Tetovë, 12. 10. 2014: Qyteti i Korçës gjithnjë ka qenë nën presionet e Greqisë për greqizmin e saj me anë të kishës dhe shkollave greke të cilat mundohen të krijojnë një minoritet artificial që para 200 vitesh. Lufta e ashpër është zhvilluar midis patriotëve shqiptar dhe strukturave kishtare dhe shtetërore greke. Kjo luftë nuk ka kursyer shumë figura të larta shqiptare dhe greke, luftë e cila në një formë më klasike zhvillohet edhe sot.
Një ngjarje ende e pa zbardhur mirë nga historianët shqiptar është vrasja e Mitropolitit të Korçës, Fotis i cili nën rrobën e udhëheqësit shpirtëror të ortodoksëve bënte punën për greqizmin e shqiptarëve në zonën e Voskopojës, Korçës e deri në Përmet.
Vrasja e Mitropolitit të Korçës, Foti Kallpidhis më 9 Shtator 1906, erdhi si hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve të cilët ishin mësonjës të shkollave shqipe, Theodhos dhe Kristo Harallambo – Negovani të cilët u masakruan nga grekët, më 12 Shkurt 1905.
– Mitropoliti i Korçës, Foti Kallpidhis –
Gjithnjë është shkruar se Mitropolit Fotin e vrau çeta e Bajo Topullit, por pa përmendur asnjë emër. Studiuesi Xhevat Lluri shkruan se më 1914, në Prongji të Gjirokastrës vijnë 200 ushtarë grekë dhe gjënë e parë që bënë arrestuan Bajram Ligun i njohur për atentatin që kishte kryer me Hito Lekdushin mbi Bimbashin e Gjirokastrës, Mars 1908. Nga torturat në burg grekët i thyen disa brinjë dhe i prenë njërin vesh pasi e akuzonin për vrasjen e Mitropolitit të Korçës, Fotis Kallpidhis. Fshati Prongji mblodhi monedha floriri dhe ia dërguan komandës greke me anë të Majko Llurit për lirimin e tij. Pasi u pranua shuma e florinjve komandanti grek dha urdhër që Bajrami i sakatuar të lirohet. Por nuk u mësua nëse Bajrami kishte qëlluar vërtetë mbi Mitropolitin grek.
Në kujtimet e tij Eqerem Bej Vlora shkruan se çetat e Spiro Kosturit dhe e Spiro Bellkamenit vrasin Mitropolitin Fotis e klerik të tjerë antishqiptar. Studiuesi dhe shkrimtari grek, Tasos Kondojanidhis, shkruan se Mitropolitin e Korçës, Fotin e vrau Spiro Kosturi.
Gjatë kërkimeve të mia nxora përfundimit se Tasos Kondojanidhis ka të drejtë në tezën e tij se Mitropolit Fotis Kallpidhin e ka vrarë Spiro Kosturi. Këtë tezë e mbështesë edhe unë në bazë të ngjarjeve që u zhvilluan pas vrasjes së Mitropolitit grek dhe të disa të dhënave që gjeta gjatë kërkimeve në lidhje me këtë ngjarje.
– Spiro Kosturi –
Mihal Grameno në një shkrim të botuar në gazetën Drita të Sofjes, më 1 Shkur 1908, shkruan se Spiro Kosturin e vranë grekët sepse ata mendonin se familja Kosturi ka gisht në vrasjen e Mitropolitit. Familja e Jovan Kosturit ka qenë njëra nga mbështetësit kryesor të Komitetit të Fshehtë të Manastirit, vetë Jovan Kosturi ka qenë anëtarë i degës së Korçës të këtij Komiteti. Ka të dhëna se kryetar i vërtet i Komitetit të Fshehtë të Manastirit ishte Jovan Kosturi, por kjo gjë mbahej shumë e fshehtë. Në të vërtetë Komiteti i Fshehtë i Manastirit është projekt i familjes Kosturi sepse ata ishin drejtuesit kryesorë dhe financuesit e saj.
Mitropolitin Fotis, nuk e vranë shqiptarët mysliman, nuk e vranë as komitët bullgarë dhe rumunë, atë e vranë ortodoksit shqiptar të Korçës për veprimtarinë antishqiptare që bënte ky klerik i ardhur nga Azia e Vogël. Korçarët e vranë atë, për greqizmin e shqiptarëve duke përhapur gjuhën greke dhe mallkuar gjuhën shqipe. Por Patriarkana e Stambolli nuk hoqi dorë lehtë për të dërguar misionarët e saj për përhapjen e greqizmit tek shqiptarët. Në vend të Foti Kallpidhis, ajo dërgoj Mitropolitin Gjervasio, i cili edhe ky ishte pondios, pra sllavë nga Azia e Vogël.
Mitropoliti i Korçës Foti Kallpidhis renditet në historigrafinë greke tek Heronjtë e luftës për Maqedoninë greke, e cila u zhvillua nga viti 1904-1908. Ai renditet si martiri i parë me rrobën e një kleriku fetar i kësaj lufte. Fjala është për atë Maqedoni që pretendonin grekët nga Manastiri, Ohri, Prespën, Korça, Pogradeci.
Kush është Foti Kallpidhis
Mitropolit Foti Kallpidhis ka lindur më 1865 në Çakrak – Giresun, të Turqisë, afër kufirit me Gjeorgjinë dhe Armenin. Foti Kallpidhi i përket grupit ortodoksë të Azisë së Vogël, ata identifikohen si ortodoksë Pondios. (tradiat, zakohet, veshjet dhe ana antropologjike e pondiove është më afër sllavëve të Azisë së Vogël dhe osmanëve se sa evropianëve, dhe më larg me grekët antik). Familja e tij ishte shumë e varfër dhe e dërgoj për të mësuar në shkollën fetare. Kallpidhis u ngjit shpejtë shkallëve të karrierës duke zënë poste të rëndësishme në Patriarkanën e Stambollit, të cilit i besoj detyra të rëndësishme. Në vitin 1897, ai caktohet një nga drejtuesit kryesorë të revistës javore “EKKLISIASTIKI ALITHEIA” (E Vërteta Kishtare), organ zyrtar i Patriarkanës së Stambollit.
– Jovan Kosturi –
Në Maj të 1902, Foti Kallpidhis u caktua Mitropolit i Voskopojës, Korçës dhe i Përmetit. Ai filloj aktivitetin për greqizimin e ortodoksëve shqiptar ashtu si shumë klerikë të tjerë. Fotis Kallpidhis financojë hapjen e disa shkollave greke në Prefekturën e Korçës, ku mësonin fëmijët shqiptar. Për këto veprime Mitropolit Foti mori lëvdata edhe nga shteti grek. Në përfundim të vitit shkollor më 1905, Konsulli grek i Manastirit në ndarjen e diplomave të nxënësve shqiptar që ndiqnin shkollën greke të Korçës e mbylli fjalimin e tij përshëndetës me fjalët: “Ky është greqizmi i pastër! Rroftë Korça greke”! (ka mundësi që ky konsull të ketë qenë Stamatios Kuzes Pezas, sepse ai lëvizte shumë në fshatrat shqiptar ato vite nga Follorina-Korçë)
Në Qershor të vitit 1905, Mitropoliti Fotis i shpëtoj një atentati në fshatin Plasë. Pas këtij atentati ai i kërkoj autoriteteve turke që ta ruanin, por shqiptarët kishin vendosur ta vrisnin. Në fillim të Shtatorit të vitit 1906, rrugës për në fshatin Bradvicë, Spiro Kosturi vret Mitropolitin Fotis Kallpaidhis. (Bradvica i përket Komunës së Hoçishtit).
Greqia dhe Patriarkana e Stambollit kërkojnë gjetjen e vrasësit të Mitropolitit
Revista javore “EKKLISIASTIKI ALITHEIA” (E Vërteta Kishtare), organ zyrtar i Patriarkanës së Stambolli, i kushtoj vëmendje të veçantë vrasjes dhe figurës së Mitropolitit Fotis Kallpidhis. Në numrin e 16 Shtatorit, 1906, shkruhet një faqe për vrasjen dhe biografinë e tij. Lajme rreth vrasjes, meshën që mbajti në Korçë, Mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangjeli për nder të Mitropolitit të vrarë Fotis dhe shqiptarëve që akuzoheshin për këtë vrasje u botuan në disa numra të revistës në fjalë.
Fjalimin gjatë ceremonisë së varrimit të Foti Kallpidhit e mbajti Mitropoliti i Kosturit, Germanos Kravangjeli i cili u betuar se do ti gjente vrasësit e klerikut grek. Mitropoliti Karavangjelis hapur shprehu para besimtarëve shqiptar se misioni i Mitropolit Fotit për përhapjen e greqizmit do të vazhdojë sepse gjaku u derdh për çlirimin e Greqisë. (Grekët, Korçën e kanë quajtur dhe e quajnë tokë të tyre). Në përfundim të fjalës ai mallkoj shqiptarët dhe vrasësit.
Mitropoliti Germanos Karavangjeli kishte raporte shumë të mira me qeveritarët turq dhe u angazhua personalisht për të gjetur vrasësit e Foti Kallpidhit. Mitropoliti Karavangjeli kishte patur shumë lidhje të ngushta me Kallpidhis. Ata kishin qenë shokë klase gjatë studimeve dhe midis tyre ruhej një lidhje e fortë miqësie. Foti Kallpidhis dhe Karavangjeli i përkisnin grupit të ortodoksëve Pondios, nga Azia e Vogël.
Mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangjeli, kur gjendej në vështirësi kërkonte ndihmën e ushtrisë turke. Më 1903, turqit vranë komitin bullgar Lazar Poptrajkov, i cili ishte nga fshatrat bullgare të Kosturit. Karavangjeli ua kërkoj trupin e tij turqve, dhe pasi i preu kokën e mbante në zyrën e tij si triumf ndaj luftës bullgaro-greke të viteve 1904-1908.
Më 11 nëntor, 1906, dy grek vranë në Selanik Spiro Kosturin si i akuzuari kryesor për vrasjen e Mitropolit Fotit. Grekët nuk u mjaftuan vetëm me këtë vrasje, ata vranë edhe Kostaq Kosturin. Pas disa ditësh qeveria turke arrestojë babanë dhe vëllezërit e Spiros. Këto veprime ishin bërë në bashkëpunim me Mitropolitin e Kosturit, Karavangjelin dhe qeveritarëve turq kundra patriotëve shqiptar. Gazeta Drita e Sofjes më 26 Shkurt 1907, boton një artikull të bujshëm me titull “Pse grekët vranë Spiro Kosturin?, “Ç’bëri qeveria barbare, ç’duhet të bëjnë shqiptarët? Pas shumë presioneve nga mediat shqiptare dhe pagesës që paguan shoqatat patriotike, qeveria turke për mungesë provash i lirojë nga paraburgimi Jovan Kosturin dhe dy djemtë e tij.
Mitropoliti i Kosturit, Germanos Kravangjeli, në mesin e ushtarakëve më të lartë të ushtrise turke, në vitin 1906!