GJOKË DABAJ: 5 MINISTRAT M’U DUKËN DJEM TË MIRË

Durrës, 25. 01. 2014 – I pamë 5 ministrat tanë përpara gazetarëvet. Në të vërtetë, para popullit të vet. Ata folën për Radikën. U munduan të na qetësojnë. Thanë që projekti është në përpunim e sipër. Nuk është përfunduar. Kur të përfundohet, atje nga qershori, ne do të mbajmë qendrimin tonë. Qëndrimi ynë, thanë ata, do të jetë në interes të shqiptarëvet.
M’u dukën djem të mirë dhe, besoj, të gjithë shqiptarëvet u janë dukur djem të mirë. Të butë, të përzemërt, të këndshëm në të paraqitur, me fjalor të kulturuar dhe me tone e formulime mjaft diplomatikë.
Mirëpo, sapo u larguan nga ekrani, mua më pushtoi një shqetësim rrënqethës. A kemi nevojë ne, në këta momente, për çuna të mirë e të butë, apo për ca të tjerë, ndryshe nga këta?!
Qeveria e Rep.së Maqedonisë po e HARTON projektin! Ajo po SHPENZON PARA për ta HARTUAR atë projekt! A KOT PO I SHPENZON ATO PARA (edhe të shqiptarëvet, edhe të vetë dibranëvet), qeveria e Rep.së Maqedonisë, kur nuk paska mundësi për ta kthyer rrjedhën e Radikës në drejtim të Lindjes pa lejen tonë?! Ç’do të bëjnë këta djem (duke qenë ende ministra, pa le kur të mos jenë), nëse një ditë do të fillojnë me zurmë punimet për ndërtimin e tunelevet dhe të digavet?!

Shefit të qeverisë s’i bëhet vonë për lumin RADIKA!

Këta thanë: Mbasi të mbarojë projekti, qeveria e Rep.së Maqedonisë do ta pyesë Rep.e Shqipërisë. Me fjalë të tjera, qeveria e Rep.së Maqedonisë do t’i thotë qeverisë së Rep.së Shqipërisë: “Unë kam vendosur ta marr lumin tuaj. I kam bërë projektet.” Mund të shtojnë edhe këtë: “Nuk do t’ua marr krejt. Do të marr aq sa të më duhet. Ju, si thoni?” “Jo”, do t’u themi ne sllavomaqedonëvet, “mos e merrni!” Mirëpo, ata, ashtu si guxuan ta BËJNË projektin, ashtu do të guxojnë edhe ta ZBATOJNË projektin. Ç’do të bëjnë atëherë çunat tanë?! Çuna, që, gjynah mos paça, as që u ngjajnë gjëkundi Iljazpashë Dibrës apo Elez Isufit!?
Hajredinpasha po i vjen Radikës! (Me zhurmë ekskavatorësh dhe buldozerësh.) Ai është nisur, me gjithë taborret! A janë në gjendje këta djem të mirë e të butë, të vihen në krye të 9 Malevet të Dibrës dhe t’i thonë Hajredinpashës: “Ndal, se t’i shndërrova në qyqe nënat e asqerëvet që ke mbrapa?!” Jo! Asnjëri prej të 5 atyre që na folën, nuk është në gjendje t’u dalë zot 9 Malevet të Dibrës, ashtu siç bënë të parët e tyre dikur, sado që as ata nuk ia dolën. (Për të mos qenë tërësisht ndjellazi, unë po e lë një shteg të hapur: Të shohim!)
Por ne duhet ta dimë që sllavët kanë qenë dhe janë shumëfish më të egër dhe më të zotë për punë të këqia, se pashai i atëhershëm i Perandorisë Osmane. Ata janë “modern” në egërsinë e tyre. Janë “bashkëkohorë”. I mendojnë me hollësi e me profesionalizëm të gjitha intrigat. A janë djemtë tanë të përgatitur për ta përballuar këtë lloj agresioni “modern” të fqinjëvet tanë të kurdisur për së prapthi?!
Po vetë Malet e Dibrës, a janë ata që ishin?! Viti 1913 ka dëshmuar që ata Male Lavdimëdhenj s’e kanë pasur më as kulturën e të mbrojturit, as diplomacinë për ta mbizotëruar pushtuesin, as forcën për ta zbrapsur pushtuesin. Ushtria sërbe e ka SPASTRUAR krejt qytetin e Dibrës! Nga 20 mijë, vetëm 2 mijë njerëz kanë mbetur në atë që dikur quhej Shehri me nam, Dibra e Madhe!
Do mbajtur në vëmendje që këta dibërtharësit e sotëm nuk vijnë në Dibër as me pushkët e gjata të Kral Aleksandrit, as me skuthëritë shovinisto-gjoja komuniste të Svetozar Vukmanoviqit. Këta ia thajnë fytin dibranit për ujë! Efekti është po ai! Ll.Kolishevski e të tjerë para tij e përreth tij, “komunistë” të thekur, 70 mijë shqiptarëvet ortodoksë ua thanë gjuhën, duke i joshur të zboruvasin kolishevçe! Këta të sotmit, duke u treguar evropianë “të pjekur” (“Shihni sa të emancipuar jemi ne!”) u detyruan të dëgjojnë shqip në parlament, por po bëjnë çmos të mos dëgjohet shqip jashtë parlamentit.
E gjithë kjo është barrë gjunjëpërkulëse mbi paraqitjet e buta dhe mbi shpirtrat e brishtë të 5 djemëvet që i pamë mbrëmë. Po të ishin gjërat normale, këtë herë duhej të kish ardhur në Tiranë vetë kryeministri i Rep.së Maqedonisë. Ai duhej të vinte dhe t’u thoshte shqiptarëvet të të 2 shtetevet që puna e projektimit të atij hidrocentrali (që u than edhe fytin, edhe xhepin shqiptarëvet), NUK DO TË VAZHDOJË! Pse nuk erdhi z.Gruevski vetë, por u detyruan të vijnë 2 ministrat e tij për të na thënë: “Projekti është duke u hartuar. Kot e kemi që të gjithë!” (Ata u shprehën si diplomatë. Thanë: “Mos u shqetësoni!” Por edhe më naivi e kupton nëntekstin: “Kot e kemi që të gjithë!”)
Përfundimisht, a duhet ta ndiejmë veten të lumtur që po na ndodhin këto gjëra?!
Në parlamentin e Rep.së Kosovës, si pa gjë të keq, u falen, u dhurohen sërbëvet 10 vende deputetësh të PAZGJEDHUR prej askujt. Një absurd që është vështirë të konceptohet. A ka ndonjë paralment tjetër në botë me parlamentarë të pazgjedur, pra, me deputetë të askujt?!
Greku kërkon të na i bëjë foshnjat të palumtura, të na ua thajë qumështin në fyt foshnjavet, duke kërkuar që emrat e vendevet t’i shkruajnë ashtu siç duan ata e jo ashtu siç i përdorim ne. Njëri nga të 5 djemtë që na folën mbrëmë, z.D.Bushati, duhej të kish sqaruar të paktën një “hollësi”: Si i shkruajnë grekët toponimet tanë? Si i shkruajnë në dokumente (po them: “në dokumente”) emrat tanë: Gjirokastër, Sarandë, Himarë, Korçë, Vlorë, Durrës, Shkodër? Nëse i shkruajnë sipas rregullavet ndërkombëtare, atëherë s’ka pse ta zgjasim e stërzgjasim të qarët e dhimbshëm të kalamajvet tanë dhe s’ka pse të shtojmë stresin e nënavet të tyre.
A duhet, pra të ndjehemi të lumtur që koha i ka nxjerrë këta djem kaq të mirë e kaq simpatikë, madje kaq modestë, sa rrinë që të gjithë tufë në këmbë, ndërsa u përgjigjen gazetarëvet?! A duhet të ndjehemi të lumtur që këta ministra kaq të qytetëruar, kanë të bëjnë, kanë punë, me fqinjë kaq anakronikë të paqytetëruar?!
Më në fund, jam i detyruar të shtroj para gjithë nesh një pohim të rëndë dhe një pyetje të rëndë: Elez Isufit ia morën Dibrën e Madhe! Haxhi Lleshit ia morën (nuk ia kthyen) Dibrën e Madhe! Po këtyre 5 ministrave, që u munduan mbrëmë të na qetësojnë, a do t’ua marrin UJIN E TË 2-JA DIBRAVET?! Uroj që të jenë më të kthjellët dhe më të fortë se paraardhësit tanë, dëshprimisht dhe pangushëllueshëm të pafat!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura