XHEVAT BISLIMI: LETËR E HAPUR PITER FEIT’it DHE IVE DE KERMBABO’it (2010)

Viti, 11. 09. 2016: (Publikuar më 22 shkurt, 2010 në orën 18:26) –
Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Fait
Shefit të EULEX-it në Kosovë, Ivë dë Kermabo
Mediave të shkruara dhe elektronike
Pjesa e Parë
Zotërinj,

Pas Veriut dhe strukturave të organizuara shtetërore të Serbisë në Kosovë, plaga më e madhe e këtij vendi është sistemi i drejtësisë. Menjëherë pas Luftës Antipushtuese Ҫlirimtare të UҪK-së, në Kosovë u vendosë UNMIK-u. Vendosjes së tij i parapriu ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Realisht, për t’u qetësuar njëherë e mirë Ballkani, KFOR-i, misioni i OKB-së dhe misione të tjera ndërkombëtare do të duhej të vendoseshin në Serbi, në vendin që ishte shkaktari i të gjitha luftërave, shkatërrimeve, gjenocidit dhe holokaustit në Ballkan. Meqë, kjo nuk ndodhi (për shkak të raportit të forcave në botë dhe rajon), atëherë këto misione do të duhej që Kosovës së paku t’i garantonin tërësinë e mbetur tokësore, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Kaluan dhjetë vite nga vendosja e këtyre misioneve ushtarake e civile, por Kosova vazhdon ta ketë të kërcënuar tërësinë tokësore (një të katërtën e territorit të saj vazhdon ta kontrolloj Serbia), varfëria vazhdon të rritet, si pasojë e shkatërrimit sistematik të ekonomisë së saj të dobët nëpërmjet “privatizimit”, korrupcioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të fuqizohen dhe ta bëjnë “ligjin” e ta ndajnë “drejtësinë”. Kosova, e cila ishte me një mision civil dhe me një përfaqësues special, pas shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, u bë me dy misione civile ndërkombëtare dhe me dy përfaqësues specialë! Edhe pse Kosova është shpallur “shtet i pavarur dhe sovran”, UNMIK-u dhe përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë për t’i “mbrojtur” interesat e pakicës serbe (të Serbisë) në Kosovë!
Sistemi i “drejtësisë” u organizua dhe u ndërtua nga UNMIK-u, i cili u tregua tepër i kujdesshëm që në këtë sistem të mos përfshiheshin shqiptarë me të kaluar “nacionaliste”, “separatiste” dhe “irredentiste”! Një pjesë e mirë e gjykatësve dhe prokurorëve të rekrutuar nga UNMIK-u, jo vetëm që kishin shqiptuar qindra e mijëra vite dënime me burg për rininë dhe popullin e Kosovës, në emër të patriotizmit jugosllav, por, jam shumë i sigurtë, ata ishin të rekrutuar dhe u shërbenin edhe shërbimeve sekrete jugosllave-serbe. Po të hapeshin dosjet e tyre bindja ime do të vërtetohej katërcipërisht…

Këta prokurorë e gjykatës vazhdojnë ta bëjnë ligjin dhe ta ndajnë “drejtësinë” edhe sot në Kosovë! Askush, madje as ata që kanë vuajtur shumë nga “drejtësia” e tyre, në kohën e pushtimit të egër serbo-jugosllav, nuk ka kërkuar që këta njerëz të ndiqen apo të dënohen. Por, në cdo vend normal dhe demokratik, njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të drejpërdrejtë të shërbimeve sekrete, njerëz që kanë qenë në pozita dhe struktura të larta partiake e shtetërore të një sistemi socialist dhe për më tepër pushtues, nuk do të lejoheshin që ta ndanin drejtësinë, të merreshin me politikë, të drejtonin media të shkruara apo elektronike dhe të ushtronin funksione të tjera publike. Prandaj në Kosovë nuk lejohet të ketë ligj për pastërtinë (lustrifikimin) e figurave publike…
Zoti Fait dhe zoti Kermabo,
Popullit të Kosovës po i dhembin veshët nga fjalët dhe zhurma e madhe që prodhoni ju me misionet tuaja për gjoja sundimin e ligjit dhe të drejtësisë në Kosovë. Kjo zhurmë vjen e bëhet edhe më e madhe nga mediat që herë tërthorazi, herë drejtëpërdrejtë kontrollohen nga misionet tuaja dhe nga qendra të tjera të vendosjes vendore e ndërkombëtare. Por, askush nga ju dhe as nga institucionet e vendit nuk e vë dorën mbi plagë: Te shkaqet, shkaktarët dhe burimet e korrupcionit dhe të krimit të organizuar. Për mua, njëri prej shkaqeve dhe burimeve kryesore është edhe prona, sidomos ajo që në sistemin socialist jugosllav quhej “pronë shoqërore”, dhe mosdefinimi i qëllimshëm i saj, kurse njëri prej shkaktarëve kryesor është sistemi i drejtësisë.
Prona “shoqërore”, që qeverisej dhe shfrytëzohej nga komunat e atëherëshme, nga organizatat e punës së bashkuar, nga bashkësitë vetëqeverisëse të interesit, etj., pra nga shteti, pas lufte u konsiderua si pronë pa zot! Për qeversijen (administrimin) dhe privatizimin e saj, UNMIK-u themeloi AKM-në famëkeqe, sot AKP. Në fakt AKM-ja, e përkrahur nga UNMIK-u dhe nga segmente, qarqe e grupe të ndryshme formale e joformale, edhe vendore, më shumë e plackiti, e trafikoi dhe e kontrabandoi pasurinë e Kosovës, që e quanin “shoqërore” dhe e konsideronin më keq se një pasuri të huajën, e cila mbase për UNIMK-un edhe ishte e huaj, por të huaj e konsideronin edhe grupe të caktuara interesi me karakter dhe nuanca të theksuara mafioze e kriminale. Këto grupe bashkëpunonin dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me segmente të caktuara të shtetit serb dhe me grupe e rrjete mafioze e kriminale të Serbisë. Në mungesë të dokumentacionit kadastral, që ishte grabitur dhe po mbahet peng nga Serbia, prona “shoqërore” para se të “privatizohej” nga AKM-AKP-ja, “privatizohej” nga këto grupe të organizuara mafioze dhe kriminale me “dokumente” që prodhoheshin nga to nëpër bodrume të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë. Por këto “dokumente” do të mbeteshin “letra pa vlerë” sikur në këtë “biznes” të mos përfshiheshin gjykatat, qeveritë komunale dhe segmente të caktuara edhe të Qeverisë dhe institucioneve tjera qendrore (si AKM-AKP-ja). Dokumente të falsifikuara për toka dhe pasuri të tjera vërtetoheshin dhe vazhdojnë të vërtetohen si autentike (origjinale) nga gjykatat e Kosovës (UNMIK-ut, tash edhe të EULEX-it), pa asnjë problem! Mjafton të kesh para, mbështetje politike ose rrjetë, bandë të organizuar kriminale! Të gjitha këto transaksione kriminale të pronës në fund i “vulosin” komunat, duke i regjistruar në kadastër si prona të iksit apo ypsilanit! Për këto transaksione mafioze dhe kriminale pajtohej dhe vazhdon të pajtohet edhe AKM-AKP-ja! Mos e bënë zot që Komuna të marrë ndonjë pronë “shoqërore” për nevojat e saj, që edhe është e saj, për interesa publike a qytetare! Do të ngrihet në këmbë gjithë rrjeti kriminal i Komunës së caktuar, gjykata, AKM-AKP-ja, UNMIK-EULEX-i e kush jo tjetër! Prandaj, Ju zoti Fait dhe Ju zoti Kermabo, por edhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes, do të duhej të këmbëngulnit dhe ta detyronit Beogradin ta kthente dokumentacionin e grabitur kadastral. Kjo cështje e madhe për normalitetin në Kosovë dhe në cdo shoqëri do të duhej të shtrohej në bisedime me Serbinë para cështjes së “decentralizimit” të Kosovës. Por, qarqe të caktuara në botë nuk ishin të interesuara për zgjidhje të qëndrueshme dhe për vendosjen e një rendi demokratik dhe të drejtë në Kosovë. Shikojeni tokën që dikur ishte “shoqërore” nga Ferizaji e në Prishtinë. Ajo nuk u “privatizua” dhe as u administrua nga AKM-AKP-ja, por nga krimi i organizuar dhe rrjeti mafioz me anë të dokumenteve të falsifikuara, të cilat bëheshin “origjinale” nga gjykata dhe nga kadastri i komunës së caktuar! Në këto prona-toka “shoqërore”, jo vetëm në rrugën Ferizaj-Prishtinë, por anë e mbanë Kosovës ka lulëzuar një gjungël e ndërtuar nga hekuri, betoni dhe bllokat ose tullat! Toka e bukës po shkatërrohet në mënyrë sistematike! Askush nuk u dënua dhe nuk po dënohet për këtë trafikim kriminal të tokës dhe të pasurive të Kosovës, askush nuk u dënua dhe nuk po dënohet për korrupcion dhe shpërdorime të tjera. Përkundrazi. Krimi i organizuar dhe korrupcioni po ushqehen dhe inkurajohen nga “drejtësia” e organizuar, e ndërtuar, e mbikëqyrur, e kontrolluar dhe e zbatuar nga UNMIK-EULEX-i.
Pa dashur me i arsyetu institucionet dhe qeverisjen vazale vendore, kot ia hidhni fajin Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës, derisa “drejtësinë” e kontrolloni dhe e bëni Ju! Institucionet vendore kanë vetëm një faj: Dëgjueshmërin, servilizmin, hipokrizinë dhe vazalitetin pa kushte ndaj politikave të UNMIK-EULEX-it, në vend të ndërtimit dhe fuqizimit të politikave dhe të qeverisjes së pavarur në interes të vendit dhe në vend të ndërtimit të partneritetit e jo të vazalitetit.
Pjesa e Dytë
Se cfarë është drejtësia e UNMIK-EULEX-it dhe e gjykatave të tyre të quajtura të Kosovës dëshmon edhe rasti i Komunës së Vitisë dhe i “aferës” me objektin e Komunës, ku është vendosur Drejtoria e Arsimit.
Lexojeni me vëmendje këtë “histori” zoti Fait dhe Kermabo!
Në oborrin e Qendrës së Arsimit të Mesëm, ku është Gjimnazi dhe Shkolla e Mesme Profesionale, në vitin 1985, nga Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit (Komuna) ishte ndërtuar një objekt për Shoqatën e gjuetisë që mbante emrin “JELEN” (sërbisht). Vendimi për dhënien e kësaj prone të shkollës në shfrytëzim është i botuar edhe në gazetën zyrtare të KSAK (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës), më 15 nëntor të vitit 1985. A mund ta imagjinoni, zotërinj, se çfarë revolde do të provokonte vendosja e një shoqate të gjuetisë në një oborr shkolle në Holandën apo Francën tuaj?! Pas Luftës Antipushtuese Clirimtare të UҪK-së dhe pas ndërhyrjes së NATO-s, Serbia me të gjitha formacionet e veta ushtarake, policore, politike e shoqërore u dëbua nga Kosova. Fat të njëjtë si të gjitha shoqatat tjera qeveritare, pati edhe Shoqata “Jelen”. Mirëpo, objektin që deri në përfundim të luftës e shfrytëzonte “Jelen”, e uzurpoi një qytetar, i cili më vonë, në vitin 2002, për ta “legalizuar” uzurpimin e këtij objekti, themeloi një Shoqatë me emrin “Dreni” e më vonë “Drenusha”. Në fakt, sic mund të dokumentohet me dosjet dhe informacionet që ka policia, këto lokale u shfrytëzuan për veprimtari ilegale, kryesisht për prostitucion. Kjo veprimtari e shëmtuar ushtrohej në oborrin e dy shkollave kryesore të Komunës së Vitisë! Për këtë ishin të njoftuar, sic thuhet, i madh e i vogël në Viti. Qeverisja komunale dhe policia nuk ndërmorën asnjë masë për ndalimin e këtyre aktiviteteve ilegale, por as nuk iu lejua de jure (me letra) asnjëherë shfrytëzimi i këtyre lokaleve. Në mars të vitit 2008, Kryetari i Komunës urdhëroi të lirohen lokalet nga uzurpatori i tyre, kurse Kuvendi i Komunës së Vitisë mori vendim që në ato lokale, meqë ndodheshin në oborrin e dy shkollave të mesme, të vendosej Drejtoria e Arsimit, e cila edhe sot është aty. Pas kësaj ndërhynë Gjykata komunale me një vendim për “pengim posedim”, sigurisht duke u thirrur në ligjin e janarit të vitit 1980, të RSFJ-së. Megjithëse, për rastet e uzurpimit të pronës ose të marrjes së saj me mashtrim (sic thuhet në atë ligj) nuk mund të vlej ky formulimi, “pengim posedim”, por kur ligjin e bënë Maliqi, edhe vlen! Më vonë pati disa vendime edhe nga Gjykata e Qarkut në Gjilan. Sponzorues dhe hartues direkt i këtyre vendimeve ishte Kryetari i Gjykatës së Qarkut, Ymer Huruglica, i njohur i uzurpatorit dhe njëri prej më të korruptuarve në Kosovë. Dyshohet edhe për bashkëpunim të ngushtë me pushtuesit serbë dhe shërbimet e tyre. Kjo mund të provohet me hapjen e dosjeve… Megjithëse, ky qytetar, dhe më vonë Shoqata e tij “Drenusha”, e kishin uzurpuar objektin e Komunës dhe nuk e kishin pasur asnjë minutë në shfrytëzim, gjyqëtari i EULEX-it, Vitor Hugo Pardal urdhëroi që ky objekt të lirohet nga Drejtoria e Aresimit dhe t’i jepet në shfrytëzim “Shoqatës” “Drenusha”! Kjo Shoqatë, që thotë se është trashëgimtare e “Jelenit” nuk arriti asnjëherë të dëshmoj me asgjë se është ose se mund të jetë trashëgimtare. Ajo ishte thjeshtë uzurpatore e këtij objekti të Komunës. Kjo shoqatë në fakt nuk është as Shoqatë gjuetie. Me zonën e gjuetisë në Viti menaxhon Shoqata e Gjuetisë “Karadaku”, e cila ka fituar tenderin tash e një vit për këtë qëllim. Kësaj Shoqate, Kuvendi Komunal ia ka ndarë edhe një truall për ndërtimin e objektit të saj. Nuk po zgjatem shumë me hollësi, sepse lëndën e kompletuar e kemi dorëzuar më herët te EULEX-i, në Këshillin Gjyqësor dhe në institucionet tjera.
Komuna e Vitisë nuk pranoi ta dorëzonte objektin, sepse kishte obligim ligjor që ta mbronte. Për këtë arsye u arrestuan rreth njëqindë zyrtarë komunalë, drejtorët e shkollave të Komunës së Vitisë dhe kryetarët e fshatrave, që nuk pranuan të largoheshin nga objekti! Ky ishte një skandal i pa paparë as në kohën e regjimit socialist jugosllav! Pas këtij skandali, i njëti gjyqtar i EULEX-it, sjell një vendim me të cilin Komunës i njihet e drejta që ta disponoj dhe shfrytëzoj objektin e saj! Para ca dite, i njëjti gjyqtar, Vitor Hugo Pardal, pas një vendimi që paska marrë Gjykata e Qarkut në Gjilan, alias Ymer Huruglica, urdhëron Komunën ta liroj objektin! Meqë Komuna nuk e ka liruar dhe as nuk ka të drejtë ta liroj, sepse ligji i jep të drejtë dhe e obligon Komunën të administroj me pasurinë e saj, EULEX-i merr një hap tjetër. Më 16 shkurt 2010, Kryetarja e Asmblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, “me kërkesë të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith (sic thuhet në atë letër), cakton shqyrtimin e rastit më 23 shkurt, në orën 10 e 30 minuta, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan! Nga kjo shkresë mësojmë se EULEX-i e paska “detyruar” AKP-në të bëjë padi për vërtetimin e pronësisë! Hajde AKP, hajde! Agjenci e Kosovës se jo mahi!
Nuk e di, zoti Piter Fait, a jeni i njoftuar për përfshirjen e emrit tuaj në këtë rast a jo? Por, të merreni Ju dhe EULEX-i me objektin e Komunës, ku është vendosur Drejtoria e Arsimit (dicka krejtë legale dhe në interes të shkollës e të qytetarëve të Vitisë), dhe të mos merreni me dhjetëra e qindra prona të trafikuara dhe të kontrabanduara në Komunën e Vitisë, me ndihmën e gjykatave dhe të pushtetarëve vendorë e ndërkombëtarë, me ndihmën e AKM-AKP-së dhe të avokatëve të tipit Shemsedin e Ekrem Pira dhe kolegëve të tyre, thënë më së buti është e papranueshme për këtë vend. Ju dhe EULEX-i do të bënit mirë të hetonit se si u “privatizua”, më saktë, si u shkatërrua bahqja (serra) e Vitisë, 12 hektarë, dhe shumë e shumë prona e pasuri tjera të Vitisë dhe të Kosovës. Rreth njëmijë e pesëqindë lëndë penale janë të pashqyrtuara (të pazgjidhura) në Gjykatën Komunale të Vitisë, mijëra të tjera në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, mbi njëzetë mijë në Gjykatën e Mitrovicës dhe Ju, me EULEX-in, gjeni kohë të merreni qe dy vjet me një objekt të Komunës, me një objekt të shkollës!! Pastaj, Ju nuk po arrini të vendosni edhe pas një viti minimumin e sundimit të ligjit në Veri dhe as kthimin e gjykatësve atje e po merreni me pasurinë komunale të Vitisë! Nëse Ju jeni këtu për ta ruajtur dhe thelluar ndarjen e Kosovës, nëse Ju jeni këtu për t’i përkrahur uzurpatorët, krimin e organizuar dhe trafikimin e pronës së Vitisë dhe të Kosovës, unë, dhe besoj cdo shqiptar i Kosovës, do të jetë kundër këtyre politikave dhe kundër kësaj drejtësie. Nëse Ju jeni këtu për të dënuar Albin Kurtin e jo kriminelët, krimin e organizuar dhe korrupcionin, mua dhe cdo qytetar të Kosovës do ta keni kundër.
Ju mund të më pyetni: Cfarë duhet të bëjmë? Përgjigjia ime: Të ndërpritet menjëherë ky proces absurd, korruptiv dhe i sponzorizuar nga krimi i organizuar. Sistemi i drejtësisë, gjykatat në Kosovë të pavarësohen nga krimi i organizuar dhe nga lidhjet e tyre të vjetra me Serbinë. Sistemi i drejtësisë të bëhet pjesë e pandashme e sitemit politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës. Gjkykatat, në bashkëpunim të ngushtë me pushtetet tjera në Kosovë, të angazhohen dhe ta luftojnë korrupcionin, krimin e organizuar dhe dukuritë tjera të dëmshme për vendin. UNMIK-u dhe Shefi i tij t’i bëjnë gati menjëherë valixhet e tyre dhe të largohen nga Kosova. EULEX-i ta kuptoj dhe pranoj se vepron në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Nëse EULEX-i nuk arrinë që brenda një kohe të shkurtër ta ndihmojë dhe përkrah vendosjen e kontrollit të plotë të Qeverisë së Kosovës në tërë territorin e Republikës, do të duhej të shqyrtonte arsyeshmërinë e qëndrimit të mëtejmë në Kosovë. Evropa e Bashkuar, SHBA-ja dhe qeveritë mike të Kosovës do të duhej të gjenin forma, rrugë dhe mjete tjera të përkrahjes së Kosovës. Populli i Kosovës dhe e ardhmja e tij nuk guxon të mbetet peng i këtij sistemi të drejtësisë, i krimit të organizuar dhe i korrupcionit që shpeshherë nxitet, inkurajohet dhe prodhohet nga ky sistem dhe nga misionet që e kanë ndërtuar dhe e kontrollojnë atë…
Viti, më 21 shkurt 2010
P.S. nga një kopje e kësaj letre do t’u dërgohet edhe ambasadave në Kosovë dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë jashtë Kosove…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura