VLERAT E ARTIZANATIT TË KUKËSIT

Pashtriku.org, 18. 05. 2015 – “Cuc Lumjane të lumshin duart o, artizane end qilymat o”. Këto janë vargjet e shkëputura nga një këngë popullore, e thurur enkas për artizanet kuksiane. Prodhimet e endura nga duart e tyre janë funksionale edhe sot e kësaj dite. Nga qilimat, sixhadetë, velenxat, e deri te flamuri kombëtar e çantat me motive nga treva lumjane, gjithçka nis nga endja dhe puna në vek (tezgjah). Janë karakteristike dhe të lashta motivet popullore që përdoren në prodhimin e qilimave dhe sixhadeve me kombinime shumëngjyrëshe me shije të hollë artistike, të cilat nuk mund të gjenden në asnjë zonë tjetër në Shqipëri.
Na ishte njëherë…
Shumë e lashtë vjen te gratë tradita e punimin të leshit në avlëmend. Leshi përdorej në prodhimin e veshjeve dhe të gjitha pëlhurave që i nevojiteshin një shtëpie. Fakti që Kukësi ka qenë shumë i izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë, për mungesë të infrastrukturës rrugore, ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e traditave të artit popullor që vjen pothuajse i pandryshuar deri në ditët tona. Janë karakteristike dhe të lashta, motivet popullore që përdoren në prodhimin e qilimave dhe sixhadeve me kombinime shumëngjyrëshe me shije të hollë artistike, të cilat nuk mund të gjenden në asnjë zonë tjetër në Shqipëri. Në vitet 1963 në Kukës filloi të funksiononte një ndërmarrje artizanati e madhe, e cila kishte 1000 punëtore në qytet dhe 200 në fshatin Bicaj. Kjo ndërmarrje punonte kryesisht për eksport. Artikujt që prodhonte ajo ishin sixhade, qilima, punime artistike me kashtë, thupra shelgu e të tjerë. Me ndryshimin e sistemit politik, në vitin 1992, kjo ndërmarrje pushoi së funksionuari dhe prodhimi u ndërpre për gati 20 vjet.

Gjurmët e pashlyera…
Tani që kushtet kanë ndryshuar dhe Kukësi nuk është më një qytet i izoluar, sepse ai lidhet me Tiranën në një kohë prej 2 orësh, nëpërmjet një autostrade moderne që e lidh me pjesën tjetër të vendit dhe gjithashtu për 15 minuta lidhet me këtë autostrade edhe me qytetin e Prizrenit në Kosovë, është rizgjuar interesi për prodhimet artistike të traditës dhe kanë filluar përpjekjet për të organizuar biznese të vogla private. Këtu kanë filluar të organizohen panaire të prodhimeve të artizanatit në Kukës dhe në të ardhmen organizatat e grave do të zgjerojnë gjeografinë e këtyre panaireve në Shqipëri, por edhe te fqinjët e saj. Janë më shumë se 30 gra të zonës së Kukësit që janë trashëgimtaret e artit të vjetër të artizanatit veriorë. Përmes shoqatave të grave të kësaj zone, tradita e artizanatit po trashëgohet edhe te brezi i ri në këtë zonë. “Punimet në vek (tezgjah) i kam mësuar qëkur isha në moshë shumë të re, i kam trashëguar nga nëna ime dhe unë po ua lë vajzave të mia këtë profesion kaq të bukur”, tregon Mane Cahani, artizania e zonës së Hasit në Qarkun e Kukësit. Artizanet e zonës veriut janë shumë të pasionuara pas punëve të tezgjahut. Madje, një pjesë e tyre thurin edhe pëlhurat e moçme që u nevojiten për të prodhuar veshje kombëtare.

Qilimat dhe sixhadetë
Tregtia e tezgjahut në Qarkun e Kukësit sa vjen e shtohet. Shkëmbimi i përvojës me Kosovën dhe Maqedoninë janë dhe shkaqet kryesore që bëjnë të mundur lulëzimin e traditës së moçme. “U përmbahemi modeleve të vjetra dhe ruajmë me fanatizëm punën e tezgjahut me motivet dhe ornamentet e modeleve shumë të moçme që ne i ruajmë nga të parët tanë”, tregon artizania kuksiane. Në qarkun e Kukësit tashmë janë bërë shumë të njohura artizanet. Ato përveç qilimave e sixhadeve, që bëjnë për nevojat e familjeve tyre, kanë nisur edhe biznesin familjar në këtë fushë. Tregjet e kësaj ane janë të mbushura plot e përplot me punime artizanale. “Ende kërkohen në pajat e vajzave prezenca e qilimave dhe sixhadeve. Ka nga ato familje që vijnë e na porosisin në shtëpi, por ka dhe nga ato që i blejnë në treg, ku ne i tregtojmë” vijon së treguari artizania kuksiane. Tregtia me artikujt e punuara nga dora e artizaneve nuk përfundon me kaq. Tashmë artikujt shqiptarë i kanë kaluar kufijtë shtetërorë. Sixhadetë dhe qilimat kuksiane tashmë janë artikujt më të shitur dhe më të pëlqyera edhe në Europë dhe Angli. “Kam shitur për disa anglez plot 8 qilima që më kanë kërkuar dhe jam ndier shume e vlerësuar nga ata. Ma kanë pëlqyer jashtë mase punën dhe vetëm nga shitja e tyre unë kam mundur të jem në gjendje të përballoj jetesën”, përfundon së treguari artizania kuksiane.

***
Bisedë me etnografen Afërdita Onuzi e cila flet për riprodhimin e veshjeve tradicionale.
Specialistja e traditës u bën thirrje artizaneve: “Ruajeni origjinalitetin e artizanatit dhe veshjeve të moçme kombëtare” Është shumë e pasionuar pas profesionit. Telefonatën e takimit e pret shumë përzemërsisht. Madje është jashtë mase e entuziazmuar teksa nis e bisedon për traditën shqiptare, e sidomos atë të zonës së veriut. Kjo është dhe prof. dr. Afërdita Onuzi, etnografja dhe studiuesja e njohur e traditës. Ajo është në dijeni të të gjitha risive që ndodhin në fushën e traditës kulturore mbarëshqiptare.
Tradita shqiptare po ruhet apo po shuhet?
Prof. dr. Afërdita Onuzi:
Përkundrazi, tradita asnjëherë nuk shuhet, në asnjë zonë të Shqipërisë nuk haset fenomeni i shuarjes. Por, nuk mund të lë pa përmendur se tradita nuk shuhet plotësisht, por ka marrë pamje të tjetërsuar në disa elemente të saj.
Në zonën e veriut ka nisur biznesi në masë me qilimat, sixhadetë dhe veshjet kombëtare. Çfarë mendimi keni për këtë risi që sa vjen e zhvillohet?
Prof. dr. Afërdita Onuzi:
Unë si etnografe jam pro risive të tilla. Aq më shumë që zona e Kukësit dhe krahina e Hasit është ndër krahinat më të veçanta në të gjithë Shqipërinë. Qilimat, sixhadetë dhe veshjet që prodhohen nga gratë e Hasit nuk janë autoktonia e kësaj zone. Ajo është huazuar nga marrëdhënia e fqinjësisë së mirë me Tropojën dhe Pukën dhe, më pas, është kthyer si më e preferuara e zonës.
A është ruajtur origjinaliteti në veshjet e reja?
Prof. dr. Afërdita Onuzi:
Edhe vetë si etnografe, por edhe institucioni që unë përfaqësoj gjithmonë i ka mbështetur dhe e mbështet zhvillimin e traditës. Veshjet që prodhohen në zonën e Hasit në këtë periudhë janë të pranueshme, sepse e kryejnë funksionin e kërkuar, pavarësisht se prodhimet në këtë zonë e ruajnë të paprekur vetë mbështjellakun e kuq, pjesë kjo e veshjes tradicionale. Në festivalet folklorike ne si institucion ua kërkojmë riprodhimin e veshjeve kombëtare duke u bazuar në modelet e vjetra, që ato të jenë më afër ngjyrave dhe natyrës së veshjeve të moçme.

Prof. dr.Afërdita Onuzi, etnografja dhe studiuesja e njohur e traditës.

Çfarë të veçante ka zona e Hasit?
Prof. dr. Afërdita Onuzi:
Përsa i përket veshjeve tradicionale, zona e Hasit është një ndër zonat më të veçanta në Europë dhe në Ballkan. Kam kërkuar në muzetë më të njohur në Ballkan, por nuk kam hasur askund dekor të tillë asimetrik, siç e ka zona e Hasit. Këmishat e kësaj zone janë dhe dekoret më të realizuara dhe më të veçanta në të gjitha trevat mbarëshqiptare. Në zonë e veriut vitet e fundit ka filluar të zhvillohet në masë jo vetëm prodhimi, por dhe përdorimi i veshjeve kombëtare. Është një thirrje e brendshme që u bëhet çifteve të reja për përdorimin e veshjeve tradicionale. Shumë çifte të reja veshjen kombëtare e kanë prezentë në ditët e dasmave dhe të gëzimeve të tjera familjare. Ky fenomen ka nisur të vërehet dhe te fëmijët e vegjël në zonën e veriut.
Çfarë do t’u rekomandoje artizaneve?
Prof. dr. Afërdita Onuzi:
Të gjithë përkrahësve të traditë dhe, gjithashtu, atyre që kanë nisur biznesin me veshjet kombëtare, u rekomandojmë ta ruajnë me fanatizëm traditën dhe të fillojnë të bëjnë turizëm me elementet e duhura. Të fillojnë të prodhojnë çanta dhe tapete të vogla funksionale, në mënyrë të tillë që të gjithë të kenë në familjet e tyre një copë nga tradita origjinale shqiptare. Jo vetëm kaq, por duhet dhe një përkrahje nga instancat shtetërore për të bërë të mundur mbështetjen e artizaneve dhe zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri.

Shkruan: Agim Kastrati – Basha, Kukës 24/10/2013

***

ARTIZANËT NË KUKËS PREZENTOJNË PUNIMET E TYRE
Ekspozohen edhe veshje të përgatitura 100 vjet më parë

Punime të përgatitura nga artizanet e Kukësit u ekspozuan për publikun e gjerë verior. Përveç sixhadeve, qylymave, kostume popullore të përgatitura kohët e sotme, nuk munguan edhe veshje të punuara 100 vjet me parë. Shkurte Dauti nuk ka harruar ta marrë vekun me vete. Gjysmë shekulli duke thurur sixhade, qylyma, veshje e kostume popullore. Trashëgimia nga të parët, i dha asaj mundësi të ngrejë ekonominë për familjen e saj. Në këtë panair në Kukës gjen punime që datojnë në shekullin e 19’të, e që janë ruajtur me fanatizëm. Edhe pse invalide Zyhra Ahmetaj ka ardhur nga Bajram Curri me një numër të madh veshjësh e punime dore. Në këtë panair të cilësuar si ndër modelet e panaireve artizane të krahinës së Lumës, Hasit dhe Malsisë së Gjakovës, nuk mungoi studiuesja e trashëgimisë kulturore dhe etnografike Afërdita Onuzi. Veç pjesmarrësve të shumtë me punimet e tyre ishin edhe drejtues vendorë, çartistë e historianë të Kukësit. (ABC-NEWS 24/7, 30 shtator 2013)
Burimin lexoni këtu: http://www.abcnews.al/lajme/kulture/4/34657

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura