(Pashtriku, 04. 02. 2013) – “Sa i përket rehatimit të dajëve, normalisht ne si parti politike e vlerësojmë shumë lart familjen se është qeliza e shtetit dhe ai që nuk e respekton familjen nuk e respekton as rrethin dhe askënd tjetër”. Kështu ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, më 24 dhjetor të vitit që lamë pas, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me bisedat telefonike të tij me kryeministrin Thaçi, ku ky i thotë këtij të fundit t’ia punësojë një dajë që Thaçi ia ‘ka lënë anash’. Përgjigja e këtillë e Grabovcit është në përputhje të plotë me moton më të re të PDK-së: Familja, Prona, Shteti. Pra, familja është e para kurdo e kudo përfshirë këtu edhe për pozitat më të larta shtetërore. Edhe për vetë kryeministrin, edhe për kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, edhe për të gjithë e secilin në këtë parti, në çdo çast e në çdo situatë, njëherë duhet rehatuar familja e pastaj, nëse mbetet kohë dhe energji, eventualisht kalohet edhe te qytetarët e tjerë të këtij vendi. Kjo Familje nuk është e vogël sepse nuk është e ngushtë: aty hyjnë edhe dajët, që më parë i bie edhe kushërinjtë e nënës sesa vetëm vëllezërit e saj.
Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos/nepotis që do të thotë nip. Grabovci e mishëron me saktësi këtë dukuri duke qenë një nip i mirë që interesohet me aq zell për punësimin e dajës së vet. Ai ndërhyn edhe në agjendën e kryeministrit i cili jo vetëm që s’e zmbraps dot këtë kërkesë të nipit Grabovci, por edhe i duhet të shfajësohet para tij duke u përgjigjur që nuk i është thënë ta kryejë këtë punë(sim). Ky nepotizëm par excellence që ka përfshirë edhe kreun e Qeverisë, prej Grabovcit quhet ‘respekt për familjen’. Privilegjet për të afërmit e tyre në llogari të interesit dhe parasë publike, Grabovci dhe të ngjashmit i quajnë veçse respekt. Sjellja e këtillë ështe tipike mafioze. Shërbimet kriminale që i kryen një familje mafioze ndaj tjetrës, ose një anëtar i familjes për një tjetër anëtar të familjes, interpretohen e përjetohen si respekt, përkatësisht si dëshmi e respektit për familjen. Për këtë mendësi nuk ka rëndësi institucioni publik a shtetëror para rëndësisë së familjes. Prandaj, institucioni publik e shtetëror janë, mbi të gjitha e para së gjithash, burime dhe mjete për familjen e kurrsesi qëllime të mbrama. Natyrisht, jo për të gjitha familjet e secilën familje, por për familjet e tyre, për Familjen e tyre. Kësisoj, nepotizmi nuk është më korrupsion – privilegjet për Familjen në kurriz të të drejtave të familjeve të tjera të popullsisë janë respekt! Njerëzit e Familjes arrijnë të tregojnë ‘respekt’ për Familjen e tyre, për dallim prej familjeve të tjera në Kosovë që nuk kanë nip të tyre në regjimin sundues.
Katërshja e djathtë e famshme e PDK-së, edhe djathtas skijojnë!
* * *
PRONTO….!
……………………………….
………………………………………..
……………………………………………………
………………………………………………..
Jorastësisht pra motoja më re e PDK-së që sublimon programin e tyre të ardhshëm partiak nis me Familjen. Pastaj vijnë Prona dhe Shteti. Renditja e këtyre koncepteve nuk është e tillë që kulmon me Shtetin. Nuk është familja në funksion të pronës që është në funksion të shtetit. E kundërta është e vërtetë: Shteti i shërben Pronës që i përket Familjes. “Familja, Prona, Shteti” do të thotë që Prona është Pronë e Familjes kurse Shteti është Shtet i Pronës. Familja: sepse nuk lanë familjarë pa punësuar deri te dajët e largët. Madje, pas asaj ‘Pronto’ dhe ‘Come stai?’ të bisedës Thaçi-Grabovci, Familja, në fakt, është ‘La Famiglia’. Prona: sepse është ajo që përvetësuan nga tenderët, privatizimi ose uzurpimet. Shteti (në fund): sepse kanë nevojë ta mbrojnë dhe shenjtërojnë atë që e vodhën e plaçkitën, pra shteti si mjet për dy të parat pasi që tashmë e kanë kapur shtetin duke e bërë atë shtet të kapur porsi një vegël.
Përveç renditjes së këtyre koncepteve të pranishme në këtë parullë, janë edhe konceptet që mungojnë ato që konsistojnë te kuptimi i asaj që kemi në këtë parullë. Askund nuk i kemi Shoqërinë dhe Kombin, por as Qytetarin dhe Individin. Familja, pra jo Shoqëria dhe as Individi. Prona, pra jo Qytetari. Dhe, Shteti, pra jo Kombi. Qytetari dhe Individi, Shoqëria dhe Kombi, duhet të jenë diku në shërbim të këtyre koncepteve të vizionit më të ri të PDK-së. Kushedi, shoqëria dhe kombi, qytetarët dhe secili individ, ndoshta edhe do të mund të zgjedhin se ku do të shërbejnë. Direkt te Familja, te Prona e Familjes ose te Shteti i Pronës. Zaten, me këtë parullë, e gjithë zgjedhja që mund të ofrohet në Kosovë është veçse e këtij lloji.
Me këtë moto të PDK-së që thotë se “Pronat tona Familjare na i ruan Shteti” po udhëhiqen zgjedhjet e brendshme në PDK. Si u lansua dhe instalua kjo parullë? Kush dhe kur e solli atë? Qysh prej anëtarësimit të tij në një nëndegë në Mitrovicë, me 2 nëntor, ishte Kadri Veseli ai që hyri në PDK me parullën “Familja, Prona, Shteti”. Mbase kjo ishte e drejtë e tij si person dhe në rast se ai fiton në fund të procesit zgjedhor në PDK dhe ka mbështetës të tjerë të mjaftueshëm, atëherë është e kuptueshme që kjo të shndërrohet edhe në emrin a titullin e programit të ri të PDK-së mandej. Mirëpo, përderisa ky nuk është zgjedhur dhe askush tjetër zyrtarisht nuk e ka mbështetur këtë parullë, është absurde dhe e padrejtë që ajo të ngjitet në panon e PDK-së në çdo degë të saj ku po mbahen zgjedhjet. Në pano, para delegatëve të degës, shkruante “Për Ferizajn/Prishtinën/Prizrenin etj. Europian” dhe aty afër, me shkronja të mëdha të dorës (që duket më autoriale dhe jo me shkronja të shtypit që mbesin disi industriale) figuron parulla “Familja, Prona, Shteti” me ngjyrë të bardhë në sfond të kaltër. Kjo parullë në pano tregon që secili që voton a garon në PDK, e bën këtë përbrenda kësaj parulle dhe për realizimin e saj.
Dy përfundime mund t’i nxjerrim qysh tash. Së pari, në fillim të vitit 2011, në Grupin Parlamentar të PDK-së, u pat bërë një puç me ç’rast kryetar i këtij Grupi nuk u bë Fatmir Limaj por Adem Grabovci. Tash, ky puç po vazhdohet edhe në PDK ku përmes kësaj farse prej zgjedhjeve të brendshme ShIK-u po e merr edhe partinë. (Mbase fati i ngjitjes së motos së Veselit paralajmëron se si do të ngjitet ai vetë në krye të PDK-së, po sikur motoja e tij: pa verifikim nga baza dhe si diçka që demoracinë formale e ka vetëm justifikim për ta legjitimuar një vendim që tashmë është marrë.) Së dyti, është e qartë që PDK-ja teksa hiqet si parti e qendrës së djathtë po profilizohet si një parti e djathtë neoliberale që kamuflohet me konservatorizëm. Por, fundja, qysh thotë sociologu Boaventura de Souza Santos: neoliberalizmi nuk është liberalizëm i ri, por konservatorizëm i ri.
