AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (III)

Tiranë, 14. 09. 2016: Në Shtator 1915, Ahmet Bej Zogolli shkoi deri në Beograd për të takuar Kryeministrin Nikolla Pashiç. Pas takimit prezantues, Ahmet Bej Zogolli dorëzoi Pashiç-it, më 11/24 Shtator 1915, një Memorandum për çështjen e administrimit të Matit dhe rivalitetit të tij me Esat Pashë Toptanin. Memorandumi ishte i shkruar në gjuhën osmane, ndërsa për ne e ka përshtatur në shqip historiani Shukri Rahimi në faqen 210-11 të studimiti të tij: “Bashkëpunimi i Ahmet Muhtarit nga Mati me Serbinë”:
Kur ushtria serbe i shkeli kufijtë e Shqipërisë dhe arriti në kufijtë e Matit, banorët e këtyre viseve u frikësuan nga shpallja që kishte lëshuar shteti serb, prandaj morën pozita mbrojtëse… Por, për të mos bërë sakrifica të kota nga të dy anët, komandanti i divizionit më thirri në takim. Gjatë takimit ai m’i shtroi këto kushte:
1. T’i dorëzohemi shtetit serb.
2. Mati të qeveriset sipas të vjetrës; populli të bëjë zgjedhjen, të bëhet organizimi i nahijeve, por të drejtë sanksionimi të ketë qeveria serbe.
3. Të mblidhen armët dhe të dorëzohen.
Banorët e Matit i pranuan tërësisht këto tri kushte dhe iu dorëzuan shtetit serb, me kusht që të mos çrregullohet qeverisja e brendshme. Nga ana tjetër, Durrësi kërkonte që ai ta organizonte pushtetin dhe atij t’i dorëzoheshin armët, por matjanët nuk deshën të ndihnin për të, por iu dorëzuan komandantit në Qafë Murrë dhe organizuan pushtetin nën mbrojtjen e Serbisë… Tani, po ashtu shpresojmë se nuk do të lejoni që Esat Pasha ta shkatërrojë Matin me ndihmën Tuaj. Nëse Serbia nguron që, sipas marrëveshjes së arritur ta marrë Matin nën mbrojtje, atëherë ju lutem në emër të banorëve të Matit t’i pranoni këto kushte:
1. Të gjithë banorët e Matit i luten Serbisë t’i marrë nën mbrojtjen e saj.
2. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë qeveria serbe, me ndërmjetësimin dhe garancinë e saj, ta ndalojë hyrjen e ushtrisë së Esat Pashës në Mat e rrethinë.
3. Edhe në Mat të ndërmerren masa, siç janë ndërmarrë në pjesën tjetër të Shqipërisë, por ato masa t’i ndërmarrin vetë matjanët.
4. Organet e pushtetit në Mat mund ta njohin zyrtarisht Esat Pashën, por të krijohen mundësi që Durrësi t’i njohë nëpunësit që ne do t’i emërojmë.
Banorët e Matit presin nga qeveria mbretërore serbe t’jua sigurojë një nga këto kushte…
11/24 Shtator 1915 Zo ogli
Ahmet Muhtar nga Mati

Ahmet Zogolli dhe Nikolla Pashiç.

Por Mbretëria e Serbisë, e përfshirë në stuhinë e ofensivës luftarake të ushtrive austro-hungareze, gjermane dhe bullgare, nuk mund të strehonte më as ushtrinë e as popullin e vet. Qysh më 4 Nëntor 1915, Shtabi Suprem i Ushtrisë së Serbisë kishte urdhëruar tërheqjen e ushtrisë serbe drejt Rrafshit të Kosovës, ndërsa Oborri Mbretëror dhe Qeveria e Serbisë kishin ngritur selitë e tyre në Prizren. Në mes të Nëntorit, ushtritë austro-hungareze e gjermane filluan marshimin drejt Pejës, Gjakovës e Prizrenit, ndërsa trupat bullgare drejt Dibrës së Madhe dhe Strugës. Ushtria serbe vazhdoi tërheqjen nga Peja, Gjakova, Prizreni e Dibra drejt Shkodrës, Lezhës, Strugës e Elbasanit dhe përfundoi në Durrës.
Togeri Stamatoviç u nda me Ahmet Bej Zogollin më 20 Janar 1916, pasi u thirr në Durrës nga Gjeneral Ilija Gojkoviç, komandant i Ushtrisë së Timokut (Timocka vojska), që kishte për detyrë mbrojtjen e trupave serbe dhe hypjen e saj në anije për t’i dërguar në Korfuz. “Sipas urdhrit të Gjeneral Gojkoviç,” shkruan historiani serb Dushan Batakoviç, “Stamatoviç shkonte në Tiranë, ku mbante lidhje me shqiptarët përgjatë frontit të mbrojtjes, veçanërisht me Ahmet Beun me anën e një ndërmjetësi. Në sajë të ndërhyrjes së Stamatoviçit, forcat e Zogut nuk luftuan kundër ushtrisë serbe…” (f. 184)
Zogu dhe Nikolla Pashiç
Pas Luftës së Parë Botërore, Ahmet Bej Zogolli kaloi nga Vjena në Romë dhe në Shtator 1919 u kthye në Burgajet. “Zogu,” shkruan në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, “kur u kthye nga Roma në Mat, në vjeshtë 1919, i shoqëruar nga Sali Vuçitërni, u takua në kufirin e Dibrës me ministrin serb Lazaroviç vetëm për vetëm. Nuk dihet se ç’biseduan midis tyre.” Sejfi Vllamasi dëshmon se këtë ngjarje e ka dëgjuar nga vetë shoqëruesi i Ahmet Bej Matit në takimin me diplomatin Lazaroviç, Sali Vuçiterni dhe Patër Pal Doda. 2)
“Ministri” Lazareviç (Branko Lazarević, 1883-1968) ishte një nga diplomatët më të përgatitur të Mbretërisë SKS (më pas Jugosllavia Monarkiste.) Ai ishte një intelektual erudit serb në fushat e filozofisë, drejtësisë, diplomacisë, kritikës letrare dhe njohës elokuent i gjuhëve të huaja, të vjetra e të reja, si latinisht, italisht, bullgarisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, rusisht, polonisht etj. Në kohën kur dëshmitarët thonë se është takuar me Ahmet Bej Zogollin, Lazareviç sapo ishte kthyer nga Konsulata e Mbretërisë SKS në Washington DC. Emërimi i tij në Zyrën e Shqipërisë pranë MPJ të Mbretërisë SKS ishte bërë nisur nga njohja e mirë që ai kishte për Shqipërinë, si gjatë Luftërave Ballkanike, ashtu edhe në vitet e Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1924, kur Ahmet Zogu u arratis nga Tirana në Beograd, Branko Lazareviç u kthye urgjentisht nga shërbimi si Ambasador i Mbretërisë SKS në Pragë dhe u emërua për së dyti, Shef i Seksionin Shqiptar pranë MPJ, me qëllim që të ndihmonte “mikun e tij të vjetër”, Ahmet Bej Zogollin (tashmë i quajtur shkurt: Ahmet Zogu, për t’u kthyer përsëri në pushtet në Shqipëri.
Në fakt, Branko Lazareviç u kthye në Tiranë së bashku me Ahmet Zogun, me detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Mbretërisë SKS në Shqipëri (1924-1926). “Ata dëshironin të kishin në Shqipërinë e lirë një njeri që të bënte politikën e tyre dhe, po të ishte nevoja, të merrte përsipër rolin e Esat pashë Toptanit,” kujton Eqrem bej Vlora. “Dhe askush nuk dukej më i përshtatshëm se Ahmet Zogu për këtë rol.”Në të vërtetë, Ahmet Zogu kishte dhënë prova reale për të merituar kujdesin e politikës jugosllave. Në korrik të vitit 1923 ai e kishte siguruar homologun jugosllav Nikolla Pashiq se në administratën e tij qeveritare nuk kishte asnjë anëtar të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe se “elementët e tjerë turbullues” të arratisur nga Jugosllavia “nuk do të bënin dot fole në Shqipëri”.
Sipas dokumenteve të sistemuara nga nëpunësi Tiço Popoviç në Arkivin Historik Ushtarak të Beogradit dhe të publikuara nga historiania Emine Arifi Bakalli, “prej Kongresit të Lushnjës e sidomos pas vrasjes së Esatit, qeveria e Beogradit ka harxhuar 2.000.000 dinarë për karrierën e Ahmet Zogut, dhe atë vetëm deri në maj 1924.” Megjithatë, ndihma më e madhe financiare e qeverisë jugosllave për “mikun me shpirt të Jugosllavisë” do të akordohej në muajin gusht 1924. Në lidhje me këtë fakt, më 23 gusht 1924, legata shqiptare në Beograd e informoi MPJ të Shqipërisë se “qeveria e Beogradit u jep tërë ndihmën materiale e morale Ahmet Zogut dhe tërë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në tokën e saj, duke i inkurajuar dhe duke u propozuar të organizohen”.
Më 6 shtator 1924, po kjo legatë e informoi MPJ të Shqipërisë se Ahmet Zogu “së fundi e ngriti selinë e shtabit të tij luftarak në një shtëpi me qira në bregun e Topçiderit, për 12 mijë dinarë në muaj” dhe se “bleu një automobil të bukur”. Legata njoftoi gjithashtu se Zogu dhe bashkëpunëtorët e tij shpenzonin nëpër kabaretë e Beogradit “deri në 30 napolona flori në ditë” etj. Autoritetet diplomatike të legatës shqiptare në Beograd, më së fundi, njoftuan Tiranën se Ahmet Zogu po përgatitej e po merrte “tërë masat për një agresion kundra gjendjes së sotme në Shqipëri”. Përfundimisht, më 11 tetor 1924 legata shqiptare në Beograd e njoftoi MPJ të Shqipërisë se Ahmet Zogu kishte “shumë mjete financiare”, të vëna “në dispozicon nga burimi që kuptohet lehtë”.
Se cili ishte “burimi që kuptohej lehtë”, këtë e sqaron mirë njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Ahmet Zogut në atë kohë, Çatin Saraçi: “Për herë të parë, mbasi u larguam nga Beogradi për në drejtim të Vjenës, Zogu më dha rreth 200 paund, të gjitha kartëmonedha në dinarë, nga 250.000 paund që ai kishte marrë të thata në dorë nga Pashiqi në Beograd. Kjo ishte shuma e parave që Zogu duhej të pa-guante oficerët dhe të gjithë njerëzit e tjerë, si dhe 5000 mercenarët që i erdhën në ndihmë Zogut nga kufiri jugosllav deri kur hyri në Tiranë.” Dëshmia e Saraçit mbështetet nga historiani Vladimir Dedijer, i cili thotë se Ahmet Zogu i mori nga Nikolla Pashiqi 105 milionë dinarë, si dhe homologu i tij Zhivko Avramovski, i cili flet për 30 mijë napolona flori. Shprehimisht, Në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë (Pallati “Kixhi”) ndodhen dy kopje identike të dokumentit të “marrëveshjes së fshehtë”, por që tashmë nuk është më e tillë, nënshkruar në Beograd gjatë muajit gusht 1924, midis “xhentëlmenëve” Nikolla Pashiç e Ahmet Zogu.
Sipas përmbledhjes së marrëveshjes së fshehtë të Nikolla Pashiqit dhe Ahmet Zogut të gushtit të vitit 1924, Shqipëria do t’i bashkëngjitej Jugosllavisë me anën e “bashkimit personal”. Ahmet Zogu do të njihte dinastinë e Karagjeorgjeviqëve, ndërsa qeveria jugosllave do ta trajtonte Ahmet Zogun për tërë jetën si kryetar shteti, duke i çelur menjëherë llogarinë vjetore. Qeveria e Shqipërisë nuk do të kishte as Ministri të Luftës e as të Punëve të Jashtme, pasi interesat diplomatikë dhe mbrojtjen territoriale të saj do t’i siguronte qeveria e Mbretërisë së Jugosllavisë. Shqipëria do të mbante vetëm armën e xhandarmërisë, e financuar nga buxheti jugosllav, dhe në përbërje të saj do të merrnin pjesë edhe oficerë jugosllavë e rusë të ushtrisë së gjeneralit rus Vrangel. Në rast se Jugosllavia do të hynte në luftë me Greqinë apo Bullgarinë, shtabi i ushtrisë jugosllave do të kishte të drejtë të rekrutonte në Shqipëri 25.000 trupa për t’i dërguar në front; në rast lufte midis Jugosllavisë e Italisë, Shqipëria do të ruante neutralitetin në favor të Jugosllavisë; dhe, në rast lufte midis Italisë e Greqisë, Jugosllavia do të kishte të drejtë të pushtonte gjithë territorin shqiptar për ta siguruar atë nga invazioni italian apo grek.
Në pikat X dhe XI1, të cilat përmbanin detyrimet e drejtpërdrejta të Ahmet Zogut ndaj shpenzimeve të Mbretërisë së Jugosllavisë për kthimin e tij në pushtet në Shqipëri, u realizuan prej tij me korrektësinë më të madhe: së pari, Manastiri shqiptar i Shën Naumit dhe kullotat e Vermoshit kaluan në favor të Jugosllavisë; së dyti, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës u shpërnda dhe katër shtyllat kryesore të tij: Elez Isuf Ndreu, Zija Dibra, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina u vranë nga fuqia e pushtetit që kishte në dorë Ahmet Zogu. Kunati dhe Ministri i Punëve të Brendhshme të Shqipërisë, shërbëtori i betuar i Mbretërisë së Jugosllavisë, Ceno Bej Kryeziu do të varte në litar trimin e mençur të kuvendeve të Malësisë së Gjakovës, Hoxhë Zogun e Bytyçit dhe kryetrimat: Gjelosh Rama e Tolkuç Rama të Nikaj-Mërturit; do të vriste Asllan Currin e Husli Thaçin dhe do të digjte e shkretonte të gjitha shtëpitë e bajraktarëve që i kishin qëndruar besnikë Bajram Currit dhe idealit të Revolucionit të Kosovës. Dëshmitari i ngjarjeve, Kolonel Faik Quku, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Saint-Cyrit të Francës, kujton: “Të gjithë qytetet e Shqipnisë u pushtuen prej forcave civile matjane e dibrane, të kryesueme prej kryetarëve të tyne e të lidhun direkt me Zogun, i cili kishte titullin: Komandant i Përgjithshëm i Ope-racionit… Triumfi i Zogut, i quejtun Triumf i Legalitetit, në realitet ka qenë triumfi i të huejit kundër shqiptarit; i elementit anti-nacionalist kundër elementit nacionalist; i injorancës e reaksionit kundër inte-lektualizmës e përparimit; i diktaturës kundër demokracisë.”

– FUND –

_____________
Burimet:

1) www. Academia edu. Dušan T. Bataković, Ahmed Bey Zogou et la Serbie Une coopération inachevée (1914-1916), pages 169, 173 (frengjisht).
2) Xh.Shala:, Marëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918, f. 205 (sipas: DASSIP-AO-1914- F-1-D-VI-br. 1003, telegram i Prefektit Çirkoviç nga Ohri në Beograd, 25. IV.1914).
3) Jusuf Elezi, letër e hapur në gazetën “Dielli”, 1 Gusht 1923; S. Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri…, f. 106; Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, vep. e përm., f. 156 (sipas AQSH į RPSH, Fondi 71, Dosja 3, Dok. Nr. 11400, letër e Prefektit Aqif Pashë Biçakçiut dërguar Ismail Qemal Bej Vlorës, në osmanisht, më datë 29 Qershor 1329/12 Korrik 1913).
4) Gazeta “Populli”, Vlorë, nr. 2, viti I, e Shtunë, 11 Prill, f. 2; dhe 2 Maj 1914, f. 4; I. Strazimiri, Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë, vep. e përm., f. 29-30.
5) Sh. Rahimi, Marrëveshjet e Qeverisë Serbe me Esat pashë Toptanin gjatë viteve 1914-1915, vep. e perm., f. 119 (sipas AM (m.g.) DA SIP P0 Albanija, Seria “G” Fasc. 8, telegram į N. Pashiç No. Rezervat 38, më 29 Maj 1914); Xh.Shala:, Marëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918, vep. e përm., f. 205 (sipas: AS-MID-PO=1914, F-II dhe III-D-X-P-III/15-br. 3564); S.Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri…, f. 107; gazeta “Populli”, Vlorë, viti I, nr. 14, dt. 8 Korrik 1914.
6) Dušan T. Bataković: “Ahmed Bey Zogou et la Serbie, p. 172: (sipas: dépêche de Jovan Cirkovic au Ministère des Affaires étrangères serbe, publiée dans Dokumenti o spoljnoj politici Kraljevine Srbije 1903–1914 [Documents sur la politique étrangère du Royaume de Serbie, 1903–1914], vol. VII-2, doc. no. 271.)
7) Sh. Rahimi, Marrëveshjet e Qeverisë Serbe me Esat pashë Toptanin gjatë viteve 1914-1915, vep. e përm., f. 120-21 (sipas AM (m.g.) DA SIP Po Serija “G” Fasc 8: “Udhëzimet e MPJ të Serbisë për punë me shqiptarët” dërguar Prefektit të Ohrit, Jovan Çirkoviç. Rezervat 124, më 8 Gusht 1914; D. Batakoviç, Ahmed Bey Zogou et la Serbie: Une coopération inachevée (1914–1916), p. 176.
8) D. Bataković: Ahmed Bey Zogou et la Serbie: Une coopération inachevée (1914–1916), p. 174 (sipas: Bogumil B. Hrabak, “Muslimani severne Albanije i Srbija uoči izbijanja rata 1914. Godine”, në përmbledhjen “Les musulmans e l’Albanie du nord et la Serbie à la veille de la guerre de 1914”, Zbornik za istoriju Matice srpske, 22 (Novi Sad 1980), p. 64.)

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

______________________________

AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5643
***
AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5644
***
AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5645

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura