REXHEP KASUMAJ: SHANDANË TË PËRLOTUR…

Berlin, 25 korrik 2020: 1. Kohë e re…e Birit të prishjes…
Kur bija e Babilonisë do pijë nga kupa e hidhërimit, kur gjithandej do mbijnë fushime barbarësh me karro lufte, e kur veset vënë poshtë përvujtninë dhe dhuratën e lotëve – aherë do vij Biri i Prishjes…
Ky kuvendim murgjësh mesjetarë të Ekos mbi ciklin rruzullor që shkon drejt kryerjes, të vëmendëson disi në parashfaqjen që vegimonte atje rrëzë mali, në Manastirin e vetmuar. Fjalët, skena e planimetruar në imagjinatë a ndjeshmëritë e frikës, gati t’gjitha, sikur i ngjajnë shenjës që prekim në kohën lajmëtare.

Mirëpo, nëse jo Fundi i madh që të voglit njeri nuk i është zbuluar kurrë, aherë janë kumtet e së Keqes që gravurojnë dukshëm tabllonë e saj. Ja tek shihen kudo rretherrotull këta lapërdharë, shtinjakë, gjakbâmës, oshënarë, besëprerës, lakmitarë pa shpirt, trafikantë ëndrrash, lodërtarë, hajdutë krenarë, cmirëzinj, klerikë pështymorë, poshtërues zelltarë, vrasës karriere, halabakë me diploma industriale, plebs i ulur në fron, “llum i veshur në ar”…
A s’janë pra, vërtetë, Bijtë e Prishjes? Dhe jo qenie apokaliptike të Ditës së gjykimit, por krejt real e të keqpranishëm në jetët tona?
2. Nga Bijtë shmagjepsja beh…e, më keq, njaj zhburrnim i trishtë.
Ndërsa latonte pejsazhin e humbjes së Hagia Sophisë në Kostandinopojë, Edmond de Amiçis flet diku për “popullin e zhburrnuar” të Justinianit.
Pagëzimorja e spërkatur me gjakun sulltanor dhe shandanët e përlotur me qëndisma përreth, do të jepnin në qindvjetët e ardhmë mallëngjimin e lavdisë së shuar.
Kjo, natyrisht, ishte një disfatë armëtarësh, por sërish, kje “populli i zhburrnuar” që do vdiste Bazilikën dhe, madje, kujtesën e saj, më shumë se vetë gjaku pushtues a dora mjeshtërore e arkitekt Sinanit.
Mirëpo, në vende të tjerë e kohë të vona, për paradoks, tretja e virtytit – ky “zhburrnim popullor” ndodh nga një arsye e kundërt: jo nga armët e pushtimit, por në orën e çlirimit dhe, përshfaq, ashtu, anën më trishte të tij. Një popull që magjepset njëmijë vjet me idenë, me ëndrrën e bukur të lirisë, beftas, kur dielli beh në oborret plot hije, pëson në heshtje thyerjen, zhgënjimin e thellë. Dhe pastaj, në sferën e epërme ngjizet ngadalë shkundnaja negative: shmagjepsja me të, me hirin e pafajshëm të saj në riqarkullim historie…
Të historisë që nuk i rezervon fatësi askujt, aq më pak atyre që kurrë s’patën epokë të artë në jetëshkrimin e vet kolektiv!
3. Zhburrnim e, mandej, sa zor, pëshpëritje…
Shekspiri thoshte se në teatër ndodh të fillosh si aktor i parë, të vijosh dytësor dhe të përfundosh pëshpëritës…
Fajmëdhenjtë, rëndom, priren t’mos ngrejnë dorë kundër fronit që gëzojnë. Duan fuqi të pasfidueshme politike me çdo kusht e çmim (dhunë, mashtrim, vjedhje, vrasje, shpërngulje…). Kurse të tjerët, turma poshtë tyre, për pasojë, përligj n’heshtje këtë statu-quo të përhershmërisë. Pa zë e dukje, ata kanë mbaruar, tashmë, në pëshpëritës karriere të dramës së vet.
Sa rëndë vetëm t’a përftyrosh për një çast këtë shfaqje: një popull i tërë tek, i zhburrnuar njëherë, shndërrohet në pëshpëritës të madh! Ç’besim i shformuar pa etikë dhe ç’ankesë e nemitur pa akuzë! Një nëmë, një aht i panjohur që, ashtu si stinët, meket e rifrymon në pafundësi…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

PËRGJEGJËSIA!

PËRGJEGJËSIA! Nga Sheradin Berisha, Facebook 26 mars 2022 “OBSH: ‘Omicron’ mund të kolapsojë sistemin shëndetësor në mbarë botën”,…