Gjenevë, 14. 04. 2015 – Shqiptarët edhe pse të përndjekur e të larguar në rrethana tepër të rënda historike nga trojet e tyre, për as një çast nuk u shkëputën nga thesari i trashëgimisë së tyre kulturore. Në fillim të viteve të 90-ta në Gjenevë, të Zvicrës me iniciativën e koreografit të mirënjohur, Xhemaili Berisha u themelua Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “GËZUAR”. Kjo Shoqatë kulturore tuboi në radhët e veta të rinj e të reja me prirje në këngë e vallëzim.
Falë punës aktive të stafit drejtues dhe përkushtimit të solistëve dhe valltarëve në ushtrime dhe prova ky Ansambël shpejt u bë vendi më i pëlqyeshëm i mërgimtareve tanë dhe i miqve të tyre zviceranë. Kriter parësor dhe gati i vetëm i koreografit Xhemaili Berisha dhe i producentit Nexhmedin Ilazi ishte ruajtja e vlerave të mirëfillta folklorike dhe lufta e rreptë ndaj dukurive negative siç janë: shundi, kiçi dhe stilizimet e panevojshme të cilat e shëmtojnë në përgjithësi pastërtinë e artit shqiptar.
Përfillja e plotë e këtyre kërkesave pozitive dhe konceptimi i drejtë i asaj, është origjinale dhe me zanafillë nga folklori dhe etnologjia jonë dhanë rezultate të duhura. Më tepër se një dhjetëvjeçarë ky Ansambël shpalosi vlerat më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore.
ASSOCIATION “GËZUAR” – Genève, Avenue du Gros Chêne 43 – 1213 Onex
ANSAMBLI“GËZUAR” – Rue du Grande Bay 12 – 1220 Les Avanchets/GE
Valltarët e Ansamblit “GËZUAR” më 24 maj 2014 në stadiumin qendror të Gjenevës, kënaqin me lojën e tyre të bukur mijëra shikues pak çaste para takimit miqësor ndërmjet kombëtares së Kosovës dhe asaj të Senegalit 1:3.
Veprimtaria e Ansamblit “GËZUAR” lëshoi rrënjë edhe jashtë Zvicrës. Nëpërmjet të një klasifikimi dhe përzgjedhjeje paksa më të veçantë të këngëve dhe valleve tona popullore ky Ansambël u paraqit denjësisht edhe në Gjermani e Francë,duke lënë gjurmë dhe përshtypje të pashlyeshme tek artdashësit. Vitin e kaluar drejtuesit e Ansamblit “GËZUAR” së bashku me grupin e valltarëve kanë qenë të ftuar special të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore “SHOTA” të Republikës së Kosovës. Trupa e Ansamblit “GËZUAR” gjatë qëndrimit në Kosovë,ka luajtur me mjaft mjeshtëri disa valle. Paraqita spektakulare e këtyre të rinjve të lindur e të edukuar në Gjenevë të Zvicrës ka mahnitur jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe publikun.
Kurse juria profesionale e magjepsur nga mënyra e prezantimit dha vlerësimet më të larta për punën e Ansamblit “GËZUAR”, dhe uroi që këto vlera të ruajtura nga paraardhësit tanë të mbrohen edhe nga të tjerët me kaq fanatizëm e dashuri. Ky Ansambël i sukseseve të njëpasnjëshme sivjet do të jetë pjesëmarrës i Festivalitit Folklorik Mbarëkombëtar “GJIROKASTRA 2015”. Me kusht që të vazhdohet me suksese të reja në Ansamblin “GËZUAR” nuk rreshtin së punuari. Mirëpo përkundër punës së palodhshme dhe sistematike pjesëmarrjen në këtë takim artistik që zhvillohet çdo pesë vjet në sheshin e kështjellës së Gjirokastrës, dhe që nis më 10 dhe përfundon më 16 maj të këtij viti, lehtë mund ta vë në pikëpyetje mungesa e mjeteve materiale.
Kështjella ku do të mbahet Festivali Mbarëkombëtar “GJIROKASTRA 2015”
Prandaj është mirë që të gjithë së bashku t’i qasemi më me përgjegjësi të madhe zgjidhjes së këtij problemi, në mënyrë që ta sendërtojmë këtë ëndërr të kahmotshme të fëmijëve tanë. Botërisht dihet se vite të tëra këta të rinj entuziastë pa më të voglin kompensim material mbajtën gjallë aktivitetin kulturor të shqiptarëve jashtë atdheut, duke kontribuar pa hile në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
======================================
Ansambli “Gëzuar”
1 Kafe me Labin – Ansambli “Gëzuar” nga Gjeneva 28.09.2014