GËZUAR 28 NËNTORIN 1443 / 1912

28 Nëntori 1912 nuk është Dita e Flamurit!

GËZUAR 28 NËNTORIN 1443 / 1912

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 27 Nëntor 2022

Sot jemi në prag të dy festave mbarëkombëtare:

28 Nëntorin 1443 kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti Flamurit arbëror në Krujë dhe 28 Nëntorin 1912, kur Kuvendi mbarëkombëtar në Vlorë shpalli Shqipërinë të pavarur në kufijtë e saj etnik, në 121 329 km².

DITA E FLAMURIT

– 579 vjet më parë, më 28 nëntor 1443, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në prani të popullit krutanë (arbërve të Krujës) ngriti flamurin e Lirisë (atë të Kastriotëve) mbi muret e Kështjellës në Krujë. Nga të dhënat shkrimore të Marin Barletit, Skënderbeu me këtë rast iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: “Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja”.

Rrjedhimisht 28 Nëntori 1443 është Dita e Flamurit tonë kombëtar.

DITA E PAVARËSISË

– 469 vjet më vonë, saktësisht më 28 Nëntor 1912 në Kuvendin mbarëkombëtar të Vlorës, delegatët e Katër Vilajeteve Shqiptare (Vilajeti i Kosovës, Manastirit, Janinës dhe i Shkodrës) shpallën Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik në 121 329 km². Në këtë ditë historike Kryetari i Kuvendit Ismail Qemali për të madhështuar këtë akt të pavarësisë, në ballkonin e shtëpisë ku u mbajt Kuvendi, ngriti Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si simbol kombëtar të shqiptarëve.

Dhe në këtë kuptim pa ngatërrim, 28 Nëntori 1912 është Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnik, e jo Dita e Flamurit!

KATËR VILAJETET SHQIPTARE NË PRAG TË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Financave të Perandorisë Osmane, situata demografike e vilajeteve shqiptare për vitet 1910 – 1911 paraqitet kështu:

1.Vilajeti i Shkodrës kishte një sipërfaqe prej 12.991 km2 dhe 233.965 banorë. Dendësia e popullsise ishte 18 banorë për km².

2.Vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 44.192 km2 dhe 1.243.501 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 28 banorë për km².

3. Vilajeti i Manastirit kishte një sipërfaqe prej 44.136 km2 dhe 880.000 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 20 banorë për km².

4. Vilajeti i Janinës kishte një sipërfaqe prej 20.000 km2 dhe 537.199 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 27 banorë për km².

Kosova dhe Janina hynin në vilajetet me dendësi popullsie të madhe në Perandorinë Osmane. Ndërsa të gjitha vilajetet shqiptare kishin një sipërfaqe prej 121.319 km² dhe një popullsi prej 2.894.719 banorësh.

Nga kjo shifër duhet zbritur një përqindje të popullsive të përkatësive etnike tjera. Por e sigurtë se shqiptarët kalonin shifrën e 2 milionshit. (Burimi: Hasan Bello – Sa ishte sipërfaqja dhe popullsia e vilajeteve shqiptare në vitet 1910-1911?)

KRYEFESTA JONË KOMBËTARE

Në çdo nëntor, shqiptarët në gjeografinë etnike dhe të kudondodhur në botë, trupin, shpirtin dhe mendjen e kanë të përqendruar te Kryefesta Kombëtare. Atje ku ka filluar numërimi i këtyre 110 viteve, më 28 Nëntor 1912, në këtë ditë pikënisjeje për Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj Etnik, në 121 329 km². E quaj pikënisje për pavarësi, për faktin sepse nuk u bë Shqipëria e 28 nëntorit 1912!

U copëtua në Konferencën e Londrës, në korrik 1913, duke e njohur një Shqipëri të gjymtuar në vetëm 28.748 km². Prandaj të punojmë për Shqipërinë e 28 nëntorit 1912!

GËZUAR!

Total
15
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura