Gjenevë, 11 qershor 2017: “FC Kosova” e Gjenevës sivjet mbush 20 vjet të themelimit: ajo është zyrtarizuar me regjistrim pranë Asociacionit kantonal të futbollit të Gjenevës, më 1997.
Zvicra thuhet se numëron rreth 200 mijë të migruar shqiptarë, të integruar me sukses në shoqërinë helvetike. Po ashtu të rinjtë tanë mërgimtarë kohën e lirë e programojnë me pjesëmarrje aktive në shoqëri kulturore dhe klube të ndryshme sportive. Në këtë fushë shquhen sidomos të rinjtë e FC “Kosova“ të Gjenevës, të cilët sivjet shënojnë njëzetvjetorin e punës dhe të suksesit. Kjo skuadër, aktualisht anëtare e Ligës së Dytë Regjionale të Kantonit të Gjenevës, është zyrtarizuar me regjistrim pranë Asociacionit kantonal të futbollit të Gjenevës, më 1997.
Themelues të FC Kosova të Gjenevës, janë vëllezërit Besim dhe Burim Jahiu, me origjinë nga Anamorava e Kosovës. Posaçërisht nga mërgimtarët shqiptarë të Gjenevës, si aktivist i dalluar sportiv dhe si organizator i shkëlqyer njihet Besim Jahiu. Ai mbi një dekadë me mjaft sukses kreu detyrën e Presidentit të Klubit “Kosova” të Gjenevës, duke qenë për aq kohë edhe lojtar aktiv i kësaj skuadre. Brenda një harku të shkurtër kohor së bashku me bashkëpunëtorët e tij sjell në klub futbollistët me emër si Bujar Latifi, ish-lojtar i dalluar i “KF Shkëndija” të Tetovës, anëtare e Superligës së Maqedonisë. Lojtar tjetër në zë ishte edhe Fadil Haliti, sulmues cilësor i disa skuadrave të Kroacisë, anëtare të ish-Ligës së Dytë të Jugosllavisë, e më vonë trajner i suksesshëm e shumëvjeçar i “FC Kosova” të Gjenevës.
Jashtëzakonisht i dobishëm për “FC Kosova” të Gjenevës tregohet edhe Hysen Bilalli, dikur qendërmbrojtës i pakalueshëm i “KF Borci” të Ferizajt, ish anëtar i Ligës së Parë të Kosovës, tani i njohur me emrin “KF Ferizaj”, anëtar i Superligës së Republikës së Kosovës në futboll. Në fund të viteve të 80-ta ky futbollist me një përgatitje të jashtëzakonshme fizike pati luajtur edhe në disa skuadra të kantonit Vaud, si: “FC Saint-Legier”,” FC Forward-Morges” dhe “US Terr-Sainte 1940”. Paraqitjet e tij të rregullta në fanellën e këtyre ekipeve dhe loja e bukur i mundësuan këtij lojtari me eksperiencë rregullimin e dokumenteve dhe qëndrimin e përhershëm në Zvicër. Përforcim i madh për skuadrën FC Kosova të Gjenevës, për kohën konsiderohen edhe vëllezërit Armend e Arben Selmani, sulmues të spikatur. Armend Selmani me mjaft sukses ka luajtur edhe në FC ”Etoile –Carouge” të Gjenevës, në të kaluarën anëtare e Challenge League të Zvicrës. Kurse me skuadrën “FC Kosova”, debutojnë qendërsulmuesi efikas Halil Rrahmani, portierët shtatgjatë Reshat Kamberi e Bujar Ahmeti. Mbrojtësit perspektivë e me përvojë Nexhat Xhymshiti –Xhimi, Behxhet Rexha, Samet Mjaku, dhe treshja e vëllezërve Bajrami, loja e të cilëve ndërlidhet për mrekulli me lojtarët e ardhur.
E pa konkurrencë, kalon shpejt një rang më lart
FC Kosova e përbërë nga lojtarë cilësorë mposht kundërshtarët e saj një nga një me lehtësi dhe rezultat të thellë. Ajo, si lider i grupit, Kampionatin vijues e nis në Ligën e katërt rajonale të Gjenevës. Edhe në këtë Ligë është e pa konkurrencë. Jo vetëm në terren të vet por edhe si mysafire gjunjëzon rivalët e saj. Qendërsulmuesi Halil Rahmani, gati në çdo ndeshje tregohet i frytshëm duke shënuar nga të gjitha pozitat. Ai në fund të Kampionatit radhitet si golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i grupit të kësaj Lige. FC Kosova pa kurrfarë pengese më 1999-2000 kalon në Ligën e Tretë Rajonale të kantonit të Gjenevës. Ajo edhe në këtë rang garash demonstron lojë të bukur dhe tubon numër maksimal pikësh. Kuota e pikëve të tubuara dy-tre javë para përfundimit të Kampionatit u siguron futbollistëve të kësaj ekipe triumfin. Ata në fund të gushtit të vitit 2000 si anëtarë të Ligës së Dytë Rajonale të Gjenevës, nisin garat me dymbëdhjetë skuadrat më të mira të këtij kantoni.
Sukseset e këtyre djemve të vyeshëm do ta kenë edhe mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë. Për skuadrën e tyre të zemrës nuk kursejnë asgjë as afaristët e shumtë shqiptarë të cilët veprojnë prej vitesh në Gjenevë. Po ashtu nga ndeshja në ndeshje shumëfishohet edhe numri i tifozëve. Ata, si lojtari i dymbëdhjetë i kësaj skuadre nën tingujt e daulles dhe zurlës krijojnë atmosferë të vërtetë festive në 45 stadiumet e kantonit të Gjenevës.
Ish lojtari i Valencias luajti për “FC Kosovën” e Gjenevës!
“FC Kosova” tashmë me një përvojë të duhur dhe organizim të shkëlqyeshëm bëhet tërheqëse edhe për lojtarët e komuniteteve të tjera. Anëtarë të kësaj skuadre më 1999 bëhen portieri Antonio Di Marco me origjinë italiane dhe qendërsulmuesi i njohur me ngjyrë nga Kongo, Alex Tekumo, i cili në të kaluarën luajti në skuadrën e famshme “FC Valencia” të Spanjës. Me këta dy lojtarë të klasit të parë dhe me dy-tri përtëritje të tjera “FC Kosova” arrin kulmin e suksesit dhe bën emër në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës. Përveç suksesit në Kampionat, futbollistët e saj pesë herë luajnë edhe në Finalen e Kupës së Gjenevës. Këta dy lojtarë së bashku me bashkëlojtarët e tjerë shqiptarë me të drejtë mund të quhen si gjenerata që la gjurmë të pashlyeshme suksesi në futbollin gjenevas dhe e bëri krenare mërgatën tonë.
Sikurse çdo skuadër tjetër futbolli ashtu edhe FC Kosova e Gjenevës, pati momente krizash. Mirëpo ato u tejkaluan shpejt falë ish- futbollistëve veteranë të kësaj skuadre Fadil Haliti, Hysen Billalli e Bujar Latifi, të cilët morën drejtimin e saj. Ata, në cilësinë e trajnerëve ruajtën bërthamën e ekipit dhe shtuan fondin e lojtarëve duke angazhuar lojtarë të talentuar si: Burim Terziun e FC Drita të Gjilanit, Asmir Zenelin e FC Meyr-in LNB të Gjenevës, mbrojtësit perspektivë Liridon Heta e Liridon Imeri, mesfushorët Armend Zatriqi e Përparim Emerllahu, sulmuesit Alban Osmani e Ibrahim Fazlija.
Skuadra tregoi formë stabile në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, në të cilën luajti me mjaft sukses plot 15 vjet. Më 2013, ish-trajnerët Haliti, Bilalli dhe Latifi, u detyruan të lënë drejtimin e skuadrës. Ndërkohë ata zëvendësohen nga lezhjani Durim Lika. Në klub vijnë edhe lojtarët profesionistë të Superligës së Shqipërisë si: Florian Braho, Klodian Asllani dhe Elton Lika. Braho, më herët luajti në “KFLuftëtari” të Gjirokastrës, “KF Kastrioti” të Krujës dhe “KF Partizani” të Tiranës. Ndërkaq, Asllani ka luajtur gjatë viteve 2005-2007 me “KF Dinamo” të Tiranës. Elton Lika, i vëllai i trajnerit Durim Lika ka luajtur në “Besëlidhja” të Lezhës dhe “Skënderbeu” të Korçës.
Viti 2015 është njëri nga vitet më të rënda të “FC Kosova” të Gjenevës, ngase pas një periudhe të gjatë kohore skuadra largohet nga Liga e Dytë Rajonale.
Me gjithë dëshpërimin, konsolidojnë shpejt radhët
Rënia në shkallë më të ultë garash natyrisht shkaktoi pakënaqësi tek të gjithë simpatizuesit e kësaj skuadre. Vëllezërit Salihu, sipërmarrës të suksesshëm së bashku me Qamil Sejdiun dhe një grup shokësh të tjerë nisën të veprojnë praktikisht, në mënyrë që FC Kosova të rikthehet sa më parë në shoqërinë e mëhershme. Domosdoshmëri dhe nevojë urgjente paraqitet angazhimi i një trajneri profesionist. Kjo pozitë i besohet profesorit të Edukatës Fizike nga Kosova, Musa Selimit. Ardhja e tij në klub ngjall shpresën për këndellje të skuadrës dhe rezultate të dëshiruara. Kjo shpresë realizohet brenda një viti dhe FC Kosova e Gjenevës, më 2016 rikthehet në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, në të cilën edhe sot bën gara.
Për momentin, skuadra ka një fond prej 100 (njëqind) lojtarëve të licencuar dhe disponon me të gjitha kategoritë. Mirëpo me emërimin e z. Selimi, në detyrën e Dekanit të Fakultetit të Edukimit dhe Sportit, në Universitetin e Prishtinës, çështja e trajnerit mbetet problem në vete. Aktualisht punën e trajnerit e bën Msc. Sokol Salihu, ish-futbollist i kësaj skuadre dhe i FC Etoile- Carouge, anëtare e Premiere League të Zvicrës. Kurse me ekipin e dytë është angazhuar Abaz Nivokazi e me atë të juniorëve lojtari, Anton Grisha, i ardhur kohë më parë nga FC Tërbuni i Pukës së Shqipërisë. Grisha është edhe lojtar standard i ekipit të parë.
Ndërkaq veteranët e këtij ekipi udhëhiqen nga lojtari i dikurshëm i “FC Kosova” të Gjenevës, Halil Rrahmani.
Në skuadër edhe sot ka futbollistë të talentuar dhe mjaft cilësorë si: Mërgim Osmani ish-portier i FC Grand-Lancy të Gjenevës, anëtare e Premiere League të Zvicrës, Erion Hoti, Blendim Gashi, i ardhur nga “KF Drita” e Gjilanit dhe Liridon Bajrami, dikur lojtar i “FC Shkupi” të Maqedonisë. Formë të jashtëzakonshme po tregon sulmuesi Arben Selmani. Ai tani për tani është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës. Në anën tjetër Erdi Rexhepi, edhe pse vetëm 16 vjeç, po shfaqë dije të admirueshme prej futbollisti të talentuar.
Gjithçka në bazë vullnetare
Vlen të theksohet se i gjithë ky aktivitet zhvillohet në baza vullnetare dhe si burim financimi ka donacionet e afaristëve shqiptarë të Gjenevës. Ky organizim bëhet me dëshirën që përmes lojës së futbollit të krijohen ura bashkëpunimi dhe miqësie me të gjitha komunitetet në kantonin e Gjenevës. Andaj si stafi udhëheqës i skuadrës ashtu dhe lojtarët u shprehin mirënjohje donatorëve të tyre të rregullt që edhe sot po ndihmojnë pakursyer dhe pa dallim race dhe etnie afirmimin e këtyre të rinjve.
Stadiumi, si një nga kushtet themelore pa të cilin nuk mund të imagjinohet zhvillimi i aktiviteteve, ofrohet pa kompensim nga Departamenti i Kulturës dhe Sportit i kantonit të Gjenevës. Kurse shpenzimet tjera si pajisjet dhe pagesa e gjyqtarëve të futbollit bëhet me vetëfinancim dhe donacione të mbledhura.
“FC Kosova” e Gjenevës gjithmonë ka qenë dhe mbetet e hapur edhe për lojtarët e komuniteteve të tjera. Këtë e dëshmon edhe prezenca e lojtarëve të tashëm në ekip si: Syzlovec Michael, Chrystian Racchumick, Mourad Hbabaz, Mahamadu Traore etj.
Pikë tjetër e lakmueshme e kësaj skuadre është edhe organizimi i turnirëve me rastin e festave tona kombëtare. Sidomos duhet veçuar turniri i parvjetshëm “Gjeneva 2015”, në të cilin morën pjesë shumica e ekipeve shqiptare të futbollit të cilat veprojnë në kuadër të Ligave të ndryshme të Zvicrës dhe janë pjesë e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër.
“FC Kosova” e Gjenevës, gjithashtu ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyera edhe me Klubet futbollistike të Kosovës. Ajo, në nëntorin e vitit të kaluar pati një pritje të ngrohtë nga FC Vëllaznimi i Gjakovës, me të cilin me rastit e Ditës së Flamurit dhe 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, zhvilloi ndeshje miqësore.
Udhëheqësit e FC Kosova të Gjenevës, kanë hartuar programe afatgjata dhe konkrete. Ata në një të ardhme të afërt synojnë inkuadrimin në Ligën Inter-regjionale të Zvicrës dhe krijimin e një Shkolle të Futbollit, nëpërmjet së cilës do të mundësohej rekrutimi dhe zbulimi më i lehtë i talenteve të rinj të futbollit.
Postime të Lidhura
“VULLNETI” I DETYRUAR!
Nga arkivi i fb, 4 dhjetor 2021 Çka është ky vaksinim me detyrim! Është krim! “VULLNETI” I DETYRUAR!…
BEHRAM KRASNIQI: NË KOMUNËN E PRISHTINËS FURTUNA SHKAKTOI DËME TË MËDHA!
Prishtinë, 15 mars 2018: Ditë më parë disa vendbanime të komunës së Prishtinës i përfshiu një mot i…
ALI MEHMETI: ATA NË ÇLIRUAN
Gjenevë, 20.02.2021: Teoria sipas së cilës ne nuk kemi të drejtë t’i kundërshtojmë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, çfarëdo…
FLAMURI SHQIPTAR QË TRONDITI SERBINË
Pashtriku.org, 20. 10. 2014: Në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Serbi në stadiumin “Partizani” të Beogradit,më datën 14 tetor 2014,…