REXHEP KASUMAJ: DY FUSHA TË LARGËTA DHE NJË E TRETË NË MES

Berlin, 24 Korrik 2019:
1.
Ndërsa rilexoja mitet e lashtë, do ndaloja dy-tri herë tek “Fushë e Elizeut”.
Ashtu si gjithë mitet, të çlironte nga realiteti profan e i mërzitshëm. Botë e tyre është plot jetë, hije, dritë, mner, mort, pavdekësi, rilindje, mundësi dhe kohë e pafund…
Natyrisht, nuk bredhja Elizesë, nuk sodisja bukuritë e kësobotshme parisiene. Ishte një përjetim më i thellë imagjinar.
Fushat e Elizeut, thoshte libri, gjendeshin në botën e përtejjetës ku preheshin shpirtërat e njerëzve të drejtë.

2.
Ndalova e mendova me pak trishtim. Nga njëjtësi e emrit apo vendzënjës së tyre në hemisferën perëndimore të rruzullimit, një aluzion, poaq fryme mitike, ftillohej ngadalë.
Dhe, disi vetishëm, në fantazinë krijuese ngjizej ekzistenca paralele e dy fushave: e andejmja dhe e këtejmja në përballjen e vështirë ku e dyta mposhtej vazhdimisht…E midis tyre, si mes jetës e vdekjes, vuante heshtjen e pakuptuar nga askush dhe një tjetër, humbësisht e tretur…
Ndaj dhe të dyjat bashkë më kujtojnë vargun e këngës së moçme epike, gati funebre:
“Oj Kosovë, ti fushë e gjânë,
pse kaq shumë vajton…”!
Të këngës për fushëdhimbjen, sepse më parë se FushëKosovë, ajo mund të quhet pikërisht kështu: Fushëdhimbje! Për një Fushë të pafaj, të munduar, të prerë rrite e të harruar shekujsh nga gëzimet e jetës…
Dhe në vajin e lulëkuqeve të saj kishte nismën, përcytjen, dorëfshehtën, prapaskenat a thikën e mbuluar nga palët e frakut të zi, pikërisht kjo fusha e mbidhéshme e Elizesë.
Si ndodhi, prandaj, që shpirtërat e saj të këndejjetës ishin kaq të ultë. Kaq jetëvrasës. Krejt mnere e ligësi të pabesë…
3.
Kthjellësia e gjykimit historik, nuk turbullohet dot nga lojë e dyfishtë: Marsejezë për vete e gropë varri për të tjerë.
Mjaftonte, pra, që një populli të vetëm t’i ketë vënë prangat e gjeopolitikës për t’u cilësuar e tillë. Dhe i kishte vënë, njëmend, Arbërit në fillimshekullin e ikur duke e larë në gjak e lot…
Madje dhe 100 vjet pas, përhihen sërish maskat e vjetra. Lumi Ibër kumton gjithçka. Dhe dëshmon poashtu më shumë se gjithë kronikat për ngjyrën e tij…
Shpirtërat e drejtë të Elizeut do jenë prekur, tronditur e pikëlluar përsa kanë marrë lajmet e liga. Por ata s’mund të flasin nga largësia e shurdhër e Tokës dhe Kohës.
Krejt ç’mund të bëjnë është t’mos u lënë vend fantazmave çnjerëzore të Fushës së Sipërdhéut!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura