Zvicër, 27. 07. 2013 – Tani e kuptova përse iu paska drejtuar safet gërxhaliu të rinjëve që për një kohë të gjatë s’duan as t’i dëgjojnë fjalët e tij, sepse një i ri, kur e merr rrugën e mërgimit, nuk është fort ngushtë t’i dëgjojë këshillat qeveritare, të vendit që po i përzë edhe pse ata mendojnë se po e braktisin atdheun. Në trurin e tyre rinor e plot shpresa, me të errur nata e parë zë vend ajo pyetja: Ku do ta gjejë një shtrat për ta hequr nga shpina lodhjen nga tmerri dhe ikja?
Zyrtari prej letre i nomenklatures neokomuniste safet gërxhaliu, kryetar i odës ekonomike të Kosovës, ua tregoi kësaj radhe shqiptarëve të Kosovës dhëmbët e mprehtë shigjetë e të përmbysur. Në mungesë të «më të fortëve» safet gërxhaliu lirisht do të kishte mundur të bëhej kryeministër, me gjithë dhëmbët shigjetë e të përmbysur, në bazë të prirjeve dhe afinitetit profesional që e posedon. Safeti, do të mund të zinte, edhe sot, poashtu, vendin e enver hassanit, si kryetar i gjykatës kushtetuese të Kosovës, gjë që nuk përjashtohet, pas 35 vjetëve, kur enver hassani do t’i rumbullakësojë 97 vjet dhe do të kërkojë pensionim të parakohshëm.
– safet gërxhaliu, kryetar i odës ekonomike të Kosovës –
Po çka bëri safet gërxhaliu?
Asgjë të keqe. Po mos të vepronte safet gërxhaliu, atëherë do ta kishte shkelur ligjin, me indiferencë, dembellëk dhe jo-efikasitet, si qeveritarët e tjerët, dhe do të ishte rrezikuar nga neni famëkeq – për mos asistencë (ndihmë) personave të rrezikuar dhe në nevojë, që dënohet nëpër shtetet e botës me shumë vjet burg të rënd. Në Kosovë fatbardhësisht ky ligj ende nuk është aplikuar.
Ai, safet gërxhaliu e tha mendimin e qeverisë dhe të vetin, sepse oda ekonomike e Kosovës nuk është një OJQ, por është pjesë e ngushtë e qeverisë, si në kohën e ali shukrisë. Pra, oda ekonomike e Kosovës është një odë, sobë, dhomë ku shqyrtohen problemet e një vendi në tërësi, e sidomos: Eksporti: i ajrit, erës dhe i reve, i natës, territ, dëshprimit, ngatërresave, plagosjeve, vrasjeve e vetëvrasjeve; dhe Importi: armë turko-serbe, mendje serbo-turke, miell turko-serb, truri serbo-turk, vaj turko-serb, shkolla serbo-turke, buka turko-serbe, moda serbo-turke, politanka turko-serbe, fruta e faculeta serbo-turke, gjilpëra e mjete pune turko-serbë, rrush, molla, dardha, tranguj serbo-turk, speca turko-serbë, domate serbo-turke, dhe përtej 300 artikujve të tjerë, të ndryshëm turko-serb dhe serbo-turk, më falni e harrova naften turko-serbe.
Pikërisht në atë odë, të gëlqerosur në fund-majin e këtij viti, aty zhvillohen në permanencë eksperimentime dhe kërkime të lloj-llojshme, në mënyrë tejet precize e shkencore, pikërisht si në NASA. Për këto çështje, me interes kombëtar deri më tani janë botuar edhe nja 13 libra. Ja titujt:
«Studim: fajësimi kolektiv i mërgimtarëve?»; «Më patriot është azem vllasi se Adem Demaçi!»; «Sa vende pune mund t’i gjejë heroi safet gërxhaliu?»; «Heronjtë e kombit azem vllasi, shkëlzen maliqi, hajredin kuçi, azem syla, safet gërxhaliu…»; «Të pushkatohen të gjithë ata që e kundërshtuan marrëveshjen!»; «Të dekorohen deputetët që nënshkruan marrëveshjen!»etj., etj.
Të gjitha këto punë shkencore udhëhiqen nga safet gërxhaliu, e ai është punëtor dhe i zellshëm. Ai nuk e ka patur qëllim t’i ofendojë të rinjtë që po largohen në shtetet perendimore. Ja për shembull as të moshuarit, të sëmurët, madje as lehonat dhe fëmitë, fare s’i ka zënë në gojë… ai s’ka dashur as të flet. Ajo deklaratë ishte e enver hassanit, për të tingëlluar edhe më kërcënueshëm, por safeti ka qenë i bindur se shefi kishte shkuar në një udhëtim zyrtar në rusi.
Përse pra ikin të rinjtë kur paskan mundësi t’i gjejnë mbi 300 vende pune për një kohë të shkurtër?
Përse shfaqet kjo mosgatishmëri e të rinjëve shqiptare për t’u punësuar në Kosovë?
Këto dy pyetje të shtruara nga safet gërxhaliu u bënë objekt edhe i kundër-ekspertizës shkencore nga ana e azem vllasit, i cili inkasoi edhe një honorar modest prej 2660 Eurove, si ekspert. Ai tha se këto punë janë punë të punëve të armiqëve të shtetit. Këto punë i kam punuar e sqaruar, me punë, para 32 vjetëve. I kam përmendur e përpunuar edhe në punimin tim, shtoi ai.
Për sa më merr mendja mua, shul shqip kjo d.m.th. kështu: Po të kishin qenë mërgimtarët e mirë do të ishin si safet gërxhaliu e azem vllasi me një pagë prej 7200 Eurove mujore.
Tani e kuptova përse iu paska drejtuar safet gërxhaliu të rinjëve që për një kohë të gjatë s’duan as t’i dëgjojnë fjalët e tij, sepse një i ri, kur e merr rrugën e mërgimit, nuk është fort ngushtë t’i dëgjojë këshillat qeveritare, të vendit që po i përzë edhe pse ata mendojnë se po e braktisin atdheun. Në trurin e tyre rinor e plot shpresa, me të errur nata e parë zë vend ajo pyetja: Ku do ta gjejë një shtrat për ta hequr nga shpina lodhjen nga tmerri dhe ikja?
Pra safet gërxhaliu s’bëri asgjë. Asgjë.
Ai vetëm tha… e thëna dallon nga e bëra. Asgjë, s’bëri!
Përse të ngatërrohet zyrtari prej letre safet gërxhaliu, në fund të fundit, kështu jo-kushtetushmërisht, pasi fjalët e tij s’i paskan dëgjuar ata të cilëve iu është drejtuar? Pafajësinë e tij e dëshmojnë edhe deklaratat e tri zonjave tona: si ajo e kryetarës së vendit, atifete jahjaga, e cila u tha shqiptarëve se s’kanë ku shkojnë, të rrinë nëpër shtëpitë e veta; (por nga fjalori i saj shihei qartë se më shumë ishte e brengosur për markën e llakut të thonjëve që ia kishte sjellë dikush, gabimisht kuptohet, nga Fashion District i Los Angeles-it, e jo si gjithmonë, nga Parisi); pastaj ajo ndërhyrje e vlora çitakut, e gjora, që iu dasht të merr mundin, duke i lënë anash mbi 300 punë të tjera, më të rëndësishme, për t’iu drejtuar publikisht shqiptarëve të marrë me thirrjen të qëndrojnë në Kosovë, ashtu siç po qëndron ajo, heroikisht; dhe kjo e fundit, pak më tinëzare, e dhelprës, deklarata e edita tahirit, e cila në realitet nuk tha asgjë, përveçse serbia po kujdeset si nënë për Kosovën, të na sjellë kodin e ri telefonik.
Çfarë keqkuptimi?
Ata që kërkojnë nga safet gërxhaliu me dhëmbët shigjetë e të përmbysur t’iu kërkojë falje mërgimtarëve gabojnë!
Gabojnë!
Sepse kërkesa fisnike për të kërkuar falje iu drejtohet vetëm njerëzve!
( Kontakti me autorin: [email protected] )