DR.MOIKOM ZEQO: PËRPARËSIA E KULTURËS MBI POLITIKËN ËSHTË EMANCIPIMI I VETË POLITIKËS

Tiranë, 16. 07. 2013 – (Intervistë me Dr. Moikom Zeqo) – Çdo dështim politik është në thelb edhe dështim kulturor – kjo nuk ka asnjë diskutim, apo kundërthënie. Niveli i politikës është niveli i koncepteve, ideve, i të menduarit, i të reflektuarit të padyshimtë të nivelit real kulturor (të pafallsikueshëm dot!) Një propogandë e shfrenuar, e mediatizuar marrëzishëm është një kitsch-kulturë, pra e kundërta e kulturës serioze. Por ky spektakolarizëm i zhurmshëm, pa kufi, egoman, si truke hutuese, të kota prestigjatori vetëm e mbulon dhe e fsheh të vërtetën, është antikultura e mashtrimit të koduar. Përsa i përket qeverisjes së këtyre 8 viteve me institucionet e kulturës katrahura ka qenë akoma më rënuese.
Pashtriku.org – Zoti Moikom, a ishte vota e 23 Qershorit thjesht një reagim politik, apo edhe reagim kulturor?
MOIKOM ZEQO:
Në rradhë të parë, detyrimisht, konkretisht dhe juridikisht është një reagim politik i jashtëzakonshëm. Një reagim madhor, i koncentruar këto 22 vjet tek qytetarët shqiptarë kundër projektit apo eksperimentimit të qeverisjes berishiane – qeverisje kjo arketipale antidemokratike si deformim dhe mutacion i mbrapshtë i ideve, koncepteve formale me substancë autoritariste, me një virtualizëm primitiv ekonomik, plot korrupsion, me struktura klienteliste të frikëshme, e kundërta e një vizioni demokratik të përparuar. Reagimi popullor qe një lloj plebeshiti për të rregulluar, apo gjetur ekuilibrin e shmangur, të humbur të politikës së vërtetë. Por çdo veprim apo dukuri politike është conceptual (pra dhe mendor!) Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë se vetëdija e popullit në të vërtetë qe më e lartë dhe e ndryshme në konceptet parakë, bazorë nga ajo e klasës politike dhe sidomos ndaj mitit soterik (në thelb alibik) të shëmbëlltyrës së Berishës. Pra vota e pashëmbullt popullore qe edhe një reagim i shkëlqyer kulturor kundër antikulturës politike berishiane, ose gjithçkaje të ngjashme me të.

– Dr.Moikom Zeqo – 

Së pari, kundër ligjërimit të tmerrshëm politik plot sharje, anatemime të skajshme, shantazhit të egër, fyerjeve, akuzave nga më të çuditëshmet ndaj kundërshtarëve politikë, kundër opozitës, presidentit, kryeprokurores, deputetëve etj. Kurrë nuk ka ndodhur-mos ndodhtë kurrë! – që kryeministri dhe kryetarja e kuvendit të artikulojnë kaq mjerushëm dhe banalisht ligjërimin politik publik. Carl Gustav Jung-u ka shkruar se sharjet tregojnë psikikisht një stad të ulët të të menduarit normal dhe të qytetëruar. Dhe kjo ndodhi në Shqipëri si një katrahurë e rëndë. Dhe ndodhi për shumë, shumë kohë, për fat të keq!
Së dyti, kultura e qeverisjes (etatiste) u bë një ideologji primitive e privitazimit të institucioneve, ku edhe vetë institucioni i partisë dhe i kryetarit qe ai i klubit të Njëshit, i tribusë, servilizmit, i korruptimit të stimuluar, i gllabërimit antikushtetues të të gjitha pushteteve. Kjo qe antikultura më antidemokratike e këtij tranzicioni, alikimia më e rrezikshme e deformimit dhe shkatërimit. Reagimi popullor e kundërshtoi fuqishëm edhe këtë antikulturë retrograde, në thelb antipopullore.
Së treti, reagimi popullor qe shprehje e thukët, e epërme e faktit që kultura e ndërshkueshmërisë, e së drejtës ndaj krimit të organizuar, por edhe ndaj krimit shtetëror të ngrihet nga humnera ku e ka hedhur berishizmi, në mënyrë që të besohet tek e drejta dhe e drejta të vihet në vendin kryesor, të ringjallet, – pra kultura e ndërshkueshmërisë të jetë struktura kushtetuese e respektimit të ligjeve demokratike dhe e të jetuarit sipas këtyre ligjeve demokratike, kjo kërkon reformat të thella në rrafshin e drejtësisë, gjykatave, pra krijimin e kulturës së mirëfilltë juridike shqiptare, e kulturës universale juridike që është substanca e patjetërsueshme e vetë qytetërimit modern, integrues.
Së katërti, reagimi popullor qe kundër modelit të alambikuar keq të ekonomisë informale dhe virtuale, për një projekt vizionar ekonomik me një kulturë të shumëfishtë profesionale dhe shkencore, për një kulturë të vërtetë, reale në në fushën e punësimit, prodhimit shoqëror, të arësimit, të shëndetësisë, -një projekt të protoganizmit ekonomik bazuar në burimet dhe pasuritë natyrore dhe potencialet e njerëzve sipas paradigmave europiane më të zhvilluara, – një projekt të prespektivës integruese.
Pashtriku.org – Dështimi i qeverisjes Berisha, përveç edhe politik, ishte edhe kulturor? Sepse jemi dëshmitarë që shumë trashëgimi kulturore u dëmtuan, madje, saqë rrezikohen që Berati të dalë nga lista e Uneskos, si qytet muze, të kërcënohet amfiteatri me rrënin etj.
MOIKOM ZEQO:
Çdo dështim politik është në thelb edhe dështim kulturor – kjo nuk ka asnjë diskutim, apo kundërthënie. Niveli i politikës është niveli i koncepteve, ideve, i të menduarit, i të reflektuarit të padyshimtë të nivelit real kulturor (të pafallsikueshëm dot!) Një propogandë e shfrenuar, e mediatizuar marrëzishëm është një kitsch-kulturë, pra e kundërta e kulturës serioze. Por ky spektakolarizëm i zhurmshëm, pa kufi, egoman, si truke hutuese, të kota prestigjatori vetëm e mbulon dhe e fsheh të vërtetën, është antikultura e mashtrimit të koduar. Përsa i përket qeverisjes së këtyre 8 viteve me institucionet e kulturës katrahura ka qenë akoma më rënuese. Pseudoreforma e vitit 2008 për Akademinë e Shkencave qe shkatërimi gati i pariparueshëm i saj, nuk botohen më revistat shkencore autoritative, Instituti i arkeologjisë u prish, nuk bëhen ekspedita kërkimore, as kuvende shkencore për ilirët, për etnogjenezën e shqiptarëve,gjuhësia shqipe është mpirë, gëlon diletantizmi dhe sharlatanizmi pseudoshkencor, shkenca e historisë është klientelezuar nga nga interesat politike, çeshtja kombetare është butaforizuar mjerueshëm, albanologjia seriozë është tjetërsuar, po kështu edhe studimet për artin, etnografinë, kurse shkencat për gjeologjinë, fizikën, matematikën, pasuritë detare, bujqësinë, zoologjinë, naftën, mineralet etj., kanë një vdekje të bardhë në Shqipëri. E pabesueshme! Po ja që kështu është e vërteta! Në këto 8 vjet respekti dhe nderimi për artistët e teatrit dhe filmit nuk ekziston, as për artistët e arteve figurative dhe pamore dhe akoma më keq është gjendja me shkrimtarët e Shqipërisë, statusi i të cilëve është zero, ose nën zero nga politika dhe kushtet ekzistenciale- e drejta e punës së tyre krijuese nuk paguhet nga botuesit. Shqipëria është shteti i vetëm në Europë ku e drejta e pronës intelektuale nuk njihet dhe nuk merret në konsideratë. Ju rrëmbye shkrimtarëve dhe artistëve në kundërshtim me ligjin rezidenca e tyre, u vodh dhe u shkatërua biblioteka shumë e pasur e tyre, – sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë dhe ndoshta në botë ku nuk ka një organizatë krijuesish, nuk ka asnjë organ letrar të tyre për të përfaqësuar letërsinë dhe kulturën shqiptare. Kjo është gjithashtu diçka e paimagjinueshme për një vend dhe një shtet normal- është anomarliteti më i skajshëm më antiart dhe antikulturë që ka ndodhur ndonjëherë. E dhimbshme por edhe qesharake! E vrazhdë dhe idioteske!
