresuar që një zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme për Kosovën është e arritshme përmes dialogut të sinqertë mes dy palëve”. Pra, Serbia nuk i sheh si problem marrëdhëniet me Kosovën (që tash duhen normalizuar me këtë dialogun në Bruksel) por vetë Kosovën si të tillë. E, në fakt, është Kosova ajo që do të duhej ta konsideronte Serbinë si problem.
Le të mos harrojmë që ky dialog politik u përgatit nga ideja e zëvendës-kryeministrit Kuçi për Traktat të Paqes me Serbinë. Por, njësoj, le të mos harrojmë, që edhe ish kryeministri britanik Neville Chamberlain, atë që bëri me Hitlerin në vitin 1938 në Munih kur e ndanë Çekinë, e quajti Marrëveshje të Paqes.
Pavarësia e shpallur e Kosovës e cila së shpejti i mbush pesë vjet, po del të ketë qenë pavarësi pa aspektin e saj politik, ekonomik, demokratik, territorial dhe ushtarak. Ajo paska qenë njëfarë pavarësie veçse nominale karshi Serbisë dhe veçse administrative karshi UNMIK-ut dhe faktorëve ndërkombëtarë. Asgjë më shumë se kaq. E, për më pak se kaq, dera nuk është mbyllur ende.
Prishtin, 26 12. 2012
Albin Kurti: Pa kushte mbesim të kushtëzuar
Moskushtëzimi ndaj Serbisë para dialogut me të, sigurisht se e ka inkurajuar dhe trimëruar Serbinë. Gjermanisë e cila ia ka vënë shtatë kushte Serbisë dhe ShBA-ve që ia kanë vënë katër kushte asaj, Serbia nuk do t’ua nxirrte para syve një këso platforme në rast të dialogut me to. Kosovës ia bën këtë gjë pikërisht pse Kosova fare nuk e ka kushtëzuar atë. Moskushtëzimin e Kosovës Serbia e merr si dobësi të Kosovës e cila mund të shfrytëzohet dhe duhet të shfrytëzohet.
Kosova ka pakrahasimisht më shumë arsye që t’i vë kushte Serbisë sesa Gjermania e ShBA-të. P.sh. Serbia ua dogji ndërtesat e ambasadave në Beograd këtyre dy shteteve pasi që ato e njohën pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008, porse Kosovës Serbia ia dogji ose shkatërroi 119.855 shtëpi vetëm në luftën e fundit të viteve 1998-1999 sipas shënimeve të Këshillit të Evropës.
Dikush mund të thotë që kushte vendosin vetëm të fuqishmit dhe jo ata që kanë të drejtë. Jo, nuk është ashtu: kushte vendosin ata që janë seriozë. Dhe, kushtet e kushtëzimi, më parë sesa që e pasojnë fuqinë, i paraprijnë vetë fuqizimit. Kushte vendosin ata që duan të jenë të fuqishëm, qofshin ata që tashmë janë të fuqishëm dhe duan të mbesin të tillë, por edhe ata që duan të bëhen të fuqishëm. Me këtë Qeveri, shteti i Kosovës nuk i përket asnjërit prej këtyre dy rasteve. Sepse, me këtë Qeveri bashkëpunimi me perëndimin nuk shihet si shans për t’u forcuar vetë Kosova si shtet. Përkundrazi, dobësia e shtetit përdoret si arsyetim për servilitetin ndaj perëndimit me ç’rast forcohen qeveritarët kurse shteti dobësohet edhe më tej.
Dialogu politik aktual me Serbinë, duke qenë dialog pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës, bën që varësia nga dialogu dhe varësia nga Serbia të jenë e njëjta gjë. Serbia, duke pranuar marrëveshjet e veçanta me Qeverinë e Kosovës por jo edhe tërësinë e atyre marrëveshjeve në formë paketash, siguron jetëgjatësinë e dialogut ndërkohë që në Kosovën josovrane e me Qeveri të korruptuar ato marrëveshje zbatohen njëanshëm. Kësisoj, Serbia përherë shtiret e pakënaqur ndërkaq Kosova përherë shtiret e kënaqur, duke sajuar një vorbull koncesionesh të cilit s’ia shohim fundin teksa ia kemi harruar fillimin.
