(Prishtinë, 15. 02. 2012) – Qeveritarët kosovarë nuk po i respektojnë as institucionet që i kryesojnë. Në vend të diskutimeve brenda institucioneve, kryeministri preferon ujditë nëpër restorante. Gatishmëria e Qeverisë së Kosovës që të bisedojë me Serbinë për territorin e vendit dhe funksionimin e shtetit po na e zvogëlon territorin e po na e vështirëson funksionimin. Zmbrapsja e Qeverisë së Kosovës nga veriu i vendit dhe lejimi i hyrjes së mallrave të Serbisë e ka hedhur Kosovën në defensivë të thellë ku rënies nuk po i shihet fundi.
Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë u patën djegur pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Dy ditë para katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë po mbahet referendum kundër Kosovës në veri të vendit. Në fund të janarit 2012, i dyshuari për vrasjen e policit Enver Zymberi, Ratomir Bozhoviq, u lirua. Në fillim të shkurtit 2012, kryekrimineli, Zvonko Veselinoviq, po ashtu u lirua. Ky është konteksti në të cilin po përgatiten bisedimet për veriun e Kosovës. Prandaj kjo është arsyeja që rrezikojmë të hyjmë te legalizimi i situatës kriminale në veri.
Aktualiteti kriminal atje, dhe jo vetëm e kaluara kriminale në veri, përbëjnë padrejtësinë e tanishme dhe fajin për dëmet e ardhshme. Në dhjetor të vitit 1995, kryetari i Bosnjes, Alija Izetbegoviq, thoshte që Marrëveshja e Daytonit ishte një ilaç i idhët (gorak lijek). Atëbotë, Bosnja po e fitonte njohjen dhe sprapsjen e Serbisë mirëpo, njëkohësisht, edhe ajo po e njihte Serbinë brenda vetes së saj. Në Kosovë po bëhet edhe më keq se kaq: edhe po e fusin veriun në pazar me Serbinë, edhe po e zhbëjnë republikën në fusnotë.
Prandaj këtu s’kemi të bëjmë me pazar sepse Kosova nuk po fiton njohje për territor – Kosova po shpërfytyrohet si shtet teksa po rrudhet si territor. Kosova nuk po jep sepse po merr. Kosova po jep për shkak se po jep. Qeveria e Kosovës po e jep (Republikën) dhe po e jep (edhe veriun).
Për ngjashmërinë me Bosnjen është duke u kujdesur Serbia dhe Qeveria e pakujdesshme e Kosovës. Dikur, Milosheviqi u thoshte ndërkombëtarëve që, në njërën anë, s’po i kontrollon dot Karaxhiqin e Mladiqin, kurse, në anën tjetër, se nëse ata e braktisin, atëherë pas dere po pret Shesheli.
Sot, Tadiqi u thotë ndërkombëtarëve që bandat kriminale në veri të Kosovës s’i kontrollon as vetë ai, ndërkaq, nëse ndërkombëtarët nuk e mbështesin atë, pas dere po pret Nikoliqi. Mbase nuk është e rastësishme që strukturat ilegale dhe armiqësore të Serbisë në veri i formoi Milosheviqi, i vazhdoi Koshtunica dhe tash po i mirëmban Tadiqi.
Qeveria e Kosovës po i mbyll sytë karshi të përbashkëtës midis Milosheviqit dhe Tadiqit ndërkohë që orvatet t’i shohë dallimet ndërmjet tyre me sytë e Brukselit.
Kosova gjithmonë ka pasur nevojë që të zgjidhet çështja e veriut të saj. Dhe, kjo nuk ka ndodhur për gati 13 vite me radhë. Qeverive të pasluftës njëherë iu ka munguar vullneti ose dija, e më pastaj s’kanë pasur as interes për bashkimin e Mitrovicës.
Krerët politikë janë pasuruar tepër shumë në këtë situatë që t’i rrezikojnë sadopak pozitat e tyre. Me dialogun në Bruksel duket që tash synohet të bëhet njëfarë zgjidhje, mirëpo jo pse këtë gjë e ka nevojë Kosova, por Serbia. Prandaj kjo zgjidhje do të jetë zgjidhje e keqe – ajo do ta ndërlikojë problemin.
Në këtë kontekst, idetë për shkëmbimin e territoreve nuk janë alternativë e këtij dialogu. Me ose pa dashje, këto ide vetëm sa e arsyetojnë mosveprimin e Qeverisë në veriun e Kosovës. Ato paraqesin heqje dorë nga veriu ndërkohë që Luginën e Preshevës njësoj nuk e marrim. Teza e shkëmbimit territorial përfundon e asimiluar në dialogun aktual.
Me dialogun e Brukselit që është herë i drejtpërdrejtë e herë merr formën e diplomacisë fluturuese, Kosova po mbetet pa veriun e pa Republikën, e mbërthyer në fusnotë para të tjerëve dhe si një shtet kopje para vetes. Por, jo vetëm kaq. Edhe Serbisë po i rriten shumë gjasat që ta fitojë statusin e vendit kandidat në BE. Kështu, njëra humbje mundëson tjetrën humbje, njëri gabim sforcon gabimin tjetër, njëri dështim kushtëzon dështimin tjetër.
Qeveritarët kosovarë nuk po i respektojnë as institucionet që i kryesojnë. Në vend të diskutimeve brenda institucioneve, kryeministri preferon ujditë nëpër restorante. Gjithsesi kemi të bëjmë me mungesë elementare të vetëdijes shtetformuese.
“Rreth restorantit të përbashkuar”, ky pra është himni i kësaj koniukture qeverisëse. Në restorant ata duan ta hanë bashkërisht servimin e veriut të Kosovës Serbisë. I vetmi hall që ka kryeministri aktual nuk është preokupimi se çka po shitet (nga Kosova), por si do të shitet shitja (te populli i Kosovës).
Ai aspiron legjitimitet ndërkombëtar dhe legjitimitet vendës për shitjen e vendit që kurrsesi s’mund të jetë legjitime. E, megjithatë, është Lëvizja “Vetëvendosje” ajo që akuzohej se nuk është institucionaliste gjersa praktikon protestat e demonstratat në rrugë. Mirëpo, pikërisht “Vetëvendosje” është lëvizje e institucioneve e për institucionet. Protesta e demonstrata janë institucion duke qenë normë demokratike dhe liri e normuar. Restoranti s’është institucion, restoranti është e kundërta e institucionit. Aty qeveritarët kosovarë duan ta shpërndajnë fajin. Qeveritarët kosovarë që merren vesh për JO-të e buta para PO-së përfundimtare.
Qeveritarët kosovarë të cilët mendojnë lokalisht dhe nuk veprojnë kombëtarisht. Këta qeveritarë e kanë vetëm një karrotë për popullin e Kosovës: liberalizimin e vizave, më saktësisht, premtimin (vendës) për premtimin (ndërkombëtar) për liberalizimin e vizave. Në qershor bëhen dy vjet prej se zyrtarët e BE-së na e kanë premtuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Ky liberalizim funksionon si premtim për exit strategy për njerëzit si individë dhe jo për Kosovën si shtet. Ama Qeveria e Kosovës do të duhej të ofrojë exit strategy për shtetin me gjithë individët e jo për individët pa shtetin, apo jo?
Më e rëndësishme sesa kur BE-ja do t’ua japë vizat qytetarëve të Kosovës, është momenti kur populli i Kosovës do t’ua ndërpresë vizat qeveritarëve të Kosovës.
Postime të Lidhura
ISMAIL GASHI – SLLOVIA: MAQEDONIA VERIORE, ME TROJE ETNIKE E POPULL AUTOKTON SHQIPTAR!
Lypjan, 8 Prill 2020: Kontributi i deritashëm shkencor nga historia, etnografia, veçmas nga zbulimet arkeologjike dhe të arriturat…
XHEVAT BISLIMI: KOSOVA NUK MUNDET DHE NUK DUHET TË BËJË LËSHIME TË REJA
Viti, 18. 04. 2013 – Dialog, bisedime, marrëveshje, normalizim marrëdhëniesh… janë fjalët që po mbisundojnë në mediat tona…
ADNAN ABRASHI: KOSOVA DUHET TË SHKOJ NË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME!?
(Prizren, 31. 08. 2012) – Edhe pse vetë kam qenë ndër të parët parathënës (i zjarrtë) se kah…
GJOKË DABAJ: KUSH ËSHTË GRABITËSI MË I MADH NË SHQIPËRI?!
Durrës, 2. 7. 2016: Më 30 qershor 2016 ndodhi në Aeroportin e Rinasit një grabitje “spektakulare” e një…