AEM DEMAÇI THUAJA 30 VITE ISHTE NË LLOGORE TË JUGOSLLAVISË E JO NË HOTELE, O TË POSHTËR

ADEM DEMAÇI THUAJA 30 VITE ISHTE NË LLOGORE TË JUGOSLLAVISË E JO NË HOTELE, O TË POSHTËR

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Kur burimi i informatës dhe shpërndarësi janë të pamoralshëm

Baca Adem Demaçi, për miqtë dhe ata që e respektuan dhe Adem Demaçi për ata që kishin mungesë të mjaftueshme respekti për të, nga e gjithë bota ishte cilësuar si i burgosuri me më së shumti burg të mbajtur në Europë për veprimtari politike duke e quajtur, për mendimin tim pa të drejtë Mandela i Europës në vend se Mandela të quhej Demaçi i Afrikës , nëse e kemi parasysh trajtimin që iu ishte bërë të dyve , Bacës Adem në llogoret e ish – jugosllavisë dhe Nelson Mandelës në Afrikën e Jugut. Nelson Mandela  kishte trajtim pakrahasimisht më të mirë se që e kishte Baca Adem Demaçi. Ata që kanë qenë bashkë me Bacën Adem nëpër llogoret e ish – Jugosllavisë që u ngjanin kampeve të përqëndrimit kanë parë me sytë e tyre se në çfarë kushte ka vuajtur dënimin Baca Adem. Edhe unë isha me te një vit në llogorin e Stara Gradishkës në Kroaci. T’ i quaje kushte të tmerrshme , është pak nëse e keni për qëllim përshkrimin real të kushteve në ato burgje.  Baca Adem Demaçi për herë të parë u dënua me 5 vite burg në vitin 1958 për shkak të shkrimeve dhe bindjeve politike atdhetare . Për herë  të dytë u dënua në vitin 1963 me 15 vite burg shkaku se themeloi organizatën patriotike: “Lëvizja Revolucionare për Bashkim të Shqiptarëve“ dhe vetëm disa muaj pas daljes nga burgu në vitin 1975 u dënua me 15 vite burg për t’u liruar nga burgu , pas më shumë se 28 viteve burg në mesvitin e vitit 1990. Në vitin 1991 nga Parlamenti Evropian u nderua me çmimin Saharov si i burgosur i ndërgjegjës dhe për lirinë e shprehjes . Herën e tretë u dënua me urdhër të udhëheqësve shqipfolës të Kosovës e që më insistuesi për ta dënuar ishte Mahmut Bakalli , një projugosllav dhe antishqiptar. Bashkë me Xhevdet Hamzën , Ali Shukrinë , Fadil Hoxhën , Kolë Shirokën dhe disa “ intelektualë  shqiptarë “ , në shërbim të oborrit politik të Aleksandër Rankoviqit dhe  Josip Broz Titos. Baca Adem Demaçi ishte në listën e Amnesty International , si i burgosuri me dënime më të larta për bindje politike dhe liri të fjalës për thuaja 30 vite. Gjatë këtij rrugëtimi të Marathomakut për Liri dhe Bashkim Kombëtar , Baca Adem Demaçi ka qenë  Abetare dhe Kushtetutë për të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë e që numri i tyre ishte i madh – dominonin në mënyrë absolute krahasuar me të burgosuritë politikë joshqiptarë në llogoret e ish – Jugosllavisë për mënyrën se si mbahet burgu , pa u ankuar asnjëherë të vetme për fatin apo kushtet e tmerrshme në këto llogore ndëshkuese. Kurrë dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë beneficion , asnjë përfitim sepse kurrë nuk ka kërkuar dhe nuk ka pranuar këtë . Për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe se nuk kishte vëlla apo fëmijë të rritur , e vetmja motra Ajeshe e ka vizituar rrallë. As edhe një minutë të vetme nuk e ka kaluar jashtë hapësirës së llogorit ku ishte në mbajtje . Ishte në vuajtje të dënimit me ish disidentin e shquar Mihajllo Mihajllov , i dënuar politikisht në ish – Jugosllavi , me ish  kryetarin e Kroacisë , Stipe Mesiq , Vlladimir Sheks , Dobrosllav Paraga , Ante Paraxhik dhe të tjerë . Të gjithë këta  e theksojnë moralin e lartë dhe  qëndrueshmërinë e Bacës Adem edhe në situata kur thjeshtë humbej çdo shpresë  … jo vetëm për liri por edhe për jetën. Për t’i përballuar të gjitha situatave , të pritura dhe të papritura , Baca Adem Demaçi e kishte mohuar krejtësisht veten qysh gjatë arrestimit të parë në Burgun e Prishtinës kur e kishte shkruar emrin Adem Demaçi në një copë letër dhe pastaj ia kishte vërë flakën duke u shndërruar në hi për t’u ringritur dhe ringjallur pastaj si Feniksi mitologjik , pikërisht nga hiri i emrit të tij . Të burgosurit politikë shqiptarë dhe ata për vepra të tjera , dritë dhe Diell në tunelet e llogoreve të ish – Jugosllavisë e kishim Bacën Adem Demaçin . Ishte Engjulli Mbrojtës i yni dhe fanar ndriçues drejt cakut të synuar dhe të gjakuar për të cilin kishim investuar një pjesë të jetës sonë , rruga që shpie drejt lirisë , si kusht i domosdoshëm për bashkim kombëtar !

Gjaku nuk bëhet ujë e as hirra nuk bëhet mazë

Pasi përfundoi burgun e tretë , Baca Adem , siç deklaroi në media , një burg të vogël e zëvendësoi me një burg të madh të quajtur Kosovë. Kosova ishte e robëruar hiç këtu politikanët shqipfolës dhe udbashët që luajtën rol të madh në transformimin e Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë në Lidhje Demokratike të Kosovës. Rrahman Morina, nën rrogoz ishte ai që rekomandoi UDB-në që të regjistrojë LDK-në ndryshe : “do të kemi punë me një parti që do të kishte kërkesa shumë më të mëdha se që i kishte LDK : republikë në kuadër të federatës Jugosllave …”.  Të burgosurit politikë të liruar në vitet e 90 –ta kishin ndikim të madh dhe krediti i tyre kombëtar dhe politik as që krahasohej me LDK-në ku kishte gjithçka ; udbashë , kosistë , politikanë me bindje dhe veprim jugosllav dhe serb , “ intelektualë “ të shitur deri në palcë në Universitetin e Prishtinës që , si edukim nuk e kishin historinë kombëtare por vetqeverisjen jugosllave , që iu shkruanin fjalime të zjarrta politikanëve shqipfolës kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, që shkruanin romane për politikanët shqipfolës , që denonconin dhe diferenconin intelektualë të vërtetë shqiptarë që ligjëronin mbi gjuhën, të drejtat dhe historinë shqiptare  jashtë udhëzimeve jugosllave dhe serbe , që e fshihnin Masakrën e Drenicës , Masakrën e Tivarit , aksionin e mbledhjeve të armëve , shpërnguljen e dhunshme për Turqi  dhe të tjera. Në këto rrethana nuk mund të ndodhte ndryshe përveçse të sulmoheshin të burgosurit politikë shqiptarë të sapokthyer nga llogoret jugosllave. Në veçanti sulmohej Baca Adem Demaçi për shkak të ndikimit të fuqishëm në popull dhe reputacionit që e kishte në skenën ndërkombëtare si mbrojtës i të drejtave të njeriut të të gjithë popujve të robëruar . Thjeshtë , kishin frikë që Baca Adem do të vendosej në anën tjetër duke kundërshtuar LDK-në përmes mobilizimit të burgosurve politik në një parti e që , as nuk ishte qëllim i Bacës Adem e as i pjesës dërrmuese të të burgosurve politikë. Përkundrazi, Baca Adem fuqishëm ishte kundër përfshirjes së ish të burgosurve politikë në radhët e LDK-së , siç thoshte ai , të mos i dëmtojmë shkaku se ne ishim identifikuar dhe dënuar si kundërshtarë të regjimit jugosllav dhe serb. Madje , na bëri presion që të dalim në zgjedhjet e para dhe ta votojmë Ibrahim Rugovën për president . Mirëpo komunistët dhe udbashët e LDK-së ,në frikë se mund ta humbin pushtetin të cilin edhe ashtu nuk e kishin ( e kishte Serbia ) filluan një fushatë kundër ish të burgosurve politikë duke i akuzuar se janë marksist – leninist në kohën kur vet ishin ngjizur nga komunistët jugosllavë dhe serbë ! Jetoja  në Podujevë ku, në shtator të vitit 1990, së bashku me një grup bashkëmendimtarësh themeluam Nënkëshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, sipas porosisë së Bacës për të siguruar shtrirje në gjithë territorin e Kosovës si parakusht për ndërtimin e një infrastrukture, sepse e kishim të qartë se lufta është e pashmangshme . Se çfarë sulmesh ka bërë një segment  i LDK-së kundër Bacës Adem Demaçi dhe të burgosurve politikë shqiptarë, nuk do të gjeni as në udhëzimet e Gebelsit . Pikërisht , në mesin e këtyre sulmeve doli një “ e vërtetë “ se Baca Adem nuk paska qenë asnjë ditë në burgjet e Jugosllavisë apo të Serbisë por se paska qëndruar në hotel “ Moska “ në Beograd për të bërë jetë përrallore duke i shërbyer UDB-së dhe kundër shqiptarëve ! Kësaj valleje i kanë prirë një “ shkencëtar “ dhe një “ shkrimtar “, të dy gjallë edhe sot , të pafytyrë atëherë , me shumë fytyra sot. Baca Adem Demaçi u pushkatua atëherë publikisht për shkak të Rambujesë nga një publicist  me trashëgimi politike dhe kombëtare jugosllave dhe serbe , nga një kyretar partie për shkak të Ballkanisë dhe nga po këto zorrë të trasha të UDB-së për shkak të Zyrës së Përfaqësuesit Politikë të UÇK-së.

Po me këto gatime nga mielli i UDB-së në një emision të quajtur “ Komplot“,  një pinjoll i UDB-së me mbiemrin Sllamniku u përpoq ta noterizoi të kaluarën politike dhe kombëtare të Bacës Adem Demaçi duke u kapur për dy shtylla ; e para se Baca Adem Demaçi nuk paska qenë asnjë ditë në burg dhe , e dyta se pa qenë i besuar i UDB-së nuk ka pasur mundësi ta hapë Zyrën e UÇK-së në Prishtinë . Këto “ argumente“ i ka përdorur LDK-ë për ta diskredituar Bacën si dhe mbetjet jugosllave dhe serbe të shndërruar në manjat të mediave , latifundistë dhe milionerë . Për ta bërë më bindës këtë përrallë të UDB-së dhe mëkëmbësve të saj në Kosovë , pinjolli i brezit udbash Sllamniku (Asllan Sllamniku me të birin Fahrudinin dhe kushëririn Imerin – për të cilët dihet me letra se kanë qenë udbashë) , ky Arianit Sllamniku (nuk e di se a është degë me rëndësi e trungut udbash të prirë nga Asllan Sllamniku ) tregon se kush ka marrë rrogë nga UDB – ë dhe kush ka punuar nga hija ( këta qenkan edhe më të rrezikshëm dhe se këtu , me gjasë e sistemon edhe Bacën Adem Demaçin) dhe , si pretekst e merr familjen Kryeziu duke deklaruar se Hasan Kryeziu , babai i Ekrem Kryeziut , e paska vrarë Bajram Currin prandaj edhe Ekremi , si vazhdimësi e OZNA- së – UDB-së qenka promovuar në regjisor të suksesshëm ndonëse nuk ishte më i mirë në ndërkohë që harron faktin se pikërisht Ekrem Kryeziu , me vëllaun Aliun dhe Hasan Alidemajn ka kaluar hetime të tmerrshme si dhe janë dënuar me burg të rëndë . ndoshta edhe këta , sikur edhe Baca Adem Demaçi nuk e kanë kaluar asnjë ditë në burg ! Duhet të jeshë , jo i painformuar por shumë i poshtër ta thuash këtë apo duhet të jeshë vazhdues i aktiviteteve të hipotekuara antikombëtare të trashiguara nga Asllan Sllamniku , me familjarë e të bësh këtë deklaratë publike ! Përmendja e  Mehmet Maliqit  dhe Shkëlzen Maliqit ( nuk e ka përmendur kriminelin Gazmend Maliqin ) , Selim Broshës dhe Jusuf Karakushit nuk ka të bëjë asgjë me Bacën Adem Demaçi dhe të burgosurit politikë shqiptarë por ky është një mozaik  i vogël i atyre që kanë punuar për UDB-në e kundër shqiptarëve ku Sllamnikët ishin dëshmuar si kubëz e besuar e kësaj kotille antikombëtare . Të thirresh në pohimet e një antishqiptari dhe projugosllavi siç ishte Mahmut Bakalii që paska pohuar se në pyetjen e Bacës drejtuar Bakallit se : “ pse nuk e paska vizituar sa paska qenë në burg ?” , Bakalli paska thënë se ka qenë por ai ( Baca ) nuk ishte aty ! Çfarë poshtërsie ! Shndërroni 28 vite në ditë dhe del se prej 10.220 ditëve , Mahmut Bakalli e paska gjetur një ditë kur Baca nuk ishte në burg ! Çfarë poshtërsie ! Mahmut Bakalli ka bërë çmos ta dënojë Bacën në vitin 1975 dhe ka bërë çmos që të mbahet sa më gjatë në burg !

Ndërkaq , pse e paska rrahur UDB-ja Metush Krasniqin pas takimit mospajtues me Bacën Adem Demaçi për anëtarësim në organizatën e themeluar nga Baca , pinjolli udbash e qet si denoncim të Bacës Adem Demaçi ! Çfarë poshtërsie ! Ku ndodhë që një denoncues , pas një denoncimi të tillë të mbahet edhe 25 vite në burg përveç në projeksionet e një të keqi , i ngarkuar me të kaluarën fisnore udbashe . Baca Adem Demaçi dhe Metush Krasniqi kanë qenë patriotë shembullorë por që kanë pasur mospajtime rreth programit dhe mënyrës së veprimit !

Ndërkaq , sa i përket Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së në Prishtinë të gjithë e kanë të qartë se vetëm Baca Adem Demaçi ka pasur guxim ta bëjë atë punë sepse , që në Burgun e Parë e mohoi veten duke e shndërruar emrin e tij në hi , duke e Vetëmohuar deri në mosekzistencë veten e tij për shkak të interesit të përgjithshëm dhe çështjes kombëtare . Të kastruarit nga këto ndjenja nuk e kuptojnë këtë , për shërimin e komplekseve personale , familjare dhe fisnore , hyjnë në konspiracione, siç po e bënë pinjolli i udbashëve të Asllan , Fahrudin dhe Imer Sllamnikut !

Ne që kemi qenë me Bacën Adem edhe atëherë e sidomos tani jemi pakicë , këta që monument jetësorë e kanë shërbimin ndaj UDB-së dhe kundër interesave kombëtare ishin shumicë . Për fat të keq edhe sot përbëjnë shumicën duke metastazuar në institucionet kryesore të Kosovës , qeveria , ministritë , presidenca dhe Kuvendi i Kosovës . Hetuesi kryesor kundër ushtarëve shqiptarë që u dënuan në një proces të montuar politik në vitin 1984 para Gjykatës Ushtarake në Zagreb  ishte shqiptar , pjesëtar  më herët i UDB-së e pastaj i KOS-it ( Shërbimi Kundërzbulues i Ushtrisë Jugosllave ) i cili pastaj , pas përfundimit të luftës ishte rehatuar fort mirë në institucionet e Kosovës . Në vitin 1984 , pa asnjë dëshmi dhe pa asnjë faj ishin dënuar nga Gjykata  Ushtarake në Zabreb ; Hysen Shurdhani 12 vjet , Zenel Baçaj 9 vjet , Shefki Barileve 7 vjet, Brahim Mazrekaj 6 vjet , Behxhet Sh. Shala , 12 vjet , isa Jashari 5 vjet , Hysen Zymberi 5 vjet , Fatmir Ahmeti 4 vjet dhe Rexhep Rama ( i penduar  ) 1 vjet  . Hatuesi kryesor ishte Enver Krasniqi , epror i KOS –it kurse dëshmitarët që me vullnet dëshmuan kundër të dënuarve ishin , midis tjerëve , Azem Stublla , Muhamet Hoxha dhe Mejdi Selmani .

Të gjithë ne që jemi dënuar i kemi hetuesit tanë , prokurorët tanë , gjykatësit tanë , dëshmitarët tanë që kanë emër dhe mbiemër dhe që nuk kemi dashur t’i bëjmë publikë shkaku se nuk i konsiderojmë të fajshëm pasardhësit e tyre për poshtërsitë e paraardhësve të tyre . Po duhet t’i bëjmë publike sepse edhe për neve mund të thonë se nuk ishim në burgje , se kemi qenë në pushime , se kemi përgjegjësi që ua kemi prishur rehatinë , vëllazërim – bashkimin dhe bashkëjetesën në Jugosllavinë e Titos . Kur del një i poshtër me mendësi udbashe dhe thotë këtë për Bacën Adem Demaçi e pse atëherë çuditeni për masakrën juridike që po e bënë Gjykata Speciale Raciste në Hagë kundër Hashim Thaçit , Jakup Krasniqit , Kadri Veselit , Rexhep Selimit , Salih Mustafës , Nasim Haradinajt , Hysni Gucatit dhe Pjetër Shalës …për fillim !

26 qershor 2023 Prishtinë

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura