AVNI HALIMI: KULTURA DHE INTERESI KOMBËTAR

Shkup, 08. 11. 2013 – Kultura është “Kulla e Babelit” në të cilët strehohet shpirti i identitetit kulturor i një kombi. Kultura dhe zhvillimi i saj është interes parësor për çdo popull në botë. Është interes nacional që për kulturën të përkujdesen institucionet profesionale shtetërore. Në interes të çdo populli është që të ruaj autenticitetin e vet kulturor, por edhe të shpreh një përkujdesje kombëtare për kulturën dhe trashëgiminë kulturore nacionale dhe shtetërore.
Shqiptarët e Maqedonisë, edhe pse me një kulturë nga më të vjetrat në Evropë, në vend se të gjenden në pozita të shijimit të kulturës së vet të lashtë, për fat të keq ballafaqohen me një diskriminim të egër dhe nëpërkëmbje shoviniste të dinjitetit kulturor. Qeveria maqedonase tashmë ka ngritur në interes nacional dy luftërat paralele: angazhimin e të gjitha kapaciteteve për kulturën e vet nacionale si dhe aktivizimin e të gjitha kapaciteteve shtypëse, nënçmuese dhe mohuese ndaj kulturës shqiptare. Ky denigrim po bëhet në mënyrë mjaft “të kulturuar”, në mënyrë institucionale, me kushtetutë, me akte e dispozita ligjore. Nuk zhvillon politikën e një pushtuesi por, thjesht, nuk merret me kulturën shqiptare dhe, rrjedhimisht, nuk i lë vend dhe nuk i krijon hapësirë kulturës shqiptare.

 Interesi kombëtar në kulturë nuk mbrohet përmes politikave të zhurmshme ditore. Ky interes nacional shprehet përmes, politikave sektoriale; strategjive nacionale për kulture, si dhe përmes planeve për zhvillim kulturor. Shqiptarët janë të përjashtuar në të tre nivelet e sipërpërmendura. Kontribues dhe hartues të strategjive nacionale janë personalitete nga akademia maqedonase, bartës të funksioneve të ndryshme publike, shkrimtarë, udhëheqës të institucioneve kulturore etj. Kontributi i personaliteteve shqiptare është zero, sepse as që kërkohen mendimet dhe sugjerimet e tyre. Politikat sektoriale dhe planet e zhvillimit i bëjnë kryesisht udhëheqësit e sektorëve si dhe “këshilltarët” e jashtëm të numrit një të ministrisë. Në asnjë nga dhjetëra sektorët e krijimtarisë, të bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe të mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave kulturore, nuk ka shqiptarë në pozita të larta apo drejtuese. Momentalisht, gati në të gjithë sektorët punojnë shqiptarë, madje që të gjithë me shkollim sipëror, por që kryejnë punën e mbledhësit dhe sistemuesit të dokumenteve, të fotokopjimit, të sistemimit dhe të adresimit të tyre.
Politikë-bërësit shqiptarë, sidomos kur janë në pushtet, “politikat kulturore” i arrijnë përmes anëtarëve të komisioneve të cilët janë trup këshillimor për hartimin e programit nacional vjetor, për të cilin, megjithatë vendos kabineti dhe vetë ministri. Shqiptarët kanë arritur të kyçen në të gjitha komisionet dhe, pothuajse ata janë “përcaktues” se çka dhe sa aktivitete kulturore shqiptare do të përfshihen në programin nacional vjetor. Partitë politike, çuditërisht, ndikimin e tyre e orientojnë kryekëput vetëm në sektorin e botimeve. Sa më shumë tituj të imponojnë, aq më shumë mendojnë se po bëjnë kulturë dhe politikë kulturore kombëtare. Çdo vit rritet numri i titujve të librit shqip, ndërsa buxheti mbetet gjithnjë i njëjtë. Nëse bie numri për një a dy tituj partia politike në pushtet menjëherë i aktivizon “ojq”-të e veta të cilat nuk rreshtin së ankuari për diskriminim kulturor derisa nuk do të marrin edhe ndonjë titull. Kësisoj, ministria për kulturë për çdo vit e arrin heshtjen dhe kënaqësinë kulturore të shqiptarëve. Partia shqiptare në pushtet (cilado qoftë kjo) është e kënaqur me 80-90 tituj shqip që botohen brenda një viti me ndihmën e ministrisë për kulturë. Ndërsa nga ky volum titujsh nuk mund të tërhiqen anash 3-4 libra që ia vlejnë të futen në thesarin kulturor kombëtar. Të tjerat janë libra komercialë të biznes-botuesve si dhe libra të përkthyera shkel e shko që ofrojnë informacione dhe që madhërojnë kultura të huaja. Pra, paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë në xhep të pseudo-botuesve si dhe shpenzohen për kultura të huaja. Si për ironi edhe më të madhe, pothuajse të gjithë anëtarët shqiptarë të angazhuar nëpër këta komisione janë me tepër aktivistë besnikë, partizan partish se sa profesionistë apo të botës së artit e të kulturës.
– Kush është interes nacional në sferën e kulturës?
– A është gjuha?
– A është bota e artit muzikor-skenike, artit figurativ?
– A është mënyra e të ushqyerit, të veshurit, të komunikuarit?
– Libri, besimi, ritet, etj? Po! Të gjitha këto i përkasin interesit nacional shqiptar të cilat nuk përputhen në asgjë me interesat nacionale maqedonase. Madje kur ndërhyn këtu politika ditore, “pronarët” e këtyre interesave nacionale manifestojnë një armiqësi të paparë e shumë të egër.
Asnjë subjekt juridik apo fizik nuk mund të përcaktojë se akëcila vepër është me interes nacional për shqiptarët dhe për kulturën e tyre. Në konkurs konkurrohet kryesisht me tituj, dhe jo me shfaqje, me film të xhiruar, me libër të botuar, me artefakte nga gjurmimet arkeologjike, me festivale tashmë të organizuara një vit më parë! Ndërsa, në mënyrë fare ligjore dhe krejt institucionale subjektet përcaktuese maqedonase vlerësojnë se akëcila vepër shqiptare nuk i përmbush interesat nacionale! Natyrisht, këtu mendohet për interesin nacional maqedonas. Pasi të hartohet programi nacional vjetor, Ministria e kulturës, të gjithë subjekteve që kanë konkurruar, u dërgon përgjigje me shkrim për arsyen e refuzimit të projekteve. Dhe, të gjitha përgjigjet përmbajnë këtë tekst non-shalant e përçmues për shqiptarët dhe për kulturën e tyre: “Projekti refuzohet sepse nuk është i argumentuar dhe i elaboruar në mënyrë adekuate, ndaj dhe komisioni nuk mund ta vlerësojë nivelin artistik, gjegjësisht, nuk mund ta gjejë interesin nacional në kulturë!” Asnjë kundërshtim dhe asnjë përgjegjësi nga askush kundër kësaj strategjie përçmuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.
Nisur nga kjo logjikë, tashmë është miratuar edhe ligji për artistë nacionale që përcakton se kush dhe si mund të zgjidhet artist nacional, titull ky që siguron një pension të veçantë për të gjithë artistët e kombit. Natyrisht, në bazë të këtij ligji, asnjë nga artistët shqiptarë nuk e meriton këtë titull, madje, përtej humanes, është ofenduese për gjithë-secilin.
Benifite për moshën e pensionit sigurojnë edhe nja dy-tre shpërblime shtetërore që u jepen, veç të tjerëve, edhe personaliteteve të shquar nga sfera e artit dhe të kulturës. Edhe këto çmime nuk përkojnë me kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. “11 Tetori” – dita e kryengritjes së popullit maqedonas! “23 Tetori” – dita e luftës revolucionare maqedonase! Shpërblimi “Kliment Ohridski”. Për nder të ditës së vdekjes së Goce Delçevit, më 4 maj jepet shpërblimi shtetëror “Goce Delçev”. Më 21 dhjetor, për nder të ditëlindjes së Mito Haxhi Vasilev, jepet shpërblimi shtetëror që mbanë emrin e këtij personaliteti historik maqedonas. Artistit shqiptar, nacionalist e disident, me alamet dosje policore, i përndjekur tërë jetës, në fund i jepet shpërblimi për nder të ditës së formimit të VMRO-së! Me një fjalë, asnjë nga shpërblimet nuk prek më të voglin interes nacional shqiptar. Natyrisht, është në nder të çdo artisti që në jetën e vet të shpërblehet me lloj-lloj çmimesh e titujsh ndërkombëtar, por, është e pandershme që mos të ketë një titull kombëtar.
Për një neglizhencë të këtillë, për një uzurpim të vlerave kulturore në dëm të kulturës tjetër, për një përçmim dhe mohim i kësaj natyre, në pluralizëm faji duhet të kërkohet, mbi të gjitha, te subjektet politike që marrin mandatin e popullit për të prirë nëpër procese. Por, a mund të mandatohet një subjekt politik i cili, jo që nuk e kupton peshën e institucionalizmit të jetës kulturore, por që në agjendën e veprimeve politike fjalën “kulturë” e ka si dekor margjinal të programit, në të cilën nuk e ka të përcaktuar dhe të nënvizuar qartë as interesin nacional kulturor por as edhe një fjali që do ta përbënte platformën politike për kulturë nacionale. Okupatori mund të fajësohet vetëm për okupim, ndërsa për çlirim dhe liri faji bie mbi vasalët dhe të okupuarit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura