BARDHYL MAHMUTI: NUK KA PROCESE GJYQËSORE TË DREJTA DHE TRANSPARENTE NËN DIKTATURËN E VMRO-së!

(BDSH, Maj 2012) – Qëndrimi zyrtar i institucioneve shtetërore të VMRO-së lidhur me “zbulimin” e vrasësve për «Rastin e Smillkovcit» që u shpreh publikisht përmes konferencës për shtyp të Gordana Jankullovskës, provokoi një revoltë të përgjithshme në mesin e shqiptarëve. Përmes fjalimit të kryepolices Jankullovska, VMRO “zbuloi publikisht” qëndrimin partiak dhe raportet që kjo parti ka me institucionin e hetuesisë, të policisë, të aparateve represive, të prokurorisë dhe të gjyqësisë.
Deklarata e Jankullovskës mund t’i jetë dukur “skandaloze” dikujt që nuk ka ndjekur procesin e vënies nën kontroll të institucioneve shtetërore nga ana e VMRO-së.
Diktati dhe kontrolli absolut i institucioneve shtetërore të Maqedonisë nga VMRO filloi me kontrollin partiak të pushtetit ekzekutiv (me theks të veçantë aparatet e dhunës dhe të hetuesisë) për të pasuar në mandatin e dytë me futjen nën sqetull edhe presidencën edhe pushtetin legjislativ edhe pushtetin gjyqësor.
Të gjithëve u kujtohet fillimi i vitit 2010, kur Qeveria e Nikolla Gruevskit «zbuloi» se pushteti gjyqësor në Maqedoni ishte nën ndikimin e partive politike dhe kur propozoi ndryshime kushtetuese gjoja për të pavarësuar këtë pushtet nga ndikimet e partive politike!

_________________________________

Që në atë kohë, Bashkimi Demokratik Shqiptar zhveshi qëllimet e vërteta të Nikolla Gruevskit për spastrimin e pushtetit gjyqësor nga ndikimet eventuale të partive tjera dhe krijimin e strukturës që i bindet atij.
Brenda periudhës 6 vjeçare VMRO arriti të vendosë një diktaturë absolutiste të tipit despotik mbi institucionet shtetërore të Maqedoni. Për këtë arsye, deklarata e Jankullovskës në cilësinë e hetueses, e polices që arreston, e prokurores që ngre aktakuzë dhe e gjyqtares që dënon nuk është aspak më skandaloze se sa toleranca skandaloze ndaj këtij pushteti diktatorial në zemër të Ballkanit dhe Evropës!
Të gjitha apelet për procese gjyqësore të drejta dhe transparente në Maqedoni janë apele inkurajuese për diktatorët e VMRO-së që të vazhdojnë terrorin shtetëror kundër shqiptarëve në Maqedoni!
Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel udhëheqësve të partive politike shqiptare dhe institucioneve shtetërore të Kosovës e Shqipërisë:
– që unanimisht të kërkojmë lirimin e menjëhershëm të shqiptarëve të arrestuar nga Monstrumët e VMRO-së;
– që unanimisht të kërkojmë amnistinë e përgjithshme dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara ndaj personave që kanë përjetuar në të kaluarën e afërt tmerret e “politikës gjyqësore”;
– që bashkërisht të kërkojmë mbështetjen e forcave demokratike në botë, sidomos të SHBA-ve dhe të shteteve të Bashkimit Evropian, që ti jepet fund terrorizmit shtetëror dhe diskriminimit racial në Maqedoni.
Pa lirimin e menjëhershëm të atyre që padrejtësisht mbajnë mbi kurrizin e vet pasojat e gjyqësisë së komanduar nga partitë politike, rruga e Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian duhet të jetë e mbyllur!
Është momenti i fundit që NATO dhe Bashkimi Evropian të dalin haptas në mbështetje të përpjekjeve për t’i dhënë fund regjimit diktatorial të VMRO-së në Maqedoni!
Bashkimi Demokratik Shqiptar – Bardhyl Mahmuti, Kryetar
Më 11 maj 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura