VASIL VASILI: ERDHI (KA ARDHUR) PARATHËNIA E PARATHËNIEVE!

Patra (Greqi), 12 tetor 2017: Migjeni i hap “Vargjet e lira” (librin) me poezinë “Parathania e parathanieve”. Pak dritë zhbiruese kuptimore mbi thelbet e këtyre fjalëve parathënëse është e domosdoshme për ta shkrifëruar këtë titull.
“Parathania e parathanieve” s’lëviz mbi shtratin e përsëritjes së të njëjtës fjalë dhe s’është kalim i thjeshtë nga njëjësi te shumësi.
Të dyja fjalët janë ngritur mbi dy fjalë të bashkëngjitura, por shoqërimi i tyre i përafërt mbaron në këtë cak. Pastaj, më tej, ato vijojnë secila mëvetsinë. Kanë farefisni në gjakun e tyre kuptimor, por rreth vetes kanë ngritur me mundin e fjalëformimit kuptime vetjake.
“Parathania” është (thuhet) tani (pikërisht tani) për “parathaniet”. Ato s’kanë vetëm kohët gramatikore të ndryshme. Forma e të menduarit që u është kallur i largon nga përbashkësia dhe i lë në fqinjërimin e dhënie marrjeve të trajtave dhe kuptimeve.
E lidhur me vargun nisitor të saj “Përditë përndojnë zotat” është sikur të thuhet: “Përditë thuhet “Parathania”, është sikur të thuash: “Përditë përndojnë parathaniet”, është sikur të thuash: “Zotat përndojnë te “Parathania”.
“Parathania” e ka marrë vlerën kuptimore nga fjalët: “përditë”, “përndojnë” dhe “zotat” që janë kuptime të nënkuptuara nga teksti të “parathanieve”. Në këtë rast, ajo është një fjalë që ngrihet kuptimisht mbi tri fjalë, dhe në qerrthullin e saj kuptimor, ka hapur shtegun për një fjalë tjetër që na endet nëpër tru, por që ende s’është bërë fjalë me tinguj të saj. Ajo ekziston si projekt për një fjalë, ndërsa si kuptim është realizuar dhe na shoqëron në lexim me nëntekstet.

Po ta përimtësojmë më tej fjalën “përditë”, do të shikojmë, nga mënyra se si e përdorim dhe nga denduria e njëtrajtëshme kuptimore që mbart , synimin për t’u bërë simbol, por që s’bëhet e tillë se i mungon e afërvlerëshëmja e kahut tjetër të figurës.
E marrë në vetvete fjala “përndojnë” përcjell në mënyrë asnjanjëse pamje në fundin e një cikli.
Ndërsa fjala “zotat” përdoret si një simbol i pastër (i realizuar) i përfytyrimit. Por në thelb ajo s’është simbol se: “zotat përndojnë” dhe njëhershi bie edhe kahu tjetër i figurës. Një përfytyrim me një kah s’krijon kushte për të qenë simbol.
Këto janë pamjet më asnjanjëse të tri fjalëve.
Po ti shpiem në përfundimet e tyre fjalët, pra ti mbushim me kuptimet tona të shumta që u kemi dhënë, do të krijojmë nga vargu “Përditë përndojnë zotat” dhe nga takimi i tij me titullin “Parathania e parathanieve”, pamje ngashënjyese që lëvizin historinë e mendimit.
Po të merremi edhe me pak “asnjanjësi” fjalësh do të këqyrim se fjala “përditë” është shtrati i përsëritjes, gjithashtu edhe fjala “përndojnë” është e lidhur me fije të pakëputshme me përsëritjen. Si dukuri natyrore ato janë para shqisave tona dhe kujtesës.
Ndërsa fjala “zotat” është përpjekje për një simbol konceptual, që asnjëherë s’është ndodhur para shqisave tona dhe kujtesës.
Ato nuk i shpëtojnë dot ciklit të përsëritjes jetëdhënëse.
Të tria fjalët e këqyrura, kanë në nështresat e tyre një mbarim, që do ta japim me eufemizmin e Migjenit: “përndojnë”.
Edhe diçka shtesë duhet thënë për përpikëri. Fjalët “përditë” dhe “përndojnë”, megjithëse janë ciklike, vetëm dukjen e kanë të barabartë me “vdekjen”. Ato pavarësisht ligështimit të këqyrësit në fund të ditës, “rilindin” përditë nga “perëndimet” e tyre.
Mbetet vetëm fjala “zotat”, që është përfytyrim i qenieve të ndërprera, që të përndojnë.
“Parathania” i shtohet fjalës “përditë” dhe “përndojnë” dhe u jep theks të ri. Në rrugën e saj, ajo më në fund, bashkohet… me fjalët “përditë” dhe “përndojnë”. Bashkimi, në thelb, përthith dy dukuri natyrore me shqisat dhe kujtesën.
Ndërsa jashtë mbeten zotat.
Ajo çka kumton Migjeni me “Parathania e parathanieve” është “Parathania”. Nëpërmjet saj këndon rekuiemin e “parathanieve”. Migjeni është i shprehur i tëri në “Parathania”. “Parathania” është e Re, kuptimisht e Re. Është një Nistore. Poetët kanë nevojë të përkthejnë fjalët e tyre për vete dhe për të tjerët. Migjeni fillon ta përkthejë “Parathania e parathanieve” me vargun, “Përditë përndojnë zotat”.
Te “Parathania e parathanieve” s’duhet harruar e-ja, nyjë e “parathanieve”, dërguar nga “Parathania” për te “parathaniet”, që ushqehet nga dy të kundërta. Është sa e “Parathanies” (e nëntekseve të saj), po aq edhe e “parathanieve”. Gramatika ka spikatur stilin dhe stili e ka bërë elegante gramatikën.
“Përditë përndojnë zotat” është trajtë shprehëse e “Parathanies”. Me rezervën kuptimore që e ka mbushur Migjeni, “Parathania” shoqëron gjithë poezinë dhe e lidh në një njësi me të kundërta.
Fjalët e “Parathania e parathanieve” kanë një simetri të brendshme me fjalët “Përditë përndojnë zotat”.
“Parathania” përkon me fjalët “përditë” dhe “përndojnë”, “e-ja” përgatit theksin logjik dhe ngashënjyes, “parathanieve” i përgjigjet fjalës “zotat”.
“Parathania” si e përkundërt e “parathanieve”, si fund i tyre, si koncept i kontrollueshëm është altari i dheut që djeg erëzat e tij për të ikur zotat. Ç’pason në trupin e poezisë është teatri i “Parathanies” me aktorë të zvetënuar të “parathanieve”.
“Përditë përndojnë zotat” thotë: Erdhi (ka ardhur) Parathania e parathanieve. Po ta bëjmë sureal përfytyrimin me zotat, që “përndojnë”, do të shikojmë një varrezë që është hapur te njeriu (brenda). Më parë kjo varrezë ishte ama e lindjes së zotave. Kanë një ndryshim varrezat e ngurtësuara nga varret e proshkët në parzmin e njeriut.
Varrezat te njeriu (në parzëm) janë si mbyllja e një cikli dhe portat e tyre janë të hapura për të “përnduar” zotat. Perëndimi lidhet vetëm si shoqërim ikone me zotat, sepse në fakt zotat s’perëndojnë në perëndim. Ato perëndojnë atje ku lindën – në përfytyrimin e ekzistencës me hierarki.
Perëndimi i zotave është një zbulim i kahershëm. Migjeni bëri zbulimin: “Parathania e parathanieve”. Ai i vuri një cak ekzistencës së zotave. Ai e gjeti cakun në fjalën “përditë”. Përditë “mat” përndimin e zotave.
Vagun nistor mund ta lëmë edhe pa autorësi. Ç’domethënë pa autorësi? Që ai lihet të këqyret i lirë nga ekzistenca. Këqyrja e lirë nga ekzistenca është thelbi i të menduarit. Ndërsa bashkimi i këqyrjes së lirë nga ekzistenca me thelbin e të menduarit shprehet në mënyrën më të zhdërvjelltë në: “Përditë përndojnë zotat”.
“Përditë përndojnë zotat”, është një varg? Është i tillë për aq sa i japim një kuptim duke u nisur nga një prosodi. Por kaq është gjithnjë shumë pak. Prosodia thekson ritmin dhe melodinë, por jashtë vargut mbetet një pjesë e thelbit të të menduarit, që përftohet me këqyrje të lirë nga ekzistenca. Dobësimin kuptimor që e zbeh prosodia e fuqizon stili me një realizëm të ashpër që është një ndriçues për të hyrë në thelbin e mendimit.
Ç’është kjo këqyrje e lirë nga ekzistenca? Mos është ngritja e njeriut mbi cakun e njeriut me zota? Po blasfemojmë? Në këqyrjen e lirë (pa parathaniet) fjala “blasfemi” nuk përdoret.
Migjeni thotë: “Përditë përndojnë zotat”, që thotë: Erdhi (ka ardhur) Parathania e parathanieve.
Nga një titull rrjedh teksti i thukët i Migjenit. Lidhja e tekstit me “Parathania e parathanieve” fillon të përçohet me vargun nistor “Përditë përndojnë zotat”. Milloshi krijoi botën e Migjenit pasi shestoi një titull dhe një varg. Ky titull është Nistor. Është e Kremtja e Madhe e Letrave shqip.
Ai është titull që çliron. Kjo është cilësia e parë e tij. Ai çliron nënshtresat me të cilat është krijuar në zanafillë. Ai çliron: “Përditë përndojnë zotat”, ndërsa ky varg NISTOR çliron për shestimin e tij dhe të “Parathania e parathanieve”: “Këngët e ringjalljes” me thirrjen apokaliptike “Të lindet njeriu” (pa parathaniet), kjo thirrje apokaliptike çliron për konceptualitetin e saj dhe të ksomblave paraardhëse “Poemën e mjerimit” e , kështu formohet pema gjenealogjike konceptuale e “Parathania e parathanive”. Plotësohet dhe hapet bëhet gjendja e përhershme e saj.
Në saj të këtij shestimi konceptual Migjeni është filozof, shkrimtar filozof shembëlltyrë. Në “Parathania e parathanive” është strehuar i gjithë teksti i Migjenit ose teksti i Migjenit ka edhe emrin konceptual “Parathania e parathanieve”
Shqipja ka krijuar një shestim të madh konceptual (filozofik) dhe vargun Nistor të tij po kaq të madh.
Themi: “Përditë përndojnë zotat” dhe kjo rrjedh nga “Parathania e parathanive”.
Vasil Vasili – Patra, 30 shtator 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura