Prishtinë, 11. 07. 2013 – (Fjalimet e Albin Kurtit, Albana Gashit, Afrim Hotit, Glauk Konjufcës dhe Albana Haxhiut në seancën e sotme parlamentare për Projektligjin për amnisti) – Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e sotme parlamentare për Projektligjin për amnisti – Para një viti lajmet dominoheshin nga premtimi qeveritar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Më 10 shtator 2012 trumbetohej se si Kosova tash e ka pavarësinë e plotë dhe se u hoq mbikëqyrja ndërkombëtare. Sot, jo vetëm që nuk kemi pavarësi të plotë, por u vërtetua plotësisht ajo që thoshim ne të VETËVENDOSJE!-s: së pari, mbikëqyrja po hiqet për të filluar dialogu politik për veriun, me ç’rast Pieter Feith do të duhet të shkonte në dialog nëse nuk shkon nga Kosova, sepse ai ishte kreu i vërtetë i shtetit dhe i qeverisë e jo Jahjaga apo Thaçi; dhe, së dyti, tash e tutje mbikëqyrja joformale do të jetë edhe më e rëndë sesa ajo zyrtare. Ndikimet ndërkombëtare për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë dhe për projektligjin për amnisti janë edhe më të rënda sesa para 10 shtatorit të vitit 2012. Ashtu qysh zgjedhjet për këtë Kuvend nuk ishin të lira, edhe zgjedhjet në këtë Kuvend nuk janë të lira.
Në memorandumin shpjegues të këtij Projektligji thuhet që amnistia bëhet duke pasur parasysh rrezikshmërinë e ulët të personave që amnistohen. Mirëpo, këtu kemi një kundërthënie logjike: rreziku ka të bëjë me qëllimin e synimin e kriminelëve, ndërkaq këtu kriminelët amnistohen për nga pasoja , pra, nëse kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore ose vrasje. Nëse dikush ka shkaktuar lëndime të lehta trupore ose dëme të mëdha materiale sikurse ato nga zjarrvëniet, kjo nuk do të thotë që ai është i parrezikshëm, por që nuk ka qenë i suksesshëm në atë moment, për fatin e mirë të atyre që u sulmuan.
…………………………………
Albin Kurti: Sot kemi dy lloj deputetësh:
deputetët e krimit dhe deputetët kundër krimit! 11.07.2013
Ky Projektligj shpreh kufizim vetëm te rastet që kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore ose vrasje. Ata që janë sulmuar për t’u vrarë, por kanë pësuar lëndime trupore që nuk cilësohen të rënda, do të amnistohen. Pra, marrëdhënia e këtillë e shtetit të Kosovës me kriminelët, jo vetëm në veri, është e organizuar rreth efikasitetit të kriminelëve e jo vlerave të republikës e normave të drejtësisë.
Janë bërë edhe kërkesa që ky Projektligj duhet të kufizohet vetëm në ato tri komuna e gjysmë në veri. Mirëpo, porsa ta lexoni marrëveshjen 15 pikëshe Thaçi- Daçiq e kuptoni që kjo nuk është e mundur: asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm i komunave në veri të Ibrit, por gjithandej nëpër Kosovë; dhe, strukturat kriminale e armiqësore të Serbisë ka anekënd Kosovës e jo vetëm në veri. Prandaj, ky Projektligj nuk është i kufizuar në territorin e komunave në veri. E, natyrisht që këtu po i kontrabandojnë edhe krimet e Xhabirave për t’i amnistuar. Kjo Qeveri është Qeveri e kontrabandës. Ajo kontrabandon mallra në treg e njerëz në politikë, ligje në Kuvend e marrëveshje me Serbinë në shtet.
Pardje, pra të martën, pas takimit me Baroneshën Ashton në Beograd, kryetari i Serbisë, Nikoliq, pati një konferencë të përbashkët me të e ku ishte edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq. Aty Nikoliq deklaroi që për të kërkuar diçka nga Serbia duhet t’i jipet njëherë diçka asaj. Dhe, vetëm dy minuta më herët gjatë fjalës të tij, ai kishte thënë që bashkësia serbe do ta ketë policinë e vet, komandantin e vet rajonal i cili do të jetë nën jurisdiksionin e Prishtinës, aq sa është edhe komandanti i Rashkës nën jurisdiksionin e Prishtinës! Pra, brenda të njëjtës fjalë të tij pesë minutëshe ai thotë dy gjëra interesante: në njërën anë thotë që komandanti rajonal për veriun do të jetë nën jurisdiksionin e Prishtinës, aq sa është komandanti i Rashkës, dhe në anën tjetër ai thotë se nuk mund t’i kërkosh diçka Serbisë pa i dhënë njëherë. Afër tij ishte edhe kryeministri Daçiq e këtyre të dyve po i beson kryeministri Thaçi, i cili po merret vesh me ta. Amnistia e strukturave të Serbisë në veri po ndodh pa u bërë çarmatosja e demilitarizimi në veri të Kosovës. Mos harroni që në veri të Kosovës ka më shumë armatim sesa në të gjithë Kosovën. Duke amnistuar krimet e Serbisë, më parë sesa integrim të veriut në Kosovë do të kemi integrim të Kosovës në veri.
Pas takimit me Baroneshën Ashton, Thaçi tha se kjo amnisti i afron e i pajton njerëzit! Kjo ka kuptim vetëm nëse konsiderohet që kriminelët serbë paskan pasur të drejtë të jenë të hidhëruar, dhe tash pasi që i falin, ata do të pranojnë të pajtohen me shqiptarët! Me këtë qasje, kryeministri Thaçi po e kriminalizon rezistencën ndaj Serbisë dhe luftën tonë çlirimtare. Thaçi po synon pajtim. Mirëpo, historia na e dëshmon që kërkesa për pajtim është kërkesë e xhelatit dhe jo e viktimës. Në asnjë situatë, në asnjë kohë, nuk është viktima ajo që kërkon të pajtohet me xhelatin, por është xhelati ai i cili kërkon të pajtohet me viktimën. Thaçi po e merr rolin e xhelatit kur kërkon pajtim dhe këtë po e bën në emër të gjithë Kosovës.
Ky kryeministër ka qejf të na e përkujtojë vazhdimisht qysh NATO-ja na e paska shpëtuar Kosovën. Le ta marrim për të mirëqenë këtë përshtypje, pa rezervë. Mirëpo, sot NATO-ja nuk mund ta shpëtojë Kosovën. I vetmi njeri që mund ta shpëtojë Kosovën është kryeministri Thaçi. Vetëm kryeministri Thaçi mund të na e shpëtojë Kosovën. Vetëm ai mund të bëjë diçka që nuk e bën dot as NATO-ja, as BE-ja e as SHBA-ja. Mirëpo, për këtë qëllim madhor kryeministri Thaçi duhet ta bëjë një akt madhor – të shkoj në burg. Përderisa ai është në lirë Kosova vetëm sa do të fundoset. Kryeministri në burg, shpëton Kosova. Kryeministri në liri e në pushtet, fundoset Kosova. Prandaj, unë i bëj thirrje kryeministrit Thaçi të shkojë e të dorëzohet te EULEX-i, të cilin vetë e ka ftuar, ose, edhe më mirë, le të shkojë te prokuroria e Kosovës dhe të rrëfehet aty gjerë e gjatë për të gjitha krimet e gjithë korrupsionin që e ka bërë. Sulmet mbi Kosovën do të ndalen, nuk do të jetë aspak e domosdoshme të bëjmë dialog me Serbinë pa kushte për Serbinë e për çështje e të brendshme të Kosovës . Ky kryeministër i korruptuar e i shantazhuar është edhe mundësia edhe kushti i këtij dialogu makabër me Serbinë, që po na e bosnjëzon Kosovën.
Dëshmorët e patën sakrifikuar veten për Kosovën, ndërkaq Thaçi po e sakrifikon Kosovën për veten e tij. Pra, Thaçi është anti-dëshmor. Të këqijat kryesore në Kosovë ndodhin vetëm që Thaçi të mos shkojë në burg. Edhe privatizimet e egra, ku shiten ndërmarrjet më lirë se falas, edhe koncesionet e panumërta ndaj Serbisë, të gjitha këto bëhen vetëm dhe vetëm që Thaçi të mos shkojë në burg. Edhe gjahu e persekutimi ndaj ish- pjesëtarëve të UÇK-së ndodh pikërisht pse ky kryeministër nuk merr përgjegjësi. Nuk ka burg në Kosovë që nuk ka pjesëtarë të UÇK-së. Në burgun e Hagës nganjëherë kishte më shumë shqiptarë sesa serbë. Gjithnjë për shkak se ky kryeministër do pushtet lartë pa përgjegjësi poshtë.
Në një intervistë me gazetaren Jeta Xharra para disa viteve, kur ajo iu drejtua kryeministrit me nofkën “komandant gjarpri”, ky tha: jo, s’kam qenë komandant, jam marrë me politikë si drejtor i drejtorisë politike. Qerthulli vicioz në Kosovë është ai i kryeministrit mizor ndaj qytetarëve dhe servil ndaj ndërkombëtarëve, i cili anash e ekspozon UÇK-në ndaj EULEX-it. Kjo është ajo që po e tjetërson edhe të kaluarën e Kosovës se lërë më që po e errëson të ardhmen.
Qëndrimi që duhet të votohet ky Projektligj për amnisti për shkak se kjo parashihet në planin e zbatimit nuk është i qëndrueshëm. Plani i zbatimit nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Plani i zbatimit është miratuar vetëm në Qeveri në e Kosovës. Prandaj, ka kuptim kur vetëm ndonjë qeveritar thotë miratojeni Projektligjin për amnisti për shkak se e kemi kaluar në Qeveri. Mirëpo, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe aq më pak deputetët opozitarë nuk do të duhej kurrsesi të thonë që ne po e miratojmë këtë Projektligj, për shkak se është në planin e zbatimit. Plani i zbatimit është plani i zbatimit të Thaçit jo i yni.
Sot në këtë Kuvend nuk ka demokraci. Fakti, që kemi ardhur në situatë ku duhet të votojmë PËR ose KUNDËR këtij Projektligji kriminal tregon se sa poshtë ka rënë Kosova dhe dëshmon që këtu nuk ka demokraci. Prandaj, sot asnjëri deputet nuk i përfaqëson as qytetarët dhe as votuesit. Asnjëri prej jush nuk ka folur në fushatë e nuk e ka në program një këso projektligji. Prandaj, këtu sot kemi dy lloj deputetësh,varësisht sesi do të votojnë: deputetët e krimit dhe deputetët kundër krimit!
i11 korrik 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
=======================
Fjalimi i Albana Gashit në seancën e sotme parlamentare për Projektligjin për amnisti
Projektligji për amnisti i ri-kthyer sot në Kuvend, në mënyrë antikushtetuese, i jep të drejtë dhe i falë kriminelin-barrikadistin Veselinoviq dhe shërbimin sekret të PDK-së, SHIK-un.
Për ta njoftuar opinioni publik për përmbajtjen e këtij Ligji, më saktësisht për ata të cilët përfitojnë nga ky ligj, unë do t`i përmend disa shkelje konkrete të cilat do të amnistohet përmes këtij Ligji:
Me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, 25 u plagosur me armë zjarri, 93 tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar ndërsa 1.564 familje me 11.364 anëtarë janë dëbuan nga shtëpitë e tyre;
Me 17 mars 2004, dy fëmijë shqiptar në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër. Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona po atë natë treguan se ata ishin ndjekur nga serb, dhe se ata ishin duke ikur kur disa nga bashkatdhetarët e tyre u mbytën në lumë;
Me 18 shkurt 2008, një ditë pas shpalljes së pavarësisë u dogjën pikat doganore 1 dhe 31 në Berrnjakë nga një grup serbësh;
Hyrja e strukturave paralele në gjykatën në veri të Mitrovicës 14 mars 2008;
Pengimi i ndërtimit të ujësjellësit në Suhodoll, korrik 2008;
Moslejimi i Ali Kadriut për ta rinovuar shtëpinë e tij duke shtier edhe me automatik, 2008;
Rrahjet dhe frikësimet e banorëve shqiptarë në Lagjen e Boshnjakeve;
Barrikada dhe uzurpimi i ndërtesës së Komunës së Shtërpcës, korrik 2008;
Ardhja e deputetëve nga Serbia në Zveçan për seancë parlamentare me 17 shkurt 2009;
Pengimi Uzurpimi i linjës hekurudhore në Zveçan me 14 dhjetor 2008;
Inaugurimi dhe funksionimi i PTT-së së Serbisë në Graçanicë me 22 dhjetor 2008;
Pengimi i Sheremet Ahmetit për të vizituar stacionet e policisë në veri me 5 mars 2009;
Më pastaj, me 25 korrik 2011, gjatë një ndërhyrjeje të forcave speciale në veriun e Kosovës për të marrë kontrollin e pikave 1 dhe 31, u vra pjesëtari i kësaj njësie Enver Zymberi nga strukturat kriminale e të paligjshme të Beogradit;
Prill 2012, si rezultat i një sulmi me mjet eksplodues,vritet në banesën e tij Selver Haradinaj dhe plagosen fëmijët dhe gruaja e tij;
Me 19 prill të po këtij viti, demolohet pika statike në pikën kufitare 1 në Bernjakë.
Nëse miratohet ky projektligj, atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës lirisht mund ta shpallin Kosovën zonë të lirë të krimit dhe bashkë me të amnistuarit kriminelë mund të quhen lirisht edhe ata që votojnë për.
Ky projektligj përveç krimeve ne veri amniston edhe ato krime në Kosovë, si:
Veprimtaritë mjekësore ose farmaceutike – ku ashiqare vërehet se ka për qëllim ti amnistoj të gjithë rrethin e mjekeve, politikaneve dhe kriminelëve e biznesmenëve te lidhur me PDK-ne, te cilët ishin të përfshirë ne rastin Medicus për transplantim te organeve;
Lirimi nga ndjekja penale te shume zyrtarëve e kryetareve të komunave që vijnë nga PDK;
Asgjësimin apo dëmtimin e pasurisë, mashtrimit kërcënimit e fyerjeve, uzurpatorëve të pronës publike, abuzuesit e posteve publike, korrupsionit etj.; (rasti i Xhabir Zharkut dhe i shumë pronave tjera, ndër to ato të Auto Prishtinës);
Ky projektligj amniston haraçin, reketizmin e shantazhin;
Falsifikuesit e dokumenteve, abuzuesit me votën e lirë dhe vjedhjeve industriale të votave;
Pengimit si dhe sulmeve ndaj personit zyrtar, si rasti i djemve të Grabovcit, të cilët sulmojnë policinë e Kosovës gjatë kryerjes se detyrës zyrtare dhe suspendohet polici dhe jo djemtë e politikanëve të gjithëpushtetshëm;
Amnistimi ndaj spiunëve dhe vrasësve të SHIK-ut;
Rastet e vrasjeve në aksidente trafiku – ku qartë vizatohet rasti i Bajrush Xhamjlit, i cili me cdo kusht tenton ti ike vuajtjes së dënimit, duke e ditur se me këtë ligj do ti falet vrasja. Po a do ti falet nga familja e te ndjerit?!
Amnistimi i zyrtareve te larte publik që janë pasuruar duke dëmtuar ekonominë e Kosovës duke amnistuar edhe pasuritë e tyre te paligjshme. Në ketë formë edhe ligji mbi konfiskimin e pasurisë në mënyre të paligjshme do te mbetet pa objekt ose pa fushëveprim të vetin.
Projektligji për amnistinë i liron nga ndjekja penale edhe të gjithë ata zyrtare, politikan e biznesmen që janë pasuruar në 14 vjetët e fundit në kurriz të ekonomisë së vendit. Me ketë projektligj përfitojnë shumë biznesmen të cilët për vite të tëra iu kanë shmangur detyrimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës në vlerë mbi 212 milion euro dhe të gjithë këta biznesmen janë të afërt me pushtetin dhe PDK-në.
Ky pra është “humanizmi” në të cilën thirret Ministri Kuçi dhe bashkëpartiakët e tij. Kjo pra është drejtësia që na e proklamon kjo qeveri.
Nuk janë vetëm këto krime të ndara në veri të vendit apo pjesë të tjera, por do të falen edhe qindra krime tjera të përbashkëta.
Krimi i organizuar veri ishte ,dhe është në koordinim me biznesmenët dhe politikanët shqiptarë. Për këtë arsye, strukturat paralele në veri veprojnë lirshëm, për shkak se në njëfarë mënyre, kanë mbështetjen e politikanëve shqiptarë, të cilët i mbulojnë ata për të përfituar nga ata.
Sasia e mallrave të kontrabanduara në veri, është 10 fish më e madhe sesa nevojat e pjesës veriore të Kosovës.
Dialogu për veriun është shpërblim për strukturat ilegale dhe armiqësore të Serbisë, për kriminelët dhe krimin atje: prej dëbimit masiv të shqiptarëve në shkurt të vitit 2000 e deri te vrasja e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt.
Amnistimi i krimit që nga krerët partiakë po cilësohet sikur interes i vendit, e ky është interes vetëm i kriminelëve. Assesi i qytetarëve dhe institucioneve shtetërore në përgjithësi. Ky është moment vendimtar që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të rreshtohen kah interesi i vendit e jo i udhëheqësve të partive të tyre e klaneve të tyre.
11 korrik 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
============================
Fjalimi i Afrim Hotit në seancën e sotme parlamentare për Projektligjin për amnisti
Të nderuar deputetë,
Ky projektligj, i cili më së miri tregon apetitet e qeverisë së Serbisë, por, edhe pa përjashtim, kërkesat e strukturave të errëta të kësaj qeverie, është tendencë që këto struktura kriminale të mbrojnë veten, ngase në këtë rast mbrojtja më e mirë e kësaj strukture është rehabilitimi i tyre. Sa për të vënë në theks se çka nënkupton ky projektligj, për bandat dhe strukturat kriminale të Serbisë, dhe bashkëpunëtorëve të tyre ne jug, vlen për ti thënë disa çështje që do të na shpien deri tek qëllimi dhe ngutia për ta miratuar një ligj të tillë.
Ivica Daciqi, ka disa ditë që në medie proklamon se Ligji për Amnistinë është ligj i cili i garanton serbët nga ndjekja e mundshme për veprat, për të cilat autoritetet kosovare i konsiderojnë si vepra penale dhe të gjithë serbët që nuk pajtohen dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përsëris PAVARESINË E KOSOVËS. Pra, ky ligj i fal të gjithë ata që nuk e njohin atë si shtet të vetin, i liron ata nga çfarëdo ndjekje. Deklarimet e tilla janë në përputhje të plotë me politikat e Serbisë, në atë kohë kur as Daçiqi nuk ishte kryeministër. Vetëm për struktura paralele, Serbia ka shpenzuar me se 2.2 miliardë për këto 14 vite. Që i bie se afro 200 milionë euro në vit këto struktura i kanë kushtuar Serbisë. Kjo i bie se me këtë ligj për amnistinë, ne do të ia legalizojmë këto shpenzime Serbisë, e madje me këtë marrëveshje të kobshme do t’i marrim shumë nga to edhe përsipër me këtë buxhet të varfër të Kosovës.
Duke qenë se pikëkalimet kryesore në mes të Kosovës dhe Serbisë janë ajo në Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe Dheu i Bardhë, llogaritjet deri më tani që janë bërë rezultojnë se më se 40% të mallrave të importuara nga këto katër pikëkalime janë importuar në mënyrë ilegale dhe asnjëherë pa u evidentuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Të gjithë e dimë se tregu i zezë derivateve të naftës ishte tregu më joshës për kontrabanduesit të cilët doni që ti falni! Vetëm nga viti 2008 kur është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës e deri në korrikun e vitit 2011, muajit kur për sy e faqe tentoi Hashim Thaçi të krijohet spektakle të mbrojtjes dhe shtrirjes së sovranitetit, janë importuar afro 670 milion litra naftë, apo thënë në vlerë të çmimit furnizues, në vlerë prej 550 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe, vetëm në komunën e Mitrovicës, Zubin Potokut dhe Leposaviqit janë hapur 40 pompa ilegale, të cilat kanë paraqitur burimin kryesor për të dy bandat kriminale, ato në veri dhe ne jug.
Dua të shtroj pyetjen për ju, kryeministër dhe zv. kryeministrin si sponzorizuesin e këtij ligji, z Kuqi, bashkëpunëtorët e kompanive: Nafta a.d. Team Oil, Lluk Oil dhe Knezheviq Oil – të gjitha kompani nga Serbia që kanë importuar më së shumti derivate të naftës për në Kosovë, sot sipas jush duhet të amnistohen dhe të shlyhen nga çdo dosje penale për veprimtarinë që kanë kryer gjatë këtyre viteve?!
Vetëm për t’iu informuar, se kompanitë si këto të lartcekura, kanë importuar vetëm brenda ditës 840 mijë euro dhe sipas një studimi të publikuar ditë më parë theksohet se bandat kriminale te veriut dhe atyre që ishin në bashkëpunim të jugut, kanë përfituar hiç më pak se 600 milionë euro vetëm për këto pesë vite nga shpallja e pavarësisë! Pra, ne së paku qe jemi duke i amnistuar disa dhjetëra mijëra kriminelë, jemi gjithashtu duke i falur edhe afro 1.4 miliardë euro për kontrabandën e cila ka lulëzuar përgjatë këtyre viteve, e që i bien se Kosova ka punuar një vit të tërë, pa shpenzuar fare, për këta kriminelë që sot do të falen. Më besoni se deri më sot, kur po procedohet ky projektligj, nuk e kam ditur se jemi aq zemërgjerë dhe kaq të pasur.
11 korrik 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
===============================
Fjalimi i Glauk Konjufcës në seancën e sotme parlamentare për Projektligjin për amnisti
Në çdo vend të botës ku vjen në shprehje përpilimi i ligjit për amnistinë, kjo bëhet zakonisht në një formë të caktuar.
Ligji për amnistinë është një kontratë që shteti e vendos më një pjesë të qytetarëve të vet.
Kjo ndodh pas kalimit prej një gjendje të caktuar politike dhe sociale në gjendjen tjetër, me ç’rast shoqëritë zhyten në kundërthënie të thella apo edhe konflikte të armatosura.
Në Kosovë nuk është kështu.
Prandaj, kur të analizohet Ligji për Amnisti, duhet të vendoset në kuadrin e plotë politik në të cilin ai është propozuar, është draftuar dhe po sillet në Kuvend për miratim.
Cili është konteksti politik i këtij ligji.
Ky ligj nuk është kontratë mes shtetit të Kosovës dhe një pjese të qytetarëve të vet.
Në këtë ligj, pra, nuk i kemi si palë shtetin e Kosovës dhe qytetarët e amnistuar.
Ky ligj është kontratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Beogradin që doli nga negociatat me Serbinë.
Pra, ky është thelbi i ligjit.
Të gjitha të tjerat janë pasoja të kësaj.
Pra, nuk është se këtu po bën marrëveshje Kosova me disa prej qytetarëve të saj jolojalë ndaj shtetit.
Por Beogradi ka dalë si palë përgjegjëse për serbët e veriut dhe strukturat e tij shtetërore brenda Kosovës dhe nga Qeveria jonë kërkon që këtyre njerëzve t’iu garantohet mosprekje dhe imunitet nga drejtësia e Republikës së Kosovës.
Si parakusht që Serbia të pajtohet me këtë amnisti, kërkoi fillimisht krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, kompetenca ekskluzive në gjyqësor, polici, buxhet të pavarur, zhvillim ekonomik, planifikim hapësinor etj.
Tash, ata të cilët për 14 vite me radhë e krijuan rajonin e spastruar të veriut të Kosovës me dhunën e armëve dhe barrikadat e ngritura gjithandej, amnistohen nga Qeveria jonë, kurse Beogradi i vendos nëpër pozitat udhëheqëse të autonomisë së veriut.
Problemi i dytë madhor i ligjit ka të bëjë me faktin që këtu ata të cilët po amnistohen, nuk është qëllimi të mbesin si qytetarë të thjeshtë të cilët do të merren me jetën e tyre private. Këtu amnistia po ndodh për njerëz të cilët deri sot kanë zhvilluar aktivitet ilegal dhe antikushtetues, kurse tash me këtë ligj do ta kenë të drejtë të kandidohen për poste publike në Republikën e Kosovës.
Ky ligj e kthen mbrapsht procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Logjika elementare e shtetndërtimit thotë se shteti tenton drejt imponimit të kushtetutshmërisë dhe rendit institucional, duke i forcuar ata që punojnë për këtë rend, si dhe duke u ndëshkuar dhe dobësuar ata të cilët e cenojnë dhe e sfidojnë këtë rend.
Këtu në Kosovë po ndodh e kundërta.
Të gjithë ata qytetarë vullnetmirë, atdhetarë dhe guximtarë, të cilët në vazhdimësi e kanë luftuar krimin në veri, me në krye heroin e rënë Enver Zymberi, ky ligj ua shkuptimëson përpjekjet dhe sakrificat.
Kurse të gjithë atyre që e kanë luftuar kundër pavarësisë, i kanë djegë kufijtë e Kosovës dy herë, kanë kontrabanduar, kanë rrahur shqiptarë në veri dhe i kanë përzënë ata, ua kanë uzurpuar banesat, i kanë terrorizuar, i kanë vjedhur e kështu me radhë – të gjithë këta shpërblehen dhe trimërohen.
Sepse shikojeni se çka po amnistohet.
Po amnistohet, siç thuhet në ligj – cenimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, rrezikimi i rendit kushtetues dhe kryengritjet e armatosura.
Prandaj po them se ky është prapakthim i shtetit të Kosovës.
Faktikisht kjo është një sjellje që thotë se meqë nuk po mund ta luftojmë krimin, krimit duhet t’ia japim pushtetin.
Dhe kjo na çon në një situatë paradoksale, me ç’rast në vend që ligji të shërbejë si mjet kundër krimit, në të vërtet, po kthehet në ombrellë të krimit të organizuar politik në Kosovë.
Një tjetër problem fondamental i ligjit është fakti se efektiviteti i tij kufizohet në kohë sa i përket vendosjes së limitit të fundit, por nuk e vendos fare pikënisjen e tij.
Shtrohet pyetja: cila është data apo koha e saktë kur fillon amnistia e veprave të definuara në këtë ligj?
A përfshihen këtu edhe vitet ’90, koha pas çlirimit të Kosovës, apo koha pas shpalljes së pavarësisë?
Kjo përbën një problem të madh.
Po ashtu, ne si përfaqësues të popullit duhet ta kemi parasysh edhe një gjë themelore ashtu që ta mbrojmë Republikën nga krimi i organizuar.
Në këtë ligj, nuk ka kurrfarë indikacioni se kemi të bëjmë me amnistinë e veprave kriminale vetëm në një pjesë të territorit të Kosovës.
Gjë që lë të kuptohet se ky ligj vlen për të gjithë territorin e Republikës sonë.
Atëherë duhet t’i shtrojmë disa dilema.
P.sh. neni 3 – 1.1.15.2 jep amnisti për ‘parandalimin e ushtrimit të së drejtës për të votuar’.
Meqë ligji nuk reduktohet në një pjesë të territorit të Kosovës, a do të thotë kjo pikë se amnistohen të gjithë manipuluesit e zgjedhjeve në Kosovë.
Njëjtë edhe neni 3 – 1.1.15.5 amnistohet ‘shmangia nga tatimi’.
Nëse kjo nuk reduktohet në veri, a mos do të thotë kjo se po amnistohet krimi i organizuar i evazionit fiskal që na ka sjellë plot milionerë të paligjshëm në Kosovë,.
Po kështu vlen edhe për nenin 3 – 1.4.2 – spiunazhi.
Nëse kjo nuk reduktohet në veri, a mos është qëllimi këtu të amnistohen strukturat e agjenturave të paligjshme?
Për të gjitha këto që i thashë për përmbajtjen e ligjit, nëse ky ligj kalon unë nuk gjej fjalë tjetër më të përshtatshme sesa të them se kjo paraqet fiasco të shtetit ligjor dhe bankrotim total të Qeverisë.
11 korrik 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
============================
Fjalimi i Albulena Haxhiut në seancën e sotme parlamentare për Projektligjin për amnisti
Fillimisht me duhet të them që asnjërën nga kriteret që i përmendi z. Kuçi, ky projektligj nuk i plotëson. Pra i njëjti as nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve pasi që qytetarët përditë po e kundërshtojnë këtë, gjithashtu nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe e treta ju thatë që projektligji duhet ti bie tamam qytetarëve, unë nuk e di se me çfarë perimetra e keni matur?!
Është jashtë çdo praktike parlamentare dhe aspak demokratike madje edhe precedent tejet i rrezikshëm, që kjo Qeveri ende pa kaluar 24 orë procedoi në Kuvend projektligjin, të cilin nuk e votoi ky Kuvend ose më mirë me thënë deputetët e përgjegjshëm!
Edhe me ketë projektligj, sikurse edhe me atë të kaluarin, u shpërfillën gjitha procedurat e parapara me Rregulloren e Kuvendit vetëm e vetëm për tu ndier më mirë Daçiqi!
Pra i gjithë ky Kuvend po vepron në bazë të agjendave të Serbisë dhe Daçiqit, e kjo është për të ardhur keq!
Me heqjen e nenit 3 nga projektligji i mëparshëm, asgjë nuk ka ndryshuar substancialisht, pra me heqjen e atij neni Qeveria bëri sikur e ndërroi ligjin, duke tentuar kështu që t’iu hedh hi syve qytetarëve, shoqërisë civile dhe deputetëve të këtij Kuvendi.
Pra neni 3 i projektligjit aktual, kështu siç na është sjellë ka për qëllim amnistimin e krimit, amnistimin e gjithë atyre kriminelëve serbë në veri dhe i njëjti ka për qëllim amnistimin krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Nëse analizohen ligjet e amnistisë në vendet e ndryshme, mund të shohim se amnistimi konsiston në zvogëlimin e dënimit kryesor të personave që janë duke e vuajtur dënimin, duke i përjashtuar zakonisht recidivistët.
Në praktikat e vendeve të ndryshme, bëhet përjashtimi vetëm i disa veprave penale të cilat përfshijnë kryerjen e veprave penale në grup, që zakonisht janë të natyrës së krimit të organizuar.
Përndryshe, këto ligje amnistojnë vetëm personat që janë duke e vuajtur dënimin, pra dënimin i cila ka marrë formë ekzekutive.
Në këto praktika, asnjëherë nuk përfshihet amnistimi i personave ndaj të cilëve është nisur procedura e ndjekjes penale.
Rastet kur amnistohen personat nga ndjekja, e në rastet më eklatante, personave ndaj të cilëve ende nuk është nisur madje as procedura hetimore, në praktikë janë rastet e konflikteve të armatosura!
Zakonisht ky lloj i amnistisë bëhet si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme brenda territorit shtetëror, ku pushteti e njeh këtë situatë.
Për këtë edhe shërben shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sepse duke e shpallur gjendjen e jashtëzakonshme krijohet baza faktike për krijimin e një gjendje të veçantë juridike.
Kjo nënkupton që, me ligj të veçantë mund të amnistohet grup i caktuar i personave që kanë vepruar brenda territorit të caktuar dhe në kohë të caktuar.
Kjo do të eliminonte diskriminimin e mundshëm që do të mund t’i bëhej personave të tjerë.
Kosova asnjëherë më parë nuk e ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në pjesë të caktuar të territorit, e as që ka njohur një konflikt, i cili ka pamundësuar ndjekjen penale të personave që kanë qenë ndesh me ligjin.
Kosova është shtirur gjatë gjithë këtyre viteve sikur asgjë nuk ka ndodhur, dhe formalisht ka konsideruar se e ka shtrirë sovranitetin dhe rendin juridik në tërë territorin e Kosovës.
Pra ky projektligj përveç që po amniston krimet që janë kryer ndaj shtetit të Kosovës dhe rendit kushtetues të saj, po amniston edhe krimet ndaj ekonomisë së Kosovës, ndaj pronës publike e private në Kosovë, pra po amniston kontrabandën, evazionin fiskal, tregtinë e kundërligjshme, pra i njëjti shkon edhe në dëm të të gjithë prodhuesve e bizneseve në Kosovë, shkon në dëm të fitimit të munguar të tyre për shkak të kontrabandës dhe mafisë!
Mos përcaktimi kohor i këtij ligji është shqetësim tjetër, pra nuk dihet se nga cili vit apo cila datë fillon të vlejë i njëjti, pra kjo nënkupton që do të amnistohen edhe kriminelët që shkaktuan dëmet e luftës!
Pra po amnistohen kriminelët e 12000 të vrarëve, 3000 të kidnapuarve, 20.000 grave të dhunuara, 120.000 shtëpive të shkatërruara!
Një tendencë tjetër që duhet pasur parasysh është fshirja nga evidenca penale e personave që janë në ndjekje apo vuajtje të plotë të dënimit.
Sipas nenit 8, paragrafit 3 të projektligjit, është paraparë se brenda 60 ditëve nga hyrja e këtij ligji në fuqi të gjitha dënimet e formës së prerë do të fshihen sipas ligjeve që janë në fuqi.
Realisht, çështja e fshirjes së personave nga evidenca penale është rregulluar me Kodin Penal. Sipas dispozitave në fuqi janë dy forma të fshirjes së evidencës penale, ajo e rehabilitimit ligjor dhe rehabilitimit gjyqësor.
Rehabilitimi ligjor i cili është i paraparë me dispozitat e nenit 103 te Kodit Penal, konsiston në fshirjen e evidencës penale të personit të dënuar sipas peshës së veprës penale, ku sipas kohës së caktuar që do të kalon, personi i tillë do të fshihet nga evidenca penale.
Ndërsa rehabilitimi gjyqësor i cili është paraparë me dispozitat e nenit 104 të Kodit Penal, konsiston në fshirjen e evidencës penale të personit sipas kërkesës së tij në rast se janë përmbushur kushtet e parapara me këtë nen.
Por, qeveria tenton që me miratimin e këtij projektligji të transformojë këta kriminelë në qytetarë të rëndomtë, pa asnjë gjurmë të kaluarës së tyre penale. Kjo ngase sipas nenit 102 të Kodit Penal, fshirja nga evidencat penale ka efektin juridik i cili i jep status personit të tillë sikur mos të kish kryer asnjëherë vepër penale. Ashtu sikur edhe marrëveshja Thaçi- Daçiq, edhe ky projektligj përveç se i dëmshëm është edhe antikushtetues.
për shkak të përmbajtjes – janë gjithsej 26 vepra penale të cilat dëmtojnë interesat subjektive të qytetarëve të Kosovës e që me amnisti ju mohohet e drejta për mjete të efektshme juridike, e që në këtë rast është shkelje kushtetuese, përkatësisht neni 31 dhe 32 i Kushtetutës – ngase me këtë amnistim personave të dëmtuar nga veprat penale që janë përfshirë në këtë projektligj i mohohet e drejta për të propozuar ndjekjen penale – gjithashtu kjo është edhe shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me nenin 13 dhe 14 të KEDNJ-së,
Ky projektligj, dhe forma e imponuar e miratimit të tij (të dy leximet brenda një dite) tregon qartë se është i pandryshueshëm si dhe rrjedhim i papërmirësueshëm. Prandaj, e vetmja rrugë e pengimit të amnistimit të krimit është vota KUNDËR projektligjit.
Andaj ju bëjë thirrje që mos ta votoni këtë projektligj.
11 korrik 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!