Tiranë, 27. 06. 2015 – Në kujtesën tonë kolektive, 27 qershori përbën pa dyshim ngjarjen më të dhimbshme. Kësaj date i referohemi shpesh sa herë kujtojmë prindërit, motrat e vëllezërit që dora vrastare e shovinistëve grekë ndau prej nesh në mënyrën më gjakatare 71 vjet më parë. Kjo datë shënon nisjen e aktit final të tragjedisë së luajtur mbi shqiptarët e Çamërisë. Në muajt qershor 1944 – mars 1945, hordhitë shoviniste greke realizuan ëndrrën e tyre shekullore për shpërnguljen me dhunë nga trojet e veta të popullsisë shqiptare.
Vetëm dy dekada pasi Greqia kishte fituar pavarësinë me ndihmën e jashtëzakonshme të shqiptarëve, pikërisht në vitin 1844 u hartua Megali Ideja, e cila e shihte Greqinë si një vend të banuar vetëm nga grekët. Aneksimi dhe shkombëtarizimi i trojeve shqiptare të Çamërisë dhe helenizimi i Shqipërisë së Jugut ishin pjesë e kësaj strategjie.
Kësaj ëndrre grekët iu rikthyen shumë herë, por ishte pikërisht fundi i Luftës së II Botërore, koha kur bota ishte ngritur kundër bishës naziste, moment i zgjedhur prej tyre për të realizuar një nga aktet më të përgjakshme të luajtura ndonjëherë ndaj një popullsie të pafajshme. Në kapërcyellin e kësaj lufte, bandat zerviste u vërsulën me egërsi, vranë mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë i detyruan të lënë në dhimbje vendin e tyre për fajin e vetëm pse ishin shqiptarë.
Shqiptarët e Çamërisë, banorë të lashtë të kësaj toke, kishin kërkuar gjithnjë të jetonin e punonin në paqe duke u përpjekur të ndërtonin fqinjësi me grekët dhe nuk kursyen ndihmën e tyre për fqinjët sa herë kjo ndihmë ishte e nevojshme.
Ndër shekuj kjo popullsi ka nxjerrë nga gjiri i vet njerëz të shquar, që me jetën dhe veprën e tyre i kanë bërë nder jo vetëm krahinës, por tërë historisë, si asaj shqiptare, por edhe asaj greke e botërore. Në ballë të figurave qëndron sigurisht Pirroja i Epirit, njeriu legjendë, pasardhës të të cilit Skënderbeu thoshte se ishin shqiptarët. Luftëtarë e prijës të shquar ishin edhe Pjetër Losha e Gjin Bua Shpata në mesjetë, për të vazhduar me heronjtë e revolucionit grek Marko Boçari, Foto Xhavella apo Odise Andruco, si dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë, trima si ata, që historia i nderon.
Shqiptarët e Çamërisë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në çdo ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, përmendim Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku spikat figura e Abedin Pashë Dinos, që në shkurt të vitit 1878 në krye të 2400 luftëtarëve kishte mposhtur bandat greke në luftën e famshme të Lëkurësit.
Në Kuvendin e Vlorës, Çamëria kishte përfaqësuesit e saj Tahir Mete, Jakup Veseli, Veli Gërra e Rexhep Demi për të shprehur vullnetin për pavarësinë e atdheut. Ishte biri tjetër i Çamërisë, Rasih Dino, që në krah të Plakut të Vlorës mbrojti në kancelaritë evropianë pavarësinë e saposhpallur.
Kjo tokë nuk kish lindur vetëm luftëtarë, por edhe dijetarë, njerëz të shkencës, mendimit, artit e letrave shqipe, duke përmendur humanistin e shenjtorin Maksim Artioti, Hasan Tahsinin e madh, Elena Gjikën, Kolë Idromenon, Mitrush Kutelin, Salih Çekën, Bilal Xhaferrin e dhjetëra të tjerë.
Shqiptarët e Çamërisë ishin pjesëmarrës aktivë në Luftën Antifashiste. Në formacionet luftarake në të dyja anët e kufirit morën pjesë mbi 1000 bij e bija të Çamërisë dhe një pjesë prej tyre dhanë edhe jetën, çka hedh poshtë çdo justifikim për barbaritë që hordhitë greke luajtën në shpinë të popullsisë së pambrojtur shqiptare. Në muajt e tmerrit, zervistët provuan mbi popullsinë e pafajshme aktet më të tmerrshme të urrejtjes dhe ligësisë njerëzore, për të realizuar atë që me kohë kishin planifikuar. E, pasi i vranë, i therën, dogjën të gjallë e i masakruan, më në fund edhe i shanë, u thanë “tradhtarë” e “bashkëpunëtorë” dhe vazhdojnë edhe sot me të njëjtën gjuhë të urrejtjes.
Qeveritë greke të pasluftës janë bërë bashkëfajtorë të atyre krimeve të mynxyrshme, përderisa nuk gjejnë dot kurajën të distancohen nga këto krime, të kërkojnë ndjesë për të lehtësuar sadopak shpirtrat e atyre, që me përdhunë u shpërngulën nga trojet e veta, të lehtësojnë shpirtrat e atyre që humbën njerëzit e dashur në kalvarin e dhimbjeve të asaj kohe.
Gjenocidi ndaj popullsisë çame ishte një krim tipik kundër njerëzimit, i cili jo vetëm nuk u ndëshkua asnjëherë, por u kalua në heshtje nga qarqet ndërkombëtare. Ky ishte një veprim i vetë qeverisë greke, e organizuar dhe e drejtuar prej saj. Nuk është i saktë dhe real opinioni i hershëm zyrtar i ruajtur deri më sot se dëbimi i shqiptarëve nga Çamëria u bë nga qarqe të caktuara reaksionare greke. Po të ishte ashtu, edhe shteti grek të ishte dorëjashtë, do të lindte natyrshëm pyetja: Përse shteti i sotëm grek nuk mban qëndrim të kundërt e nuk e dënon këtë krim të shëmtuar dhe, ç’është më e keqja, nuk lejon kthimin e tyre në trojet e veta, pa folur këtu për shpërblimin e dëmit të shkaktuar?!
Shqiptarët e Çamërisë ishin shtetas grekë, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë në Greqi. Dallonin prej tyre vetëm nga kombësia dhe përkatësia fetare. Dëbimi i tyre nuk mbështetet nga asnjë akt apo marrëveshje ndërkombëtare. Përkundrazi, në një sërë aktesh ndërkombëtare garantohet mbrojtja e shtetasve pa dallim kombësie e feje nga veprimet arbitrare që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të tyre, siç janë Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile e Politike, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut e Liritë Themelore etj.
Më konkretisht, në protokollin 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut garantohet mbrojtja e shtetasve kundër dëbimit nga territori i shtetit të vet. Kështu, në nenin 3.1 sanksionohet: “Askush nuk mund të dëbohet me anë masash individuale ose kolektive nga territori i shtetit, shtetas i të cilit është”, ndërsa në pikën 2 të këtij neni është garantuar e drejta e hyrjes në territorin e shtetit që i përket si shtetas. Për të shmangur çdo dyshim, po citojmë pikën 2 të nenit 3: “Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta të hyjë në territorin e shtetit shtetas i të cilit është”.
Çështja shtrohet që shteti grek të detyrohet të pranojë botërisht dhe me vepra të kërkojë ndjesë për këtë krim të kryer, duke pranuar dhe njohur të drejtën e të dëbuarve dhe pasardhësve të tyre për t’u kthyer në vatrat e veta dhe, mbi këtë bazë, kthimin e të gjitha pronave e shpërblimin e të gjitha dëmeve të pësuara.
Shteti grek nuk ka e nuk mund të ketë bazë justifikimi as politikisht e as juridikisht. Dëbimi me dhunë është një nga mënyrat e kryerjes së krimit kundër njerëzimit. Ky krim nuk parashkruhet dhe me akte ndërkombëtare është sanksionuar zbatimi i dispozitave penale me fuqi prapavepruese. Prandaj, nuk mund të bëhet fjalë për kalimin e kohës së gjatë. Po ashtu nuk ka rëndësi numri i madh apo më i vogël i popullsisë së dëbuar, por ana subjektive e veprës kriminale. Shteti grek i dëboi të gjithë shqiptarët çamë që i përkisnin fesë myslimane, pa bërë asnjë dallim dhe gjithë sa ishin.
Më 27 qershor mbushen 71 vjet nga dita e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, 71 vjet privim nga e drejta jonë njerëzore dhe kombëtare, 71 vjet sakrifica sublime për mbijetesë, në emër të shpresës, në emër të rikthimit në dheun tonë të dashur, në vendlindjen e prindërve tanë, në të shenjtën Çamëri.
Çamëria, e lënë në harresë nga Evropa, e lënë në mëshirën e fatit nën një regjim totalitar komunist për më se gjysmë shekulli, e ndjekur, e persekutuar, e gjakosur mbi një shekull, pret drejtësi.
Është koha që politika shqiptare të unifikojë qëndrimin e saj rreth çështjes çame. Një hap i rëndësishëm është bërë: Rezoluta për Çamërinë. Por kjo nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me të tjera veprime dhe angazhime. Qeveria dhe institucione të tjera të shtetit shqiptar lipset të dalin nga qëndrimet e deritanishme pritëse dhe të ndërmarrin iniciativa për të diskutuar rreth zgjidhjes së saj. Përfaqësimi politik i shqiptarëve të Çamërisë në Kuvendin e Shqipërisë përmes Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet është një realitet që ka detyruar dhe ka sjellë zhvillime, të cilat do të duhet të çojnë në veprime konkrete për zgjidhje.
Duhet të kuptohet nga politika e të dy vendeve se kjo zgjidhje është në dobi të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë dhe që do të ndikonte në fuqizimin e paqes dhe të zhvillimit në rajonin tonë e më gjerë. Zgjidhja e çështjes çame do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë në konsolidimin e paqes, fqinjësisë së mirë dhe integrimit. Kthimi i shqiptarëve të Çamërisë në tokat e veta do të ndikonte në zhvillimin e këtij rajoni, i cili është lënë qëllimisht i pazhvilluar dhe në mungesë të plotë të investimeve.
Pronarët e vërtetë të shtëpive, tokave e bizneseve do të jetësonin tërë këtë pasuri të paçmuar. Zgjidhja do të çlironte nga ngërçi qeverinë dhe institucione të tjera të shtetit grek, duke bërë një hap të rëndësishëm në drejtim të respektimit të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut.
Duke gërshetuar përpjekjet politike, diplomatike dhe ato juridike, shteti grek do të detyrohet të ulet në tryezën e bisedimeve, por për këtë kërkohet vendosmëri e këmbëngulje nga ana e institucioneve shqiptare, si dhe unifikim të faktorit shqiptar kudo që ai jeton.
Koha për nisjen e zgjidhjes së çështjes çame është tani!
– Autori është kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria”.