Më 26 gusht 2012, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! patën ndërmarrë aksionin simbolik “Shitet prona, 26.300 euro” përpara shtëpisë së re të Kryeministrit Hashim Thaçi. Në asnjë prej fotografive që u botuan nuk mund të shihej e tërë shtëpia – për t’u fotografuar a xhiruar e gjithë kjo shtëpi në përmasën e saj duhej marrë një kuadër ku pastaj nuk shihej dot parulla jonë “Shitet prona, 26.300 euro” për shkak të largësisë që krijohej, kurse për t’u parë kjo parullë duhej bërë pak zoom dhe sakaq korniza e skajeve të kësaj shtëpie dilte jashtë kuadrit. Këtë aksion e bëmë atëherë kur Thaçi po e shiste Distribucionin dhe Furnizimin e KEK-ut për vetëm 26 milionë e 300 mijë euro. Patëm thënë që “Publikja është diçka që nuk bëhet private. Kompanitë publike do të duhej të ishin kompani të paprivatizueshme. Ato duhet të jenë interes kombëtar, strategjik e interes ekonomik dhe si të tilla duhet të mbesin publike.” Meqë Thaçi po e privatizonte publiken tonë, ne simbolikisht e publik(ëz)uam privaten e tij. Mirëpo, edhe si simbol kjo gjë ishte e padurueshme për të. Aktivistët asokohe u sulmuan nga roja e kësaj prone. Kur është në pyetje publikja e Kosovës, Thaçi thotë: Negociata, jo vetëvendosje!. Ndërkaq, kur vjen në pyetje privatja e tij, Thaçi reagon: jo negociata, vetëvendosje!
Albin Kurti – Prishtinë, 8 janar 2013
TAKIMI I VJETËR NJË SHEKULL
Dallimi ndërmjet Lupçe Georgievskit dhe Nikola Gruevskit është sikurse dallimi ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë. Këta dy kryeministra të Maqedonisë të kohës më të re, me aleancat e tyre, po e dëshmojnë që Maqedonia është tejartificiale. I pari konsideronte që maqedonasit janë bullgarë kurse ky i dyti po e fut Maqedoninë nën sqetullën e Serbisë.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, u shpreh i gatshëm. Në vizitën e tij dyditore në Shkup ai praktikisht e ofroi shtetin e Serbisë si një protektor për Maqedoninë. Ja se çfarë deklaroi ai: “Maqedoninë nuk e kërcënon kurrfarë rreziku nga veriu. As për ekzistencën dhe as për identitetin e saj. Kurse Serbia mundet vetëm të ndihmojë nëse ai rrezik kërcënon prej ndonjë ane tjetër. Në kuptimin politik, natyrisht.” Më eksplicite se kaq, për diplomacinë, do të konsiderohej banale.
Duke pasur parasysh asimetrinë që po shtohet në Ballkanin perëndimor sa i përket të drejtave të kombeve dhe pakicave kombëtare, gjithnjë në kurriz të shqiptarëve, Daçiq i tha Gruevskit që Serbia do ta mbrojë Maqedoninë nga rreziku, dhe, pas njëfarë pauze, sqaroi që megjithatë kishte menduar për ndihmë politike (sic.). Daçiq po e ndjen që shqiptarët e dëmtuar nga proceset aktuale (të negociatave që çojnë në koncesione dhe të koncesioneve edhe pa negociata) do të mund t’ju kundërvihen një ditë Serbisë e Maqedonisë së privilegjuar. Takimi Daçiq-Gruevski ishte në funksion të përjashtimit të përdorimit të autonomisë së veriut në Kosovë (që po e realizon Daçiq përmes Thaçit) si model për shqiptarët në Kosovën Lindore apo për ata në Maqedoninë perëndimore.
Daçiq e Gruevski në takimin e tyre janë marrur vesh për shtimin e vendkalimeve të reja midis Serbisë e Maqedonisë edhe për katër të tilla të reja, për projekte të përbashkëta në korridorin 10, të gazit dhe të hekurudhës, si dhe për ndërlidhjen ujore të lumenjve Danub, Morava e Vardar që shpie te Selaniku dhe porti detar i tij. Më tutje, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Maqedonisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët në muajin maj. Kjo nuk do të jetë një mbledhje ceremoniale por fillimi i një tradite të re në frymën e vjetër. Një mbledhje në Beograd, pastaj e dyta në Shkup, e treta sërish në Beograd e kështu me radhë. Në këto mbledhje nuk do të marrin pjesë i gjithë kabineti por ministritë e nevojshme. Kollaj mund të paramendohet se ministrat shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë nga radhët e BDI-së nuk do të jenë pjesëmarrës në këto mbledhje dhe mbase as që do të ftohen.
Daçiq e Gruevski i kanë konstatuar dy probleme ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë për të treguar që, në të vërtetë, nuk ka probleme. I pari, problemi kishtar, përkatësisht i mosnjohjes së kishës ortodokse maqedonase nga ajo serbe, u tha se është problem kishash e jo shtetesh. Ndërkaq, për të dytin, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia për dallim nga mosnjohja e Serbisë, Daçiq kishte kërkuar përmbajtje nga Gruevski përderisa zhvillohet dialogu politik Kosovë-Serbi në Bruksel dhe deri sa të arrihet kompromisi aty. Pra, meqenëse dialogu me Thaçin po i ecën mirë, Daçiqi e sheh Thaçin si shans për Serbinë dhe është optimist që do të arrihet kompromisi, andaj deri atëherë e do Maqedoninë të përmbajtur kundrejt Kosovës. E, pas atij kompromisit, kushedi, kalohet në fazën tjetër ku përmbajtjes i skadon afati.
Në të njëjtën kohë kur Gruevski po e mirëpriste Daçiqin në Shkup, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, po e mirëpriste ministrin e jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, në Moskë. Vështirë të jetë koincidencë protokollesh e gjithë kjo. Ashtu qysh nuk ishte e rastësishme që Daçiq në Shkup u mor aq shumë me shqiptarët. Le të mos harrojmë që viti 2012 shënonte 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, porse ky viti 2013 shënon 100 vjetorin e ndarjes së shqiptarëve në shtete të ndryshme nga fuqi të huaja. Mendësia e Daçiqit është ajo e kohës së luftërave ballkanike. Para se ai të jetë pasardhës politik i Milosheviqit, që të dy këta janë pasardhës ideologjikë të Nikola Pashiqit.
E, megjithatë, duket që Daçiq frikësohet që në të ardhmen do të mund të bëhet bashkimi kombëtar i shqiptarëve, por pa shkëmbim territorial. Prandaj, ai në ligjërimin e tij politik barazon bashkimin kombëtar të shqiptarëve me shkëmbimin territorial. Në fakt, bashkimi ynë kombëtar është pikërisht ai që s’bëhet duke shkëmbyer territore tonat (si në pazar) por duke respektuar vullnetin e popullit tonë (si një e drejtë). Veçse për të realizuar këtë nevojitet organizim i madh politik e program i panegociueshëm kombëtar. Dhe, nevojitet punë, shumë punë.
Albin Kurti – Prishtinë, 29 janar 2013
ISH KUNDËRSHTARËT
Pas takimit të katërt Thaçi-Daçiq, komunikata për medie nga zyra e Baroneshës Ashton, si zakonisht, ishte shumë e shkurtër. Tri paragrafe gjithsej, por me vetëm katër fjali gjithsej. Duke qenë se takimi kishte zgjatur më shumë se gjashtë orë, si zakonisht, kemi mungesë të theksuar të transparencës. Thuhet të kenë arritur ca marrëveshje që nuk u dhanë si tekst ndërkohë që kurrfarë transkripti a procesverbali të takimit nuk kemi. E, megjithatë, janë disa elemente eksplicite në këtë komunikatën e fundit që tregojnë për zhvillime domethënëse më 17 janar.
Së pari, ashtu qysh Beogradi renditet me kujdes para Prishtinës në fjali, njësoj edhe Kryeministri i Serbisë renditet para Kryeministrit të Kosovës. Tepër e shkurtër është komunikata dhe tepër e ndjeshme gjithë kjo çështje që të jetë neglizhuar kjo gjë. Më parë kemi të bëjmë me ca neglizhim specifik të njërës palë: jo me çështje thjesht teknike por me shprehje të rëndësisë që ndërmjetësuesi u jep palëve. Së dyti, nuk flitet më për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë por ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Në këtë kontekst, Serbia nuk e ka problem të quhet Beograd apo Beograd zyrtar. Krejtësisht ndryshe qëndron puna me Prishtinën zyrtare që duhet të insistojë të quhet Kosovë. Dhe, së treti, në fjalinë e fundit që ka bëjë me marrëveshjen e IBM-it të 4 dhjetorit 2012, thuhet qartë se ajo iu referohet katër pikave kaluese. Pra, nuk ka më kurrfarë ambiguiteti këtu: pikat kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë quhen veçse pika kaluese. Kështu i quan BE-ja si ndërmjetësuese dhe Qeveria e Kosovës po orvatet ta mashtrojë popullin e Kosovës dhe eventualisht vetveten.
Këto tri elemente eksplicite në këtë komunikatë të shkurtër të një takimi të gjatë rrëfejnë për zbutjen e kundërthënieve dhe dallimeve midis Thaçit e Daçiqit. Sa më shumë ambiguitet në një komunikatë, sa më shumë paqartësi e përgjithësime aty, aq më të mëdha do të kenë qenë kundërthëniet dhe diferencat në atë takim prej nga doli komunikata e tillë si konkludim. Anasjelltas, sa më shumë fjalë, shprehje e fjali eksplicite në komunikatë, me kuptim të anësuar e të saktë, aq më të zbutura kanë qenë në fund dallimet e kundërthëniet fillestare. Ambiguiteti (i deklaratës pas dialogut) është proporcional me kundërthëniet dhe dallimet (brenda në dialog).
Kur kemi parasysh përmbajtjen konkrete eksplicite në elementet përkatëse të lartpërmendura të kësaj komunikate, atëherë s’kemi si të mos konstatojmë që Thaçi bëri koncesione të turpshme në drejtim të pozicionit të Daçiqit. Platforma e tij e 14 janarit, e mbështetur edhe nga disa opozitarë, shënonte veriun e Kosovës me ‘V’ të madhe, nuk e përmendte askund Luginën e Preshevës, e qulli gjuhën për strukturat shtetërore të Serbisë duke mos i quajtur armiqësore, kriminale e ilegale, u zotua për Fond Zhvillimor të veçantë për veriun, dhe shprehu mirëkuptim për mosnjohjen e Kosovës nga Serbia. Prandaj, ajo sigurisht se përgatiti terrenin edhe për braktisjen e çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc atëherë kur atyre iu vodh lapidari i kryengritjes së tyre. Platforma e zbutjes së Qeverisë së Kosovës është platformë për fuqizimin e Serbisë kundër shqiptarëve – gjithçka në këtë proces të dialogut politik në Bruksel paralajmëron kompromise të reja me Serbinë e cila pa dyshim që është inkurajuar nga sjellja dhe mosveprimi i Qeverisë së Kosovës.
Se një e ardhme e këtillë që vjen prej Thaçit kryeministër nuk mund të realizohet pa ndryshimin e së kaluarës e dëshmoi vetë ai në një intervistë për gazetën ‘Novosti’ të Beogradit. Në pyetjen se si i duket bisedimi me Ivica Daçiqin, ai tha që ‘Atmosfera është pozitive, korrekte dhe konstruktive, si dy ish-kundërshtarë, tani gjendemi në situatë të dy palëve në dialog, në favor të popujve tanë’. Pra, Thaçi i zbutur nuk e konsideron Daçiqin armik, nuk e konsideron atë as kundërshtar, por vetëm si një ish-kundërshtar. Me këso (mos)qëndrimi ai s’ka se si ju del zot jo vetëm shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc por as shqiptarëve në Kosovë. Për marrëveshje me Serbinë nuk mjafton që ai të mos e konsiderojë më Daçiqin as kundërshtar se lëre më armik, por i duhet që edhe në të kaluarën të thotë se nuk e ka pasur armik por vetëm kundërshtar. Andaj, nuk është e çuditshme më pse Qeveria Thaçi dhe ministri i saj i brendshëm Rexhepi sulmojnë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s duke i konsideruar ata edhe më shumë se kundërshtarë, pra armiq, gjersa askund asnjëherë nuk ndeshen me strukturat shtetërore kriminale të Serbisë në Kosovë që i financon e dirigjon Qeveria Daçiq dhe ministri i saj i brendshëm (sërish) Daçiq. Sepse, tash e tutje Daçiq është veçse një ish-kundërshtar (sic.). Dikush këtu ka ndryshuar cilësisht dhe ai sigurisht që nuk është Daçiqi i cili së fundi në Preshevë e përsëriti në vepër qëndrimin e tij anti-shqiptar.
Ndërkohë, BE-ja, por edhe ShBA-të, besojnë që përmes këtij dialogu politik me Kosovën do të mund ta largojnë Serbinë nga Rusia. Thaçi aty është material shpenzues i cili, më tej, po e shpenzon Kosovën si buxhet, territor e pasuri. Dobësimi i Rusisë në Ballkan që ka për pasojë forcimin e Serbisë, në fakt, nuk është kurrfarë dobësimi i asnjërës prej këtyre por forcim i të dyjave. Me këtë qasje të tyre karshi Serbisë, BE-ja dhe ShBA-ja po gabojnë rëndë. Problemi është se gabimin e tyre do ta paguajmë më shumë ne se vetë ato.
Albin Kurti – Prishtinë, 22 janar 2013
PLATFORMA E THAҪIT ME DISA OPOZITARË PËR KOMPROMIS ME SERBINË E DAҪIQIT
Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj aq shumë e aq shpesh kanë theksuar se s’kemi pse merremi me Rezolutën e Platformën e Serbisë saqë ajo mbase edhe nuk duhej lexuar fare sipas tyre. Njëkohësisht, vazhdonin ata, Kosova nuk ka pse harton Platformë të saj për dialogun politik meqenëse ne s’duhet ta imitojmë Serbinë dhe fryma, germa e vijat e kuqe për neve tashmë i ka shkruar ish Presidenti finalandez Marti Ahtisaari. Sidoqoftë, kryeministri Thaçi i mblodhi pardje krerët partiakë të koalicionit qeverisës dhe ata opozitarë që s’e kundërshtojnë dot, për të përpiluar një dokument i cili si në strukturë po ashtu edhe në përmbajtje i ngjan pikërisht një Platforme për dialogun politik me Serbinë.
Shumëçka do të mund të thuhej për këtë Platformë dhe kontekstin e saj politik, mirëpo këtu po kufizohem në pesë elemente që m’u dukën më të rëndësishme. E para, kjo Platformë i referohet territorit gjeografik në veri të lumit Ibër në Kosovë si Veriu i Kosovës, pra me ‘V’ të madhe thua se bëhet fjalë për një entitet të veçantë, tërësisht në përputhje me aspiratat e Serbisë. Së dyti, problematizimi i strukturave shtetërore të Serbisë në Kosovë kufizohet vetëm te ato të MUP-it famëkeq duke mos i quajtur ato as armiqësore, as kriminale dhe, në fillim, as ilegale, por vetëm struktura të sigurisë. Më tej, kërkohet veçse largimi i këtyre strukturave, gjë që paraqet një lloj amnistie për krimet e tyre të panumërta në këto vitet e pasluftës. Së treti, është ofenduese që kjo Qeveri të zotohet që do të themelojë ‘Fondin Zhvillimor për Veriun’ në kohën kur edhe qasja e vizioni, edhe buxheti shtetëror, sipas kësaj Qeverie e vitet e saj të qeverisjes, mund të jenë gjithçka tjetër përveçse zhvillimore. Së katërti, asnjë fjalë nuk thuhet në këtë Platformë për Luginën e Preshevës, përkatësisht Kosovën Lindore, ashtu qysh e kishim parashikuar qysh moti. Dhe, së pesti, fjalia “Natyrisht, ne e kuptojmë që Serbia nuk do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi…” shfaq mirëkuptim sa të çuditshëm aq edhe të dëmshëm të Thaçit dhe të të tjerëve për Serbinë. Kjo do ta trimërojë Serbinë dhe do të ketë pasoja të mëtutjeshme në zbutjen e qëndrimit të faktorëve ndërkombëtarë karshi saj.
Platforma e Qeverisë së Kosovës me të cilën u pajtuan edhe disa opozitarë po e përgatit terrenin për kompromisin e radhës për Kosovën. Ky kompromis nis me veriun por zgjatet edhe te njëfarë bashkësie e komunave me shumicë serbe si dhe sërish te trashëgimia kulturore ortodokse. Meqë ky dialog nuk bazohet në drejtësi ai s’mund të sjellë drejtësi. Nuk është i bazuar në drejtësi sepse nuk ka asnjë parakusht për Serbinë dhe aty dialogohet veçse për çështje të brendshme të Kosovës. Nuk do të sjellë drejtësi andaj më shumë koncesione drejt marrëveshjes së kompromisit do të kërkohen nga pala më e dobët e që në këtë rast është Kosova.
Bashkimi Evropian dhe Serbia pajtohen që ndërmjet idesë së ndarjes së Kosovës dhe Planit të Ahtisaarit ekziston një hapësirë. Zyrtarë të shumtë të BE-së që janë preokupuar me rajonin e Ballkanit perëndimor, në kohëra dhe forma të ndryshme, e kanë pohuar këtë gjë. Këta zyrtarë evropianë dhe qeveritarët serbë mund të mos pajtohen për madhësinë e asaj hapësire por jo edhe për faktin nëse ajo ekziston. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës duket se pretendon të kundërtën, së paku deklarativisht e para publikut kosovar. Mirëpo, kjo Platformë tash porsi edhe vetë hyrja në dialog me Serbinë më herët, e demantojnë Qeverinë e Kosovës.
BE-ja dhe Serbia po nxitohen për njëra-tjetrën, kurse Kosova po përfundon si dëm kolateral. Thaçi është këtu në Kosovë (dhe jo vetëm atëherë kur shkon atje në Bruksel) për ta riemëruar këtë dëm si ndonjëfarë fitore të Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është abnormalizim i veriut dhe i krejt Kosovës. E gjithë kjo për normalizim të marrëdhënieve të Thaçit me BE-në ku ky jep shtetësi e territor të Kosovës ndërkaq merr imunitet politik nga EULEX-i për korrupsionin e tij. Po ky kryeministër që para disa muajve thoshte që nuk do të ketë dialog politik me Serbinë, kurse para disa javëve që nuk do të dialogojë me Serbinë për veriun e Kosovës, tash na thotë që nuk do të lëshojë pe në këtë dialog politik i cili qartazi me 17 janar 2013 do të jetë (edhe) për veriun e Kosovës. Siç e tha vetë Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Baroneshës Ashton: “Raundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd do të jetë më i vështirë se takimet e tjera të mbajtura deri më tani dhe tema e veriut do të jetë temë kryesore”.
Dihet që Serbia është faktor destabilizues dhe destruktiv në Kosovë. Nëpërmjet dialogut politik në Bruksel me Kosovën e për Kosovën, Serbia po legalizohet si faktor stabiliteti dhe faktor konstruktiv në sytë e BE-së. Kësisoj, ajo po ribëhet hisedare në stabilitetin dhe ndërtimin institucional në Kosovë. Nga këndvështrimi i BE-së, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë komplementare në Kosovë si faktor stabilizues e ndërtues. ‘Normalizimi i marrëdhënieve’ ndërmjet Kosovës e Serbisë është sajimi i kësaj marrëdhënie komplementare në Kosovë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.
Albin Kurti – Prishtinë, 15 janar 2013