(Prizren, 13. 09. 2012) – Jeta ka ndryshuar diçka këto ditët e fundit. Sikur e ka harruar buzqeshjen, sytë e saj ngjyrë kafe duken se kanë humbur shkëlqimin e mëhershëm, në ata sy duket një shqetësim dhe pasiguri, ajo sikur ka një mosbesim të thellë kundrejt njerëzve, që e rrethojnë. Ajo më nuk beson çfarë i shpjegohet nga profesori në fakultet, prapa çdo ligjerate të tij ndjenë një gënjeshtër të qëllimtë. Atë e djeg dëshira e zjarrtë për të rrëfyer rrjetën e errët të sekretit të saj dhe ta hedhë nga thellësia e zemrës botën e së vërtetës. Si përgjigje shpërthejnë vetëm rënkime, të dëshpëruara e të papërmbajtura. Çdo njeri i shthurrur gjen justifikimet e veta. Mashtron burri i botës studenten e tij ende pa i mbushur të nëntëmbdhjetat, dhe ky njeri vazhdon të jetë profesor universitar, ti japë dituri studentëve. Kjo mbase është paturpësi dhe këtë paturpësi të tij tani më e dinë të gjithë, e dinë edhe se sa i ligë dhe i poshtër është ky profesori i tyre, i cili ka qenë edhe bashkëpunëtor i rregjimit titist.
Këtë e ka kuptuar tashmë Jeta, ajo nuk e do profesorin dhe nuk ka besim tek ai, ndaj dhe nuk dëshiron që mbi shpatullat e saj të njoma të rëndojë pasha e kësaj jete të frikshme. Ky profesor quhet me përbuzje gjahtar femrash, te ky njeri i frikshëm fshihet instikti plot pasion të gjahut dhe shpirti mizor. Pa çka se ky profesor ka shkelur të gjashtëdhjetat, dhe është bërë gjysh nipash e mbesash. Ai jeton vazhdimisht në gadishmëri të vendosur ti ndjek deri në fund gjurmët prej aventurieri amoral. Ai ka pasion jo të fisnikshëm të atij që dashuron, por atë të kumarxhiut të rrezikshëm, se këtë ja ka mundësuar edhe sistemi i tanishëm ahtisarian.
…………………………………………………
Andaj i duket Jetës se ajo bartë mëkatet e botës dhe i drejton lutje Zotit të madhërishëm, që ti lehtësoj vuajtjet asaj dhe botës mbarënjerëzore. Në këtë rast Autori veneron mjerimin, skamjen që kësaj radhe shikon në figurën e Jetës, që është viktimë e klasës politike hipokrite e cila është dhjamosur nga të kamurit.
Jeta dhe Autori duken në këtë shoqëri hipokrite si dy engjuj të arratisur, të cilët me tërë fuqin e tyre përpiqen ti shpëtojnë njerëzit nga klasa politike hipokrite. Jeta lutet tek Zoti, kurse Autori me shkrime, paraqet një protestë, një rrebelim, një luftë për përmbytjen e klasës politike hipokrite. Në këtë rast Jeta është e mashtruar nga hipokrizia politike dhe religjioze, shtresa shoqërore këto që e kanë lënë anash, dhe në realitet e kanë mënjanuar nga jeta e së vërtetës, ndërsa Autorin këto shtresa korruptuese të shoqërisë e kanë persekutuar, duke e lënë pa punë e pa bukë… njëkohësisht e ndjekin gjer në ferr, për shkak të mendimeve të tij kryengritëse, për shkak të ndjenjës së tij të pastër shqiptare e mbarënjerëzore, për shkak se Autori ndjen dhembshuri për Jetën dhe popullin, për shkak se Autori ka vetëdije të lartë për vujtjen dhe shkaqet e saj. Atë që vetëdija nuk e qas, që mëngjesi dhe drita e ditës e flakën tutje me përbuzje tradhtinë dhe pabesinë. Ky fenomen i ligë, i djallëzuar, destruktiv, dhe drastik, po na përcjell nëpër kohë, është kundërthënia midis përparimtarës dhe regresivës. Lidhur më këtë duhet theksuar se një pjesë e mirë e klasave politike shqiptare i kanë bërë shërbim të keq Atdheut shqiptar, duke e ngushtuar gjerësinë e traditave më të mira të Rilindjës Kombëtare Shqiptare, kështu këto klasa politike të papërgjegjshme i futën në pranga orientimet mbarëshqiptare, për një Atdhe të përbashkët të mbarëshqiptarëve.
Dallimi mes Jetës dhe Autorit janë të dukshme për nga pikpamjet e tyre në të jetuarit. Autori gjithsesi është më efikas, më real, se sa lutjet boshe që i bënë Jeta për botën mbarënjerëzore, ku ajo i drejton Zotit lutje për t’jua lehtësuar mëkatet mëkatarëve.
Kjo më kujton atë poezin e Nolit mbi përpëlitjet e ndërgjegjes, të frikës, dhe turpit për gjithë ata njerëz, të asaj kategorie që kanë harruar heroizmat e shokëve që kanë rënë për të mirën mbarëshqiptare, dhe kanë hequr dorë nga ndjenjat idealiste. Ja se si shprehet Noli me poezin e tij:
”…Kruspull mbi mangall mblidhet
Po djeg dorën dhe përdridhet…”.
Është kjo dora, me të cilën ai apo ajo ka dhënë betimin para atdheut e kombit se do ti rrijë besnik idealit. Kjo djegie natyrisht është djegie shpirtërore. Shprehja e tillë e Nolit, le të kuptohet se, profiterët e luftës po qeverisin atdheun bashkë me ata njerëz që ishin në shërbim të të huajit, dhe që i sollën shumë të liga kombit shqiptar nëpër shekuj, më në fund janë vetë këta matrapaz e hipokritë që mbesin faqe – nxirë, dhe figurat e tyre janë shënjëzim i njeriut të ligë, të ulët, qyqar, renegat, edhe nëse ndonjëherë e bren ndërgjegja, në asnjë mënyrë nuk triumfon nga e mira dhe e vërteta.