AURORA BAKALLI: NDRYSHIMET E DOMOSDOSHME NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

Prishtinë, 10. 02. 2014 – Pas gjithë këtyre trazirave që janë duke e lëkundur fort UP-në, dikur armën më të fortë të Kosovës, debati më në fund u hap edhe në Kuvend. Kuvendi i Kosovës ka për obligim që ta kanalizojë si duhet këtë çështje, duke u përpjekur që të gjejmë zgjidhje racionale (dhe jo zgjidhje ad-hoc) të cilat do ta shpëtonin Universitetin më të madh dhe kryesor në vend. Ne kemi folur shumë në Kuvend për procesin e privatizimit dhe shitjet me çmime të ulëta të aseteve tona, ndërsa, nëse shprehem figurativisht, kam përshtypjen që Universitetin jo që e shitëm, por e dhamë falas. Tërë pasluftën ia lamë në dorë klaneve të ndryshme të ndikuara nga politika, të cilat nuk ia ditën fare vlerën. Këta njerëz pozitën në Universitet e panë vetëm si mundësi për një status më të mirë në shoqëri dhe asnjëherë si detyrë të shenjtë ndaj studentëve. E degraduan aq shumë, saqë tani është buzë rrënimit total dhe si duket është mbushur kupa apo është hasur në pikë të rezistencës më të dobët (locus minoris resistentiae) dhe plasën shumë gjëra. Shumë gjëra, por jo të gjitha, me siguri.
A është duke u goditur caku?
Vërejtja dominuese është bërë për shkak të publikimit në një revistë që po quhet e rreme, publikim i cili është shfrytëzuar për avancim dhe për të cilin janë paguar para. Për këtë do ta sqaroj mendimin tim pas pak.

Por, po pyetem: a është menduar deri më sot se bëhet shumë shkencë në Kosovë dhe se kemi brumë kulminant shkencor për UP? A nuk e kemi ditur se vetë shkenca dhe publikimet shkencore janë në korrelacion të drejtë me zhvillimin ekonomik të një vendi!? Po çuditem me ata që u befasuan!
Ajo që mua më është dukur shumë shqetësuese është se në UP po u jepkan provimet me para, se po u bëkan pranime në shkëmbim parash apo favoresh. Dhe kam frikën që këto dukuri aq të rënda do të bien nën hijen dhe harresën e një debati se a kemi të bëjmë me punim në revistë të vërtetë apo false. Në ndërkohë që ka mundësi të shpëtojnë keqpërdorues të mëdhenj që ua humbin vullnetin dhe shpresën edhe atyre studentëve që dëshirojnë të studiojnë dhe të fitojnë dije.
Arrestimi i disa asistentëve, studentëve dhe shkarkimi i një dekani për shkak të dyshimit se kanë bërë korrupsion dhe falsifikim është veprim selektiv i organeve të hetuesisë, respektivisht janë arrestuar vetëm ata që nuk kanë mbështetje politike. Ka fakultete në të cilat shkeljet janë më të mëdha sesa në Fakultetin e Mjekësisë. Prandaj ndjekja duhet të shtrihet deri tek shkelësi i fundit.
Po kthehemi te publikimet shkencore. Personalisht, janë tema ime e preferuar dhe e quaj veten deri diku kompetente të flas për këtë çështje, pasi jam autore e parë dhe korrespondente e mbi 10 publikimeve shkencore ndërkombëtare. Ani pse këto ditë më të moralshmit dolën ata që nuk publikuan asnjëherë si autorë të parë; madje pati krekosje të ndryshme nga ana e tyre.
Disa gjëra ndiej obligim t’i sqaroj.
Revistat me qasje të hapur për herë të parë kanë filluar të aplikohen në fund të viteve 1980. Këto revista nuk kanë përkrahje financiare nga shteti apo ndonjë shoqatë dhe e mbajnë veten me anë të pagesës së autorit për procedim të publikimit. Madje vlen të përmendet se shumica e këtyre revistave kanë lirim nga pagesa, apo çmim shumë më të ulët për vendet me ekonomi me të hyra të ulëta, ku listohet edhe vendi ynë.
Disa revista tjera mbijetojnë nga shitja e punimit të caktuar apo revistës, por ato para shkojnë te revista dhe jo tek autori, siç dëgjova në një rast në mediat tona se kinse shkencëtarët e vërtetë jo që paguajnë, por madje fitojnë nga publikimet e tyre. Jo, jo… sepse njerëzit që kanë publikuar qoftë një herë në jetë e dinë se me rastin e pranimit të një punimi, autori ia jep botuesit të gjitha të drejtat mbi punimin e tij.
Duke qenë një vend ku institucionet nuk na përkrahin financiarisht për publikime, unë personalisht i jam shmangur maksimalisht botimit në revista me pagesë, por jo sepse në mesin e tyre nuk ka revista me vlerë të lartë shkencore dhe me impakt faktor. Unë jam çuditur kur kam dëgjuar në opinion për pagesa prej 50 apo 80 eurosh për një publikim, sepse revistat e hapura në të cilat kam hasur unë kërkojnë pagesa shumë më të larta, që shpeshherë kalojnë edhe shumat prej 1000 (një mijë) eurosh. Por të jemi të qartë: së pari pranohet punimi për shkak të vlerës shkencore dhe pastaj paguhen paratë. Pra, pagesa në asnjë mënyrë nuk e garanton publikimin.
Unë e vlerësoj faktin që shoqëria jonë qenka e interesuar që të vlerësohen punimet shkencore. Në fakt, vetë këto publikime të stafit akademik janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rangimin e universitetit. Nëse nuk jemi të kënaqur me publikime në revista shkencore ndërkombëtare të nivelit të ulët, atëherë rrjedh nevoja për ndërrime statutare ku do ta ngremë kriterin për marrjen e titujve, duke kërkuar pragun minimal të lejueshëm që të merret parasysh një punim për avancim dhe kjo mund të kuantifikohet, p.sh. me impakt faktor apo ekuivalentin e tij, apo me indeksim të revistës etj. Dhe pastaj, pasi caktohen këto kritere, nuk ka më vend për çfarëdo individi për të vlerësuar një punim të dikujt, sepse atë e ka bërë revista kredibile. Tekefundit, kemi kërkuar recension ndërkombëtar për t’iu ikur ndikimeve të brendshme të cilat bëhen qoftë për të ndihmuar dikë, qoftë për ta penguar padrejtësisht tjetrin.
Statuti aktual ka shumë boshllëqe, të cilat në vazhdimësi janë keqpërdorur nga shumëkush, e ndër ta është edhe rasti i rektorit aktual. Në saje të këtyre mangësive është përdorur edhe një punim nga një lëmë krejtësisht tjetër.
Nga ana tjetër, statuti i tanishëm ka një avancim krahasuar me atë paraprak, meqenëse kërkon që kandidati të jetë autor i parë apo korrespondent. Por kjo nuk është përfillur në rastin tanimë të mirënjohur të rektorit; por, të jeni të bindur, as në rastin e shumicës së profesorëve tjerë.
Prandaj, ndër hapat që propozoj janë:
– Ndryshime të menjëhershme statutare në UP, që do t’i shmangnin dualizmat dhe që do të jenë në funksion të përzgjedhjes së stafit akademik sa më cilësor, i cili do t’i kontribuonte ngritjes së nivelit të mësimdhënies, por edhe të vetë rejtingut të UP-së.
– Për pozitën e rektorit propozoj të përcaktohet me statut që ai/ajo të ketë thirrjen e Profesorit të rregullt (konsideroj se personat me thirrjen më të lartë akademike kanë edhe integritet personal, apo së paku ishte dashur të jetë kështu). Rektori përpos biografisë së pasur akademike e shkencore të ketë edhe biografi të pastër (pa histori për keqpërdorime).
– Të mos ndalet hetimi i filluar më herët për afera korruptive në UP dhe jam kundër kufizimit vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, thuajse në këto tjerat po lulëzuaka “e mira”.
– Situata e krijuar sot, por e shtresuar me vite, kërkon patjetër ndryshime; mirëpo ndryshime me themel, e jo sipërfaqësore, sa për sy e faqe.

(Autorja është deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura