AVNI ZOGIANI: KEK-u, VENDI KU BASHKOHET KRIMI I BIZNESEVE TË MËDHA

(Pashtriku.org, 13. 09. 2012) – Në asnjë vend nuk bashkohen krimi i bizneseve, politikanëve, e individëve vendor e ndërkombëtar si në Korporaten Energjetike e Kosovës – KEK. Aty ndodhë gjithçka. Likuidohen struktura të tëra ekspertësh nga pozitat që mbajnë për dekada me radhë nëse nuk dëgjojnë këshilltarët dekadentë ndërkombëtarë. Aty shihet qartë fotografia e klientelizmit të politikës me tenderët dhjetra milionësh.
KEK-u është kompania në të cilën për dymbëdhjetë vjet me radhë fjalën e fundit nuk e kanë pasur ata që formalisht kanë udhëhequr me të, por vendimet i kanë marrë njerëzit që janë ulur në radhën e dytë të karrigeve, këshilltarët ndërkombëtarë. Ata kanë pasur kompetencat, por jo edhe përgjegjësinë. Ata janë kujdesur që në sektorin e energjisë në Kosovë të ndodhë gjithçka përveçse të gjinden zgjidhjet.
Prokurimet e KEK-ut janë dominuar nga politika edhe vendore edhe ndërkombëtare dhe kjo shihet në faktin se dhjetra-miliona euro janë djegur në mënyrën më bizare të mundshme. Kompanitë vendore e ndërkombëtare e kanë furnizuar KEK-un me paisje të vjetra, të lyera me bojë të re, të cilat kanë dështuar sapo janë vënë në punë. Këto kompani nuk kanë pësuar asnjë pasojë, asnjë masë nuk është ndërmarrë kundër tyre. Këto kompani kanë vazhduar të marrin tenderë dhjetra milionësh pa iu prishur tymi i duhanit.
Një kompani ndërkombëtare ka akzuar direkt një të afërm të kryeministrit se ka ndalur termocentralet nga prodhimi për të blerë rrymë nga grupi që është identifikuar si “mafia energjetike e Ballkanit”. Ky kushëriri i kryeministrit që ka udhëhequr prokurime që i kanë djegur KEK-ut dhjetra-miliona euro është promovuar në drejtor të gjenerimit, përkatësisht në zëvendësdrejtor të KEK-ut. Është ky Njazi Thaçi që për vite me radhë udhëhoqi Zyrën e Prokurimit të KEK-ut. Këtë zyrë që bleu transformatorin e vjetër për tri herë më shtrenjtë sesa një i ri, për t’u djegur për disa orë. Ky është njeriu që nënshkroi afro 50 milionë euro kontratë me kompaninë shtetërore serbe “14 Octobar”, ndërkohë që Serbia me obstruksionet e saja ka ngritë çmimin e importit të energjisë Kosovës për tre deri në pesëfish nga çmimi i tregut.

…………………………………………

Konferenca- Publikimi i raportit të Organizatës Çohu!

dhe Preportr mbi menaxhimin e KEK-ut

…………………………………..

Në vijim shikoni këtë konferencë më gjerësisht:

………………………………….

Një tjetër njeriu në KEK nuk ia di kush fytyrën. Masoud Keyan, i angazhuar nga USAID që nga viti 2007, sipas menaxherëve të KEK-ut ka qenë zoti i vërtetë i energjisë në Kosovë. Nga intervistat me ish-zyrtarë të KEK-ut, Keyan na del një lloj Njazi Thaçi lokal, sado që ndonjëherë në rivalitet me këtë të fundit, jo për arsye parimore, sa për të kontrolluar më shumë. Njeriu që për tërë këto vite ishte ministri i vërtetë i energjisë, sipas njerëzve të angazhuar në këtë sektor, i ka përcjellur me nga një shqelm të gjithë ata që kanë kërkuar të debatohen “këshillat” e tij. Nga ardhja e Keyan në KEK fondet për import të energjisë janë shumëfishuar, por ai prapë insiston se performancat e KEK-ut janë ngritur.
Për tërë këto vite, ata që kanë dëmtuar më së shumti sektorin e energjisë në Kosovë kanë qenë pikërisht ata që kanë marrë ose ndikuar direkt vendim-marrjen në këtë sektor. Ndryshe nuk shpjegohet fakti se përkundër përparësive të jashtëzakonshme për zhvillim të këtij sektori, KEK-u akoma ka mbetur me të njejtat probleme me të cilat doli menjëherë pas lufte.
Ashtu sikur Keyan, edhe drejtori i KOSST, Fadil Ismaili, kanë denoncuar deklarativisht obstruksionet e Serbisë në importin e energjisë, por edhe përkundër premtimeve nuk kanë ndërmarrë asnjë gjë për ta ndryshuar këtë. Kosova ka tri rrugë për importin e energjisë. Njëra e lidhë atë me Maqedoninë, njëra me Malin e Zi dhe tjetra me Serbinë. Kosova nuk ka interkoneksion vetëm me Shqipërinë. Deri në vitin 2007 në raportet e KOSST, janë dhënë detaje se prej cilës rrugë është importuar energjia.
Prej ardhjes së Masoud Keyan, kjo e dhënë nuk jepet në këto raporte, por këtë të dhënë nuk e jep as KOSST përkundër insistimeve tona të vazhdueshme. Në rast se bëhet një interpretim logjik i fenomenit që e fsheh KEK-u për publikun, fakti që ne gjithmonë kemi paguar energji me çmim shumëfish më të lartë sesa ai i tregut, i bie që shumica e importit është bërë nëpërmjet Serbisë. Në anën tjetër, kompani serbe, ose kompani të huaja të lidhura me Serbinë, i kanë shitur më së shumti energji Kosovës.
Të gjithë këta faktorë tregojnë se KEK-u është sabotuar qëllimisht dhe sistematikisht. Sabotimi i parë dhe më i madh ka ardhur nga vetë Serbia. Duke e ditur varshmërinë që Kosova ka nga importi për shkak se strukturat udhëheqëse të sektorit të energjisë kanë nënshkruar kontrata kushtëzuese që kanë obliguar Kosovën për të importuar, edhe nëse për import nuk ka nevojë, kompanitë serbe, siç është për shembull “14 Octobar”, i kanë dhënë KEK-ut paisje të papërdorshme nëpërmjet zyrës së prokurimit të prirë nga kushëriri i kryeministrit. Pra, motivi i Serbisë për ta sabotuar KEK-un është i qartë. Përveç politik, ky motiv ka qenë vazhdimi i varësisë prej importit.

Në foto (lartë) Hashim Thaçi me këshilltarët e huaj, (poshtë)

Arben Gjuka, Hashim Thaçi dhe Njazi Thaçi.

…………………………………………………

Motivi i ndërkombëtarëve për sabotimin e KEK-ut në anën tjetër ka pasur dy anë të medaljes. Një KEK jofunksional, do të siguronte kontrata milionëshe për “konsulenca” për PA Consulting dhe për Tetra Tech, të dyja të përfaqësuara për vite me radhë nga i njejti njeri, Masoud Keyan. Ndërkombëtarët kanë pasur edhe motiv ideologjik për ta mbajtur KEK-un jofunksional. Ai qëndron në logjikën korporatiste të zbatuar në Kosovë nga të huajt që konsiston në logjikën që çka është në pronësi publike është e dëmshme, e pa-përspektivë. Sado që ky qëndrim ka një kontradiktë të thellë brenda, sepse KEK-u për tërë këto vite ka pasur si menaxherë kompani private të huaja dhe asnjëherë nuk është menaxhuar si pronë publike.
Motivi i politikës kosovare për ta mbajtur KEK-un jofunksional, përveçse ka pasur si bazë marrëdhënien klienteliste të saj me kompani që kanë marrë dhjetra- miliona nga KEK-u, ka qenë i nxitur edhe nga ndërkombëtarët. Ata thjesht i janë bindur qëndrimit se Kosova nuk mund të menaxhojë vetë me sektorin e energjisë. Energjia e Kosovës potencialisht është tepër e rëndësishme për Ballkan për të qëndruar në duar të shtetit të Kosovës. Kështu, KEK-u, është trajtuar nga të gjithë si një fëmijë pa prind, i cili duhet t’iu shërbejë të gjithëve deri në vetëmohim. Përrallë nga ato më depresivet të vëllezërve Grim është KEK-u.

………………………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KUSH JANË BARTËSIT E KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR NË KOSOVË?!

Të gjitha burimet korrupsionin dhe krimin e organizuar e përkufizojnë si shpërdorim të pushtetit publik për përfitime personale, duke filluar nga mitmarrja në administratën publike, për të vazhduar me marrëveshjet e fshehta në prokurorimet publike me tendere për veprimtari të ndryshme ndërtimi, përvetësimi dhe abuzimi i fondeve publike nga të gjitha nivelet e pushtetit, reketimi, kontrabanda me cigare, derivate të naftës…, dhe shitja e aseteve kombëtare siç janë: PTK, KEK-u, TREPCA etj. etj.. Rrjedhimisht mund të thuhet se: të gjithë ata që janë në pushtet dhe merren me këto veprimtari publike, cilësohen si të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar. Duke u bazuar në një dokumentar prej 7 pjesëve ’KORRUPSIONI DHE KRIMI I ORGANIZUAR NE KOSOVE’, del qartë se, të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë në bashkëveprim me konsulentë të koorporatave të niveleve të ndryshme ndërkombëtare, si dhe mentorë tjerë që veprojnë në kuadër të UNMIK-ut, EULEX-ut, UNDP, Agjensionit Kosovar për Privatizim etj.etj., janë bastion i krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Kosovë…!!!

SHIKONI DOKUMENTARIN:

………………………………………………..

………………………………………..

…………………………………………………

………………………………………………………..

……………………………………………………….

………………………………………………..

…………………………………….

(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura