Nga Arkivi më 26 Prill 2021
BASHKIMI I DY REPUBLIKAVE SHQIPTARE NË NJË SHQIPËRI FEDERALE ËSHTË REALE
Nga Sheradin Berisha, Facebook 26 Prill 2021
Në zgjedhjet e djeshme parlamentare të Republikës së Shqipërisë votuan qindra shqiptarë të Kosovës që kanë shtetësi shqiptare, në mesin e tyre ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Votimi i kryeministrit, u kritikua nga disa portale dhe analistë në Kosovë, ndërsa vetë z.Kurti ka deklaruar se “votimi është detyrë qytetare për ata që e duan demokracinë”.
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka quajtur të “papranueshëm” votimin e Albin Kurtit në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.
Çështja e bashkimit gjeografik të shqiptarëve tashmë nuk është temë tabu!
Ramush Haradinaj në fushatën parazgjedhore të 14 shkurtit 2021 shpërfaqi idenë e formimit të Unionit (federatës) Kosovë – Shqipëri. “Union do të thotë një shtet, kjo formulë ekziston, psh Amerika është union i shteteve” – ka thënë z.Haradinaj.
Në këtë kuptim, më 28 dhjetor 2018 në rrjetim tim social facebook kam shkruar:
“Bashkimi i dy Republikave shqiptare në një Shqipëri federale s’është reklamë, është jetike për të ardhmen tonë kombëtare! Gjermania ka 16, ndërsa SHBA’ja 51 të tilla!”
(Lexo tekstin në foto)
Ashtu sikurse Gjermania dhe SHBA-ja edhe Zvicra i ka 26 kantone federale. Ky shtet kantonal afërsisht ka territor aq sa ka së bashku Shqipëria me Kosovën!
Federalizmi për shqiptarët nuk është i panjohur!
Nëse iu referohemi fakteve historike, të parët tanë ilirët jetonin në disa federata, siç ishte Federata e Taulantëve …
Në mesjetë kishim disa principata arbërore në formë federatash.
Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane (shek. XV – XIX) trevat shqiptare jetonin në disa njësia administrative.
Ta zëmë në shek.XVIII u krijuan dy pashallëqe shqiptare:
– Pashallëku u Shkodrës (1771 – 1796) dhe
– Pashallëku i Janinës (1787 – 1812.
Me Reformat e Tanzimatit (në vitet 1864-1868) u krijuan vilajetet si njësi më të mëdha administrative (të tipit federalë) dhe në tokat shqiptare u krijuan katër vilajete shqiptare, siç janë Vilajeti:
– i Shkodrës,
– i Janinës,
– i Manastirit dhe
– i Kosovës.
APELI IM QË HASI NË VESH TË SHURDHËR!
Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në 20 vjetorin e Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik (në maj 2019) pati deklaruar, se “zgjidhja më e mirë do të ishte që dy kuvendet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”.
Idenë e këtij Bashkimi, të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë në një shtet të përbashkët (federal) e kam shpërfaqur qysh në shkurt 2012.
Duke pas parasysh situatën e rëndë nëpër të cilën po kalonte Republika e Kosovës (në katër vjetorin e shpalljes se pavarësisë) më 22 shkurt 2012 kam bërë një APEL, drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës (kur kryetar ishte Jakup Krasniqi) dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (kur kryetare ishte Jozefina Topalli) me mesazhin domethënës:
SOT I KA ARDHUR KOHA BASHKIMIT KOMBËTAR!
Në apel kam shkruar si më poshtë:
“Për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë degradimit të mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, dhe tjetërsimit të qenjes sonë Kombëtare, në këto momente duket se është i domosdoshëm, që Kuvendi i Kosovës, të thërras një seancë të jashtëzakonshme, për të shqyrtuar rrugën e realizimit të Bashkimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, dhe pas konsultimeve në mes të institucioneve shtetërore dhe akademike, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 2012, kuvendet respektive të shpallin Bashkimin e dy shteteve në një SHTET të përbashkët (federal). Dikush mund të thotë, se kjo është e pamundur, sepse pengohet nga faktori ndërkombëtarë. JO! Kjo është plotësisht e mundur dhe legjitime! Me këtë rast dua të rikujtoj një fakt historik. 100 vjet më parë, edhe pse mbi 80% e territorit shqiptar ishte i pushtuar nga ushtritë: Serbo – malazeze, greke e bullgare, Kuvendi i Vlorës e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj ETNIK. Ndërkaq sot, cila është ajo forcë ushtarake që mund ta ndalë Bashkimin e Shqiptarëve në një SHTET? S’ka! Prandaj ta bëjmë sot, në mënyrë që nesër të mos bëhet vonë!”
***
Ky apel edhe pse atëkohë u mbështet nga opinioni publik, (përmes rrjeteve sociale dhe forumeve të ndryshme shqiptare), realisht nuk hasi në mirëkuptim nga institucionet respektive të Kosovës dhe të Shqipërisë!
Prandaj sot është çasti ideal për Bashkimin e Dy republikave shqiptare në NJË SHQIPËRI FEDERALE!
***
Apeli im, 22 shkurt 2012:
SOT I KA ARDHUR KOHA BASHKIMIT KOMBËTAR!
Nga Sheradin Berisha