Shkodër, 16 tetor 2019:
VENDI IM
Kam krenari për ty, kur flas
Vendlindja ime, djepi im
Kur të kujtoj, kthej kokën pas
Por jam shumë larg, tej në mërgim.
Kam shumë mall veç të të shoh
As malet e tua nuk duken kund
Të hedh sytë, të them… të njoh
Të kthehem prap në atë katund.
Për një kohë të gjatë s’mund të kthehem
Të fala mi ço vendit tim o erë
Me shpjerë atje që të dëfrehem
Nderën ta kthej nëse mundem ndonjëherë.
Hapa derën, erdhi mëngjesi
Era hyri me turr e tërbim
Aromë fushe e ngrohtësi dielli,
ti seç ma mbushe shpirtin tim.
***
PA SHPIRT
Anija përmes ujit shkonte
Era pa skrupuj e shtynte nga pas
Më kapte për fyti e s’më lironte
Pa marr frymë, gati s’po plas.
O breg i bekuar, pse s’më afrohesh
Këtë shpirt unë ta shpëtoj?
Ty s’të ngroh dielli e as nuk ftohesh
Prej së largu unë po të shikoj.
O ujë, pse po kërkon strehë tek unë?
Kur as për vete strehë nuk kam
Unë i mjerë edhe pa gjumë
Ti s’më lë nam e as nishan.
E prej së largu mos më shiko
Por hesht si kurrë në jetë
Tani as frymën mos ma liro
Por ma merr me të shpejtë.
Anija që përmes ujit shkonte,
tash tu bë strehë me një çati.
Në heshtje si hije më vështronte.
Më le pa shpirt e pa shtepi.
***
DHUNA
Të jetoj a kam të drejtë?
Fjala ime është e shenjtë
Loti im tregon diçka
Se për mua jetë nuk ka.
Floku im do që të rritet
Trupi im s’dua të vritet
Syri im s’dua të qajë
Këmbët dua të më mbajnë
Dorën dua lart ta çoj.
Jetën time që ta mbroj
Se kam shpirt a e mendon?
Ndoshta vetëm kaq kupton
Se kam gjak e kam ndjenjë.
Po për ty as’gjë nuk vlejnë
Me një grusht më hedh tutje
S’bën punë fjalë e asnjë lutje
Ty as’gjë nuk të ndalon.
S’bën punë ar as medaljon
Veç një hap para të bëj
Më mëshirë dot nuk gjej
Vallë të pyes, a e kupton
Se me dhunë as’gjë s’fiton?
____________
ANGJELINA GEGAJ: MALLI IM DHE PAFAJËSIA
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=8659