GJOKË DABAJ: RILINDËSIT NUK E ÇUAN DOT DERI KU DUHEJ MISIONIN E SHPËTIMIT TË KOMBIT!

Durrës, 09. 07. 2015 – Kur themi, nuk e çuan dot deri ku duhej, kjo kurrsesi nuk përbën akuzë. Rilindësit tanë bënë shumë, bënë jashtzakonisht shumë, madje aq sa rrallë ndonjë komb tjetët e ka arritur. Mjafton të bëjmë një krahasim me disa popuj që na rrethojnë. Sërbët, as sot nuk e konsiderojnë sërb një bashkëkombësin e vet, nëse nuk është ortodoks. Grekët e konsiderojnë grek cilindo ortodoks që u del në rrugë. Kënaqen, shkrihen, kur marrin vesh që je ortodoks. Po kështu edhe malazezët, sado që ata, duke u mbështetur te parimi i quajtur „demokratik“, në dekadat e fundit, kanë filluar t‘i „numërojnë“ si malaziase edhe një pjesë të popullatavet muslimane. Por gjithnjë me rezerva dhe asnjëherë me bindje të plotë. Thjeshtë, mbushin thesin, për të mos mbetur komb i vogël.
Në krah tjetër, shumë popuj të Evropës e kanë “IDENTIFIKUAR” kombin me shtetësinë, gjë që është edhe ANTIKOMBËTARE, sepse e përzien kombin, e bën mish-mash, edhe JOHUMANE, sepse e detyron tjetrin, për hir të një “mirëqenieje”, ose thjeshtë sepse ka lindur në një shtet tjetër, të mohojë rrënjët e veta. Koncepti i të quajturit “NATYRALIZIM” është, në të vërtetë, një DENATYRALIZIM nga më DISKRIMINUESIT. Ta konsiderosh francez një fëmijë algjerian, sepse paska lindur në Francë, është vrasje PERFIDE e atij fëmije fatkeq, i cili nuk ka kurrfarë faji se ka lindur jashtë atdheut të vet.
Rilindësit tanë të shekullit XIX, përkundër të gjitha këtyre, kanë bërë një mrekulli që edhe shekulli XXI do të duhej ta merrte si shembull. Ata e përcaktuan KOMBIN si ATRIBUTIN KRYSOR të individit, pa marrë parasysh se në cilin shtet jeton dhe cilës feje i përket. GJUHA DHE PREJARDHJA GJENETIKE u bënë CILËSUESIT VENDIMTARË të përkatësisë kombëtare të cilitdo shqiptar, kudo që ai të ndodhej. Jo vetëm kaq, por, mbështetur te gjeneza, një individ do të quhej shqiptar, edhe sikur të mos e dinte gjuhën shqipe. Rilindësit shqiptarë të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, bënë kështu punën më të mirë të mundshme për atë kohë. Ky akt i rilindësvet tanë ish aq i përparuar, sa edhe sot popujt e tjerë na marrin për shembull dhe habiten: Si ka mundësi?!

Mirëpo, megjithkëto, ne jemi TË DETYRUAR të pohojmë që po ata rilindës nuk e çuan dot deri atje ku duhej misionin e shpëtimit të kombit tonë. Ata e hodhën BAZËN TEORIKE, mbi të cilën do të mbështetej kombi shqiptar, pra, i krijuan PREMISAT e krijimit të një INSTITUCIONI IDEOLOGJIK KOMBRUAJTËS, por nuk arritën të themelonin edhe 2 elementët e tjerë, pa të cilët asnjë lloj INSTITUCIONI IDEOLOGJIK nuk mund të mbijetojë: një UDHËHEQJE QENDRORE dhe mijëra NJËSI VENDORE, të cilat do të duhej ta përhapnin atë ideologji.
Si pasojë e kësaj PAPLOTËSIE, na ndodhi që kombi ynë vazhdoi të copëzohej dhe të ngushtohej edhe pas epokës SHPËTIMTARE të Rilindjes sonë Kombëtare. Qindra mijë shqiptarë, prej fundit të shekullit XIX dhe pa ndërprerje deri në ditët e sotme, i janë nënshtruar TJETËRSIMIT NACIONAL, bjerrjes së vetëvetes, vetëvrasjes shpirtërore, të mbeturit pa rrënjë, pa gjuhë, pa traditë dhe, rrjedhimisht, pa krenari. FIROJA e kombit tonë në ditët e sotme është aq shqetësuese, sa vështirë ta ketë ndonjë komb tjetër në botë. Mund të themi lirisht, ndonëse nuk kemi statistika, se PËRMBI GJYSMA e fëmijëvet që lindin shqiptarë apo me prejardhje të mirëfilltë shqiptare, kur rriten, nuk e përdorin gjuhën shqipe dhe nuk e “ndiejnë” veten shqiptarë. Nuk duan ta “ndiejnë” veten shqiptarë! Kemi të bëjmë këtu, as më pak e as më shumë, por me VDEKJE SHPIRTËRORE, me të kaluarit në cilësinë e SURROGATIT, të shumicës së kombit tonë. Ai po vazhdon të shprishet! Ai po vazhdon të shpërbëhet!
Jo vetëm në pjesët e Shqipërisë, që i ka shteti grek, jo vetëm midis arbëreshëvet të Italisë dhe arvanitëvet të Greqisë, jo vetëm ndër shqiptarët që jetojnë në shtetin turk dhe jo vetëm anembanë globit, por edhe BRENDA 2 SHTETEVET TANË, që, për fat të mirë, i kemi më këmbë, cilësitë morale të shqiptarëvet, atdhedashuria, dëshira për të përvetësuar kulturën e kombit e, mbi të gjitha, dëshira për t’u bërë ballë vështirësivet brenda atdheut të vet, po vijnë gjithnjë duke u ZBEHUR.
Atë Gjergj Fishta, në njërin prej fragmentevet të veprës së tij më madhore “Lahuta e Malcis”, ka thënë kështu:
“Ah, po! djelmt, qi ti ke rritun.
Ata mohit ty t’kan ra,
Edhe vedit i a kan njitun:
Njani Turk e tjetri Shkja;
Dikush Grek, dikush Zejbek;
E kurdo qi u ka qillue
Kta për ty, jo, s kan qindrue,
Por për Mbret e për Turki,
Por për Serb e për Greqi;
Aj, ta maj Turkun n Shqypni,
Ky, t’a baj vendin Serbi,
Tjetri Grekun t’a bi n’shpi”
(Lah.,bot.XV, 2006, f.63)
Nuk është kjo e vetmja klithmë e Atë Gjergj Fishtës dhe nuk është i vetmi Atë Gjergj Fishta, që e ka trajtuar këtë temë tonën, indinjuese dhe sfilitëse, të gjakmohimit. Mirëpo, i njëjti gjakmohim sot është edhe më indinjues dhe edhe më sfilitës. Mjafton të hyni në parlamendin turk dhe në parlamenditn grek dhe të bëni atje listën e deputetëvet shqiptarë (në parlamendin turk ka mbi 40 deputetë shqiptarë), të cilët e MOHOJNË se janë shqiptarë ose e pranojnë “për mirësjellje”, me njëfarë “nostalgjie” dhe “krenarie” krejt formale. Por, mund të bëni edhe një statistikë tjetër: Midis dhjetëra universitetevet privatë që i kemi në Republikën e Shqipërisë, sa prej tyre kanë fakultete të gjuhës shqipe dhe degë të albanologjisë?! Këtu, dukuria e gjakmohimit s’është vetëm e pronarëvet të këtyre universiteteve, por edhe e MORISË SË STUDENTËVET që regjistrohen këtu, si dhe e MORISË SË PRINDËVET, të cilët janë të gatshëm të paguajnë qimet e kokës për çfarëdo profesioni tjetër, me përjashtim të “profesionit” të gjuhës shqipe. Mund të bëni prapë, edhe një statistikë tjetër: Në libraritë tona kërkohet dhe blihet vetëm apo thuajse vetëm LIBRI I HUAJ, ndërsa librin shqiptar e mbulon pluhuri sikur të ishte i krimbur me zgjebe!
Nuk po shtyhem më tutje, nëpër qeveri e nëpër parti, për ta vështruar këtë dukuri tonën të GJAKEGJUHËMOHIMIT apo thjeshtë, gjakegjuhënënvleftësimit, të cilën, sikur ta ketë shkruar sot, na e ka vjershëruar me aq dhimbje e mllef Gjergj Fishta i ynë. Po mjaftohem vetëm me kaq, sa për të vërtetuar pohimin që jo vetëm rilindësit tanë, gjithsesi të mëdhenj, nuk arritën ta çojnë deri atje ku duhej misionin e shpëtimit të kombit tonë, por as ne, që erdhëm pas tyre, nuk e gjetëm dot rrugëzgjidhjen. As nuk e gjetëm, pa le më ta kishim zbatuar! Madje, ndoshta as që u përpoq dikush për të krijuar një INSTITUCION të mirëfilltë IDEOLOGJIK KOMBËTAR, të pajisur me të 3 komponentet e tij TË DOMOSDOSHËM. E pra, është koha t’i hyjmë kësaj pune, në mos, gjakmohimi, gjuhëmohimi dhe kombmohimi, ndër ne do të vazhdojë të na dekompozojë siç e dekompozon leuçemia një organizëm njerëzor.

Atë Gjergj Fishta – Ҫohi të Vdekur!

…………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura