(Prishtinë, 13. 03. 2012) – I angazhuar me shumë vullnet disa vite më parë, me një krah dokumente nën sqetull, endej sa lart poshtë, duke mbledhur skandale të qeverisë së atëhershme, që përbëhej nga koalicioni LDK-AAK. Ish-i burgosur politik, një burrë i thjeshtë, mikpritës, i cili fliste me idealizëm për këtë vend, Bajrush Xhemajli tregonte për luftën, sakrificat dhe vullnetin e tij për të punuar pa interes për të ardhmen e Kosovës.
Ishte ndër anëtarët më aktivë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në kohën e qeverisjes nën hije. Ka ndodhur dy herë në javë t’i mbledhë mediet për t’iu prezantuar fakte për keqpërdorimet e qeverisë. Bajrushi pati nxjerrë në shesh dallaveret e tenderit për shitjen e gjigantit metalurgjik “Ferronikeli”, bile publikisht pati akuzuar edhe ish-shefin e shtyllës IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, për korrupsion dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së atëhershme.
Bajrushi pati bërë publike marrëveshjet e fshehta të qeverisë së atëhershme me faljen e thëngjillit investitorit potencial të ndërtimit të termocentraleve të reja.
Bajrushi pati dalë edhe me shumë e shumë skandale të tjera. Dhe, ishte po ky Bajrushi i PDK-së, i cili i bëri nderin më të madh kësaj partie, duke i dhënë në atë kohë imazhin e një opozite të fortë, e cila ishte kundër keqpërdorimeve të pushtetit.
Bajrush Xhemajli, kryetari i Komunës së Ferizajit
Përkundër angazhimeve të tij, me ardhjen në pushtet të kësaj partie, Bajrushit nuk iu dha asnjë pozitë në qeveri. Derisa një nga një matrapazët e kësaj partie nisën të dalin në sipërfaqe, Bajrushi mbeti nën hije, pa peshë në parti. Na u la të besojmë se Bajrushi nuk pranon të bëjë kompromise me asnjë kusht dhe se kjo ishte arsyeja pse ai nuk u bë pjesë e qeverisë dhe e grupacioneve të saj që ndanin tallin mes vete përmes tenderëve. Edhe pse kishte bërë luftën më të madhe për çështjen energjetike, vendin e Bajrushit e zuri Justina Pula-Shiroka, pa ndonjë meritë, apo kualifikim për atë post.
E gjithë kjo situatë shkonte në favor të Bajrushit, ai fitoi simpatinë e qytetarëve, bile edhe të zyrtarëve të partive kundërshtare të PDK-së. Ndër të rrallët anëtarë të PDK-së ishte Bajrushi i lavdëruar edhe nga ata të LDK-së dhe AAK-së. Bajrushi u shndërrua në shëmbëlltyrë të një ish-të burgosuri politik, i cili me asnjë kusht nuk shkel mbi parimet e tij.
Për dhjetë vjet me radhë, Bajrushi përmendej për të mirë, derisa bashkëpartiakët e tij, kryetarë komunash në emër të luftës dhe të pushtetit, u ranë me të madhe dallavereve me prona, toka, banesa, dyqane, shtëpi dhe armë.
Pas gjithë atij kredibiliteti që ndërtoi me vite të tëra, Bajrushi fatkeqësisht u bë edhe një nga ata. Lakmia për të jetuar në luksin që ia ofron pozita e kryetarit të Komunës së Ferizajt dhe për të provuar se gjithçka është e mundur me paranë publike, ditë më parë na dha lajmin për blerjen e automjeteve në vlerë prej 80 mijë euro.
E kur Bajrushi ka rënë në këtë derexhe, atëherë mund të parafytyrojmë së çfarë janë në gjendje të bëjnë bashkëpartiakët e tij, kryetarët e komunave nën qeverisjen e PDK-së; Lushtaku, Zharku, Mustafa, etj.
Është për të të ardhur keq kur kujton dhjetë vjet më parë këtë njëri të djersitur duke vrapuar me vullnet për këtë vend, sot pjesë e kapadainjve të PDK-së që janë në gjendje të shkelin mbi gjithçka për pushtet dhe të mirat që ia ofron ai.
Lakmia, thonë, e prish burrin. Kjo gjë i ndodhi edhe Bajrushit.