BARDHYL MAHMUTI: INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PARTIVE POLITIKE -QEVERITARE DHE OPOZITARE / KËRKESË PUBLIKE: T’I JEPET MIRËNJOHJE POST MORTUM VACLAV HAVELIT

Pashtriku.org, 03. 04. 2014 – E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja, Atifete Jahjaga, I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi. «Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar» – Vaclav Havel. Pesëmbëdhjetë vite më parë, më 29 prill 1999, gazeta franceze «Le monde» solli pikëpamjet e humanistit, shkrimtarit dhe Presidentit të Çekisë, Vaclav Havelit, lidhur me bombardimet e caqeve ushtarake dhe policore të regjimit të Millosheviqit. Në shkrimin e titulluar «Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar» Vaclav Haveli njoftoi opinionin se kishte marrë shumë shkresa nga aktorët serbë që kishin vënë në skenë pjesët e tija teatrale dhe që e vlerësojnë shumë veprën e tij letrare
“Më pyesin se çka kanë bërë të keqe ata që të bombardohen në këtë mënyrë? Natyrisht mua nuk më kanë bërë asgjë të keqe. Por, regjimi i tyre përdorë ushtarët për të masakruar qytetarët e vendit të vet, për të masakruar një grup shumë të madh të bashkë vendasve të tyre (…) Milošević-i i ka duart e përgjakura dhe nuk mund të vazhdojë të jetë bashkëbisedues për gjetjen e një zgjidhje politike (…) Në përputhje me parimin që rrjedh nga solidariteti njerëzor e që i tejkalon kufijtë e shteteve, të regjioneve… atë që ky regjim ua bën shqiptarëve është njëlloj sikur të ma bënte mua. Prandaj, edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar» – deklaroi Vaclav Havel-i.

Vaclav Havel (1936 – 2011)

 Pesëmbëdhjetë vite më vonë, kur ende nuk janë gjetur të gjitha kufomat e gjenocidit serb në Kosovë, Presidenti i ri Çekisë, Millosh Zemani, prononcohet kundër shndërrimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
Reagimin e tillë nga udhëheqësi i një shtetit anëtarë të BE-së dhe NATO-s duhet ta shohim si rezultat të shpërndarjes në botë të interpretimit serb të asaj se çka ka ndodhur në Kosovë dhe mungesës së veprave që do të informonin objektivisht për tragjedinë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës.
Publikimi i veprave në gjuhë të huaja dhe shpërndarja e tyre nëpër bibliotekat universitare të vendeve të ndryshme në botë kërkon mund, angazhim dhe shumë më shumë kohë. Atë që mund ta bëjmë vetëm me vullnet të mirë është që, ndër të tjera, në pesëmbëdhjetë vjetorin e publikimit të deklaratës së lartpërmendur dhe kontributit që ky shtet anëtarë i NATO-s dha për lirinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të gjejnë një formë se si t’i njihet një mirënjohje, Post mortum, Vaclav Havelit.

Me respekt,
Bardhyl Mahmuti
3 prill 2014

————————————————————–

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura