BACA ADEM DEMAÇI NUK ISHTE NË BURG PËR LIRINË E MONGOLISË, O ANTIKOMBËTARË!!

Nga Behxhet Shala – Bajgora

Asgjë e paditur, asgjë e re :       

Kosova dje festoi 25 vjetorin e çlirimit përmes disa manifestimeve ku parakalimi i FSK – së dhe Policisë së Kosovës ishte dominant dhe tërheqës për qytetarët e Kosovës. Qeveria e dinte këtë prandaj edhe e organizoi duke e përdorur si profaturë për dështimet që po e rëndojnë jetën e qytetarit të vendit. Kosova, paradoksalisht ndonëse e kishte përkrahjen ndërkombëtare që nga fillimi i luftës , gjatë luftës dhe kohës së shtetndërtimit  , po nga këta ndërkombëtarë , për më shumë se një vit po sanksionohet me masa kufizuese apo sanksione . Nuk dihet se kur do të përfundojnë dhe sa do të zgjasin. Në Sheshin ” Gjergj Kastrioti – Skenderbeu ” ishin montuar dy strehë – çadra , si në kohën e mongolëve të Timurlengut , me karrike të rezervuara për qeveritarët dhe mysafirët , të huaj dhe të vendit. Ndonëse ishte datë dhe ditë jubilare e çlirimit të vendit , ikonografia e stisur me asgjë nuk tregonte se kjo datë dhe ditë ndërlidhet me luftën çlirimtare , me UÇK -ë , Dëshmorët e Kombit dhe martirët si dhe me të burgosurit politikë që ishin pjesa domethënëse dhe vendimtare për luftën çlirimtare. Në radhët e para ishin kryesisht persona që asgjë nuk kishin të bënin me luftën për çlirim dhe se personalisht dhe familjarisht nuk e kushin dhënë as kontributin më të vogël për këtë luftë . Madje , kishte të tillë që paraardhësit e tyre bioligjikë dhe politikë ishin në anën tjetër , në anën e Serbisë dhe të Jugosllavisë. Paradave dhe parakalimit të formacioneve ushtarake disi iu ka kaluar koha në veçanti për ata që nuk kanë çka të tregojnë . Mirëpo , shtetet e fuqishme kur organizojnë parada dhe parakalime , më shumë e bëjnë për t’i nderuar të  gjallët dhe përkujtuar të rënët që kontribuan për liri sikur që dërgojnë porosi të qarta , përmes ekspozimit të armatimit modern dhe të fuqishëm atyre që eventualisht kanë pretendime të ndryshme , territoriale, politike , ekonomike etj. Parakalimi i djeshëm në Prishtinë nuk pati asgjë nga kjo , as nuk kishte respekt për të gjallët që kontribuan për çlirim dhe shtetndërtim e as armatim. Në çdo shtet normal veteranët e luftës parakalojnë para ushtrisë së rregullt dhe ulen në vende të merituara kurse në Prishtinë , jo që nuk pati veteranë të luftës por , për më keq Heroi i Luftës Çlirimtare , Ramush Haradinaj u vendosë në një vend si në bisht të sorrës kurse pulat e luftës ishin në rreshtat e parë!

Ishte një sheshmanipulim për rishkrim të historisë përmes fshehjes së të vërtetës dhe ofrimit të vetlavdërimit për shërimin e komplekseve për shkak të mungesës në proceset e rëndësishme historike , që nga lufta , shpallja e pavarësisë , shtetndërtimi dhe konsolidimi i vendit përmes ndërkombëtarizimit siç ishin më shumë se 110 njohje. Bartësit e posteve të pushtetit aktual thuaja të gjithë munguan , pa asnjë arsyetim nga këto procese . Këtu lind domosdoshmëria e kompensimit të kompleksit të inferioritetit të xhuxhave dezertorë përballë viganëve që kaluan në përjetësi sikur edhe të atyre që janë gjallë e që po mbahen si pengje lufte në Hagë.

Çfarë pamë dhe çfarë dëgjuam , në realitet:

Nuk pamë asgjë dhe dëgjuam çdo gjë përveç të vërtetës . Munguan veteranët e luftës , munguan heronjtë e luftës dhe të paqes që janë në Burgun e Hagës. Ata që janë më meritorët për këtë liri , për këtë shtet dhe ndërtim të paqes , jo që nuk ishin të pranishëm por që asnjëri nga folësit apo ” çlirimtarët e pasluftës ” as që i përmendi , as me emër e as me mbiemër. Çfarë turpi dhe mjerimi moral ! As që kam pritur se do të përmenden nga Sherife Osmani , do të ishte aventurë nëse edhe mendja të më shkonte në këtë drejtim . Glauk bin Sherifi ka një kombëtarizëm të trashëguar nga babai dhe një oportunizëm të ashtëzuar personal që e liron nga të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë kombëtare . Deklaratat politike dhe publike i ka farsa me afat të skaduar përdorimi sikur të ishte pjesëtar i popullit Farsi të Iranit e jo kosovar , me prejardhje shqiptare që në realitet edhe është.  Disi po pozicionohet , as asi , as kësi….

I vetdeklaruari si studenti politik i Bacë Adem Demaçit , KM i gjithëpushtetshëm , Albin Kurti jo që nuk i përmendi çlirimtarët që janë në Hagë por as profesorin te i cili kinse paska ndjekur studimet politike dhe kombëtare , Bacë Adem Demaçin . Çfarë sjellje jokorrekte dhe mohim i një historie frymëzuese për të gjithë ata që e duan lirinë , me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet e që mishërohej në personalitetin e të Amëshueshmit dhe Abetares për Liri dhe Bashkim Kombëtar – Bacë Adem Demaçi . Duhet të jeshë fort i ç’ekulibruar njerëzisht , kombëtarisht , politikisht dhe moralisht e të sillesh në këtë mënyrë me Bacën Adem Demaçi,  Hashim Thaçin , Kadri Veselin , Jakup Krasniqin , Rexhep Selimin dhe çlirimtarët tjerë që kaluan në përjetësi apo janë në Hagë. Duket se ende janë të dehur nga pjesëmarrja në paradën e ” krenarisë ” javën e kaluar prandaj dje u sollën si të dehur nga madhështia e asaj parade ku KM Kurti , bashkë me do ministra dhe ministresha ishin yje që shkëlqenin në shkretëtiren e një mjerimi gjithpërfshirës. Pse Albin Kurti nuk e përmendi fare Bacë Adem Demaçin ? Vetëm ai e di pse , njeriu normal nuk e dinë , mendja e shëndoshë nuk e përthekon këtë hendek moral dhe përpjekje për mohim të një historie të papërsëritshme siç është kjo e Bacë Adem Demaçit. Me sjelljen e djeshme në Paradën për 25 vjetorin  e çlirimit të Kosovës u ngatërruan leshrat aq shumë sa që nuk e kemi të qartë nëse Baca Adem Demaçi ka qenë afërsisht 30 vite në burg për lirinë e Mongolisë apo të luftës së shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar .

Si duhej të veprohej :

Para se ta zgjidhim problemin me serbët dhe Serbinë , duhet ta zgjidhim problemin midis shqiptarëve. Të qartësihen gjërat , të dihet kush ishte me arushën e kush ishte ne neve. Nuk kemi lejuar të na sundojnë udbashët shqipfolës , prokurorët dhe gjykatësit shqipfoës , policët dhe hetuesit shqipfolës , politikanët shqipfolës , që të gjithë rrogëtarë të Jugosllavisë dhe Serbisë. As fëmijët tanë nuk duhet të lejojnë që ky sundim të përsëritet nga trashëgimtarët politikë dhe kombëtarë të paraardhësve të tyre që qartazi po e tregojnë nostalgjinë jugosllave dhe serbe përmes mohimit të vlerave kombëtare dhe politike , luftës të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës , heronjve të luftes dhe të paqes dhe përpjekjes pêr margjinalizim të veprës dhe personalitetit të Bacë Adem Demaçit. Kosova dhe shqiptarët , me të drejtë mund të vajtojnë për Zahir Pajazitin , Rexhep Malën , Fehmi Lladrovcin dhe heronjt e tjerë , jo pse ikën në përjetësi në moshën më të mirë por se nuk janë sot gjallë , kur më së shumti i duhen shqiptarëve , Kosovës dhe Shqipërisë. Me ta , krejt ndryshe do të zhvilloheshin ngjarjet , spiunët dhe proserbët , urryesit dhe mohuesit e UÇK -së dhe të Bacë Adem Demaçit nuk do të kishin hapësirë për mbrapështitë e tyre. Ata nuk i falnin tradhëtarët. Ne i falëm dhe i amnistuam . E hapëm derën e vathës dhe tash po ankohemi pse qentë po i hanë qengjat ! Nuk mund ta fitojmë Serbinë pa ia shkulur rrënjët në Kosovë .

Dhe , nën çadrat e Timurlengut , gjysma e ulësve do të duhej të ishin të rezervuara për veteranët dhe invalidët e luftës. Në vendin qendror duhet të ishin fotografitë e udhëheqësve të UÇK- së që janë në Hagë , fotografitë e dy udhëheqësve shpirtëror dhe ushtarak , Hasan Prishtinës , Bacë Adem Demaçit  , Komandantit Legjendar,  Adem Jasharit. Nuk ishin prandaj edhe ishte e improvizuar , karikaturë e një manifestimi. Rrugët dhe sheshet e Prishtinës dhe të Kosovës do të duhej të ishin me fotografi të Hashim Thaçit , Kadri Veselit , Jakup Krasniqit dhr Rexhep Selimit për fsktin se Liria ka një Emër dhe një Adresë sikur që pafytyrësia dhe poshtërsia kanë shumë emra dhe një adresë. Lavdi për të gjithë ata  që kontribuan për lirinë e Kosovës , turpi i mbuloftë të gjithë ata që duan ta përvetësojnë këtë liri duke e mohuar sakrificen e vërtetë!

Behxhet Sh.  SHALA – BAJGORA

Prishtinë 13 qershor 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura