Gjenevë, 20. 10. 2016: Ç’është ky tërbim i shumicës së mediumeve në Kosovë të ndërsyer nga patronët e tyre kundër deklaratave të Kryeministrit të Shqipërisë që bëri në Beograd në lidhje me Kosovën. Të jemi të qartë, ky sulm frontal nga të gjitha armët kundër Kryeministrit të Shqipërisë nuk ka të bëj me mediumet, por me patronët e tyre që janë politikanët. Askush nuk pati asnjë vërejtje për atë që tha Edi Rama, por për vetë faktin që foli. Sepse nuk mund të thuash se foli keq kur tha se Serbia duhet sa më shpejt ta pranoj Kosovën shtet, nuk mund të thuash se foli keq kur tha se Serbia nuk mund ta transferoj Trepçën në Beograd.
A thua se do i mohojnë të drejtën edhe burrështetasve të tjerë të flasin për Kosovën dhe këtë monopol ta mbajnë vetëm për veti. Sikur të mundnin, edhe do ta bënin! Sepse vetëm duke biseduar me Serbinë vetja e tyre ju duket e rëndësishme. Nuk kanë asgjë tjetër t’ju ofrojnë qytetarëve të tyre: zhvillim ekonomik, arsimim apo shëndetësi më të mirë, asgjë. Bashkëbiseduesve të tyre perëndimor po ashtu, nuk mund t’ju thonë se po i hoqën ata nga pushteti populli do çohet në këmbë. Sepse realiteti është që populli do festonte largimin e tyre dhe prandaj me padurim po e presin funksionalizimin e gjykatës speciale, që gjithsesi është gabim. Sepse nuk mund të presësh shërimin e plagëve nga ai që i ka shkaktuar.
Pra, këta ju duhen vetëm atyre që duan ta joshin Serbinë dhe ta fusin në zonën e ndikimit perëndimor, respektivisht ta largojnë nga ndikimi rus duke bërë koncesione në dëm të Kosovës. Dhe këta janë “prijës” ideal për këtë qëllim. Si të shantazhueshëm që janë, për ta mbrojtur pushtetin dhe pasurinë e vet, janë në gjendje ta falin pasurinë e Kosovës. Dhe frika që dikush tjetër mund të bëhet bashkëbisedues i Serbisë për çështjen e Kosovës i tërbon. Nuk ka rëndësi se si ai tjetri do i mbroj këto pasuri, më mirë apo më keq. Edhe pse është shumë vështirë t’i mbroj më keq.
Po si këto mediume me gazetarë, analistë, opinionistë, redaktorë dhe kryeredaktorë, bashkë me patronët e tyre nuk e shpenzuan as gjysmën e kësaj energjie që të kontestojnë të drejtën e Vuçiqit, Daçiqit, Nikoliqit apo …viqave tjerë të flasin për Kosovën?