FATMIR LEKAJ: DOMOSDOSHMËRIA E INSTITUCIONALIZIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR FETAR GJITHËSHQIPTAR

Pashtriku.org, 08. 02. 2017: Pothuajse tek asnjë komb evropian, relacioni në mes fesë dhe kombit nuk ka qenë temë tabu, sikurse tek kombi multifetar shqiptar. Historiani Eric Hobsbawm, në studimet e tij për nacionalizmin, pos tjerash ka konstatuar se feja mund të ketë qenë një fondament për unitetin paranacional, por njëkohësisht është një fondament paradoksal, sepse shumë pak kombe dallohen vetëm duke u bazuar në dallimet fetare, rrjedhimisht bashkësitë fetare në fazën paranacionale nuk kanë qenë të domosdoshme për formimin e kombeve. Megjithëkëtë, Hobsbawm pohon se ka shembuj ku feja mund të ketë ndikuar si diferencuese në mes popujve (por jo gjithmonë tek popujt me gjuhë, kulturë dhe prapavijë të përbashkët historike). Një shembull pothuajse i veçantë është në Ballkan, ku serbët dhe kroatët tradicionalisht ndahen si kombe në katolik dhe ortodoks, ndërsa shqiptarët cilësohen si komb i bazuar në bashkësinë etnolinguistike, pa marr parasysh dallimet fetare. Teoricienët tjerë të spikatur të nacionalizmit (siç janë historiani Miroslav Hroch, dhe sociologu Anthony D. Smith) kanë konstatuar, pos tjerash, se feja në raport me kombformimet/kombet, nuk ka qenë dhe nuk është jo-domethënëse.
Përshembull kishat ortodokse të popujve ballkanik nëpërmes liturgjisë (më vonë edhe kishat protestante tek shumica e popujve perëndimor), kanë kultivuar dhe kultivojnë një ndërlidhje të ngushtë në mes fesë dhe kombit/shtetit.

Shqiptarët, për shkak të rrethanave historike, ndikimeve dhe okupimeve perandorake, u ndanë në disa fe të ndryshme dhe nuk arritën të formësojnë një unitet/institucion të përbashkët fetar, megjithëkëtë, me stoicizëm arritën të rruajnë vazhdimësinë historike dhe etnolinguistike, dhe rrjedhimisht gjatë periudhës/epokës së nacionalizmit, arritën të konsolidohen si komb etnolinguistik me një tolerancë dhe harmoni unike ndërfetare.
Nga njëra anë, toleranca dhe harmonia ndërfetare shqiptare, është pasuri unike e kombit shqiptar, dhe e dallon kombin shqiptar nga kombet tjera konservative të Ballkanit që e kanë fenë kriter inkludues dhe ekskludues kombëtar dhe që, shikuar historikisht, i kanë keqpërdorur institucionet fetare në misionet e tyre shoviniste. Nga ana tjetër, mos institucionalizimi i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare brendakombëtare shqiptare, ka ndikuar që të mbetemi komb i brishtë në aspektin fetar.
Ideologët kombëtar shqiptar, arritën ta shndërrojnë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare shqiptare në një kulturë patriotike, veçanërisht në nivelin e elitave kulturore dhe politike shqiptare në kontinuitet, por nuk arritën ta formalizojnë tolerancën dhe harmonin fetare edhe institucionalisht. Ndërsa shtetarët si mbreti Zog, Enver Hoxha etj., nga njëra anë, arritën ti zhdukin (më pak ose më shumë) tribalizmat dhe disa prapambeturi të tjera në dobi të integrimit brendakombëtar shqiptar, por nga ana tjetër nuk e patën vizionin e duhur që të institucionalizojnë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare shqiptare për ta kultivuar paralelisht me proceset e integrimit të brendshëm kombëtar shqiptar. Madje Enver Hoxha me metodat e tij të dhunshme (duke dalur edhe në ekstreme qesharake; duke e shpallur Shqipërinë shtet ateist) jo vetëm se nuk e institucionalizoj tolerancën dhe harmoninë ndërfetare shqiptare, por me metodat e tij krijoi vetëm efekte perverse – afatshkurtëra.
Pa dyshim se deri në çlirimin e Kosovës, ekstremitetet fetare i ka mbajtur nën kontroll nacionalizmi çlirimtar shqiptar. Pas çlirimit të Kosovës, dhe ndikimit të islamit politik në sistemin gjysmë anarkik ndërkombëtar, duke e përfshirë ketë ndikim edhe në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe humbja e autoritetit moral për shkaqe korruptive etj., të një pjese të elitës politike shqiptare (me ndonjë përjashtim), kombi shqiptar rrezikohet paralelisht me krizën morale politike, edhe nga ekstremizmi fetar. Disa intelektual shqiptar kanë ngritur zërin që moti kundër dukurisë ekstreme fetare kur kjo dukuri ishte në fazën latente por tashmë kjo dukuri është akute dhe kërkon zgjidhje në nivel kombëtar.
Meqenëse, vetëm katolicizmi është i centralizuar ndërkombëtarisht sepse e ka një shef, papën, ndërsa protestantizmi dhe ortodoksizmi manifestohen nëpërmes kishave kombëtare, dhe duke e marr parasysh se islami nuk ka shef (kalif), dhe ka interpretime të ndryshme (interpretime; radikale, moderate, dhe postradikale), është i domosdoshëm institucionalizimi i këshillit kombëtar fetar gjithëshqiptar, i përbërë:
– nga përfaqësuesi i kishës kombëtare ortodokse gjithëshqiptare,
– nga përfaqësuesi i xhamisë kombëtare islame gjithëshqiptare, dhe
– nga përfaqësuesi e katolicizmit shqiptar.
Vetëm një këshill kombëtar fetar gjithëshqiptar do të mund të siguroj dhe kultivojë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare brendakombëtare shqiptare, të mbrojë vlerat e mirëfillta fetare, dhe duke u distancuar publikisht nga çdo lloj ekstremizmi fetar, do të mund të dobësoj / delegjitimoj bazat e ekstremizmit fetar në praktik dhe të ruaj vlerat dhe interesin kombëtar. Përndryshe kombi shqiptar si fenomen historik dhe si realitet sociologjik është në rrezik nëse përdorën vetëm metodat afatshkurtëra në luftimin e ekstremizmit fetar.

Fatmir Lekaj, politolog.

===================
FATMIR LEKAJ: ‘KOMBI NEUTRAL’ – REFERENCË UTOPIKE E ‘KOMBIT KOSOVAR’
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6110
***
FATMIR LEKAJ: TIPOLOGJITË E SHTETIT, PUSHTETIT DHE AUTORITETIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6093
***
FATMIR LEKAJ: ZGJERIMI I DOMENIT SHKENCOR POLITOLOGJIK
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6019
***
FATMIR LEKAJ: SONDAZHI DELIBERATIV SI MJET PËR FORCIMIN E LEGJITIMITETIT TË DEMOKRACISË
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6100

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura