ILJASA SALIHU: PAQJA NËN ÇIZME!

(20 Janar 2012) – Zallahi e madhe vazhdon të gëlojë nëpër mediumet dhe librat e disa autorëve shqiptar. Duke trumbetuar që të thonë diçka të padëgjuar më parë, nuk thonë asgjë, përpos se kokat me disa pjesëza të tredhura, fillojnë t’i mbushin këto pjesëza me gjëra që i përkasin familjes së asgjësë. Madje edhe ky shkrim vështirë është të mos rrëshqasë në bërrakën me ujë të ndenjur, të cilën edhe lopët nuk do ta vizitonin. Sidoqoftë, ky është çmimi i atij libri që dashamiri im ma dha falas atë, jo pse ishte në ndonjë pozitë të volitshme financiare, porse fare mirë e dinte se unë i dua shumë librat dhe ndonjëherë nga pamundësia financiare ta blejë çdo libër që shoh, ma dhuroi librin: “Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës”, të autorit, Enver Bytyçi. Pavarësisht se për kë bëhet fjala, unë me vrik gjeta një çik kohë për t’u futur thellë në vargjet dhe nën vargjet e atij libri. Qysh në përmbajtjen e librit parakuptova se i këndohet lepurit të trajtësuar në luan. Sigurisht që vetëm përmes shikimit të përmbajtjes lexuesi nuk mund të arrij të dijë se për kë bëhet fjalë, për lepurin a për luanin, porse për njërin prej të dyve s’kishte dyshim!
Me emrin e Zotit ia filloj leximit, kënaqem me fenomenin e leximit, ndonjëherë aspak me atë që arrij përmes leximit! Meqë ia fillova duhet ta mbaroj, bluante kësi lloj hamendjesh koka ime teksa lexoja.Duke ia arsyetuar çdo lëshim kombëtar dhe human kryepersonazhit të librit, autori ofronte argumente në përkrahje të kësaj filozofia paqësore. S’kishte dert pse kishte thënë se Kosova ishte çështje e brendshme e Serbisë, kjo ishte një kurth i ndërtuar prej kryepersonazhit të atij libri, që populli i Kosovës të mund të dilte sa më lehtë prej kthetrave serbe. Kjo mendësi ia ulë çmimin lirisë, ose e bënë falas krejt, edhe pse dihet që liria kushton shtrenjtë, mbase asnjëherë mund të mos i dihet çmimi. Gjithkush kishte dashur që pa asnjë gjemb të vogël në këmbë të dilte në kapërcyell të lirisë, por ja që armiku yt nuk i përket viteve por shekujve, aq më e ndërlikuar bëhet çështja, kur identiteti yt kombëtar dhe ai fetar është i ndryshëm prej pushtuesit. Në bazë të kumtit të autorit, mbase i ndikuar vet autori prej protagonistit kryesor të librit të tij, shkruan se kryepersonazhi i tij nuk ishte kufizuar në literaturën nacionaliste dhe retorika për heronj që “kapin grykën e topit”, apo “hidhen me granatë mbi tankun e armikut”. Kështu që ky popull dhe mundësia e tij që të çlirohet prej çizmes së armikut, qëndronte tek njerëzit që pranonin në emër të ruajtjes së paqes të bënin gjumë në përfundim të stinës së verës edhe sipër vrimës së gjarprit.
Ç’të shohësh tjetër në faqet e këtij libri, ku e gjithë gama e veprimtarisë së protagonistit kryesor të librit ishte e njohur, por jo ashtu siç e kishte stilizuar dhe arsyetuar për çdo gjë, madje e kishte pandeh për sukses dhe fat kombëtar që kishim një njeri të tillë. Ai e lavdëron në kulm kryepersonazhin e tij, sepse në mes tjerash, ai kishte dy idhuj të mëdhenj (Papa Gjon Palin dhe Nënë Terezën), që domosdo do ta ndihmonin zgjidhjen e çështjes kombëtare, paçka se kishin petk dhe mision tjetër. Autori e lavdëron kryepersonazhin e tij, sepse ishte i pari udhëheqës politik i shqiptarëve të Kosovës që hyri në “shtëpinë e Zotit” në Vatikan dhe që puthi dorën e zgjatur të zëdhënësit të Perëndisë në tokë. Ec e mos u rrëqeth, thuajse Kosova nuk kishte pasur shtëpi të Zotit, mbase as duar që meritonin të putheshin! Si do që të jetë, kryepersonazhi nuk frymon më në mesin tonë, edhe pse pa pinjoll të verbër nuk e la mjedisin tonë.
Vazhdova më tej me lexim, derisa togfjalëshi “rezistencë paqësore” u pështjell në mullirin e mendjes sime, që assesi nuk mund të bluhej. Çfarë është ore ky togfjalësh i pakuptimtë? – sikur me pahir pyeta, edhe pse në dhomën ku lexoja nuk ishte askush. U ndala një çik, në vend të librit, me gishtin tregues të vendosur në kokë, ashtu siç e kam shprehi kur zihem në ndonjë pezhishkë të panjohur, fillova ta shfletoj trurin tim, duke pretenduar se mos vallë diku mund të gjendej ndonjë shpjegim për këtë togfjalësh. Kot, çdo përpjekje më dërgonte edhe më tej në mjegulla të dendura. Pushova pak, tani më i kthjellët shtrova pyetjen se çfarë mund të kuptojmë me togfjalëshin: REZISTENCË PAQËSORE?
Asgjë, është një gabim kuptimor, mbase edhe i qëllimshëm. Ngaqë paqja nuk ruhet dhe kultivohet me rezistencë (aq më tepër kur prishësit e paqes i kishim të armatosur deri në dhemb dhe fare nuk i bëhej vonë për shfarosjen e atyre që ishin dem baba dem aty), ajo mund të jetë e tillë para ose pas rezistencës, (rezistencë kemi atëherë kur dikush të sulmon për të lënduar apo për të vrarë, e kundërvënien si mund ta bësh me lule në dorë, ose zgjidhja tjetër është t’ia mbathësh për diku tjetër, por paqja është e venitur në dhe të huaj) kuptohet nëse krijohen kushtet për një gjë të tillë. Në çastin kur rezistojmë në ruajtjen e paqes, atëherë nuk kemi më paqe (në atë periudhë), por tollovi që pas qërimit të hesapeve, pandehet që vendi prapë të hijezohet me paqe.
Për shembull, a mund të themi se matanë urës së Ibrit në Mitrovicë shëmbëllen paqja? Assesi. Atje forcat e rendit dhe të sigurisë kosovare dhe ato ndërkombëtare nuk janë duke bërë përpjekje për ta ruajtur në atë pjesë paqen, sepse atje veprojnë njësitë paramilitare serbe dhe herë pas herë sulmojnë trupat e rendit dhe të sigurisë, por atje tentohet të pastrohet terreni prej këtyre mikrobeve dhe qëllimi kryesor është të kthehet paqja, e jo të ruhet, sepse s’ka çfarë të ruhet kur ajo në fakt nuk ekziston. Kësisoj, në këtë situatë, cila palë mund të etiketohet si rezistuese paqësore?! Asnjëra. Ngase pala serbe nën ombrellën e shtetit të Kosovës është duke rezistuar me armë, barrikada, propaganda dhe gurë në dorë, ndërsa pala shqiptare kohëve të fundit as nuk është duke rezistuar, as duke ndërmarrë ndonjë veprim konkretë mbi dorën e zgjatur të Beogradit. Vallë në këtë zgrip të humbjes së asaj pjese shqiptare, do të ishte mençuri gjuhësore dhe kuptimore të themi se njëra palë ose tjetra është duke bërë rezistencë paqësore? Aspak!
Ky është një kombinim i shpikur prej atyre që frika u kishte hyrë në palcë gjatë kohës së luftës. Shkau vriste fëmijë, gra dhe pleq, kurse një grup i caktuar bënin “rezistencë paqësore”! Kjo i bie nënshtrim dhe pranim të gjenocidit, vetëm e vetëm që ta ruanin paqen, edhe pse gjatë atij rrugëtimi shfarosës nuk mund të kishim as për së largu paqe në ndonjë cep të vendit, ndërsa disa mëtonin edhe në këtë rrugëtim ta kultivonin paqen. Çfarë absurditeti! Edhe pse ky togfjalësh nuk është hedhur pa qëllimin dashakeq të faqezinjve, të cilët duan që rezistencën që e bëri UÇK-ja, t’ia pllakosin vetës, duke dashur që para popullit shqiptar të tregohen se edhe ata kishin bërë njëfarë rezistence, si dhe të mburreshin para ndërkombëtarëve gjoja se kishin kultivuar paqen në lug të luftës së armatosur. Jo, jo, të gjithë e dimë se rezistencën e bëri UÇK-ja dhe po ajo e kultivoi paqen kur qe koha, ndërsa prodhuesit e këtij togfjalëshi, as njërën as tjetrën nuk e bënë – përpos hipokrizisë ndaj popullit, sepse botëkuptimi i tyre rrëfeu për njeriun i cili kishte hedhur farën e grurit në asfalt dhe pastaj në pikë të verës, kur e kishte hetuar anakronizmin prej budallallëkut, kishte aktruar gjoja se ai nuk është ngushtë për grurë, duke tentuar kështu që ta fshehë gabimin prej adoleshenti. Nuk kishte përfunduar me kaq ky njeri i çakërdisur. Përmbi kësaj injorance, me qëllim që sa më mirë t’i fshehë gjurmët e budallallëkut të tij, kishte krijuar edhe një teori rreth kësaj çështjeje. Ajo ishte: paçka se gruri hidhet edhe në asfalt! Kësisoj, disa që nuk mendonin me kokat e tyre, filluan ta qepin këtë teori si të përnjëmend, pra edhe një lloj anakronizmi shtesë në organizmin e njeriut. Dishepull të këtij ngjasimi veprues dhe arsyetues, padyshim ishte kryepersonazhi me shpurën e tij, pse jo edhe autori i këtij libri!
Kështu do të ndodhë sa herë me ata që veprimtarinë e zymtë dëshirojnë ta mbulojnë me gabime të thella sintaksore – që është vështirë të zbërthehet dhe hetohet kuptimi i drejtë, porse po kjo fshehje mund t’ia zbulojë edhe më çiltër sterrën e asaj veprimtarinë paqësore, edhe pse nga kjo shpurë mashtruesish, dëgjuam ovacione me rastin e çlirimit të Kosovës me mjete jopaqësore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura