Gjenevë, 5 mars 2020: Më 15 mars të këtij muaji në 45 komuna të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës,do të mbahen zgjedhjet për të ashtuquajturin Këshill Administrativ, dhe Këshill të Përgjitshëm.
Fatkeqësisht,në listat zgjedhore të dhjetë Partive politike të kësaj Republike dhe Kantoni të Zvicrës,për pozitën e Këshilltarit Administrativ,s’është i nominuar asnjë shqiptar.
Roli i përfaqësuesve të këtij Këshilli është ekzekutiv dhe vendimarrës. Kurse ai i Këshilltarëve të përgjithshëm komunal,dihet që ka të bëjë vetëm me legjislativin e komunës.
Në mesin e 24 kandidatëve me origjinë shqiptare që synojnë pozitën e Këshilltarit të Përgjithshëm në pesë komuna të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, do të jetë edhe i riu nga Shala e Bajgorës së Kosovës,Muharrem Ahmeti – Remo.
Ai,tash sa vjet në lagjen më të populluar” Les Paquis” të Bashkisë së Gjenevës,me mjaft sukses e menaxhon një Restorant të njohur, me specialitete të shumëllojshme të kuzhinës evropiane,sidomos të asaj italiane.
Falë mirësjelljes dhe shërbimit me gjentilesë e pedantëri ky restorant ka bërë emër dhe klientelë të rregullt jo vetëm nga Gjeneva,por edhe nga komunat fqinje të Francës.
Zoti Ahmeti i pyetur se çfarë e ka shtyrë që t’i çaset politikës si një nga profesionet më delikate pa u hamendur thotë: “Në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës, ligji mbi Zgjedhjet është aq i përkryer, dhe aq i përsosur saqë çdo kënd e nxit për t’u inkuadruar në politikë, e lëre më një të rinj si unë”.
Ahmeti, gjithnjë ambicioz dhe i gatshëm për t’u sprovuar edhe jashtë fushës së gastronomisë nuk fsheh edhe faktin që përveç vullnetit dhe dëshirës së tij personale,deri tek ky vendim e ka çuar edhe një grup moshatarësh, nga komuniteti italianë,spanjollë,portugezë, e besa edhe ai i vendeve të Amerikës Latine.
Ata të përfshirë në Parti të ndryshme politike kanë bërë që vendorët të dijnë praktikisht shumëçka nga historia dhe kultura e vendeve,prej nga ata e kanë prejardhjen.
Ahmeti,duke parë që Komuniteti Shqiptar,ka shënuar arritje të jashtëzakonshme brenda një periudhe të shkurtër në sport, shkencë e kulturë,analizon me vëmendje pothuajse të gjitha Rregulloret dhe Programet e Partive Politike të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Pas analogjive të shumëta konstaton si program ardhmërie dhe perspektive për të gjitha shtresat programin e PDC- së. Fillimisht në cilësinë e anëtarit tek organet udhëheqëse të kësaj Partie,lë përshtypjen e një aktivisti të devotshëm dhe të palodhshëm .
Trajtimi i duhur në vazhdimësi i temave me interes për qytetarinë dhe debati konstruktiv brenda strukturave të Partisë,bëjnë që ai të nominohet si konkurrent i mundshëm nga radhët e PDC- së, për postin e këshillëtarit komunal në zgjedhjet e 15 marsit 2020, në Bashkinë Vernier të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Me gjithë konkurrencën e fortë brendapërbrenda Partisë, rivalitetin e ashpërsojnë edhe qindra kandidatë të Partive të tjera.
Vetëm nga kjo komunë që konsiderohet si komunë e dytë për na numri i banorëve në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës, do të kandidojnë hiç më pak se 12 shqiptarë të natyralizuar, me një apo dy përjashtime, të gjithë me prejardhje nga Kosova.
Në qoftë se këto zgjedhje zhvillohen sikur ato të para pesë viteve me korrektësi dhe pa ndonjë ekses na bëjnë optimist që një ulëse në Legjislativin e Komunës Vernier,do ta sigurojë edhe z.Muharrem Ahmeti.
Të gjithë ata votues që do t’ia besojnë votën Z. Ahmeti, qofshin nga komuniteti ynë apo komunitetet tjera asnjëherë nuk do të jenë të zhgënjyer. Ai,pa kërkuar kurfarë favoresh kërkesat e elektoratit do t’i shtrojë drejt dhe në kohë të duhur.