(Prishtinë, 02. 02. 2012) – Fizioterapeut me master, asistent në Fakultetin e Mjekësisë, ish-zyrtari i Shërbimit Informativ të Kosovës, Bekim Haxhiu (Kamishi), sot deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është duke na treguar haptazi se SHIK-u nuk është shuar dhe se ai ekziston në mesin tonë. Bile, përmes këtij korrieri të SHIK-ut, ne jemi duke mësuar se si në Kosovë kemi të bëjmë me një pushtet, i cili funksionon nën patronatin e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Deklaratat e tij na bëjnë me dije se SHIK-u është organizatë që ende funksionon shumë aktivisht dhe se është futur në poret e secilit sektor të rëndësishëm të shtetit. Mënyra se si Kamishi paraqet “faktet” e tij janë të stilit kryekëput të shërbimeve sekrete. “Me datën 28 shtator 2011 përmes autobusit të linjës Beograd – Prishtinë ju keni marrë një korrespodencë me pako në zarf…”, detaje këto të spiunëve klasikë.
A thua deri ku i ka të shtrirë spiunët e tij SHIK-u?
E nëse politikanët janë në gjendje të marrin informata nëpërmjet policisë edhe t’i shfrytëzojnë ato për të shantazhuar konkurrentët në politikë, kjo i bie që shteti është bërë i partisë.
Bekim Haxhiu është njohur fillimisht nga sporti, kryetar i KF Trepça, nënkryetar i FFK-së. Mbaj mend rreth dy vjet më parë, Kamishi pati nxjerr në pah revolen që mbante në trup në një ndeshje të futbollit mes Kosovës së Vushtrrisë dhe Trepçës.
Edhe si fizioterapeut duhet ta ketë dorën e lehtë, por më së miri tregojnë ata që kanë kaluar nëpër duart e tij, nuk çuditem nëse shumë shpejt Kamishi merr titullin DR. i Fizioterapisë.
Vitin e kaluar ai e pat pranuar se ka punuar për SHIK-un, shërbim i afërt me partinë në pushtet të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçit. Ai pati thënë se ka punuar për SHIK-un deri në qershor të vitit 2008, po këtë ditë shefi i saj, Kadri Veseli, pat thënë se është shuar kjo organizatë. Kurse Kamishi pat deklaruar se ndihet krenar që ka kryer punë në këtë shërbim.
Ish-zyrtari i SHIK-ut tash anëtar në komisionin për mbikyqrjen e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, ka nisur një stil të ri të shantazhit publik me suxhuk dhe femra. Nuk e besoj që me këtë praktikë pajtohen shumë shokë të tij, sepse mjafton dikush të marrë zemër e të nxjerrë skandale degraduese dhe zinxhiri nuk do të ketë të ndalur.
E kur ke në dorë një rrjet të tërë spiunazhi në secilin cep të Kosovës e përtej saj, nuk është e zorshme edhe të ndërtohen raste sipas planeve afatgjata të grupeve të caktuara.
Ky është niveli denigrues në të cilin ka rënë Kuvendi i Kosovës, në ulëset e së cilës u ka ardhur rendi të ulen persona me të kaluar të dyshimtë e që sot kanë në dorë fatin tonë. Kjo situatë është duke legjitimuar funksionimin me autoritet të njerëzve të dyshimtë që për interesa të caktuara shantazhojnë duke degraduar institucionet e vendit.
Këta janë kontribuuesit e zhvlerësimit të shtetit që secilën ditë është duke prodhuar antivlera demokratike. E për fat të keq kjo është fytyra e skenës sonë politike e përfaqësuar nga kapadainj, kauboj, injorant, shantazhues e kriminel. Si duket të zënë me angazhime të brendshme, kanë harruar se dikush është duke i vrojtuar nga sipër. E me largimin e “shokëve” të ngushtë ndërkombëtarë pësojnë edhe ndryshime në strukturë, sepse deri me tash bashkimi i tyre ka bërë fuqinë, dhe e nesërmja nuk dihet se çfarë u sjell.
Postime të Lidhura
DR.MOIKOM ZEQO: ARSIMI KOMBËTAR, I STERILIZUAR NGA DISIPLINAT HUMANISTIKE
Tiranë, 05. 05. 2016: Arsimi kombëtar shqiptar është gati i sterilizuar nga disiplinat humanistike dhe kjo përbën një…
FATMIR GRAIҪEVCI: HIPOKRIZIA E EULEX-it DHE E KRERËVE TANË POLITIKË E INSTITUCIONAL
Prishtinë, 16. 06. 2013 – Një ndër veset më të këqija të njeriut dhe më të kritikuara nga…
ZAHIRI, EDMONDI DHE HAKIFI – FANARË LIRIE
Në 27 vjetorin e rënies se Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut ZAHIRI, EDMONDI DHE HAKIFI –…
FATMIR BRAJSHORI:BURGOSJA E TRETË E ADEM DEMAҪIT
Cyrih, 9 mars 2018: BUROKRACIA KOSOVARE! TË GJITHË UDHËHEQËSIT KOSOVARË KISHIN një të përbashkët: që ata kurrë dhe…