Nga 17 janari 2013 për kur është paralajmëruar takimi i katërt Thaçi-Daçiq, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të zëvendësohet me normalizimin e platformës së Serbisë. Heshtja e rëndë ndërkombëtare për këtë platformë, që nuk u trazua me ato reagime të pakta e të buta ndërkombëtare, është shenjë e së ardhmes që na pret. Në dialogun politik në Bruksel, Thaçi nuk mund të pretendojë më se po e takon një Serbi që shikon kah e ardhmja ku vendet tona duken të integruara në BE. Tash e tutje, kundrejt Kosovës, Serbia është Serbi e platformës së saj për Kosovën.
Fundja, platformën e saj Serbia e lansoi “duke shpresuar që një zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme për Kosovën është e arritshme përmes dialogut të sinqertë mes dy palëve”. Pra, Serbia nuk i sheh si problem marrëdhëniet me Kosovën (që tash duhen normalizuar me këtë dialogun në Bruksel) por vetë Kosovën si të tillë. E, në fakt, është Kosova ajo që do të duhej ta konsideronte Serbinë si problem.
Le të mos harrojmë që ky dialog politik u përgatit nga ideja e zëvendës-kryeministrit Kuçi për Traktat të Paqes me Serbinë. Por, njësoj, le të mos harrojmë, që edhe ish kryeministri britanik Neville Chamberlain, atë që bëri me Hitlerin në vitin 1938 në Munih kur e ndanë Çekinë, e quajti Marrëveshje të Paqes.
Pavarësia e shpallur e Kosovës e cila së shpejti i mbush pesë vjet, po del të ketë qenë pavarësi pa aspektin e saj politik, ekonomik, demokratik, territorial dhe ushtarak. Ajo paska qenë njëfarë pavarësie veçse nominale karshi Serbisë dhe veçse administrative karshi UNMIK-ut dhe faktorëve ndërkombëtarë. Asgjë më shumë se kaq. E, për më pak se kaq, dera nuk është mbyllur ende.
Prishtinë, 25 dhjetor 2012
Albin Kurti: Nga pavarësia te bashkimi dhe anasjelltas
Nga pavarësia (e Kosovës) pa bashkim (me Shqipërinë) duhet të kalojmë te bashkimi (kombëtar) si pavarësi (e vërtetë).
Teksa shqiptarët tashmë kanë nisur ta kremtojnë 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, politikanët e tyre kanë prirjen që çështjen e kombit dhe të bashkimit kombëtar ta ngujojnë në të kaluarën, në rrafshin emocional dhe te rrëfimet letrare. Ata evokojnë kujtime nga historia jonë, tregojnë ngjarje e lavdërojnë personalitete, përçojnë ndjenja mallëngjimi. Në kontrast me këtë, të ardhmen, rrafshin racional dhe të vërtetën shkencore ia kanë rezervuar një tjetër bashkimi – Bashkimit Evropian. Pra, thonë që e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian, se vetëm kjo është plotësisht e arsyeshme dhe njëkohësisht e sigurt porsi matematika.
Dhe, jo vetëm kaq. Kombi e bashkimi kombëtar trajtohen te regjistri i kulturës e traditës kurse politika dhe ekonomia përbëjnë sërish regjistrin e atij bashkimit tjetër – Bashkimit Evropian. Valoje flamurin shqiptar, këndo e vallëzo shqip, ama orientimin politik dhe modelin ekonomik nuk na e përcakton bashkimi ynë (këtu) por bashkimi tjetër (atje). Këta politikanë preferojnë të flasin për bashkimin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve që të mos flasin për bashkimin ekonomik e politik të tyre. Bashkimi kulturor nuk e sjell shtetin e bashkuar por autonominë kulturore. Sepse bashkimi kombëtar nuk është thjesht bashkim kombëtar, bashkim i kombit. Bashkimi kombëtar është bashkim kombëtar në një shtet. Pra, bashkimi kombëtar nuk do të thotë komb i ri, por shtet i ri. Një shtet që është i ri sepse është shtet i kombit, i tërë kombit. Në Bashkimin Evropian ndodh bashkimi ndërkombëtar (midis shteteve) dhe jo bashkimi kombëtar (i shqiptarëve). Prandaj, politikanët shqiptarë do të duhej që të angazhohen më shumë në politikën shtetërore sesa në kulturën kombëtare, apo jo? Le t’ua lëmë kulturën shoqërive kulturore-artistike, krijuesve, medieve dhe shtëpive botuese. Politikanët e lartë kanë detyra të tjera të larta politike e shtetërore. Mobiliteti i shqiptarëve duhet të përkthehet jo vetëm në homogjenitet kulturor kombëtar por edhe në akumulim të kapitalit kombëtar. Pa të dytën do të mund ta humbim edhe të parën.
Si kulturë pa politikë, si traditë pa ekonomi, do të shtohen ata që do të na quajnë bashkësi etnike për të mos na quajtur komb. Ja se çfarë shkruan publicisti Xhelal Neziri në revistën ‘Shenja’ që botohet në Shkup: “Dallimi nga kombi është se bashkësia etnike identitetin e saj e lëvron në mënyrë joinstitucionale, pa përkujdesje nga shteti. Nëse identiteti kombëtar është i lidhur me shtetin, atëherë identiteti etnik është më tepër folklorik dhe i pasistemuar mirë. Sipas antropologut Thomas H. Eriksen, dallimi ndërmjet etnisë dhe kombit qëndron në raportin e tyre me shtetin. Sipas tij, derisa kombet synojnë që kufijtë e tyre gjeografikë të jenë të përputhshëm me ato kulturorë, bashkësitë etnike s’pretendojnë të kenë kontroll mbi shtetin ose të qeverisin me të”.
Krerët e shtetit e qeverive të Shqipërisë e Kosovës duhet ta theksojnë edhe politikën dhe ekonominë kombëtare, jo vetëm kulturën kombëtare. Kombi është edhe pasuria kombëtare. Pasuria kombëtare u takon të gjithë pjesëtarëve të kombit, gjeneratave aktuale dhe atyre që do të na trashëgojnë. Është e drejtë dhe detyrë e jona shfrytëzimi i përbashkët i pasurive nëntokësore, tokësore, mbitokësore e detare të shqiptarëve për përmirësimin e jetesës dhe ngritjen e mirëqenies së të gjithë shqiptarëve, por edhe të gjeneratave të ardhshme.
Projekti i bashkimit kombëtar e politizon çështjen kombëtare dhe kombin si të tillë. Të jesh shqiptar edhe politikisht do të thotë të angazhohesh për bashkim kombëtar, ta politizosh kombin dhe ta kombëtarizosh politikën. Ndoshta një ditë nuk do të ketë kombe, mund të thotë dikush. Ndoshta, ama këtë gjë jo vetëm që s’mund ta dimë ne, por as s’do të mund të vendosë kush ndonjëherë për këtë. Kombet kanë lindur dhe vazhdojnë të zhvillohen në procese historike ku ato porsi gjuha vazhdimisht ndryshojnë, mirëpo asnjëri nga ne s’i ndryshon dot.
Kombi është i rëndësishëm meqë kontribuon shumë për idenë e komunitetit dhe shoqërisë, për ndjenjën e përkatësisë dhe të përgjegjësisë. Socialja nuk ka të bëjë vetëm me institucionet e sistemit dhe rishpërndarjen e tyre por edhe me marrëdhëniet ndërnjerëzore. Bashkimi kombëtar gjithsesi ka efekt shoqëror – ai do të kontribuonte në çlirimin social të shqiptarëve. Bashkimi kombëtar do të rriste burimet natyrore e lëndët e para, fuqinë punëtore, madhësinë e tregut, aftësitë mbrojtëse, kapacitetet zhvillimore, administrative, menaxhuese e intelektuale të shqiptarëve. Te shqiptarët bashkimin kombëtar e duan të varfërit dhe klasa e mesme sepse të pasurit përgjithësisht nuk i kemi prodhues por tregtarë. Të varfërit e duan bashkimin kombëtar; të pasurit janë tregtarë që e mirëmbajnë importin (në kuadër të deficitit të tmerrshëm tregtar që i ka mbërthyer shtetet tona). Dihet që neoliberalizmi e do shtetin kundër kombit dhe kombin kundër shoqërisë. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve paraqet lëvizje me kahje të kundërt prej kësaj. Pikërisht ky kontekst bën që nacionalizmi shqiptar edhe në shekullin XXI të jetë më parë i llojit algjerian sesa i atij francez.
Pavarësia pa të drejtën për bashkim me Shqipërinë nuk është përnjëmend pavarësi. Pavarësia e Kosovës u shpall me kusht që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë. As Shqipëria e ndarë nga Kosova nuk po ka pavarësi për të qenë. Nga pavarësia (e Kosovës) pa bashkim (me Shqipërinë) duhet të kalojmë te bashkimi (kombëtar) si pavarësi (e vërtetë). Njëkohësisht, duket hapur që shteti te shqiptarët është në funksion të një klase të pakicës: burokratët ndërkombëtarë, qeveritarët vendës dhe miqtë e tyre biznesmenë. Prandaj, shteti në funksion të kombit që bashkohet do të ishte edhe demokratizim.
Pa dyshim që bashkimi kombëtar nga monolog privat tashmë është shndërruar në dialog publik për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Qeveritarët shqiptarë dhe shumica e politikanëve shqiptarë ose refuzojnë ose ngurrojnë të bëhen pjesë e këtij dialogu.
Prishtinë, 20 nëntor 2012
Albin Kurti: Me Thaçin, prej Ahtisaarit te Ban Ki-mooni
Atëherë kur mbushen 31 vjet të vrasjes së vëllezërve Gërvalla e të Kadri Zekës si dhe 545 vjet të vdekjes së Skënderbeut, pra më 17 janar të vitit të ardhshëm, është paralajmëruar raundi i ri i dialogut politik me Serbinë. Tri takimet e deritanishme ndërmjet Thaçit e Daçiqit kanë shërbyer si uverturë për atë që po e përgatisin për vitin e ardhshëm. Dialogu politik do të kalojë në një fazë të re, me temën që përbën shkakun kryesor pse u nis ai – veriun e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Qeveria e Serbisë e nxori pikërisht tash platformën e saj ku nuk ka asgjë të re që nuk e kemi parashikuar: një status i veçantë për veriun, një autonomi territoriale e ngjashme me Republikën Serbe në Bosnje. Ndërkohë, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe i përmbahet Kushtetutës së saj që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë.
Në anën tjetër, Thaçi është i gatshëm të shkojë në takimet e radhës sa herë ta thërrasin e për çkado që Serbia është e interesuar. Ai pat diskutuar me disa parti në Prishtinë për platformën e Kosovës sa për t’ia shtuar ca legjitimitetin dialogut që po zhvillohet pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Natyrisht, diskutimet në Kosovë për platformë ishin përherë në funksion të dialogut me Serbinë pa platformë – Thaçi më parë sesa palë dialoguese është fasilitues në dialogun Bruksel-Serbi. Në veriun e Kosovës janë të pranishme forcat e EULEX-it e KFOR-it në njërën anë dhe ato të strukturave shtetërore të Serbisë në anën tjetër. Ata që kanë forca në terren merren vesh me njëri-tjetri, apo jo? Mungesa e Policisë së Kosovës dhe e FSK-së në veri të Kosovës e vendos Thaçin në pozitën e spektatorit që shtiret si akter. Pra, Thaçi dhe jo BE-ja paraqet ndërmjetësuesin e vërtetë të dialogut politik në Bruksel.
Mbase edhe nuk do të thonë qysh në fillim se dialogu po bëhet për veriun e Kosovës. Ama gjithsesi do të diskutohet për çështjet e veriut të Kosovës: gjyqësinë e policinë, doganat e administratën, strukturat e financuara e të dirigjuara nga Beogradi. Përderisa u lansuan lajmet për përqindjen e TVSh-së që pasi të mblidhet në veri edhe mbetet atje, kjo do të thotë që ngadalë por sigurt po lëvizet prej Planit të Ahtisaarit drejt 6 Pikëshit famëkeq të Ban Ki-moon-it. Ja se çfarë thuhet në paragrafet b) dhe d) të kapitullit Doganat të 6 Pikëshit: b) Oficerët ndërkombëtarë të doganave, të emëruar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), do të rikthehen në portat 1 dhe 31. Modalitetet e stacionimit të tyre, sa më shumë që është e mundshme do të pasqyrojnë modalitetet e konceptit të menaxhimit të kufijve të integruar të Evropës dhe kjo mund të përfshijë edhe bashkërenditje të pikave doganore. (…) d) Do të nevojiten negociata të mëtutjeshme mes lojtarëve relevantë, për të arritur pajtimin dhe për të përcaktuar modalitetet për operim për riaktivizimin e pikave doganore, të përmendura më lart. Këto diskutime gjithashtu do t’i adresohen edhe distribuimit të të ardhurave doganore, të grumbulluara në pikat 1 dhe 31, të cilat gjithashtu duhet t’i kontribuojnë edhe zhvillimit të komuniteteve lokale.
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Thaçi ai konsiston vetëm te një kërkesë konkrete: transparencë për strukturat e Serbisë në Kosovë dhe financimin e tyre nga Beogradi. Pra, së pari, ai realisht s’ka qëllim por vetëm qëndrim dhe qëndrimi i tij nuk është qëndrim (i Kosovës) por kërkesë (ndaj Serbisë). Së dyti, ai po sillet si një OJQ që kërkon më shumë transparencë e jo si kryeministër me program, vullnet dhe zbatim. Fundja, edhe në Kosovë ai nuk sillet si kryeministër sepse dënon dhunën e bën apele pa pasur plan dhe veprime (nëse këtu përjashtojmë punësimin e dajëve të Grabovcit dhe shembujt e tjerë të nepotizmit). Dhe, së treti, transparenca tregon që Thaçi do shikim më të mirë të gjendjes në veri dhe jo transformim të saj, gjë që shpie te legalizimi e formalizimi i strukturave të Serbisë atje por jo te zhbërja e tyre. Sikur rezultati i dialogut politik me Serbinë të paramendohej i mirë, Thaçi nuk do të ishte i interesuar që ta zgjeronte koalicionin qeverisës me të tjerë.
Nuk mund t’i shndërrosh me lehtësi kushtet para dialogut, thjesht, në tema të dialogut, por vetëm në kërkesa për tema në dialog, gjë që vetëm sa e konfirmon kalimin në pozicion josovran. Në të vërtetë, josovrani mu në dialog vuloset si josovran. Nuk ka mundur të jetë ndryshe: mbi tryezën në Bruksel u vu Kosova për dialog me Serbinë sepse nën këtë tryezë janë dosjet për qeveritarët e Kosovës me në krye Thaçin. Për të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë dialog, politikanët e regjimit e kanë një pyetje në formë të përgjigjes kërcënuese: ‘Nëse nuk dialogojmë, atëherë çka? Luftë?’ Kështu, në fakt, ata kërcënohen me luftë (të Serbisë). Nuk po ka nevojë që Serbia të na kërcënojë me luftë. Qeveria e Kosovës po na kërcënon me Serbinë.
Ndërmjet këtij dialogu të nënshtrimit e dorëzimit dhe luftës e konflikteve të armatosura sigurisht që ka shumë mundësi të pashfrytëzuara. Mundësitë e shtetit dhe popullit të Kosovës janë shumë më të mëdha sesa mundësitë e kësaj Qeverie të cilat edhe ashtu përgjithësisht mbesin të pashfrytëzuara sepse nuk ka as interes dhe as vullnet qeveritar për shfrytëzimin e tyre. Si në aspektin e mbrojtjes, sigurisë dhe sundimit të ligjit, po ashtu edhe në aspektin e politikës dhe zhvillimit socio-ekonomik, Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh në shtator të vitit 2008 ka propozuar 13 hapa të cilët kur bashkërendohen e mundësojnë bashkimin e Mitrovicës dhe integrimin e veriut. Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur kahjen e kundërt: ndonjë gjest në veri të Kosovës sa për të ‘dëshmuar’ pafuqinë dhe pamundësinë e trajtimit të kësaj çështjeje jashtë dialogut me Daçiqin, Nikoliqin e të ngjashmit me ta. E, ndoshta, Thaçi kërkon transparencë për strukturat shtetërore të Serbisë në veri pikërisht që të duket sa më i pafuqishëm shteti i Kosovës atje.
Me vetë faktin që nuk e përfshijnë aktivizimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve kur flasin për veriun e Kosovës dhe zgjidhjet për të, Qeveria e Kosovës tregon që nuk e ka me gjithë mend integrimin e asaj pjese. Ata i duan qytetarët si spektatorë të takimeve Thaçi-Daçiq. Aty besojnë se është vendi ku zgjidhen problemet, ndërkohë që aty është problemi më i madh: Serbia e pasardhësit të Milosheviqit dhe kryeministri i korruptuar e i shantazhuar i Kosovës.
Prishtinë, 18 dhjetor 2012
Albin Kurti: Koalicioni PDK-SPS
Negociatat dhe veriu. Kjo është çështja sot. Negociatat janë të Serbisë. Veriu është i Kosovës. Po i bëre bashkë këto, ndodh shkëmbimi: negociatat bëhen të Kosovës kurse veriu bëhet i Serbisë. Negociatat nënkuptojnë që duhet të japësh diçka për të marrë diçka. Në këtë rast, duhet të japim diçka të Kosovës që të marrim diçka të Kosovës. Dhe, ajo që e japim do të jetë e shtetit të Kosovës, ndërsa atë që e marrim do të jetë për pushtetin në Kosovë.
Qeveria e Kosovës me në krye Thaçin nuk do që të ndërtohet shteti i Kosovës për të gjithë por duan që të bëjnë para për vete. Ata, në të vërtetë, nuk duan shtet. Ata duan para. Neve na nevojitet Republika sepse e duam bashkimin kombëtar, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien publike. Kësaj Qeverie i nevojitet Republika për të vjedhur e për t’u pasuruar. Mirëpo, protektorati ndërkombëtar ia ka mundësuar kësaj koniukture qeverisëse që të bëjë para pa u bërë shteti ynë përnjëmend Republikë dhe duke lëshuar pe që shteti ynë të mos bëhet Republikë. Me këtë koniukturë s’do të bëhemi asnjëherë Republikë. Fusnotat vetëm sa do të shtohen.
Varësinë e tij personale nga Serbia për pushtet në Kosovë, kryeministri Thaçi po e përkthen në varësi të Kosovës nga Serbia, përmes këtij dialogu politik për veriun dhe jo vetëm për të. Serbisë i nevojitet Thaçi i korruptuar dhe i shantazhuar si bashkëbisedues për ta faktorizuar edhe më tej veten në Kosovë. Thaçit i nevojitet Serbia që do dialog në mënyrë që të bëhet i durueshëm dhe interesant për BE-në e faktorët e tjerë ndërkombëtarë. Strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë janë të varura nga Beogradi për pushtetin e tyre në Kosovë. Po ashtu, edhe kryeministri Thaçi është bërë i varur nga Beogradi për qeverisjen e tij në Kosovë.
Mbase Thaçi njëmend s’ka çare pa lëshuar pe – ose për pushtetin e tij, ose për shtetin e Kosovës. Mirëpo, ai ka vendosur tashmë: do të lëshojë pe për shtetin e Kosovës. Dhe, Thaçi po lëshon pe në mënyrë të dyfishtë: karshi Daçiqit në takimet me të dhe karshi Baroneshës Ashton në takimet me të ndërmjet takimeve me Daçiqin. Në fakt, takimet me Baroneshën Ashton janë vendi ku bëhen koncesionet, që të duket se ato po i bëhen BE-së dhe jo Serbisë, ndërsa takimet me Daçiqin janë vendi ku konfirmohen ato koncesione.
Nga pozicioni i Thaçit, dialogu politik me Serbinë në Bruksel është privatizim i debatit publik. Prapa dyerve të mbyllura takohen e flasin Thaçi, Daçiq e Ashton duke konsideruar interesa private të Thaçit për çështje publike të Republikës sonë. Dihet që BE-ja nuk na njeh dhe e ka misionin e vet me fuqi ekzekutive në Kosovë. Serbia nuk na njeh dhe i financon e dirigjon strukturat e saj në Kosovë. Kryeministri Thaçi është i korruptuar dhe i shantazhuar. Ky pra është Trekëndëshi i Bermudeve për shtetësinë e Kosovës.
Duke shprehur mirëkuptim për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duke thënë që nuk është realiste të pritet që Serbia ta njohë së shpejti Kosovën, asaj i bëhet një favor i jashtëzakonshëm që organizon pastaj shumëçka në marrëdhëniet politike dhe diplomatike ndërkombëtare. Ndërkaq, duke thënë që Serbia s’do të mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën, ftohet Serbia që të mos e njohë Kosovën së paku edhe për një dekadë meqë ajo nuk e ka aspak afër anëtarësimin në BE. Në fakt, bëhet fjalë për të njëjtët zyrtarë vendës e ndërkombëtarë që më shumë flasin se çka po humbet Serbia nga dialogu, se si edhe Beogradi do të mbetet i pakënaqur, dhe jo se çka po humbet Kosova si territor dhe si shtet teksa gjymtohet nga ky dialog me Serbinë. Në rastin më të mirë, me këtë dialog, Kosova fiton software (përfaqësim jashtë) dhe humbet hardware (integritet brenda).
Thaçi po heq dorë nga e drejta e shtetit të Kosovës për veprim në veri në vendosjen e sovranitetit dhe mbrojtjes së kufijve atje. Të drejtën pronësore (mbi territor) po e jep për të drejtën përfaqësuese (në negociata) drejt së drejtës së veriut kundrejt shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë që Thaçi tashmë është pozicionuar kundër shtetit të Kosovës, në shërbim të lindjes të së drejtës së veriut. Kjo e drejtë është në llogari të perspektivës për sovranitet, në llogari të së drejtës të shtetit të Kosovës. Në këtë dialog politik të padrejtë po lind e drejta e veriut. Kjo e drejtë e rrit shtetin e Serbisë dhe e zvogëlon atë të Kosovës.
Në emër të zgjerimit të BE-së në të ardhmen (në perëndim të Ballkanit), në zyren e Baroneshës Ashton në Bruksel aktualisht po zgjerohet Serbia (në veri të Kosovës). BE-ja po shikon se sa funksionon Qeveria e Kosovës për dialogun politik me Serbinë dhe jo se sa funksionon ajo për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. BE-ja për Kosovën ka një karrotë të vogël (premtimet e vagullta për liberalizim të vizave e MSA-në) dhe shkop të madh (EULEX-i dhe PSBE-ja), ndërkaq për Serbinë ka veçse karrotë të madhe pa shkop fare (negociatat për anëtarësim në BE).
Në dialogun politik me Serbinë në Bruksel, nuk është Baronesha Ashton ndërmjetësuese por vetë kryeministri Thaçi. Baronesha Ashton negocion me Daçiqin dhe Thaçi po e lehtëson këtë gjë. Daçiq ka qëndrim në dialog. Thaçi e ka dialogun për qëndrim. Thaçi funksionon si anestezist i amputimit të veriut. Ai është i nënshtruar ndaj Baroneshës Ashton dhe Daçiqit që kanë struktura ekzekutive në Kosovë. Në veri janë EULEX-i dhe MUP-i serb, jo Qeveria e Kosovës.
Nën dominimin e Brukselit dhe pikëvështrimit të tij, dialogu politik Thaçi-Daçiq po bën që Kosova e Serbia të duken si një entitet i vetëm ku pushtetin e mban koalicioni PDK-SPS.
Prishtinë, 13 nëntor 2012