Pashtriku.org – Sipas intelektualit Moikom Zeqo, cilat duhen të jenë raportet midis politikës dhe kulturës?
MOIKOM ZEQO
: Në shoqëritë e pacivilizuara raporti i politikës me kulturën është negativ, pra një raport apokaliptik, pa asnjë të ardhme! Kështu ka ndodhur këto 22 vjet tek ne. Duhet përmbysur ky raport progesisvisht dhe konceptualisht. Nuk mund të ketë politikë të vërtetë jashtë apo në kundërshtin me kulturën e vërtetë. Politika dhe kultura janë pjesë të një ekuacioni mendor. Politikanët janë pengu i kulturës së tyre, por shpesh politikanët janë qënie efemeride, për shkak të limitimit të mandateve dhe të rotacionit kushtetues së pushtetit kurse njerëzit e kulturës nuk kanë nevojë për mandate dhe rotacion dhe kjo përbën një përparësi të dukshme të tyre në të gjitha kuptimet. Personalitetet e mëdha të kulturës në pikëpamje prespektive dhe të substancës historike janë më të rëndësishëm se sa politikanët, madje edhe kur politikanët janë të suksesshëm. Ajo çfarë mbetet më shumë nga etapat historike janë struktura kulturore si formë dhe përmbajtje më sintetike se sa kronologjitë politike. Por nuk mund të bëhet edhe pa politikanët domodsdo, ndaj politikanët që respektojnë kulturën gjejnë atu-në e tyre më ideale dhe më të mençur për të afirmuar vetveten. Vota e 23 qershorit është edhe një apel afatgjatë dhe imediat për ta kulturuar më më fund vetë politikën!
Pashtriku.org – A duhet të ndryshojë ligji për Trashëgiminë Kulturore?
MOIKOM ZEQO:
Po, duhet ndryshuar dhe përsosur ligji i Trashëgimisë Kulturore, sepse ka ardhur koha për një gjë të tillë të domosdoshme, ndonëse në shumë pika kryesore ky ligj është konceptuar drejt juridikisht. E keqja ka qenë moszbatimi i këtij ligji në praktikë. Ky ligj duhet të fuqizonte arkeologjinë shqiptare, studimet, ruajten e restaurimin e monumenteve, mbrojtjen e trashëgimisë etnografike, antropologjike, ikonografinë shqiptare të shekujve, qytetet muzeorë, fondet albanologjike të bibliotekave, trashëgiminë e shkrimtarëve të shquar dhe dijetarëve të mëdhenj, që kanë vdekur, të stimulojë përkthimet në gjuhë të huaja të veprave më përfaqësuese të letersisë shqipe- ato janë pjesë e trashëgimisë madhore kombëtare, pra ky ligj të përurojë atë që është e përjetshme dhe e patjetërsueshme Shqipërinë Kulturore. Çdo integrim më shumë se sa politik dhe ekonomik është në substancë integrim kulturor- para së gjithash dhe në mënyrë eksplicite – po e ritheksoj: integrim kulturor!
Pashtriku.org – Qeveria e re e së Majtës, a mendoni se do të jetë edhe qeveri kulturore, apo thjesht politike?
MOIKOM ZEQO:
Shpresoj që të bëjë diçka pozitive patjetër, do të ketë kulturë më shumë, më shumëanshmërisht në politikë, si dhe politikë për vetë kulturën. Pa bërë këtë nuk ka emancipim. Për këtë duhen mobilizuar tërë kapacitetet mendore dhe intelektuale më të shquara të Shqipërisë, për të bërë kapërcimin e Rubikonit të kulturës nga politika. Me mediokritet nuk bëhet politika, spse mediokriteti është dështimi i vetë politikës- kjo është një rregullsi e pashmangshme dot, nuk i fshihesh, nuk e mohon.
Pashtriku.org – Ju si do ta gjykonit politikën e Edi Ramës, që ministrat të mos jenë deputetë? Risi? Eksperimet? Apo një përpjekje që të mbajë nën presion, në kuptimin e diktatit të vet, ministrat?
MOIKOM ZEQO:
Idea e Ramës që ministrat të mos jenë deputetë është e drejtë, madje shumë e saktë dhe e mençur – më pëlqen kjo ide dhe e mbështes. Por ama ministrat duhet të përzgjidhen si personalitete – dhe të tillë e majta ka padyshim, nuk i mungojnë. Kjo nuk ka të bëjë me diktatin e kryeministrit, ka të bëjë me vizionin. Por vështirësitë do të jenë shumë të mëdha, nuk ekziston shkopi magjik, por vullneti ftillëzon suksesin- për këtë jam i bindur. Ndërlikueshmëria e rëndë e problemeve që ka përpara qeveria e së majtës kërkon domosdoshmërisht vetëm kapacitete adekuate të shquara për t’i përballuar.
Pashtriku.org – Jeni ndër kriticistët e Ministrisë së Kulturës. Si do të konceptonit një vizion të ri të Ministrisë së Kulturës të së Majtës?
MOIKOM ZEQO:
Krejt ndryshe nga ç’ka qenë deri më tani. Deri më sot ministria e kulturës është konceptuar edhe nga qeveritë e majta dhe të djathta si ministria Hirushe, më e varfëra, por për saktësi ajo është më përfaqësusja e identitetit kulturor dhe kombëtar. Adminstrata e saj duhet rikonceptuar dhe të përfaqësohen nga profesionistët dhe jo nga militantët që nuk marrin erë nga kultura, fondet e saj duhen rritur, vizioni i saj duhet matarializuar në maksimum dhe pa asnjë dilemë burokratike. Meqë ra fjala edhe peisazhi dhe natyra është pasuri e jashtëzakonshme kulturore në një kuptim ekologjik por edhe estetik sipëror. Aksioni i drejtë, logjik i kryeministrit Rama për të prishur ndërtimet pa leje në bregdetin e jugut, në Vlorë dhe në Llogara etj., është një aksion gjithashtu i vërtetë kulturor, tejet i rëndësishëm – një kumt i qartë se çdo gjë e kundërligjshme do të përballet me ligjin. Ta ruash natyrën sipas kritereve ligjore vizionare do të thotë të jesh i përgjegjshëm deri në fund për trashëgiminë tonë kombëtare të mijëvjeçarëve edhe për gjeneratata e ardhshme, do të thotë të mishërosh një kulturë politike të lartë.
Pashtriku.org – Për një mirëfunksionim të punëve, a duhet që ministria e sotme të ndahet në ministri të Kulturës dhe në ministri të Turizmit dhe përse?
MOIKOM ZEQO:
Jam i bindur se kultura dhe turizmi duhet të jenë dy dikastere më vete – jam kundër formave hibride “edhe ashtu edhe kështu” – dy ministri më vete janë një sintezë më e mirë. Fuksionalizimi bëhet më i plotë, më rezultativ.
Pashtriku.org – Organizma ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore paralajmërojnë se rrezikohen të shkatërrohen monumente të Kulturës botërore, si Amfiteatri i Durrësit. Berati rrezikohet të dalë nga listat e UNESKO-s, si qytet muze. Në Gjirokastër trashëgimia kulturore po rrënohet me ndërtime të kota dhe restaurimet dështojnë. Përse kjo politikë e shpërfilljes ndaj trashëgimisë kulturore?
MOIKOM ZEQO:
Kam shkruar shumë për këtë temë, ndaj do t’ju përgjigjen shkurt. Antikultura shtetërore sidomos e këtyrë 8 viteve i katandisi keq monumentet- shkatërroi imazhin e Krujës, kryeqytetit skendërbejan të mesjetës shqiptare, rrezikoi seriozisht për ta nxjerrë Beratin dhe Gjirokastrën nga lista e UNESKO-s, nuk restauroi asnjë kështjellë, ose monument tjetër, lejoi të shkatërroheshin barbarisht afreskat e Onufrit, të prishej lagjia antike e zbuluar në Durrës – diçka e ngjashme me monumentet e Pompeut për nga rëndësia unikale arkeologjike, nuk çau kokën, nuk bëri asnjë përpjekje për ta mbrojtur amfiteatrin e Durrësit – i shpallur tashmë si një nga 7 monumentet më të rrezikuara në botë. Qeveria e re duhet ta lexojë qartë edhe këtë “libër të gabimeve“ dhe të reflektojë.
Pashtriku.org – Si duhet të ndërtohen raportet e reja të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me organizma ndërkombëtare, por më shumë, me UNESKO-n?
MOIKOM ZEQO:
Raporte dinjiteti dhe përgjegjësie dyanësore (bilaterale). Këto raporte duhet të jenë të gjalla dhe krijuese larg çdo burokracie formale dhe pa asnjë kuptim substancial. Po kjo do shumë kohë dhe varet edhe nga densiteti dhe shkalla e integrimit tonë europian.

Pashtriku.org – A mund të ketë vizion e perspektivë turizmi kulturor në Shqipëri? Kemi parasysh që shumë vlera të trashëgimisë tonë kultorore me vlera botërore, “flenë” në shpërfilljen e harresës e të ferrave e drizave.
MOIKOM ZEQO
: Turizmi kulturor ka prespektivë por në fillim duhet përmirësuar situata e rëndë e monumenteve të Shqipërisë – pra jemi të vonuar, por jo në mënyrë fatale. Turizmi kulturor është edhe elitar dhe nga kjo pikëpamjë kërkon shumë më tepër vizion, organizim dhe infrastrukturë.
Pashtriku.org – Cilat duhet të jenë marrëdhëniet e reja që duhet të ndërtojë qeveria e re me njerëzit e kulturës?
MOIKOM ZEQO:
E kundërta e atyre që kanë qenë deri më tani, e kundërta e atyre marrëdhënieve që politika ka patur me njerëzit e kulturës këto 22 vjet. Këtu duhet vërtetë rilindje. Vetëm politikanët e mëdhenj janë njëkohësisht edhe protogonistë realë të kulturës! Kjo është pradigma e zhvillimit!
Pashtriku.org – Dua të thaksoj përsëri në vëmendjen e qeveritarëve një problem. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi një organ të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, madje asnjë program e gazetë të mirëfilltë për kulturën dhe artin, ndërkohë që jemi në 2013-n. A mund të ecet kështu?
MOIKOM ZEQO:
E preka pak më sipër këtë motiv krejt të pamotivuar. Rezidenca e shkrimtarëve dhe artistëve është prona e tyre e njohur me ligj – organizata (me kritere demokratike fuksionimi) e shkrimtarëve dhe artistëve juridikisht ekziston, por atë nuk e përfill mëndjelehtësisht askush nga shtetarët. Shteti duhet ta zgjidhë ligjërisht çeshtjen e një residence si dhe të botimit të organeve për kulturën dhe artin. Atë që nuk u bë për 8 vjet nuk duhet ta kthejë në një “perpetuum mobile“ pa asnjë zgjidhje konkrete qeveria e re e së majtës. Mendoj se do të bëhet diçka e mirë dhe si duhet edhe në këtë aspekt kulturor të mirëfilltë, kombëtar.


(Intervistën e zhvilloi gazetari: Besim R.Cengu)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura