Gjenevë, 27. 06. 2015 – “… Lirisht mund të them se është bërë një shërbim për oponentët e pavarësisë së Kosovës …”, kështu foli, mes tjerash, Hashim Thaçi menjëherë pas refuzimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të aprovojnë ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Pra, dëgjoni o popull: Fadil Beka, Fadil Demaku, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Xhevahire Izmaku, Rafet Rama, Raif Qela, Flora Brovina, Nezir Qoqaj dhe e gjithë opozita janë tradhtarë sepse sot kanë vepruar kundër interesave të Kosovës dhe shqiptarëve duke votuar “KUNDËR” Gjykatës Speciale, kurse Bojan Mitić, Srdjan Popović, Slavko Simić, Slobodan Petrović, Saša Milosavljević, Milka Vuletić, Jasmina Živković, Jelena Bontić … janë patriotë të popullit shqiptar sepse sot kanë vepruar në dobi dhe për të mirën e Kosovës dhe shqiptarëve duke votuar “PËR” Gjykatën Speciale! Kurse udhëheqësi i Listës Serbe Aleksandar Jablanović, ish ministër në qeverinë e Thaçi-Mustafës i cili quajti nënat shqiptare egërsira, shprehi shqetësimin e kësaj liste për shkak të këtij refuzimi, sepse kështu u dëmtuan interesat e Kosovës!
Pra, të gjithë ata që kanë pasur dilema se a duhet të votohet apo jo Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të nxjerrin konkluzione nga këto fakte, sepse mund t’ju hynë në punë së shpejti, pasi që qeveria Thaçi-Mustafa nuk do heq dorë lehtë nga “obligimet” e marra para “miqve ndërkombëtar” (për të shpëtuar karrierat e tyre politike, apo edhe pasuritë e krijuara!).
– Kontakti me autorin: [email protected]